Ahmet Xhavit Delvina: KALVARI I KEQTRAJTIMIT TË FAMILJES DELVINA
Tani po përshkruaj me detaje se ç’pasoja na shkaktoi ajo hata e madhe në familjen tonë sepse kam bindjen që edhe përshkrimi mekanik i së vërtetës dhe i kujtimeve, duhet të jenë me vlerë për pasardhësit që rrjedhin nga trungu i familjes së Neki Delvinës. Besoj që do të ketë efektin e vet përshkrimi real i asaj periudhe të ndyrë komuniste. Siç e thashë më lart babai kishte disa muaj në hetim në Seksionin e Punëve të Brendshme të Tiranës në dorë të kriminelit Andrea Mema dhe me tu konsideruar të mbyllura hetimet, atë e kaluan në burgun e vjetër (sot rruga “Mine Peza”) për gjykim kur t’i vinte dita.
Pas shumë lutjeve të nënës sonë tek vëllai i saj Esat Dishnica duke i përshkruar mallin që i kishte pushtuar të tre fëmijët, sigurisht edhe për vete sepse kishim 15 – 16 muaj pa e parë, plus që kishim dëgjuar tërë ato histori torturash, të mundohej se mos na krijonte mundësinë e një takimi me të sepse tashmë edhe mund të lejohej kur mbyllej hetuesia, natyrisht kjo mund të realizohej vetëm me ndonjë ndërhyrje miqësore.
Ai e dëgjoi nënën dhe e pranoi kërkesën e saj. Për fatin tonë Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve qëlloi një miku i tij, ish – vartës i Esatit nga krahina e Elbasanit, Kolonel Beqir Bahja. Menjëherë ai na tha të shkonim të nesërmen e asaj dite, sepse siç dukej kishte biseduar në telefon në burgun e vjetër dhe të kërkonim të takonim drejtorin e atjeshëm për të na mundësuar takimin e shumë dëshiruar, meqë ishim miqtë e Beqir Bahjes. Të them të drejtën atë natë nuk na zuri gjumi asnjërit në pritje të takimit, na kishte marrë shumë malli, e shihnim babain çdo natë në ëndërr dhe sapo gdhihej i diskutonim ëndrrat dhe i spjegonim ashtu si na pëlqente ne.
Në orën e caktuar erdhëm te burgu ne të tre fëmijët dhe nëna, sipas porosisë u paraqitëm tek oficeri rojës, dhe mesa dukej ai ishte njoftuar që më parë, na futi në një zyrë aty pranë dhe na porositi për qëndrimin që duhet të mbanim gjatë takimit dhe të mos shfrytëzonim rekomandimin e drejtorit të madh për të thyer porositë që po na jepte ai. Gjithashtu ai na tha se rasti juaj është rast i veçantë dhe në fakt ashtu ishte. Ai në telefon njoftoi një kapter i cili na mori në dorëzim ne, ecëm nëpër korridore të blinduara gjithë hekura e lagështi, ambjenti ishte i errët dhe i pa lyer prej kohësh, të futej llahtaria, mjerë ata që jetonin aty. Vazhduam të ecnim dhe pas disa metrave ai korridor ishte i bllokuar me një zgarë hekurash nga tavani në dysheme, në një derë anash u ndalëm, si kjo pengesë me hekura ishte edhe një tjetër pas 3 – 4 metrash dhe pas saj një hapsirë e madhe me dysheme betoni të llustruar. Aty u ndalëm dhe pritëm pak, kur po shohim që po vjen babai ynë i shoqëruar me dy polic. Ne u shtangëm në vend, mund të them u shokuam, imagjino Sherifi 15 vjeç, unë 13 – vjeç dhe Nedo 5 – vjeç, pa folur për nënën e shkretë e cila filloi të qajë pa zë, sipas porosisë që kishim nga drejtori i burgut dhe nuk e di se si na parakaluan si film hallet që kishim kaluar ne dhe ai.
Ai sapo na pa u duk se u mallëngjye shumë, ndërsa ne instiktivisht u përlotëm por pa bërë as më të voglin zë sepse kështu e kishim porosinë. Ç’të shihje? Një Neki Delvina krejt – krejt të transformuar për keq. Nuk ishte më ai baba që njihnim ne, të shëndetshëm, të veshur elegant, gjithë autoritet e çdo gjë tjetër të mirë. Ai tashmë pothuajse kishte marrë fund, ishte enjtur nga diabeti i lartë, me një veshje të shkatërruar plotsisht, pothuaj lecka – lecka, pa çorape dhe me nallane druri që si kish përdorur kurrë në jetën e tij. Nëna e shkretë u skandalizua kur e pa ashtu, dhe ne fëmijët e tij u habitëm njëkohësisht, atëherë iu drejtua nëna:
– Po pse more Neki je katandisur kështu? Je bërë sikur ke luajtur nga mentë, pse nuk vishesh, pse nuk rruhesh, ke lënë mjekër që se ke dashur kurrë. Të kam prurë rroba të mira e të trasha, këpucë me qafa që mezi i gjeta, si dhe ilaçet komplet të diabetit me gjithë insulina dhe shiringa, si dhe ushqim special dietik sipas porosisë së mjekut, kam paraqitur edhe raportin mjekësor për të mos penguar dërgesën e këtyre gjërave, ushqimi ka qënë i freskët dhe i përditshëm? Ç’ke bër me to? Pse nuk i ke përdorur po e ke lënë veten kështu? Pse? Apo je demoralizuar dhe nuk mendon më për ne? Pse?… dhe nëna filloi të qajë së bashku me ne.
Ai u nervozua tej mase dhe iu përgjigj gjithë nerva dhe me deklamim të fortë: – As ushqim, as veshje e as ilaçe nuk kam marrë, pa lëre ushqimin e përditshëm, të mos i diskutojmë këto gjëra në këto rrethana që jam unë, dhe të këshillojë që të mos ja u heqësh fëmijëve nga goja këto gjëra se janë të vegjël dhe të rinjë dhe kanë nevojë për to, dhe mos ushqe dhe vish këta bashibozukë, duke bër me dorë nga policët shoqërues të tij. Ata në moment e goditën me grushta e shqelma ku të mundnin dhe e tërhoqën zvarrë derisa nuk e pamë më.
Në këto çaste ne u shtangëm, u hutuam, për të mos thënë ngrimë në vend, por u përmendëm kur dëgjuam thirrjen e kapterit shoqërues, hajde – hajde qërohuni se takimi mbaroi. Neve ngaqë ishim të hutuar nuk po lëviznim, atëher kapteri na kapi prej krahësh duke bërtitur dhe shtyrë njëkohësisht na nxori jashtë. Imagjinoni efektin që na bëri ne fëmijëve kjo skenë makabre. Kjo ndodhi që tregova është vetëm një aspekt fare i thjeshtë apo nga më të zakonshmet e kohës së atëhershme, por sa të tilla apo më tragjike kemi parë apo dëgjuar në atë periudhë ndër familjet e sërës sonë.
