Albspirit

Media/News/Publishing

Dy tregime nga Shpëtim Emiri

KUR QENTË SILLEN SI NJERËZ, E NJERËZIT…

“Në të gjithë Evropën njerëzit nxitojnë për diku, ndërsa ne vrapojnë e vrapojnë për… askund”!

Fillimisht nuk u kuptua nga kush qe formuluar ky citat për ne në vitet 2000 dhe doemos u revoltuam…Or po kush, xhanëm, do të na e ketë ngjitur këtë?!… Por u shkrehëm shpejt, madje u gajasëm, kur u mor vesh se ishin shqiptarët që e patën nxjerrë për shqiptarët! Sa shumë na shijoi! E gjetur fiks, si për vete! Domethënë, nuk po na nxirrnin sytë bota, por përkundrazi po “kujdeseshim” për vetveten…

Atëherë, bravo!

E shqiptuan dhimbshëm emigrantët tanë, të parët ikur me anijet në “Eksodin Biblik” në vitet ‘90-91… Të përshtatur më pas me ritmin dhe racionalitetin e jetës nëpër Evropë, kishin fituar tipare të reja, tjetër këndvështrim, ndaj trishtoheshin kur vinin.

Si të mos mjaftonin pasojat dramatike të rënies së sistemit (1990-91), shembja e shtetit, kaosi, hallakatja, pasiguria… një tjetër tragjedi – viti i mbrapshtë ’97; vithisja e piramidave financiare, humbja e asaj çikë pasurie të popullsisë, dorëzimi i ushtrisë, hapja e depove të armëve, bandat kriminale dhe mbi tremijë të vrarë, na shpartalluan plotësisht. Pa llogaritur fare grushtin e shtetit një vit më pas, më 1998! Dhe të troshitur nuk dinim ç’të bënim më parë, nuk dinim ku të gjenim çfarë na duhej, nuk… Dhe ndaj vraponim pa adresë…

Ishte ëndërr të gjeje një lidhje me Italinë dhe nuk vonoi t’i shikonim italianët, jo veç në filma, por si eksploratorë nëpër vendin tonë. Na e kthyen shpejt “vizitën”! Sa të sajdisur! Ama, nivelit aq të përfolur të fluksit të parë të refugjatëve tanë në Itali iu përgjigjën me të njëjtën monedhë edhe ata dhe çfarë nuk hyri këtu?! Veçse shumë më të organizuar se ne!

Njëherësh pati dhe mjaft italianë të çuditshëm, që na lanë pa mend me dëshirën të ndihmonin me çdo mënyrë, madje dhe duke sakrifikuar e duke u rrezikuar për të bërë të mundur, për shembull, trajtimin pa pagesë në spitalet e Italisë të dhjetëra e ndofta qindra shqiptarëve banues në Shqipëri. Dhe pa asnjë lloj shpërblimi!

Saverio quhej italiani ynë, i këtij formimi engjëllor. Barez ishte, kaluar gjashtëdhjetë e pesat. I inamoruar pothuaj me çdo gjë shqiptare, sidomos me mikpritjen, çiltërsinë, temperamentin dhe karakterin. Pas vizitës së parë qëndroi këtu dhe u njoh me firmat e sapokrijuara, ca më tepër me ato të ndërtimit të rrugëve, që vetëm emrin kishin si ndërmarrje, ndërsa u mungonin të gjitha, përveç aftësisë profesionale, dëshirës dhe kurajës.

– Makineri e pajisje ua siguroj unë, çfarë të doni dhe si t’i doni!… Të rejat?! Harrojini! Ju nuk mund të blini asgjë! Të përdorura, po! Të mbajtura, në gjendje shumë të mirë dhe me çmime okazion! Do t’ju shoqëroj vetë në Itali, t’i shikoni në punë e të vendosni, – ishte përgjigja e tij si e rënë nga qielli për gjithçka që mungonte në Shqipëri: makineri, mjete transporti, pajisje teknologjike, fabrika betoni, asfalti e të tjera, e të tjera…

Funksionoi më së miri kjo lloj krushqie. Mblesi, Saverio-ja, shqetësohej për çdo defekt që pësonin në punë makineritë e sjella nga Italia. Jepte porositë dhe në kohë rekord vinin me traget në Durrës pjesët e ndërrimit. Një komoditet i paimagjinueshëm. Si me magji mjaft firma të reja ndërtuan lidhjet me perëndimin dhe frymëmarrja ishte normale, e siguruar. Italiani ishte bombola e oksigjenit, që nuk e mbanin në kurriz. Pagesat për shërbimet e tij ishin simbolike.

Si pikë takimi me klientët i shërbeu zyra imobiliare e Luanit, mikpritësit të tij tek “21 Dhjetori”, ku u bë menjëherë pjesë e gjithë rrethit miqësor e familjar. E mirëprisnin dhe e respektonin mbi të gjitha për bamirësitë, që nuk kishin të ngjashme. Ardhja e tij e gjallëroi ambientin shoqëror, ndaj bënte “mu” mungesa kur ikte. Madje dhe kafja e përbashkët e humbiste shijen e muhabeti po ashtu, zbehej dhe mungonte gazmimi që shkaktonte italishtja jonë copë-copë, apo dhe fjalët shqip të italianit. Numëronin ditët deri në datën e kthimit dhe po të vonohej kërcisnin telefonatat për shëndetin, për familjen…!

Rastiste që mbetej fillikat, vetëm në zyrë, por koha nuk i shkonte kot! E argëtonin disi sjelljet e një grupi qensh endacakë, që hera-herës mblidheshin në trotuarin para ambienteve tregtare. Përgjithësisht ishin të qetë, sidomos kur i zinte gjumi shtrirë trotuarit, por nuk mungonin grindjet, teksa luftonin për kockën e gojës. Ndonëse ushqimin e gjenin me vështirësi mbas pallateve, si të mos dinin se ç’i priste, krejt të pakujdesshëm dilnin me racionin në gojë tek trotuari. Provokim i hapur! Ia nduknin e ia rrëmbenin nga goja kockën njëri-tjetrit mes hungërimash kërcënuese dhe përfundimisht atë trofe e gëzonte më i forti ndër ta.

Çfarë ngjashmërie! Qentë e rrugës, njëlloj si njerëzit, nuk ia njihnin të drejtën e pronës pronarit të ligjshëm, fillestarit, ose atij më të hershmit! Do ta merrte më i forti, më i dhunshmi, kush riskonte…

Tranzicioni apokaliptik, i njëkohshëm, i gjithë shteteve të Evropës lindore nuk rastisi i lehtë as për kafshët që bashkëjetonin me njerëzit dhe kjo më e theksuar tek qentë!

Egërsia, padrejtësia, ligji i xhunglës, në vend të transmetohej nga kafshët tek njerëzit, po ndodhte e kundërta (’97 & …) dhe kjo i gjeti kafshët e gjora të papërgatitura!

