Saimir Kadiu: Ana Pauker, gruaja e parë në botë si Ministre e Jashtme…
Më 20 shtator 1948, revista amerikane ‘TIME’ e vendosi Ana Pauker në kopertinën e saj, duke e quajtur atë “gruan më të fuqishme gjallë”.
E lindur Hannah Rabinsohn më 28 dhjetor 1893, në fshatin Codăeşti në Qarkun Vaslui, vajza e një rabini të varfër ishte bërë figura politike më e frikshme e Rumanisë – dhe instrumenti më besnik i Stalinit në Evropën Lindore.
Rruga drejt pushtetit kishte qenë e gjatë dhe brutale. Ajo ishte bashkuar me lëvizjen socialiste në vitin 1915, pastaj me Partinë Komuniste, e cila në Rumaninë midis dy luftërave ishte aktive në mënyrë të paligjshme.
E arrestuar disa herë, e dënuar me dhjetë vjet burg në vitin 1936, Ana Pauker u lirua më 7 maj 1941 dhe u dërgua në BRSS, në këmbim me sindikalistin besarabian Ion Codreanu.
Në Moskë, ajo hyri në rrethet e Kominternit dhe në vitin 1943 ishte bërë presidente e Komitetit Kombëtar Rumun, me gradën kolonele.
Çmimi i besnikërisë ndaj regjimit ishte paguar tashmë: burri i saj, Marcel Pauker, ishte ekzekutuar nga NKVD në vitin 1938, gjatë Terrorit të Madh të Stalinit. Ana nuk protestoi.
Pas 23 gushtit 1944, ajo u kthye në Rumani me Ushtrinë e Kuqe.
Pauker iu bashkua udhëheqjes së Partise Komuniste Rumune dhe në nëntor 1947, u emërua Ministre e Punëve të Jashtme – gruaja e parë në botë që mbante një pozicion të tillë.
Së bashku me Vasile Lucën dhe Teohari Georgescu-n, ajo formoi grupin “Moskovit” ne PKR.
Pushteti i Ana Pauker vinte nga fakti se ajo mund të fliste drejtpërdrejt me Kremlinin. Nën mandatin e saj, Rumania ia lëshoi Ishullin e Gjarpërinjve Bashkimit Sovjetik dhe u rreshtua plotësisht me politikën e jashtme të Moskës.
Ironia e historisë është se vetë Stalini kontribuoi në rënien e saj. Në një takim në Kremlin në dimrin e viteve 1951–1952, ku morën pjesë Dej, Chişinevschi, Miron Constantinescu dhe Gheorghe Apostol, diktatori sovjetik e qortoi Dej-in: “Sa herë të kam thënë të heqësh qafe Ana Pauker-in”?
Në maj të vitit 1952, Pauker u shkarkua nga të gjitha pozicionet, e akuzuar për “devijim të linjës së partisë” dhe kozmopolitizëm. U akuzua edhe si sioniste. Gjatë viteve 1950-1951 kishte mundësuar largimin drejt Izraelit të rreth 100 mijë hebrejve rumune.
Ajo u vu nën arrest dhe u hetua. Vdekja e Stalinit më 5 mars 1953 e shpëtoi atë nga një gjyq politik.
Ajo i kaloi vitet e fundit duke përkthyer libra nga frëngjishtja dhe gjermanishtja për Shtëpinë Botuese ‘Politică’.
Vdiq më 3 qershor 1960 nga kanceri i gjirit.