Kur po ktheheshim në shtëpi po ecnim pa folur, ishim të dërrmuar e të shushatur, rrugës takojmë dy – mbesat e Ismail Qemalit, njëra me burrë të pushkatuar në gjyqin special, gjeneralin austriak Gustav Mirdach ish – instruktor i ushtrisë shqiptare, dhe tjetra me burrin në burg ish – diplomatin e karrierës Xhemal Frashërin. Ato ishin shumë të moshuara, të sëmura në maksimum, pa fëmijë dhe të nxjerra në rrugë të madhe pa asnjë kacidhe në xhep, vuanin për bukën e gojës, pasi u përshëndetëm nëna u tregoi se ç’na kishte ndodhur. Në këtë situatë dëshpërimi, thotë Myhria – e shoqja e Xhemal Frashërit:
– Nuk e di o Asime se çfarë të keqe mund të kemi bërë në këtë botë jallane (të gënjeshtër) që po vuajmë kaq, nuk e di, nuk e di, u përlotën të trija dhe i dhanë dorën njëra – tjetrës duke thënë: “Sabër… Sabër” (durim – durim), “Alla Qerim “dhe ikën. Kështu shtynim ditët derisa erdhi momenti që baban e nxorrën në gjyq. Këtë gjyq e drejtonte si Kryetar, kolegu dhe miku i tij i ngushtë, ish Antar i Gjykatës së Kasacionit prej shumë vitesh me babanë Niko Cico. Skandal ishte për të dy, por jemi të sigurt që kjo nuk qe e rastësishme, mesa dukej regjizorët donin të shihnin se ç’do të ndodhte me këta idealistët. Kur Niko ngriti babanë në bankën e të akuzuarve për t’i marrë gjeneralitetet sipas rregullit, atij iu zbardh fytyra, ju mor goja dhe i ra koka mbi tavolinë duke humbur ndjenjat plotësisht.
Menjëherë u ndërpre seanca duke e çuar Kryetarin e seancës Niko në spital. Ai pësoi një atak në zemër i cili e vuajti më vonë me shumë pasoja. Gjyqi u shty dhe rifilloi pas dy ditësh me Kryetar satrapin Nuri Resmia. Edhe ky monstër e njohur, e ngriti babanë për t’i marrë gjeneralitetet, por babai u mallëngjye aq shumë sa nuk ishte më në gjëndje t’i përgjigjej pyetjeve të “kryetarit” kriminel. Atëherë ndërhyn prokurori, kriminel i njohur për bëmat e tij, aventurier e injorant në kulm Xhavit Struga, duke iu drejtuar kryetarit: Zotëri gjyqtar, që të mos biem pre e të gabohemi nga paraqitja melankolike e të pandehurit, se çdo gjë e kanë të djallëzuar këta të deklasuarit, me këto forma ata duan të na gabojnë që të ulim vigjilencën ne, ndaj veprimeve të tyre armiqësore, ata na nënvlerësojnë neve bijtë e popullit të thjeshtë, prandaj të jemi të pamëshirshëm në dhënien e dënimit dhe kurrë nuk do t’ia lehtësojmë krimin që ka kryer. Por çuditërisht nga gjithë ai dëshpërim që kishte babai, ai në moment e mblodhi veten dhe ju kthye trupit gjykues me zë të fortë dhe me nervozitet të paparë ndonjëherë tek ai.
– Zotërinj gjyqtarë. Unë momentalisht rashë në një pozitë dëshpërimi sepse po mendoja dhe po qaja veten se si është e mundur që unë një nga themeluesit e drejtësisë shqiptare, që shërbeva për mbi 32 – vjet në organet e kësaj drejtësie me devocion dhe ndershmëri të lartë, që nuk e njoha kurrë korrupsionin, të marr një shpërblim kaq shkatërrues për veten dhe familjen time. Kjo është një tragjedi e vërtetë. Por shpresoj, gjithnjë shpresoj se mos ju ka mbetur një minimum ndërgjegje që t’ju ngacmojë sado pak llogjikën dhe shpirtin që të ekuilibroheni në gjykimin e një kolegu, por ju garantoj se shumë shpejt do t’ju kaloj ai entuziazëm revolucionar që ju ka bërë të pa arsyeshëm dhe pa asnjë farë llogjike juridike, ju siguroj se do të pendoheni në të ardhmen për këto gabime që po bëni sot dhe bërtiti me deklamim. Më vodhët, më shkatërruat dhe tani po më vrisni, çfarë kërkoni tjetër? – Mjaft – mjaft – mjaft!… dhe u ul pa leje.
Pas gjithë kësaj sjelljeje të pazakontë për ato gjyqe të atëhershme, edhe neve nuk e kuptuam se si ata të trupit gjykues nuk reaguan fare. Kjo ishte jashtë praktikës së asaj kohe dhe çuditërisht i thanë të ulte gjakrat dhe të qetësohej. Dhe si të mos kish ndodhur gjë vazhduan me të pandehurit e tjerë.
Në përfundim të gjykimit ai u dënua me 4 vjet privim lirie, dmth po t’ia referojmë akt – akuzës për çdo 1 – napoleon ar që kishte thyer në lek, merrte 1 vit burg, pra për thyerjen e 4 napolonave, 4 vite burg dhe konfiskim të pasurive të luajtshme e të paluajtshme. Kjo tregoi se ata ia arritën çdo qëllimi që kishin ndaj nesh. Pas kësaj babai e kundërshtoi dënimin në Gjykatën e Lartë dhe për koençidencë atëherë këtë organ të lartë të drejtësisë e drejtonte shoku, miku dhe kolegu i tij Andrea Nathanaili. Natyrshëm ai mori guximin dhe e prishi vendimin e shkallës së parë për ta rigjykuar dhe përfundimisht pas rigjykimit u dënua me periudhën e paraburgimit duke e liruar në sallë.
E hipëm në një karrocë – pajton dhe u nisëm për në shtëpi. Kur erdhëm tek kafe “Kursali” karroca vazhdoi drejt, ai e pa dhe tha: – Ç’bëni, nga na shpini? Kthejeni djathtas karrocën nga Banka Kombëtare.
Jo jo – i thamë ne, do të vemi ballë për ballë me biblotekën “Carnavon”, aty kemi zgjedhur dhe banojmë në një rezidencë të re e më të bukur se ikëm nga ai ambjent që na mërziti! A… a… a… – tha i shkreti, ju paskan nxjerrë dhe nga shtëpia, ua ua të gjorët ju dhe heshti, zbarkuam te Gjylja e Galip Toptanit.
Dhoma që na kishin dhënë në rrugën e “Shëngjergjit”, sot rruga “Ali Demi” ishte shumë interesante më shumë se romantike. Poshtë dhomës tonë ishte një dhomë tjetër tip bodrumi, që babai ynë i thoshte në frengjisht “Rez de chausse”, aty banonte një familje shoferi me emër Aleko Kabili me 6 fëmijë. Tavani i tyre ose dyshemeja jonë jo vetëm tundej kur ecte njeri mbi të, por edhe hapsirat me distancë jo të vogla ndërmjet dërrasave, lejonin që tymrat, gazrat, aromat e poshtme të ngjiteshin lart dhe anasjelltas, tonat të shkonin nga lart – posht. Shumë e rëndë për ne ishte kur ata poshtë ndiznin mangall me qymyr, pa folur kur ata skuqnin qepë apo peshk etj. Po ashtu të jemi të sinqert për ujrat apo tymrat tona që shkonin poshtë, megjithatë ishim të ndërgjegjshëm se në familje këto raste nuk mund të mos ekzistonin, prandaj kujdesi ishte reciprok, miqësia edhe mardhëniet e mira ndërmjet nesh mbetën gjithmonë të shkëlqyera dhe të paharruara.