Sjellja fisnike e njërit prej qenve ambulantë, nuk mund të mos i binte në sy shumëkujt, sadopak të vëmendshëm të ishin, veçse si stonaturë, madje qesharake! Por krejt ndryshe ndodhi me italianin. Atij i bënte  shumë përshtypje. Kur i rrëmbenin diçka “qeni i tij” nuk grindej si shokët dhe asnjëherë nuk u bë shkak t’i dëbonin me të bërtitura nga trotuari. Me shikim të vrarë, gojëzbrazur, kthehej i zhgënjyer e nisej sërish për të gjetur ushqim.

Kjo pamje e trishtë e nxiste italianin të reflektonte, të binte në të thella e mendueshëm përjetonte betejën për mbijetesë të krijesave të gjalla. Edhe ai vetë, çfarë bënte në fund të fundit? Luftonte për jetën. Si të gjithë! Kish gjetur një mënyrë tejet fisnike të ishte i dobishëm në shoqëri dhe të shpërblehej arsyeshëm për sakrificën larg familjes.

Qeni vërtet ishte në vendin e vet, por nuk e kishte aspak të lehtë edhe për ato pak pretendime që kishte… Filloi ta përkëdhelë me duar e qeni u bë mbret!… I vuri dhe emër e “mbreti” e kuptoi, teksa i përgjigjej në çast. Herë pas here, kur i kalonte i vetëm para zyrës, i parrezikuar t’ia rrëmbenin bashkëvuajtësit, i hidhte për të ngrënë. Mirënjohja e qenit ishte e jashtëzakonshme! Mbinjerëzore mund të konsiderohej, teksa tek njerëzit ishte shfaqur, po rritej e rrezikonte të kthehej në modë e kundërta, simptoma e “mosmirënjohjes”.

Kur vinte Saverio-ja nga Italia “mbreti” sakrifikonte, kufizonte shëtitjet lart e poshtë dhe qëndronte gjatë para zyrës, i përkëdhelej, lëpihej, lozte, shtriqej në trotuar e rrotullohej, kuiste butë, …  nuk lehte. Si qen rrugësh që ishte, nuk i kishin shumë lezet nazet e lodrimet, megjithatë ai nuk donte t’ia dinte, sa kohë i jepnin dashuri sytë dhe duart e zotnisë.

Për hir të kësaj marrëdhënieje qeni u shkëput nga shoqëria e vjetër e rrugës. Kishte marrë status të ri. Qen zotnie! E shoqëronte Saverio-n deri tek makina, kur ai largohej për tek klientët dhe qëndronte në pritje sa të kthehej. Italianin e kish pranuar përunjësisht si zotin e tij, e donte si i marrë e besnikërisht për vdekje! Por ç’e do, i zoti i zhdukej shpesh…

E ndiente shumë largimin e Saverio-s në Itali. Çdo ditë që kalonte ai shtonte grindjen. Asnjeri nuk e përkëdhelte, kurrkush nuk kujtohej ti jepte diçka për të ngrënë. Shokët e Saverios nuk ia trajtonin qenin në mungesën e tij… Pupupu, mos e fol! Vetë qeni nuk dinte ç’të bënte! Ishte në mëdyshje! Të rrinte me shokët e zotnisë, apo të kthehej tek shokët e tij? Ama, një mendje i thosh se të vetët, megjithëse të egër, ishin ku e ku më të dashur…!

– Lere o Saverio, ç’merresh me të, se qen rrugësh është! – i flisnin me përbuzje shpesh të huajit që po i habiste me këtë farë miqësie.

Kur vinte nga Italia qeni i dilte para, matanë kryqëzimit, shumë larg nga zyra ku do mbërrinte i zoti. Dhe mos pak?!

Mbi pesëqind metër larg! E nuhaste, e ndjente që në distancë! Si është e mundur?! Çfarë shqisash të çuditshme që u ka falur natyra! I sulej nxitimthi të zotit, e gëzonte, duke u ngritur në dy këmbët e pasme, i ledhatohej mes këmbësh në ecje dhe, duke lëshuar angullima miqësore, e shoqëronte për tek zyra, ku e prisnin të huajin.

Dashuria e qenit me të zotin dihet, proverbiale, e veçantë, e çmuar, mjaft e gëzueshme, që ngjall aq shumë emocione; ca më tepër përjetimi i saj prej një jabanxhiu! Ja pra, dikush dilte dhe e priste!

– Saverio, po na le pa mend qeni juaj! – të befasuar i shprehnin habinë. – Thjesht nga sjellja e çuditshme e tij ne kuptojmë se ke vënë këmbët në tokë shqiptare e je duke ardhur.

Dhe i tregonin se si papritur brofte ndenjur, madje edhe po të ishte në gjumë, ngrinte rrëmbimthi kokën, lëvizte veshët, kuiste me një tingull të veçantë dhe lëshohej në atë drejtim, nga ku do të kthehej së bashku me të zot.

Herën e fundit italiani u vonua më shumë se çdo radhë. Sa u afrua tek vendi i takimit u pre i përfshirë nga shqetësimi. Qeni nuk pati dalë… Ç’ne?! Mos e kishin vrarë?! Italiani, i vetmuar kësaj here, nxitoi për tek zyra.

Kalimthi u përshëndet me miqtë që u ndodhën aty dhe doli në trotuar. Mezi ia kapi syri!… Si të braktisur në një rrëzë. U ndie shumë keq. Oooh, sa shumë ishte ligur! Të porsaardhurin e përshkoi vetëtimthi ideja se shkak ishte bërë vonesa e tij. Gjatë kësaj kohe qenit i mungoi përkujdesja, privilegjet, ushqimi i gatshëm i zgjedhur… për më tepër i qe zbehur tipari thelbësor, zotësia për ta siguruar vetë atë.

E ndjeu veten fajtor. I shkuan djersë. Pavetëdijshëm, me dashurinë e tij, e kishte dënuar keqas mikun më besnik…

Shpejtoi, i mori produkte speciale, salçiçe e… dhe u kthye, ia vendosi me dorë përpara. Syngultas mezi priste ta shikonte ringjalljen, gjallërimin, por qeni jo… nuk po hante!

Ishte i këputur, nuk donte ushqim. Ai lutshëm kërkonte ndihmë. Lëshonte gërvima dhe angullitje të zvargura. Saverio-ja, shumë i prekur nga mënyra se si po e shikonte qeni, kërkoi ti gjenin një mjek veteriner specialist për ta vizituar e për ta mjekuar.

Dramën që po përjetonte italiani nuk e vlerësoi askush nga vendasit, të njohurit e tij, madje as miqtë që i kishte provuar si të tillë. Tronditja iu shumëfishua teksa po përballej edhe me dramën tjetër, njerëzoren, mentalitetin

krejt të ndryshëm. Sa më shumë këmbëngulte ai ta ndihmonin, t’i gjenin mjek, aq më tepër qeshnin, shpotisnin, gajaseshin me këtë përkushtim të tepërt derisa Saverio-ja i mposhti me autoritet e seriozitet, sa nuk mund të toleronte më.

