Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Bici: Rrjedha e dritës


Gjëra të frikshme dëgjoj,
shoh.
Frika ime më e madhe është të t’humbas ty.
Brenda meje vlon një puhizë e zjarrtë
që ndez qenien time të vërtetë,
dhe nuk ka lumturi më të madhe se kjo.
Një lumturi që shuan dramat, komeditë,
tmerret
dhe dashuritë që, ashtu siç përhumben,
dridhen në ekstaza,
therrin,
po kaq therrin në dhimbje,
harresa.
Askush nuk kupton këtë
nëse nuk ka kaluar mbi ferr pa u djegur,
nëse nuk ka përshkuar Ajrin e Shenjtë
ku plugohet kënaqësia.
Dhimbja ime është ndryshe:
dhemb sa për gjithë njerëzimin.
Lutem të shëroj plagë.
Askush nuk e kupton këtë,
dhe nuk pres ta kuptojnë.
Shpëtoj miliona jetë
pa zhurmë.
Askush nuk më ul, as më vret.
Secili që mundet, zvarritet në hijen e vet
deri në zhdukje.
Trajektoret e mia energjike ndryshojnë fate, histori.
Durimi mposht frikën
ndërsa shoh çdo ziliqar
të ngrihet si tullumbac lavdie,
me intrigë, prostitucion,
dhe koha ta zhysë në harresë,
në vetgrryerje.
Askush nuk ikën pa paguar
betejën e tij djallëzore.
Nuk ka as ferr, as parajsë.
Shoh kllouna që përpëliten,
të ngazëllyer,
duke groposur etjet më mizore
Por askush nuk të prek ty.
As të shohin, as të dëgjojnë.
Dhe unë nuk i kam të mbaruara joshjet e tua.
Luajmë mrekullisht
në mijëra vite-dritë sekondash,
turbulencash, zgjimesh.
Zgjojmë epshe të papërsëritshme
zbulojmë oaze të reja.
Oh, sa ëndërr e pupurt
kur shkund këtë planet-brumbull rrjedhës së dritës
Ti më do kaq shumë
sa mbushesh me dashuritë e mia,
mes instinkte të lëpira, kërshëri të ndezura.
Unë të dua po aq shumë.
Vetmia jote më tërbon qenien
ku lakuriqësia,
era e shpirtit heshtjes së bardhë,
e vetmja elektrodë qiellore që më mposht pushtetin femëror
E gjithë bota ka sy,
kapitale, pasuri.
Askush as të sheh, as të blen,
si syri im,
shpirti im i ndezur për ty.
Si arritëm të njiheshim?
Tiranë, shkurt 2026.