Sapo hyri babai në dhomën e “re” pa ato dy plaçka që na ishin lejuar të merrnim me vete, por i bëri përshtypje një sobë që iu duk mall i huaj dhe e pyeti nënën se ku e kishte marrë atë? Ajo i thotë se pikërisht natën e parë që erdhëm në këtë dhomë, vjen papritur Sejfulla Malëshova, nuk e di se nga ishte informuar për adresën e re dhe, mi gjen të tre fëmijët në dysheme që po flinin në një dyshek të shtrirë përsë gjëri dhe të mbuluar me të vetmin jorgan që na lejuan të marrim nga plaçkat tona. Ishte dimër i ftohtë dhe sa e pa këtë skenë më pyet Sejfullahu që pse unë nuk kisha sobë të instaluar? Unë iu përgjigja se, shoku Mihal Bisha nuk më lejoi të merrja asnjë nga të tre sobat “Forli” të lluksit që kishim tonat në apartament. Ai pa bërë asnjë fjalë doli menjëherë rrëmbimthi dhe shumë i nervozuar nga dhoma, iku dhe pas nja dy orësh erdhi bashkë me një mikun e tij besnik, edhe ai Malishovit dhe pruri e instaloi komplet sobën e tij të vetme, me gjithë një rezervë modeste drush aq sa iu ndodhën. Morëm vesh se sobën e hoqi nga dhoma e tij dhe e solli me një karrocë që tërhiqej nga një hamall, dhe karrocën e pagoi vetë. Allah, allah – tha babai, aferim i qoftë. Babai ynë me Sejfullahun kishin njohje të vjetër dhe nuk po më bie ndërmend tani se në çfarë rrethanash e kishte prezantuar djali i hallës së vet, Faik Konica me të dhe i kishte folur pozitivisht për kualitetin intelektual të Sejfullahut, por çuditërisht “pas çlirimit” i intensifikuam kontaktet me të sepse duket që ai ishte dhe mik për kokë me djalin e xhaxhait të nënës Asimes, Ymer Dishnica, të cilët kishin marrë tatëpjetën në karrierën komuniste që patën së bashku.
Dimri i vitit 1947 – në kujtesën e familjes tonë do të mbetet i paharruar për bollëkun e fatkeqësive që na solli. Më kujtohet ai dimër i mallkuar sepse përveç burgosjes së babait apo dhunës dhe arrogancës që u përdor edhe ndaj nesh, vërenim edhe diçka të keqe më të madhe në këto veprime që ata bënin, dikush duhet ti kishte stërvitur ata të mallkuar që të na dëmtonin edhe psikologjikisht, të na shkaktonin trauma të pariparueshme psiqike dhe s’kish se si shpjegohej ndryshe që edhe ne fëmijëve apo edhe nënën, të na vinin në pozicione të atilla që të shihnim babain tonë, apo nëna burrin, kur ata e godisnin babanë gjatë arrestimit me grushta e shqelma, e pështynin, e shtynin etj. etj, pastaj e lidhën në duar me zinxhirë dhe e gjakosën në fytyrë.
Jo më pak e rëndë për ne ishte edhe “ceremonia” e shpërnguljes nga shtëpia e cila kishte një cilësi mobilimi e komoditet që i përgjigjej rangut të babait, dhe të na çonin si mos më keq me karrocë, të zhveshur në një shtëpi tip hauri, më shumë të hapur e pa pikë hermeticiteti për të përballuar atë dimër të fortë. Sot mund të them se ishte me të vërtetë e çuditshme që në këto pozita tepër të mjerueshme, të ishim me një farë kurajoje dhe të shpresonim në të ardhmen duke e përdorur shpesh shprehjen popullore që pas çdo të keqeje vjen një e mirë dhe kjo na mbante gjallë, na jepte edhe forcë për të mbijetuar. Jo më pak e çuditshme ishte se këtu në “Shqipërinë e Re” kur bije në hall, të largoheshin miqtë e të njohurit, por interesant ishte se tek ne nuk ndodhi një gjë e tillë.
Një grup shokësh, miq e të njohur të babait vajtën dhe ndërhynë pranë daiut tonë Esat Dishnica duke i shprehur habinë dhe njëkohësisht e kritikuan se si ai e kishte lënë të motrën me tre fëmijë të parritur në mes të këtij të ftohti në një ambjent “plehrë”, pa ngrohje dhe gjithë lagështi kur babai ishte në burg. Ata i thanë Esatit se këto që po të themi i pamë me sytë tanë, sepse sapo i vizituam në atë palo dhomë dhe i gjetëm të demoralizuar e të shkatërruar ekonomikisht, dhe vajzën me temperaturë të lartë se e kishte zënë fruthi. Ne miqtë e tyre u tronditëm shumë, nuk po na zë vendi dhe na vjen çudi se si ti, rri i qetë në këtë moment në një shtëpi të bollshme e luksoze dhe me bollëk ekonomik. Më duket se nuk po të njofim më, (Esati në atë kohë banonte në rrugën “Mine Peza” te shtëpia e Veli Be Jubës i pushkatuar nga Enver Hoxha, ajo shtëpi në atë kohë konsiderohej si një nga shtëpitë më të mira të Tiranës). Si të zë gjumi natën? Këtë ne miqtë e tu nuk po e kuptojmë, apo je edhe ti solidar me luftën e klasave që po ushtrohet ndaj tyre? Ti lëmë të gjitha po a i harrove ti sakrificat që ka bërë Nekiu për ty në të kaluarën? Ka vënë veten në rrezik e në pozita të vështira, që në disa raste të veçanta mund të sakrifikonte në mënyrë kapitale kokën dhe familjen e tij për të shpëtuar ty dhe njerzit e tu. Së paku për opinionin e jashtëm duhet të vësh dorë dhe të jesh i sigurtë se as edhe “atij” nuk ka për ti ardhur mirë për këtë sjellje që po mban me ta, (me “atij” aludonin për Enver Hoxhën).