E mjekuan dhe filloi të përmirësohej qeni, por kishte mbetur i plagosur rëndë i zoti. I ndjerë mjaft i fyer nga sjellja e miqve të tij vendas, që nuk arrinin të vlerësonin shqetësimin e tij human, nuk besonte se do të gjente dot ndonjë ilaç për ta harruar këtë qeshje, gati-gati tallje me personalitetin e tij. Grupi shoqëror i rastësishëm i italianit në Tiranë ekspozoi një dimension të munguar. Ai vetë kishte marrë një goditje të papritur, që nuk mund të ishte e parëndësishme për një të ardhur, vetmitar! Donte të ndërronte atmosferë, qoftë dhe përkohësisht…  

Iu kujtua ftesa e përsëritur nga inxhinieri: “Sa herë të vini në Shqipëri jeni i ftuar të takohemi për kafe apo drekë a darkë”, (Saverio e shoqëroi miqësisht të shikonte disa fabrika asfalti në zonën e Barit, ku shërbeu si ndërmjetës edhe pse nuk u konkludua për asnjërën prej tyre), thënë me gjithë zemër, kur po ndaheshin në Itali. Oh, sa mirë! U lidh me të dhe caktuan orën dhe vendin e takimit – një restorant cilësor.

Për ta respektuar siç e meritonte, Inxhinieri e priti familjarisht dhe Saverio-ja shoqërohej nga miku i tij i ngushtë, gjithashtu familjarisht. Në tavolinën e shtruar hijshëm, kur kamerieri po sillte porositë, shqipot nuk duruan t’i tregonin inxhinierit, mes të qeshurash miqësore, “aventurën” e italianit me qenin. Mjaft i përmbajtur, Saverio-ja nuk i ndërpreu, por i lënduar lëshoi nga dora thikën, pirunin, u ngrit e iu drejtua inxhinierit, si të kërkonte liman në furtunë. I prekur, ai donte të arrinte të bindte, qoftë edhe një shqiptar të vetëm prej atyre që njihte e që e njihnin, Së paku për ta pranuar sjelljen e tij ndaj një qenieje të gjallë si veprim normal, human, që nuk duhej të stigmatizohej, e ca më pak të fyhej.

– Inxhinier, ju lutem shumë të më kuptoni! – gjithë dert, zëdredhur, filloi sqarimin. – Qeni më shikonte me sy të përlotur dhe kërkonte ndihmë nga unë. Shpresonte tek i zoti dhe unë papritur po e tradhtoja, ndërsa ai i gjorë nuk do më tradhtonte kurrë mua! Më shikonte në sy si njeri! A e besoni ju këtë?! Si njeri! – e ngriti bindshëm tonin në rrokjet një pas një dhe një heshtje varri mbeti pezull mbi tavolinë, ku nuk pipëtiu askush. Ashtu pezull, më këmbë, mbeti edhe vetë, disi i çliruar që mundi të shprehej i lirë mes njerëzish e i lehtësuar u ul.

Akullheshtjen guxoi ta shkrijë kujdesshëm inxhinieri. 

– I dashur Saverio! Sigurisht që ju besoj për çfarë thatë, pa mëdyshje madje, dhe ju vlerësoj sinqerisht për shpirtin tuaj human. Për më tepër, ju besoj plotësisht, kur shpreheni se qeni ju shikonte si njeri…Oh! – dhe psherëtima e dalë natyrshëm e gjelbëroi më oazin e mirëkuptimit, teksa inxhinieri donte të ndërtonte një tablo të sinqertë të realitetit të ri në tranzicionin e çudirave në këtë vend.  – Këtu tek ne, miku im, të më falni për opinionin bruto, por ka mjaft raste kur qentë shohin si njerëz, ndërsa njerzit jo, të shohin si lloj-lloj qensh!

Italiani u çlirua! U ndie në habitatin e vet. Fitoi të drejtën, ndryshe nga ç’kishte kaluar me harrakatët e “21 Dhjetorit” që, pa teklif, sakrifikonin seriozitetin thjesht për pak çaste gazmore. U ngrit përsëri më këmbë, tashmë i entuziazmuar dhe i zgjati dorën inxhinierit. I shtrënguan ato kryqëzuar mbi tavolinën plot, në harenë e të qeshurave që zgjoi shprehja “njerëz që shohin si qentë”, që për Saverio-n nuk qe thjesht një përcaktim hipotetik për temën e bisedës, por bëhej fjalë për tipa realë, për të cilët ai kishte hyrë garant në Itali, por që e kishin mashtruar, mbetur me detyrime të pashlyera dinakërisht…

– Me qenin ke pas fat i dashur mik! – e plotësoi inxhinieri, për të gazmuar disi atmosferën. – Kujdes me qenbirqentë! 

Dhe nuk po dinin si t’ia përkthenin sa më afër kuptimit  që ka në shqip fjala “qen bir qeni”. 

– Është racë e hershme, e gjallëruar shumë kohët e fundit. I ka prirë mjaft klima e tranzicionit tonë! Më e bukura, se janë të kryqëzuar me racën tuaj, me italianët, Saverio! Janë mjaft të suksesshëm. Jetën e tyre e ngrenë lart, sepse mbështeten, shkelin mbi jetët e të tjerëve. Pa dallime!

Madje, në këtë qerrata vëllazërim, shqiptarëve thjesht iu mungon eleganca juaj në lojë dhe shkaktojnë faulle të panevojshme…  

Saverio-ja fytyrëqeshur tundte kokën dhe nuk kuptohej, nëse dënonte mësuesit, ustallarët e regjur, italianët e vet, apo ne, nxënësit e zellshëm, që donim t’ua kalonim edhe mësuesve në lojën, hera-herës me hile, brenda ekonomisë së tregut.

NË GJUNJË PARA MIRËSISË!

Befas, në vitin 2000, qeveria mori një vendim që mund të konsiderohej mjaft i vonuar. Qysh prej ngjarjeve të vitit 1997 një segment i ri rrugor prej 13 kilometrash, nga FushëKruja në Mamurras, i ndërtuar dhe i vënë në shfrytëzim para vitit 1990, kishte mbetur i bllokuar, i pakalueshëm përgjatë katër vitesh dhe kështu vazhdonte… Gjithë trafiku i gjysmës së Shqipërisë ishte i detyruar të kalonte në rrugën e vjetër Tiranë-Shkodër, të ngushtë, të amortizuar, tejet gjarpëruese me kthesat e panumërta, duke rritur kohën e udhëtimit në gati një orë. Shkak ishte bërë dëmtimi i veprave të artit. Urave u qenë dëmtuar rëndë soletat me shpërthime të qëllimshme me eksploziv.