Këtë rradhë Esatin e zuri turpi dhe na mori në shtëpinë e tij. Kjo ishte ndërhyrja e Spiro Mojsiut dhe Sejfulla Maleshovës dhe për këtë veprim të tyre ata kanë meritë të plotë. Siç e morëm vesh më vonë ata i patën folur posaçërisht për babanë në rradhë të parë dhe pastaj për motrën e fëmijët. Esatit nuk i ishte duruar dhe iu ishte kthyer atyre duke ju thënë me nervozitet biles: “Për motrën dhe tre – fëmijët mund të kem detyrim natyrisht, por për atë kurrsesi nuk kam asnjë detyrim” – Si mor nuk i ke? – i kthehet Spiro.A ishte Nekiu që pas ndërhyrjes së kushëririt tuaj të përbashkët Hasan Delvinës para martesës me motrën tënde Asimen, ndërhyri tek Prefekti në Korçë, Abedin Nepravishta për ta zbutur pak çështjen kur të kishin arrestuar për përzierje me komunistët dhe, fill pas kësaj ndërhyri rishtazi pranë Ministrit të Oborrit për të mundësuar një takim të zonjës Hymajun hanëmit me Nënën Mbretëreshë, meqënëse ato të dyja ishin kushërira nga dera e Toptansve. Ky takim që e kena pas bo muhabet gjithmonë të shpëtoj se do të ishe kalb në burg. Po kur mbylle dyqanin “Flora” a e mori në ruajtje të gjithë mallin e dyqanit që i çove në dy bodrumet e veta të shtëpisë, në mes të gjithë atyne reaksionarëve që kish komshinj dhe ti dorëzoi pas çlirimit një më një, a se vuni veten në rrezik në atë kohë Nekiu kur të gjithë ata e dinin se i kujt ishte ky mall? Vlerësimin për këtë sakrificë ma ka pas thonë vet Enveri. Po në Janar – Shkurt 1944 – a i erdhën gjermanët për kontroll në shtëpi? me mendimin se edhe ai si funksionar i lartë i asaj qeverie, strehonte partizanë dhe ai arriti me shumë sakrifica ta nxjerri Melin nga penxherja e katit të parë për ta fshehur te komshinjtë, edhe e shpëtoi, por a e mendon se po ta kapnin Melin aty, ku shkonte Nekiu me familje? Po në Qershor të vitit 1944 a çuam në shtëpinë e Nekiut të gjithë hartën topografike të Tiranës me rrethe e qytete, që na e kishin parashutuar anglezët në Bizë? – gjithë ai volum hartash ishte sepse na duheshin me pregatit sulmin mbi Tiranë dhe ja lamë nja dy muaj, por po t’ja kapnin njëherë atij në shtëpi këto materiale, çfar e gjente atë me gjithë familje? A ishe ti që na e sygjerove adresën e Nekiut në Shtabin e Përgjithshëm dhe the se ai për çdo rrezik len kokën për t’i mbrojtur ato, pavarësisht se ato ishin të mbështjella në pako dhe ai nuk e dinte se ç’kishin brenda ato pako? Kaq di unë prej teje që mi ke tregu vetë, por mund të ketë edhe raste të tjera që unë nuk i di. Tina, që nuk ke lon dy gur bashkë në kët jetë, s’ma merr menja të mos i kesh ra në qafë ene hera tjera. ho.. a osht kështu apo jo? fol… fol…!
“Po hap një parantezë për sqarim“.
Këtë bisedë e kam dëgjuar personalisht në një dhomë të “Vilës 2” në plazhin e Durrësit ku kishim vajtur për pushime pas daljes së babait nga burgu. Atë ditë kishte ardhur për drekë Gjeneral Spiro Mojsiu, dhe vilën e kishim zënë bashkarisht me Dr. Ymer Dishnicën & Sejfulla Maleshovën dhe një mik të përbashkët Mario Bakalli. Çfarë thashë më lart i dëgjova me veshët e mi në bisedë ndërmjet tyre, në përfundim të bisedës Spiroja tha, hajt të shkume e të harrume. Këtë llojë bisede e kërkoi babai se ishte kurioz të dinte se si Esati e bëri atë gjë që na ftoi në shtëpi. Kjo e habiste babanë. Neve si fëmijë kur vajtëm në shtëpinë e Esatit na u duk se na u kthye lumturia, shtëpia ishte plot diell e gjitha me pamje nga jugu, ushqimi ishte shumë cilësor e me bollëk, pozicioni i shtëpisë ishte në vend strategjik për ne, mu në mes të Tiranës, ne fëmijëve ky pozicion na favorizonte sepse kishim shkollat afër, lëre pastaj avantazhet për nënën, sepse kjo shtëpi ishte ndërmjet Seksionit të Brendshëm dhe Burgut (ish – godina e Komitetit të Shkencave), lum si ne – thoshim, pas gjithë atyre fatkeqsive që na ndodhën. Mbi të gjitha ishte një fat i madh për ne fatkeqët sepse ishte ambjenti që vizitohej nga “pezzot” me pozita, shok të Esatit dhe nëna qante hallet te këta “pezzo” dhe shpresonte për ndonjë favor nga ata. Ata natyrisht për mirësjellje i jepnin nënës ndonjë shpresë për një rikthim të shpejtë të babait në shtëpi, por për fat të keq asgjë e tillë nuk ndodhi, vetëm dëngla e premtime sa të duash.
Shqetësimi i vazhdueshëm i nënës sonë për babanë që vuante në ato birucat e Degës së Brendshme dhe biseda rreth po këtij problemi, i bezdiste të gjithë pjestarët e familjes së Esatit. Vrulli rinor i të tre fëmijëve ju prishte qetësinë me të cilën ata në atë kohë ishin mësuar të jetonin, jo më pak i mërziste edhe ironia e Sherifit e cila ishte në çdo çast e për çdo gjë, ai tashmë ishte 15 – vjeç dhe po ta prekte apo ta ironizonte Sherifi – Pushtetin Popullor aq shumë të dashur për ta, atyre nuk ju pëlqente sepse kishin sakrifikuar për të, sidomos pasurinë e çdo gjë të trashëguar. Mua më donin diçka më shumë sepse e kuptoja situatën me më objektivitet se Sherifi dhe nuk reagoja si ata, isha në gjëndje ta fshihja zemërimin që kisha në shpirt. Kështu që rrugët tona pavarësisht nga lidhja e gjakut, nuk kishim asgjë të përbashkët me ta, prandaj duhej patjetër që të ndaheshim. Si rrjedhim ata përdorën një arsye banale që më shumë të bënte të qeshje.
Kështu që përfundimisht u ndamë, gjithkush në punë të vet e në shtëpi të tij. Ky lloj turizmi nuk shkoi as 20 – ditë dhe u kthyem të detyruar në haurin tonë që na kishte dhënë “pushteti popullor” që sipas tyre i përshtatej kokave tona të nxehta. Pra mund të themi me plot gojën se lufta e klasave, e famshme në llojin e vet zhvillohej me shumë sukses edhe brënda fisit apo familjes dhe këtë e vërtetonte më së miri edhe rasti ynë. Që nga ky moment ata bënë një largim të butë e të kujdesshëm së paku për opinionin që na rrethonte të mos binte në sy. Këta treguan me këto sjellje e veprime dobësi, ky veçim i tyre ne na dëmtoi në ato momente të vështira, ata na vizitonin rrallë duke zgjedhur orët e vona për të na vizituar dhe këtë e bënin që të mos binin në sy përpara opinionit të asaj kohe, sepse afrimi me ne që ishim një familje me preçedent penal dhe politik, binte në kontradiktë me ta që ishin baza më e fuqishme që konsolidoi Partinë dhe Pushtetin që po “gëzojmë” sot.
Në këto mardhënie të tyre me ne, përjashtojmë në mënyrë absolute dhëndrin e Esatit, të ndjerin Pupo Shytin si individ i cili megjithëse ishte funksionar i lartë i shtetit komunist të asaj kohe, nuk na shiti dhe nuk na u nda për asnjë rast por përkundrazi, na ka ndihmuar në shumë raste kur kishim probleme me shtetin, sidomos mua me nënën.Kulmi arriti kur babai ndërroi jetë në vitin 1959, familja e Esatit së bashku me burrin e tezes sonë të mrekullueshme, që nuk arritëm ta gëzonim, deputetin e Kuvendit Popullor shokun Beqir Gjylbegu, nuk erdhën në varrimin e babait tonë dhe as për vizitë në ditët e para të proçesionit mortor, dhe kjo ndodhi për shkak se ato ditë tek ne vizitoheshim me orë të gjata nga persona me “damkë” shumë të padëshiruar për kohën edhe të deklasuar e pa simpati nga pushteti popullor. Ndërsa Pupo Shyti jo vetëm që erdhi në varrim por mbajti në krah edhe arkivolin e babait dhe, më e “madhja” ishte duke vënë në dispozicion të varrimit dhe veturën shtetërore të tij ku hipën më të moshuarit që ishin njëkohësisht dhe ish – eksponent të së kaluarës, të sapo dalë nga burgjet komuniste dhe me shumë njerëz të pushkatuar apo edhe të varur.