Detyra për ta realizuar rikonstruksionin në një afat mjaft të shkurtër iu besua firmës së ndërtimit “TRISS” në Tiranë. Vetë kryeministri i kohës komunikoi me presidentin e kompanisë, i cili e mori përsipër dhe u lidh kontrata: “Filloi puna menjëherë”, mund të mendojë kushdo, por jo! Mikrobusët që transportuan ndërtuesit nuk u lejuan të hynin në objekt. Të “zotët” e rrugës kombëtare, ata që e kishin bërë të pakalueshme, të egërsuar dhe të armatosur i kthyen mbrapsht.

Kryetari i Qeverisë, i vënë në dijeni për incidentin dhe mosfillimin e punimeve, ofroi zgjidhje: “Do të çoj një repart ushtarak të rrethojë gjithë segmentin rrugor, të punoni lirshëm, madje dhe policinë, për çdo rast të jetë e pranishme”.

Kontraktuesi nuk e pranoi këtë lloj gjetjeje, mbrojtje policore brenda orarit të punës, kur dihej se aktiviteti i ndërtimit nuk mund t’i nënshtrohet orarit fiks. Për pasojë do të zgjonte reaksion mbas orarit të punës, ndaj mori përsipër të kërkonte “ilaçin” pa prani policie. Zgjidhje me “të fortët” e zonës! Me “shtetin” brenda shtetit! Kjo ishte bërë modë në ato vite… Si pasojë e përmbysjes së sistemit në vitet ‘9091, shkatërrimit total të shtetit shqiptar më 97-ën dhe grushtit të shtetit më ’98-ën, krahas qeverisjes nga pushteti i gjymtuar, mbajtur në paterica, vetëqeverisej në disa aspekte, përfshirë rendin, nga të fortët lokalë.

U kërkua me terezi “i forti” i asaj zone. Dolën dy! Sekush në territorin e vendbanimit, Derven dhe Mamurras.

Të “përgjegjshëm” për autoritetin që gëzonin, pun’ e tyre se si, pranuan të hyjnë në marrëveshje me firmën ndërtuese, që iu kërkoi mbrojtjen e kantierit! U ra dakord për rrogën e majme të secilit, ama kjo vetëm pasi morën përsipër, “burrash”, mirëkuptimin dhe respektimin mes tyre deri tek kufiri i përbashkët, ura e re në Thumanë.

U vendosën kontakte edhe me komisariatin e policisë së Fushë-Krujës, por besimi tek ndihma e tyre ishte i vakët. Kuptohej ashiqare, brenda pasigurisë së përgjithshme po aq të pasigurt ishin edhe vetë forcat e policisë. Shefi i komisariatit kishte shpëtuar paq nga granata e dorës, kur ia hodhën tek këmbët pikërisht pranë urës së dëmtuar në Thumanë. Kishte kërcyer vrik në gropën pas pusetës së betonit.

Pavarësisht lidhjes së dy kontratave për të njëjtën punë, mbrojtja e aktivitetit të ndërtimit mbeti në mëshirë të fatit…

E ku mbaronin “trimat” në atë kohë?! Dhe ku?! Në Mamurras!  Dy të fortët e punësuar me rrogë i lejonin bashkëfshatarët e tyre të sfidonin kantierin e ndërtimit me përvetësime të “arsyeshme”, por jo ta  bllokonin punën e firmës.

Çuditë në vazhdim.

▪ Pa pritur, teksa kishte filluar shtrimi i tapetit të asfaltit sipas projektit në kilometrat e parë, Fushë-Krujë – Derven, u ndalua përsëri hyrja e ndërtuesve në objekt. Pronari i një nyjeje karburanti në Borizanë, nuk lejonte vazhdimin e punës, pa i asfaltuar më parë atij gjithë sheshin e benzinatës dhe parkingun e lokalit… Absurditetet nuk dëgjonin të ndalnin…

Për të mos u hallakatur me policinë, që do t’i duhej kohë e gjatë ta zgjidhte, u vu në provë “i forti” përkatës… Funksionoi autoriteti i tij dhe të nesërmen u hap rruga, veç humbi edhe 1 ditë e çmuar nga 90 gjithsej të kontratës!

▪ Aty ku rruga kalonte pranë banesave marrjen e asfaltit e bënin fshatçe, në mes të ditës, pa teklif, si të qenë në arën e tyre. E ngarkonin me lopata në karrocat e dorës dhe nxitonin ta shkarkonin shpejt në oborre e të vazhdonin të rrëmbenin sa më shumë, para se të rulohej. Nuk kishte perëndi që t’i ndalte! Lopatat e tyre mund të ktheheshin në armë! Ishin kryesisht mosha të reja, madje edhe minorenë… (Punonjësve të firmës iu ndalua kategorikisht kundërshtimi fizik kundrejt banorëve).

▪ Një banoreje inxhinier Gëzimi u detyrua t’i lidhë rrogë! Detyra e vetme për atë ishte të mos i lejonte fëmijët e saj të vegjël të dilnin në rrugë, ku punonin makineritë.

▪ Drejtuesit në kantier konsideruan fat që nuk lakmoi të punonte në firmën ndërtuese një djalë i Mamurrasit, dy-tri shtëpi larg rrugës, i cili pat vrarë nënën, se nuk ia kish përgatitur zogun e skuqur, kur mbërriti zotnia e tij në banesë! Këtë ndodhi e tregonin lirshëm si të ishte identifikuese, se deri ku mund të mbërrinte marrëzia. O Zot!

▪ Në një nga netët e fundit të asfaltimit, në errësirë të plotë, një grup çunash e ndaluan plotësisht ecurinë e asfaltimit. Ultimatumi i tyre: “Një makinë me asfalt (22 ton) do ta hidhni tek rrugica e shtëpisë, ndryshe nuk do vazhdoni punë”! Dihej se ajo kategori bridhte me granata nëpër xhepa dhe firma u ndje e rrethuar, e rrezikuar nga ndonjë aksident i mundshëm me gjakderdhje, teksa kishin të pranishëm edhe një grup specialistësh të huaj asfalti.

Njëherësh kantierit i qëndronte mbi kokë rreziku teknologjik i procesit. Vonesa ishte fatale! Ftohja e asfaltit mbi makina, e bënte atë të papërdorshëm e do t’i detyronte t’i shkarkonin gjithë automjetet jashtë rruge, të shpëtonin së paku kazanët e tyre.

Inxhinieri ua miratoi kërkesën. “Zgjidhni vetë njërën nga makinat dhe drejtojeni aty ku e doni të shkarkohet! Dakord”?! “Dakord”!… Të nesërmen rrëmbyesve mund t’u ketë ardhur turp nga vetja. Nuk nxirrnin dot veturën nga shtëpia! Duhet të thyenin tërë pirgun e asfaltit të grabitur, që e lanë pa hapur sa ishte i nxehtë.