Kur doli babai nga burgu dhe hyri për herë të parë te “dhoma jonë e re” dalloi një amortizim të madh të konstruksionit të godinës dhe u çudit se si na e kishte ofruar shteti këtë karakatinë që në çdo moment mund të shembej dhe të na zinte brënda, sepse tavani ishte me barkë dhe i deformuar, dyshemeja prej dërrase e kalbur komplet sa luante kur ecje mbi të, suvaja e mureve të qerpiçit ishte e gufmuar kudo dhe mund të binte në çdo moment, nuk diskutoheshin pikat e shiut që rridhnin nga çatia me tjegulla të thyera dhe pa ulluqe që i prisnim me legena, tepsia e sahane me atë tik – takun periodik gjithë muzikalitet, kjo zhurmë karakteristike e të pikuarit e dëshpëroi shumë për sigurinë e jetës sonë, por ç’të bësh tha, na “ruajtë zoti” “Destur” tha dhe e mbylli këtë muhabet përgjithmonë, kontrolloi iventarin e orendive që përbëheshin nga dy – dyshek, dy – susta teke, dy – jorgane, tre – batanije pa çarçaf, dhe pak enë guzhine të kufizuara.
Megjithëse e kuptonte situatën e asaj kohe, ai u dëshpërua shumë, ndejti për një moment i heshtur dhe i shtangur, pastaj filloi të qeshi me të madhe dhe tha: Mirë plaçkat, orendit etj, ju deshën Bishës Mihal, po biblioteka ime çfarë ju desh atij? – më kanë thënë ata që e njohin se ai është injorant i plotë, njeri mali tamam, ato libra janë të gjitha në gjuhë të huaj, ato përbëhen kryesisht nga literaturë juridike, psikologji, filozofi, materiale të mjeksisë – ligjore, enciklopedi të ndryshme si ajo e Trekanit, Larusët i madhi dhe i vogli, Enciklopedia Turke e Sami Frashërit, etj. Jo or jo, tha – kot i bëjë pyetje vehtes, këtu nuk ka asgjë të veçantë, kështu ka ardhur “Zamani” (koha) dhe pikë.
Ky ambjent i ri që jetonim tek lagja e famshme që quhej “Xhami Sherif” dhe që pas çlirimit u quajt lagja “Ali Demi”, ishte me “famë të madhe”, emërtohej në biseda të ndryshme me shumë epitete të veçanta nga populli i Tiranës, edhe sot nuk i thonë kot që “ai” person është Ali Dems, të marrin gjak në vetull për “trimëri, kriminalitet” etj, dhe shumë vese të tjera të kësaj natyre. Nga banorët e kësaj lagjeje të famshme kanë dalë “kuadro të shquar” që kanë drejtuar ose drejtojnë edhe sot këtë vend. Shumë kryetarë partish ose bandash dhe kriminelë ordinerë e kanë prejardhjen nga kjo “mëhall” e cila pas vitit 1945 u popullua me jabanxhi si kudo në Shqipëri, por me një dallim të veçantë se këtë zonë e preferuan komunistët dhe prandaj i vunë edhe emrin e heroit të luftës civile Ali Demi. Në qoftë se italianët mburren se në një zonë të Romës ndodhet Vatikani (Qendra e Katoliçizmit Botëror), ashtu edhe Ali Demsit mburren se në këtë lagje ndodhet Kryegjyshata Botërore Bektashiane me selinë e saj. Kjo lagje ka nderin të thotë se edhe anglezët në qendër të saj, bënë dhuratën më të madhe të kohës në kulturë: Bibliotekën “Carnavon”.
Njerëz të “shquar” të kësaj lagjeje orientuan dhe përzgjodhën stilin arkitektonik që i shkonte nivelit dhe natyrës së banorëve të vetë. Lagjja u mbush me ndërtime socialiste, duke preferuar disa shtëpiza shumë interesante që përfaqësonin thjeshtësinë proletare. Për shembull për mbulesë çatie u përdorën kombinimi i mbetjeve të copave të kartonit katrama me dërrasa të vjetra, të cilat zinin pozicion fiks e të tendosur në sajë të gurëve që vinin mbi to, kishte raste që vinin edhe tulla, legena të vjetër, tepsi, gjyma apo siç i thonin atëher me mjete e materiale rrethanore. Ndërsa muret ishin ndërtuar me qerpiç dheu dhe të lyera me fshesë shqopeje me një bojë shumë origjinale që realizohej nga përzierja e gëlqeres me hi që e merrnin në furra ose digjnin dërrasa të vjetra. Ndërkohë oborret që i jepnin pamjen e vërtetë të supremacisë së sistemit tonë, ishin shtruar me gurë çfarëdo që shtroheshin si kalldrëm ose me rrasa guri, ndërsa gardhet që mbyllnin këto pamje të bazuara në traditën popullore ndër vite, përbëheshin nga hunjë druri të ngulur me distancë nga njëri – tjetri të lidhura me tela me gjemba, të cilat ishin trofe të Luftës Civile Nacional – Çlirimtare.
Kishte raste ndër “meraklinjtë” që i zbukuronin këto gardhe duke i lidhur mbi ato tela me gjemba, teneqe të vjetra, kanaçe, etj dhe “ec” e mos ti kujtosh këto pamje romantike të socializmit. Në një “vilë” të tillë socialiste, pranë haurit tonë ishte ajo e Hajri Vanit me Hanen, çift i mrekullueshëm malësorë të ndershëm dhe shumë ekonomiqarë. Një koençidencë e çuditshme që plotësonte kuadrin e këtyre bukurive socialiste ishte se ndërsa Hajriu çalonte nga një këmbë, Hana ishte propagandiste e Bashkimit të Grave, tepër origjinale, sepse ishte analfabete dhe rrinte me veshje fshati. Ata për të përmirësuar anën ekonomike mbanin edhe dy dhi, të cilave gjithmonë ja panë dobinë dhe nuk hoqën kurrë keq për bulmetin dhe nënproduktet e tij, sidomos kur iu kthye i biri nga Bashkimi Sovjetik ku mbaroi studimet për jurist, i martuar me grua Ruse e cila nuk jetonte dot pa bulmet, por që në atë kohë bulmeti konsiderohej “material strategjik” dhe nuk para gjëndej, kështu që dhitë e Hajriut zgjidhën një problem shumë të rëndësishëm. Jo më pak lezet kishin edhe komshinjtë e tjerë në “vilat” e tjera socialiste përreth haurit tonë, si psh. Salka, Dhorka, Sedefja, Fanka, Sena, etj. në 30 – 40 m² ishin 7 – 8 “vila” të tilla.
Në krahun e majtë të haurit tonë rrinin dy gra shumë interesante të moshuara që ishin nënë e bijë, Sedefi me teton që i thoshin së ëmës. Çupa Sedef me doza antikapi, shumë e ndershme, totalisht e virgjër rreth 40 – 45 vjeç, dashurohet marrëzisht me Sherifin, megjithëse kishin diferencë moshe. Kjo nuk e shuajti asnjëherë zjarrin e dashurisë së saj, se thonë që dashuria nuk njeh moshë. Kjo dashuri nga ana e saj nuk para u shfaq që të binte në sy, por çe do, shumë shpejt ajo u shua se e ndërpreu Don Zhuani i lagjes, 80 – vjeçari Sena, i cili e mori për nuse.