Teksa lëvizte më këmbë nga njëra urë tek tjetra, inxhinierit i ofroi shërbim “i forti”. Nga pamja e jashtme Benzi 300-sh nuk të ftonte hiç të hyje në të. Larjen e fundit mund t’ia kishte bërë perëndia para dy-tre muajsh me shirat e pranverës. Hapi derën, ditë e zezë! Rrëmujë, papastërti.

 – Nuk është shumë e pastër, o shef, po, “E faltë Zoti!”, punën e bën xhom! – i kërkoi një lloj ndjese “i forti” namusqar, teksa inxhinieri ishte përqendruar të bënte kujdes të spostonte tek këmbët qytën e kallashit me grykën përpjetë, pjesë e dukshme e “rekuizitës” luftarake të mikpritësit…

– Afroje nga krahu im, afroje! Aaaashtu, lere në krah të levës së marshit! – e mësoi inxhinierin, teksa donte ta kishte të kapshme me dorë armën gati për shkrepje.

Në ecje inxhinieri kuptoi se makina ishte e blinduar. Plumbi që kish goditur xhamin ballor në krahun e pasagjerit nuk e pat depërtuar dot. Kishte lënë gropëzim të thërrmuar dhe plasaritjet si rreze përreth.

Interesant! Kjo atmosferë pasigurie -nxhinierit nuk i ndillte frikë, por, përkundër, për çudi, i zgjonte ndjesi humori. Krejt vendi përjetonte një grotesk luftarak. Gjithë populli ishte armatosur, teksa shteti qe ç’armatosur! Pushteti i trembur, shtetarët trimëruar, ndonëse pjesërisht! Ama të gjithë ishin ambientuar të bashkëjetonin me rrezikun.

– Kush ua ka prishur urat juve?! – Nuk dinte ç’muhabet të bënte inxhinieri i ndodhur befas vetëm me “autoritetin” vendor…

– Më duket se ju kanë marrë më qafë!

– Joo! E ke gabim, shef! Vetë i prishëm urat! Na dha shumë dorë kalimi i trafikut tek rruga e vjetër. Andej mund të bësh namin, pa pas nevojë të ngresh prita…!

Një vit më vonë tek firma e ndërtimit mbërriti lajmi se njërin nga dy të “fortët” e kishin vrarë, pavarësish se firma i kishte paguar siguracionin për jetën; veçse, për fat, jo atë që e sajdisi inxhinierin me benzin e blinduar! Megjithatë u ndje keqardhje e madhe për atë që humbi jetën aq i ri. Por fatkeqësisht ajo pritej! Jeta e tij paskësh qenë borxh i një jete tjetër të marrë pa lejen e Zotit…

Në errësirën e mbytur të një nate korriku plot yje, xëc, pa hënë, u tërhoqi vëmendjen zhurma e një karroce dore që po vinte drejt grupit të punës, ulur, në pritje të autobetonierave. Betonimi do vazhdonte deri në përfundim të themelit të njërës këmbë të urës me hapësirë njëzet e dy metër. Të gjitha kokat u kthyen nga hija që po afrohej! “Ça dreqin po sjell në këtë farë errësire?… Granata vallë?… Po përse me karrocë, sikur nuk i mjaftojnë vetëm dy copë syresh në duar?… Mos po na sajdis me nga një granatë për shoq’?! Mendja vetiu shkonte tek krimet.

Ai nuk po u turrej. Ecte ngadalë. Ama drejtimi ishin ata. Nuk kishte asnjë kuptim, madje asnjë vlerë largimi. Vetëm lutnin Zotin të mos ishin pikërisht ata shënjestra. Kur u afrua, u pa një goxha djalë. Ndaloi, e uli karrocën, i njatjetoi me zë të lartë e gazmor dhe i ftoi për të ngrënë.

Uaaaa! Çfarë surprize! Për të ngrënë?! Po, po!… Teksa prisnin të hanin ndonjë kokërr granate!

– Ju jeni të lodhur dhe ju kapi nata. Kam sjellë makarona për të gjithë. Domate, speca, sallatorë e shalqinj keni plot….

– Nuk është Yni! – u pëshpërit mes grupit. Kishin parasysh disa punëtorë, marrë nga zona. Ishte i panjohur…

Ç’qe kjo mikpritje?! U ul edhe vetë.

– Do ha me ju! – tha natyrshëm, ndofta ngacmuar nga hezitimi i ndërtuesve pas ftesës …

– Bujrëm, ore! – i thirrën, ndonëse të vonuar paksa, gjersa iu erdhi gjaku në vend. E ftuan si t’iu kishte ardhur mysafir. Nuk e kursyen mikpritjen në darkën që ua shtronte “i ftuari”!

Ama e paimagjinueshme për specialistët, që vetëm histori horror iu kishte kapur veshi për atë zonë. Nga na doli ky? Mamurrasi kishte mbetur i famshëm qysh nga prita dhe ekzekutimi me armë i dy amerikanëve në vitin 1924, një ngjarje që mori përmasa ndërkontinentale. (Poeti i panteonit të poezisë shqipe, Ali Asllani, i ka kushtuar një poezi:

Thumani

Midis Shkodrës e Tiranës

Ka pas’ qen’ një vend pusie,

Ku ndokush, nga anë e anës,

Nga përroi i rreptë i thanës,

Vinte rripte veresie!

Vinte vriste, vinte rripte

Dhe të gjall’ në gropë e kripte.

Aty s’kishte veç pusira

Dhe strofok’ për egërsira!

Strofok ujku dhe çakalli,

Ku nuk bënte gëk i gjalli,

Zonj’ e vëndit ishte miza,

Lul’ e vëndit ishte driza)/!

Por i qe rritur sakaq vlera horror nga kryeministri i vendit, kur tha se “Vetëm me djemtë e Mamurrsit e marr pushtetin”, pa harruar faktin e prekshëm, dëmtimin kriminal të urave nga po ata vetë.

Makaronat po kullufiteshin! I shkreti, gjithë drojë i paralajmëroi se ishin pa mish. Po ç’punë kishte mishi në atë gatim me gjalpin e freskët të shtëpisë, ku e ku me të dyqanit? Patën gatuar me bollëk një tenxhere të madhe plot. Kullufitja nuk bëhej nga frika se po mbaronin, jooo! Shijonin për vdekje! Nuk krahasoheshin as me gatimet në familje, pa lere më me ato që gatuanin në kantier gjatë javës, deri sa të shkonin nëpër vendbanimet e tyre në Fier, Shkodër, Pogradec, Korçë etj. Dhe darka kaloi shtruar, shoqëruar edhe me zarzavatet e shalqinjtë… Nuk po i hante më meraku i vonesës së autobetonierave. Le të vinin kur të donin!… Ushqimi teproi!

Duke ngrënë u pyetën dhe do të çuditeshin me origjinën e mysafirit.

– Çfarë ju shtyu të na bëni borxhlinj neve, mor zotëri?! – nuk iu durua inxhinierit. – Po na bën shumë përshtypje sjellja juaj. Një njeri i panjohur, të vini të na respektoni e, për më tepër, të na shtroni për të ngrënë në mes të rrugës, natën…

– Kam shumë respekt! – u shpreh, sikur mezi priste t’ua thoshte. – Ju kam parë, qysh se keni filluar punë. – Më ka bërë përshtypje disiplina, komunikimi, si të jeni një familje, dhe mbi të gjitha cilësia e punës tuaj. Nuk më mbante vendi në shtëpi, kur dëgjova bisedat tuaja në radio me fabrikën e betonit, se ju do vazhdoni punë deri nga mesnata. Shpejt e shpejt e sajoi nëna, ndërsa vetë mblodha në bahçe këto. 

– A do të vish të punosh me ne, çfarë zanati ke? – ia preu fjalën dhe e ftoi inxhinieri. – Fillo që sonte! Qenkeni familje e shkëlqyer!

– Me kënaqësi do të vija, por jo, kam aktivitetin tim privat.

– Nga jeni me origjinë, jeni i ardhur besoj?! – u nxitua tjetri.

– Këndej jam, vendali.

– Po juve, inxhinier, prej nga jeni?

– Nga Gjirokastra.

– Ooou! Nga Gjirokastra?! – dhe tundi mendueshëm kokën. – Kam një mik aty. Mik për kokë…!

Emri i mikut nuk i kujtonte gjë inxhinierit, që ishte larguar qysh më 65-ën nga vendlindja, ndërsa mbiemri,

Berberi, shumë…

– Pooo! Jemi në një lagje me fisin Berberi, madje shumë afër me shtëpitë. Është familje fisnike e dëgjuar në Gjirokastër, me kontribute të shquara e tradita të hershme.

– Ata më kanë shpëtuar jetën, inxhinier, më 97-ën! Po kryeja shërbimin ushtarak në Gërhot, kur u hapën repartet dhe depot e armëve. Kisha dalë në rrugë tek Ura e Lumit për të gjetur makinë të kthehesha në shtëpi. Kaluan një grup çunash ngarkuar me armë dhe nga gjuha më kuptuan se isha verior e m’u qepën keq, po më shanin e më kërcënonin të revoltuar, si të isha unë shkaktari i shkatërrimit dhe i krimeve që po ndodhnin. “Je rekrut i Berishës për të sulmuar Jugun”! Mund të më goditnin, por në çast iu bërtiti dikush nga vendasit e ndodhur aty, sapo dëgjoi sherrin.

– Ky është miku im, – iu tha, – nuk keni punë me të.  – Dhe më hodhi krahun e më porositi: “Mos fol”! Më mori me vete në shtëpi. Shtëpia në faqe të malit në lagjen ‘Palorto’. Më ka mbajtur me të ngrëna e të pira si pjesëtar të familjes së vet. Po sa do thoni ju? Jo pak, por pesëmbëdhjetë ditë, deri sa gjeti momentin, kur më shoqëroi deri aty ku më mori dhe më përcolli me një makinë… Çfarë njerëzish të mirë, o Zot!

Po si iu shkoi ndërmend të më jepnin ushqim për rrugës?! O Perëndi! Nuk harrohet, nuk mund të harrohet! – Iu drodh zëri. – I kujtoj gjithmonë! Ishte një situatë mjaft e rrezikshme! Të ikte koka pa e kuptuar, pa iu dhimbsur kujt. Nuk i harroj sa të jetë jeta, kurrë! Nuk mundi ta kontrollonte tonin, që e rriti, gati në klithje, i kredhur, i humbur në mëvetësi… Me fytyrën ngritur nga qielli, ajo thirrje nuk ishte aq për grupin e ndërtuesve, sa ç’ishte rrëfim e falënderim ndaj Zotit, që iu gjend në pragvdekjeje dhe ia çoi pranë njeriun e mirë t’i shpëtonte jetën.

Lugët e pirunët kishin ngrirë në duart e ndërtuesve dhe mbllaçitjet u fikën. Gjithë grupi u përfshi në solemnitetin e momentit poshtë yjeve xixëllues, dëshmitarëve të vetëm të ndjenjave më fisnike njerëzore, mirësisë dhe mirënjohjes.

Dhe shiko çfarë rastësie! Thuajse e pabesueshme! Ndryshoi opinioni për Mamurrasin! Thjesht një ngjarje apo më shumë, a mjaftojnë t’i lënë namin e keq një krahine dhe padrejtësisht të ngarkohen me atë damkë banorët e saj?!

U bë objekt bisede. E rikujtuan ato ditë rastin, madje me entuziazëm, por u hap punë pa punë, kur biseda mori ngjyra krahinore, e nuk binin dot në një mendje për klasifikimin, kush meritonte vendet e nderit të fisnikërisë, derisa dikush ua preu hovin: “Kudo, kudo ka njerëz të mirë, veç gjurmët e këqija nuk harrohen”!

Ishte ditë e diel, ditë pushimi në atë fund gushti, por puna vazhdonte me intensitet të lartë, edhe pse ora kish kaluar shtatën e mbrëmjes. Në prag të përfundimit të punimeve ziente gjithë kantieri. Finitriçia vazhdonte shtrimin e asfaltit, rulat e ndiqnin pas me ngjeshjen e kujdesshme, makinat shkarkonin asfaltin me temperaturë 120 gradë dhe specialistët e çdo specialiteti kryenin detyrat përkatëse. Puna po shkonte sahat!

Ndonëse trafiku ishte i bllokuar, një fuoristradë e re erdhi me shpejtësi dhe ndaloi në krye të kurbës së mbikalimit të hekurudhës. U tërhoqi vëmendjen, sidomos inxhinierit. U hap dera e shoferit dhe u duk në profil një djalosh që po hiqte kufjet nga veshi, i cili zbriti dhe i hodhi një sy ambientit plot zhurma makinerish e mjetesh në punë. Me pantallona të shkurtra dhe me syze të errëta kuptohej se ishte turist që kish ngatërruar rrugën, por jo! Nga dera tjetër zbriti një person publik, i njohur, deputet i PS-së. Pra nuk ishin turistë! Duke u përqendruar inxhinieri dalloi tek portreti i djaloshit-shofer tipare të ministrit të ri të ndërtimit. Sapo u bind, iu afrua, pavarësisht paraqitjes jo fort të denjë të titullarit. Ishte rasti i parë në karrierën e tij 32-vjeçare si inxhinier të përballej në kantier me drejtues të lartë, veshur me pantallona të shkurtra.