Kur ikën tetua me Sedefen nga kjo shtëpi, erdhi Parua, punonjëse e shëndetsisë me gradën modeste të “infermjeres së pavjonit”. Kjo ishte një tjetër krijesë e veçantë, edhe kjo e “re” në moshë të Sedefes më shumë i ngjante gaforres, sytë i shikonin anash, por edhe kjo u dashurua marrëzisht pas Sherifit, ndonëse fatkeqsisht edhe dashurisë së kësaj nuk iu përgjigj Sherifi. Kortet e dashurisë që i bënte Parua Sherifit, sipas mënyrës së saj mbetën të paharruara sa edhe deri vonë i imitonte nëna jonë me shumë mjeshtri dhe origjinalitet. Ndërmjet këtyre “viletave” socialiste ndodhej një shesh i vogël shumë i bukur ku zakonisht luanin fëmijët. Ky shesh në Veri kufizohej me Lanën që ishte dhe lavatriçja e zonës, në Jug me Bibliotekën “Carnavon” që pas triumfit të Revolucionit Popullor ishte shndërruar në sallë leximi, ku zhvilloheshin konferenca të ndryshme “shkencore” me banorët e lagjes të cilët si burrat dhe gratë ishin në përgjithësi shumë të “kulturuar” por pa shkollë dhe analfabet.
Pikërisht në këtë shesh në raste festash, për javë të tëra zhvilloheshin ahengje me cyrle e dajre, me gërnet e daulle gjithë hare, sidomos kur vinte periudha e zgjedhjeve ato nuk pushonin për ditë e netë me rradhë. Populli i kësaj farë lagjeje i tëri njëzëri që një natë para zgjedhjeve, gdhihej në këtë shesh nga gëzimi se po afronin votimet e shumëpritura duke kënduar, (mos dil po deshe), në më të shumtën e kohës në kor, atë këngë monumentale që nuk mundem ta harroj: “Votën do ta hedh – e do ta vë! Në kutinë e Frontit – o… o… o…”! Kjo këngë këndohej tërë natën në kor dhe vallzohej. Megjithëse dihej rezultati që do dilte nga zgjedhjet, zakonisht ai varionte nga 99.88 % në 99. 90 %, sigurisht në favor të Frontit Demokratik, si në Irak pro Sadam Hysenit. Proçesi i votimit fillonte në mëngjes rreth orës 08:00 dhe mbaronte pas dy orësh, maksimumi tre orë. Rradhët për të votuar ishin të stërzgjatura kështu që për të mos humbur kohë, të gjithë zgjedhësit me propozim të tyre kishin braktisur dhomën e fshehtë dhe i kishin sjellë dy kutitë e votimit përpara komisionit mu në tavolinën e tyre që të mbaronin sa më shpejt votimin sepse, ekzistonte një garë në rang lagjeje, qyteti, se kush i mbyllte më përpara votimet, ajo njësi votimi ishte më e nderuara në shtyp, radio e kudo. Prandaj komisioni i votimit për të lehtësuar proçesin i parapërgatiste fletët e votimit duke cikluar edhe fitoren e kandidatit dhe ta jepte ty në dorë, biles edhe fletë të palosur për ta hedhur në kuti, kishte edhe raste që këtë proçes për të lehtësuar punën, e bënin edhe vetë pa qenë nevoja të prezantohej zgjedhësi. Por më kryesorja ishte të fitohej gara se kush e mbylli i pari votimin. Elementi “deputet” që do të zgjidhej në lagje njihej mirë nga zgjedhësit, sepse patjetër ai duhej të ishte “bashkpunëtor i lagjes”, kështu që nuk kishte nevojë që të diskutohej për të apo për kapacitetin, për figurën e tij morale e politike, ai njihej mirë nga të gjithë si psh:
1. – Baki Baholli, ishte tamam bir i Partisë, bënte jetë socialiste, librat i kishte zët sepse ato të “matufepsnin” e të bënin “rrotë” prandaj ishte edhe pa shkollë, tamam “shkrirës çeliku”. Ai për të ruajtur kualitetin e lartë revolucionar që ishte në përpjestim të zhdrejtë me shkollimin, e kishte braktisur përfundimisht atë. E kishte ruajtur veten nga ky “rrezik” borgjez, jeta e tij ishte vetëm puna dhe prandaj kishte marrë dhe vlerësimin maksimal: “Hero i Punës Socialiste”. Shumë për zemër i kishte “mejhanet”, gjumi nuk ishte problem për të, flinte aty ku t’i vinte ose ku ta rrëzonte pija në rrugë, në tavolinë të lokalit, në zyrë, në ndonjë qoshe etj, njeri i thjeshtë e pa pretendime, biles kishte raste kur bënte ndonjë potere ose të nxitur nga avujt e alkolit kombinohej në ndonjë rrahje individuale ose në grup, e merrte policia si prishës të rregullit publik, e çonin në rajon të policisë dhe e izolonin, por kur merrnin vesh se kishin të bënin me deputetin e tyre, njëkohësisht dhe “heroin e klasës punëtore”, e lironin menjëherë, i kërkonin falje për keqkuptimin dhe e qerasnin sërish nëpër klube të shkretin.
2. – Stavri Viku, Deputet tjetër ky, punëtor fonditor që në fakt nuk vinte kurrë pije në gojë, por vetëm ishte pasiv dhe i mefshtë, për të mos thënë shumë larg nivelit të detyrës së deputetit. Ai qyqar vetëm qeshte, shkonte në seancat e Kuvendit Popullor i lodhur sepse punonte me turne, nganjëherë edhe dremiste kur lexoheshin raporte të gjata në Kuvend. Thjeshtësia e tij e kishte çuar ndonjëherë në Kuvend edhe me rroba pune. Faktikisht duhet të themi se në të vërtetë e tillë ishte edhe koha.
Këta tipa si Bakiu apo Stavri ishin njerëzit e preferuar të Partisë sepse edhe Partia e tyre ishte. Ata përfaqësonin thjeshtësinë, sinqeritetin proletar dhe jo si intelektualët, të cilët pavarësisht se i takonin shtresës së popullit, tek ata ishte lëkundur besimi sepse kishte filluar të dalloheshin dukshëm shenja burokratizimi. Ky kualitet ligjvënësish, pushtetarësh, pedagogësh, etj u përhapën si kolerë në të gjithë Shqipërinë, prandaj dhe vendi ynë arriti në një gjëndje të atillë sa fukarallëkun e gjithanshëm e quante lumturi dhe arritje suksesesh. Por siç e përmendëm edhe më lart për të mbrojtur këto suksese, organet e Sigurimit të Shtetit gjuanin gjithmonë e në vazhdimësi pa ndërprerje kundërshtarët imagjinarë me qëllim që të krijohej psikoza që po të luaje pak b… të hante dreqi. Këto ishin përpjekjet e regjimit komunist për të zhdukur nga çdo shqiptar, çdo gjë të mirë apo virtyt sa të bëhej depersonalizimi i plotë dhe t’i jepej çdo shqiptari e drejta për tu quajtur “Njeriu i ri i Partisë” ose “plehra e re e Partisë”. Çfarë kohe të “lumtur” jetuam sa “gjynah ti harrosh”! Babai i shkretë hallin më të madh në atë dhomë “muzeale” e pati kur i gjetëm një radio “Moskoviç” që nëpërmjet saj mundohej të dëgjonte sado pak se ç’bëhej nëpër botë, por belanë më të madhe e kishte kur dëgjonte “Azhanset” dhe mbulohej me jorgan për t’mos u dëgjuar poshtë meqënëse dërrasat e dyshemesë ishin të hapura, se helbete mund ti kapte ndonjë “Espion” dhe të hante dreqi. Dua të kujtoj me keqardhje dashurinë e pakufishme që kishte nëna për vëllanë e saj Esatin, aq sa edhe betimi më i madh i saj ishte, “Qafsha Esatin”, ajo mbylli sytë dhe nuk e lëkundi gradën e dashurisë për të. Nuk dalloi kurrë ndonjëherë ndonjë gabim apo të metë të tij ndaj nesh, sado e zgjuar dhe e mençur që ishte këtu bllokohej mendërisht. Prandaj edhe ne të tre fëmijët në shenjë respekti ndaj saj, ruajmë marrdhënie “diplomatike” me reciproritet brënda kësaj lidhjeje gjaku.