E përshëndeti “Mirë se erdhët” dhe iu prezantua si përfaqësues i firmës kontraktuese! Ai tundi kokën pa folur asnjë fjalë. Inxhinierit po i rëndonte keq në stomak, sidomos kur ministri nuk u tha as “Puna e mbarë”! Gjithë ai mobilizim dhe organizim mbresëlënës i punës nuk ia ndryshoi çehren e vrarë, as pse po punohej ditën e diel dhe jashtë orarit normal të punës, në mbrëmje vonë!

– Si po ecin punimet?

– Mirë, zoti ministër! – i tha me modesti inxhinieri.

– Kur e keni afatin e përfundimit?

– Në fund të muajit, pas një jave.

– Po ju, kur do ta mbaroni plotësisht dhe të vihet në funksion ky segment rrugor?

– Ne do ta përfundojmë pas katër ditësh.

– Pas katër ditësh?! – shprehu habi shoqëruar me shprehje tejet mosbesuese.

– Po, mbas katër ditësh, – përsëriti i qetë inxhinieri.

– Ti nuk e njeh fare situatën! – iu shkreh ministri teksa bënte kontrast qesharak autoriteti i tij shtetëror me pamjen e një pushuesi plazhi dhe…

“Shyqyr që nuk na erdhi me rroba banje ky, se… të keqen e kritikave”! – i shkoi nëpër mend pritësit “të trembur”. – Çfarë detyre ke në kompani?

– Jam drejtori teknik i saj,  – iu përgjigj me buzagazin tashmë të hidhur inxhinieri, që vetëfryrjen nuk ua honepste dot pushtetarëve, ca më keq moshave të reja. Boll i kishte fryrë karrigia! Mjafton! Vetëm thjeshtësia dhe njerëzillëku mund t’ua shtonte vlerat!

– Absolutisht jo! Nuk mund të përfundojnë punimet këtu, jo për katër ditë po …, – dhe bëri “Ndal” me dorë të mos dëgjonte më pallavrat që u mat të thoshte ky farë drejtori.

– Unë, vetë, e kam ndjekur ritmikisht situatën e këtij segmenti sa herë kaloj me avion. Nuk duket kund se punohet, veç në qoftë se punohet nën rrugë! – i revoltuar titullari dhe më se i sigurt për konstatimin fshikulloi me ironi.

– Mund të keni shumë të drejtë zoti ministër! – i tha zëulët, si i zënë në faj inxhinieri, duke ia bërë qejfin ministrit dhe, pa ia kursyer qesëndinë që e meritonte, theksoi bindshëm: – Unë, zoti ministër, punimet, cilësinë dhe ecurinë, i kam ndjekur thjeshtë, më këmbë, vetëm nga toka, asnjëherë nga ajri!

Shoqëruesi, që kish një lloj njohje për çfarë përfaqësonte firma e ndërtimit, me staf teknik dhe specialistë

me eksperiencë të madhe e drejtuar nga një personalitet, kryeinxhinier e drejtor në hidrocentralet gjigande të Shqipërisë, e më pas ministër, i hodhi krahun dhe e shpëtoi, nuk e la të vazhdonte më kolegun.

Mbas këtij takimi të çuditshëm, inxhinierin nuk po e mbante vendi! E diskutuan mes specialistësh dhe kolegësh atë qëndrim të djaloshit ministër.

– Si nuk i tha goja atij “Puna e mbarë!”? Dakord, ishte i pakënaqur nga drejtimi i punimeve, mirë apo keq ishte e drejta e tij, po ç’pati ai zotëri me punonjësit që po dergjeshin në punë?! Si mund të shpjegohet kjo?! Madje, a mund të shpjegohet?!

– Se mos vetëm kjo, – ia priti brigadieri i asfaltit. – Me ç’të drejtë i nëpërkëmb drejtuesit e punimeve, kur puna shkon për bukuri?! Ai nuk ka as moshën aq sa vite pune ka inxhinieri!

– Le të mos e ngarkojmë me faj ministrin e ri, – ndërhyri urtësisht më i moçmi mes tyre. – Kush e fillon ditën e parë të punës ministër, nuk ka si ta dijë çfarë është puna poshtë karriges së tij! Faji bie mbi atë që e ka zgjedhur, kryeministrin, por dhe ai i gjori ç’faj të ka?! Po njëlloj ndofta e ka “pësuar”! Madje daha më keq! Ç’nuk na kanë dëgjuar veshët?! Nga bankat e shkollës, pa marrë ndofta as diplomë në ato vitet e famshme të rrokullimës të sistemit, dhe drejt e në karrigen e kreut të qeverisë.

Punimet e ndërtimit përfunduan pas katër ditësh, siç ishte programuar dhe inaugurimi u krye të nesërmen. Mori pjesë kryeministri dhe gjysma e qeverisë, të cilët, të nderuar, uruan dhe përgëzuan firmën për realizimin me sukses, në kohë rekord dhe me cilësi të punimeve, ku veç rikonstruksionit të plotë të pesë urave ekzistuese, dy mbrojtjeve lumore, asfaltimit të pjesshëm etj., etj., u ndërtuan edhe vepra arti të reja, tri ura me hapësirë deri 22 metra dhe një tombino e fuqishme betonarme 4 x 4 metër, kaluar kithët kundrejt aksit të rrugës.

Tek kokteji i përbashkët nuk munguan edhe urime të sinqerta nga kolegë të firmave simotra, me të cilët më pas shkuan të drekonin në lokalin tek shelgjet në Vorë.

“E meritojmë edhe një drekë, dreqi e mori”! – ishte motivacioni.

U krijua ambient aq i gëzueshëm, sa nuk po ndihej efekti i pijeve, por pasojat nuk do të mungonin në mbarim… Kur u ngritën vunë re se Tomori, drejtuesi i mirënjohur në gjithë Shqipërinë për asfaltimet para 90-ës, dy metër burrë, mjaft i bëshëm, po lëkundej në mënyrë të frikshme. Rakia ballë kazani u kthye në “ballë” deti. Atij po i lëkundej toka si anije në stuhi dhe ecte me gjymtyrë të hapura, si detar i regjur, por dhe hapja e këmbëve dukej e pamjaftueshme. Ishte në kufi të bënte sparkatën!

Ai alamet trupi ose lëshohej para, pa pritur këmbët, të cilat nxitonin ta arrinin e t’i dilnin para, për të penguar rrëzimin e tij, ose anohej jashtë drejtimit të lëvizjes, që i detyronte këmbët e vonuara të hapeshin anash si pajanta mbajtëse. Arriti më së fundi te vetura, e hapi derën si të shkulte ndonjë pengesë që i kish prerë rrugën, u mbajt fort tek timoni e u fut në kabinë si të hynte në ndonjë strofkë. Ulur në vendin e shoferit, siç kish ardhur, tërhoqi derën, pa i bërë përshtypje përplasja e saj, e po qëndronte gati për t’u nisur. Takimet me shokët për tu ndarë mund t’i bënte vetëm nga ai pozicion.