Por ndjesi të çuditshme patëm në ato marrëdhënie indiferente të ndikuara nga i ati dhe familjarët përreth, në ato kohra të vështira, edhe nga djali i tezes sonë të mrekullueshme, Dr. Ilir Gjylbegu për të cilin nëna u përgjërua gjithmonë, por kjo e vërtetë nuk u kuptua asnjëherë prej saj. Ajo mbeti përjetësisht naïve si natyrë. Megjithatë pak kohë më vonë, kur rrjedha e jetës mori drejtimin e saj, marrëdhëniet tona me Ilirin erdhën natyrshëm të afërta si nga ai me natyrën e tij me zemër të bardhë, motër e Asimes, fisnike dhe dashamirësi të gjithanshme, po ashtu edhe nga ana jonë, pa folur për nënën, për dobësinë e saj ndaj tij. Ndërsa me mua Iliri marrëdhëniet i pati përtej konfindencialitetit, përtej dashurisë vëllazërore me çdokënd nga të afërmit tanë apo familjarëve të familjes Gjylbegu, deri në fund të jetës. Shumë e habitshme ishte edhe një ndodhi e rrallë për ne në ato kohra.
Gjyshja jonë nga babai Nedime Delvina (Alizoti ) gjatë Luftës I Botërore kishte gjetur në rrugë të madhe një vajzë 4 – 5 vjeçe të braktisur që kishte humbur prindërit. Ajo belbëzoi se quhej Shaqe – Shaqire. Gjyshja për humanizëm e mori dhe e bëri fëmijë për shpirt. E rriti me kujdesin më të madh, e martoi me pajë duke i dhënë si pjesë të pajës edhe një shtëpi dy katshe, të thjeshtë por të mirë, prapa ish Stabilimentit “Mihal Duri”. Me të arrestuar babanë ajo ndërpreu çdo lidhje me ne në emër të luftës së klasave sepse, ajo ishte dhe njerka e Skënder Konicës, ish – kryexhelati i Degës Punëve të Brëndshme dhe më vonë diplomat karriere. Njëkohësisht edhe fëmijët e saj ishin antarë partie, edhe dhëndrin të tillë e kishte. Për këtë xhest të sajin na erdhi keq të gjithëve, sidomos babait që e konsideronte si vajzë dhe si motër, por megjithatë ai e përmblodhi me shprehjen, mos ia vini re asaj “ka ardh zamani (kohë) i keq”. Babai nuk e pa më atë që ditën që u arrestua e derisa ndërroi jetë, dhe në momentet e fundit e kujtonte Shaqirenë sepse ndoshta i kalonte në kujtesën e tij e gjithë jeta e shkuar. Me fëmijët e saj vazhduam edhe më pas mardhënie “diplomatike” për të mos rënë në sy për keq.
Pavarësisht nga këto fakte të hidhura në mardhëniet me njerzit tanë, si babai edhe ne asnjëherë nuk mbetëm vetëm Nedime hanëm me dy djemtë: Nekiun, Xhavitin (bebe) dhe Shaqiren por gjetëm një mbështetje të fuqishme nga miqtë e vjetër të familjes, edhe pse ishte kohë kritike, ata nuk na lanë asnjëherë pa kurajo sidomos miqtë e babait si, Dr. Sami Visoka, Dr. Besim Zyma, Gani Çano, Sejfulla Malëshova, Dr. Osman Jonuzi, Kasëm Bozgo, Simon Cukali, Harrilla Theodhosi, Kadri Hoxha, Tef Biba, Salim Zyniku etj. Të gjithë këta miq sa herë na shihnin kurrë nuk mungonin fjalët e mira dhe inkurajuese dhe kjo na mjaftonte për të na mbështetur shpresën që një ditë do të jetonim sërish me babanë siç e meritonim. Nuk dua të lë pa përmendur nënën tonë, me të vërtetë heroinë e cila nga nevoja e familjes u shndërrua menjëherë nga një zonjë sallonesh dhe pjestare e hershme e një shoqërie mondane, në nivel shqiptar, në një grua të thjeshtë e punëtore, e fortë dhe tepër kurajoze në çdo aspekt sepse kështu e kërkonte jeta e vështirë që na u imponua nga flama e regjimit komunist. Nëna ishte heroina e vërtetë e familjes tonë që mbajti mbi shpatullat e saja të tëra rrjedhojat e shkatërrimit të familjes. Ajo kurrë nuk e dha veten nga e tërë ajo hetuesi e burg që bëri babai, apo tërë ato situata të vështira që ju imponuan babait pas daljes nga burgu. Ajo nuk luajti kurrë nga linja që i kishte caktuar vetes për të përballuar çdo gjë me kurajo e optimizëm. Për ne të tre – fëmijët e parritur mirë ndjehej shumë keq sepse, u ndeshëm me një jetë tejet të vështirë e në mënyrë të rrufeshme dhe kishte hall e frikë se mos na linte ndonjë gjurmë të keqe psiqike, sepse nuk ishim të parapërgatitur dhe nuk e kishim imagjinuar një kalim të tillë nga ekstremi në ekstrem, dmth nga një jetë e lumtur dhe e qetë në një jetë mizerabël. Tani pas kaq vitesh e mendojmë dhe i vlerësojmë pafund sakrificat e saja. Pas disa ditësh që ishte arrestuar babai, u mor edhe nëna nja 3 – 4 herë në hetuesi për 15 – 16 orë rrjesht, biles herën e dytë e mbajtën nga ora 16.00 e pasdites deri të nesërmen në orën 11.00 të paradites, nuk mund të imagjinohet si mbetëm ne të tre fëmijët vetëm në shtëpi gjithë natën sepse nuk mund të përcaktonim dot se si do të vinte e ardhmja, a do ta arrestonin edhe atë si babai? Apo…!