Shefi i madh e vuri re dhe diktoi se nuk duhej lejuar të drejtonte makinën në atë gjendje.

– A ka ndonjë burrë që të mund ta zbresë Tomorin nga makina?! – pyeti për të realizuar idenë.

– E zbres unë, – tha inxhinieri, që pas racionit të pijes nuk dinte ç’ta bënte kurajën. – Jemi patriotë e do të më dëgjojë, – deklaroi më se i sigurt. – Shumë mirë! – miratoi shefi që i dinte lidhjet dhe respektin mes tyre.

I shkoi inxhinieri te dera e fuoristradës. Xhami i ulur i derës e bënte komunikimin komod. Tomori u kënaq, kur pa t’i afrohej miku, e përqafoi me krahun mbështetur në derë, e uroi përsëri dhe harroi ta lëshonte. Kur arriti t’i shkëputet nga krahu i tij si darë, e sidomos nga buzët, që gjetën rastin më të mirë për t’u fshirë mbi kokën e bashkëpatriotit, inxhinieri iu lut me përgjërim të zbriste nga vetura, por ishte e pamundur. Tomori u egërsua, harroi që sapo e kishte puthur, harroi dhe fjalët e bukura vlerësuese që i pat thënë dhe ju lëshua “si jevgu të shoqes” me atë zërin bariton:

– Ik more bithëm… u bëre ti të më dëftoç mua se kam pirë shumë, a kam pirë pak. Kam pirë, sa më deshi qejfi! Jo, po, do t’ju pjesim juve, axhamive, se sa të pimë tani, nuk e she? – E kur e pa se Inxhinieri mbeti si i shastisur vazhdoi: – O vete në objekt u, nuk vete në shtëpi, në Tiranë. O viç me mua të shikojmë bashkë rrugën që kemi nëpër duar tani, apo s’ta mban?

U pa se qe e pamundur ta zbrisje nga timoni me arsyen se ishte i dehur. Çakërqejf nga pija insani mund të pranojë çdo gjë, por jo se është i dehur. Ofendohet, fyhet, revoltohet, bëhet agresiv, ndaj dhe inxhinieri i kërkoi të falur e u largua ashtu siç e quajti ai, si bithëm…! Madje, i pranoi duke qeshur të gjitha epitetet e fundit të nxjerra nga qilari i fjalorit të Tomorit dhe i thirri mendjes. “A mundet që një djalë nga Palortoja ta zbriste nga kali një burrë nga Dunavati? Kurrë…! Sado që mirëkuptimi nuk u mungon gjirokastritëve, veçse, kur janë esëll të dy palët”!

– Po të pret shef Ismaili në makinën e tij e do që të shkoni bashkë në Tiranë! – shkoi i tha Marengleni, drejtori i përgjithshëm i rrugëve, kur pa “misionarin” të zmbrapsej i ç’vlerësuar.

– Po kontrollin e punimeve në rrugën tonë te Gjiri i Lalsit mo? – nuk harroi Tomori planin që kishin bërë kur ishin nisur paradite.

– Do të shkoj unë me presidentin e firmës tuaj, me Refitin, – e ndau drejtori. Ndërkohë makina e Ismailit ishte afruar e Tomori doli nga vetura e tij. Respekti i veçantë për atë emër e bëri esëll.

Të nesërmen inxhinieri u shqetësua mjaft, kur mori vesh nga shoferi që i çoi ata në Tiranë, se sa shumë vuajtën për të ngjitur shkallët e pallatit tek 21 Dhjetori, ndaj donte të dinte për gjendjen shëndetësore të Tomorit. Kërkoi në numëratorin telefonik dhe i ra ziles së shtëpisë se tij. Doli zë gruaje.

– Tomorin desha!

– Tomori është pa qejf, sa e ka mundur gjumi e nuk mund të ngrihet! – u përgjigj ajo me një zë të lodhur e të mërzitur nga gjendja jo e mirë shëndetësore e të shoqit.

– Kishim lënë për të mbaruar një punë me të sot e thamë të lidhemi një herë në telefon së bashku, pastaj të nisemi.

– Po kush jeni ju, që, po të jetë nevoja, të vete ta përmënd Tomorin?!

– Jam “inxhinieri”! – i tha emrin e tij.

– Uuuuu, ti je ai inxhinieri që ma ke bënë Tomorin në atë ditë?

– Hë mi, më thuaj një çikë, si është Tomori? – pyeti në dialekt me zë shumë familjar, si njeri i shtëpisë ai. – E dokëndisi nga fundi ajo e flamosur raki, por nga gëzimi e pati…

– E ç’më pjet si është?! Dit’e zezë, për lumë, ç’do jetë! Mezi ma prunë në shtëpi! Ku ishit more të shkretë, ku ishit katandisur në atë ditë, u bëtë gazi i pallatit?! Me kë ishit more, se ky timi përmendte emrin tënd, inxhinieri, inxhinieri! Mezi i dilnin llafet! Sa të kam mallkuar unë, ti  nuk ta merr mëndja, ta dish!… Po tani përse e kërkove Tomorin?

– E kemi lënë të shkojmë të shtrohemi në një drekë të mirë! – i tha qëllimisht inxhinieri për ta nevrikosur disi, sapo kuptoi se nuk kishte ndonjë problem serioz matanë receptorit tjetër të telefonit.

– Prapë drekë ju? – ia përplasi menjëherë ajo. – S’u ngopët me drekën e djeshme? Uuuu, uuu! Jo, jo, nuk i them fare Tomorit, ikni hajeni ju dhe pjesën e tij, t’ju bëjë mirë! Hajt mirupafshim! – fliste mjaft e revoltuar ajo, pa mundur ta fshehë pakënaqësinë ndaj atij që i doli në telefon.

– Është gjynah t’i bësh bisht kësaj dreke, s’qe gjë fare ajo dje! – nxitoi inxhinieri, para se ta ulte ajo receptorin. – Ne, dy gjirokastritët, s’do futim duart në xhep, e paguajnë të tjerët!

…Megjithatë bëj si të duash, por po qe se nuk i tregon atij ç’të thashë u, së paku pyete për një gjë që mua më ka mbetur merak nga dje e nuk po më shqitet nga mëndja! – nuk po tërhiqej së ngacmuari Inxhinieri.

– Për çfar ta pyes? – e përfshiu kurioziteti i tepruar i grave.

– Pyete, moj aman, një çikë, të më tregojë se kush më ka çuar mua në shtëpi dje, se nuk mbaj mënd asnjë gjë! – Uuuuu, u! Po edhe ti s’mban mend se kush të çoi në shtëpi, mo i zi? E ç’mollois kështu mo mavri me bojë? Pse s’thua? U piiiika, pika burrave, që s’u bie!