Me këto ngacmime a provokime që i bënin asaj, ata shpresonin në ndonjë mos – koordinim të linjës mbrojtëse me babanë, ku mund të nxirrnin edhe ndonjë sasi ari të pa – denoncuar akoma, por ajo në këto raste u tregua e zgjuar duke thënë vetëm, ku na thonin gjë neve burrat në ato kohra për probleme të tilla. Kështu që hoqën dorë prej saj dhe nuk e thirrën më, por edhe nëna e gjorë nuk i pa më ato vënde të mallkuara, qoft edhe për fare pak kohë. Sot nuk mundet të imagjinohet pozicioni i saj i vështirë për atë kohë, me të tre fëmijët nëpër këmbë, asaj i duhej të ndjente në vazhdimësi edhe problemin e shëndetit të keq të babait atje brenda, por çuditërisht ajo pati sukses në këto probleme. Me këmbngulje të parreshtur gjatë gjithë kohës së paraburgimit dhe të burgimit, ajo arriti t’i dërgojë atij ushqim të përditshëm të cilën e siguronte me sakrifica nga më ekstremet, si psh duhej marrë raport mjeksor etj. Megjithëse ajo e dinte që këto dërgesa shpërndaheshin nga personeli i burgut, por prapë diçka do të merrte edhe ai. Sa e vështirë ishte të përballoje anën financiare që të justifikonte këto shpenzime, por edhe këtij halli ia doli në krye. Së bashku me mua ajo administroi me shumë rregull e kursim, paratë që merrnim nga shitja e xhevahireve që na shpëtoi Gani Çanoja (shpëtimtari ynë që kam përmendur më lart)
“Mirënjohje të përjetshme Gani Çanos”.
Për t’i përballuar me sukses këto nevoja ekonomike të ditës edhe për të zgjatur sa të ishte e mundur më shumë shpenzimin e parave që merrnim nga shitja e këtyre xhevahireve, nënës iu desh që të punonte paralelisht edhe në sektorin shtetëror. Asaj iu ofruan punë nëpërmjet zyrës së punës si punonjëse në një punishte prodhimi salce në breg të lumit të Tiranës. Kjo punë kishte vetëm hamallëk dhe në mes të një lagështie maksimale, ajo e pranoi menjëherë dhe filloi punë. Pas daljes nga burgu të babait, vet ndërrmarja duke parë që ajo vetëm punonte dhe nuk ndihej, sigurisht edhe duke ditur se kush ishte, “gjoja me keqardhje” e çuan në një kurs dy mujor për shitëse. Pas kursit e mbajtën si shitëse në sistemin e tregëtis të “Bashkimit të Kooperativave të Konsumit” në Tiranë, gjithashtu tashmë atë e konsideronin punonjëse të vjetër të ndërrmarjes dhe pararojë të prodhimit. Kjo punë ishte me më pak lodhje fizike dhe sigurisht pa lagështi, por prap kishte një bela se kishte një volum pune burokratike për tu kryer çdo ditë. Kjo llojë tregtie quhej tregtia “Reciproke”, sepse fshatarët dorëzonin në grumbullim tepricat e prodhimeve të tyre dhe vlerën në lek e merrnin nëpërmjet disa kuponave të cilat i përdornin për të blerë mallra me çmime shumë më të ulta. Por këto kupona në darkë nëna duhej ti ngjiste nëpër fletë të veçanta e të bënte pasqyra etj. Budallallëqe të pafundme. Pavarësisht nga këto punë të lodhshme e të kota, ajo ndjente në përgjithësi kënaqësi të veçantë sepse, ju krijuan mundësi që përveç disa lehtësirave e përfitime në ushqime për familjen e saj, ajo mund të ndihmonte në mënyrë modeste edhe disa shoqe e miq fatkeq të sërës sonë dmth, të rënë nga vakti ose më mirë disa “zonja e zotërinj” të zhytur në mizerie ekonomike dhe për këtë ndihmë që mundi tu japë, ndihej e gëzuar dhe krenare. Ju sot nuk mund të kuptoni se ç’donte të thoshte në atë kohë të të dhurohej 0.5 litra vaj ulliri, apo 1 kg oriz jasht racionit mujor të akorduar nga shteti. Kjo dhuratë ishte mëse e çmueshme për të gjitha kategoritë e njerzve të atëhershëm, si për të rinjtë e të fortët që punonin aktualisht dhe s’kishin të ngopur ndonjëherë barkun me bukë, pa llogaritur kategorinë e njerzve të pafuqishëm për të punuar apo të moshuarit e deklasuar dhe që nuk kishin asnjë mundësi tjetër ndihme si psh dy mbesat e Ismail Bej Vlorës, apo ajo e Hasan Prishtinës etj.etj, të cilat ishin aq të sëmura sa me zor lëviznin. Nuk mund të imagjinohet sot, gëzimi që ju shkaktonte kjo dhuratë sa modeste po aq edhe brilante sepse mbi të gjitha flije 2 a 3 – herë i ngopur dhe nuk shihje ëndrra. Pas disa vitesh nënën e hoqën nga ky vend i artë sepse qëlloi një periudhë e ashpërsimit të luftës së klasave. Me vendim Drejtorie e transferuan në punishten për prodhimin e qeseve ambalazh për tregtin me pakicë. Për fat të keq aty kishin vënë një normë shumë të madhe e të papërballueshme, për 8 – orë, asaj dhe shoqeve të tjera i duhej të punonin 10 – 11 orë për të mbaruar detyrën ditore, megjithatë ajo kurrë nuk u ankua por punoi derisa doli në pension me një pagë mujore 2200 lekë të vjetra të asaj kohe. Një herë e pash atë shumë të mërzitur, biles mund të them se si asnjëherë tjetër u shqetësova dhe e pyeta se çfarë ia shkaktoi këtë dëshpërim, ajo buzëqeshi dhe filloi të tregojë: U dëshpërova se po mendoja një histori me Nekiun e shkretë sot e 18 vite më parë. Babai juaj me rastin e 20 – vjetorit tim kishte organizuar një shëtitje turistike : Itali – Zvicër – Francë – Angli dhe në Paris, më kishte blerë në kujtim të kësaj dite dhe turneu që po bënim, një unazë brilanti në formë bajame të pastërtisë së lartë të vendosur ndërmjet tre margaritarëve (perla natyral) me nuanca të zeza e të kuqërremta të inkorporuara në një korpus platini të gradës së lartë. Kjo unazë ndërmjet unazave të tjera të nënës ishte më e mira dhe e pakrahasueshme me të tjerat të cilat ishin me gurë diamanti, pavarësisht se edhe diamantët ishin me pastërti të konsiderueshme, por brilanti ishte brilant. Këto xhevahire siç jam shprehur, i takonin kontigjentit që na shpëtoi Gani Çanoja nga thonjtë e Andrea Memës. Pas shumë përpjekjeve që bëmë për ta shitur, ajo nuk mundi të shitej për vlerën e lartë që kishte. Prandaj u mendua që të ekspozohej në treg me qëllimin se mos vallë vërehej nga ndonjë i huaj apo edhe nga ndonjë vendas “pushtetar me para”. Vendosëm që ta çonim në një dyqan komisioner në qendër të Tiranës tek rruga e “Barrikadave” karshi dyqanit të sportit me pronar Hekuranin i cili, ishte njeri i sigurt dhe mbi të gjitha i ndershëm dhe me karakter të qëndrueshëm, dhe në fakt ashtu doli, nuk u gabuam as ne me të dhe as ata që na e rekomanduan. Ekspozimi unazës tek Hekurani ishte mëse i sigurt sepse jo vetëm që ky dyqan ndodhej në rrugë kryesore por qëlloi që në atë zonë kishte shërbim policie 24 – orë rrjesht, sepse aty pranë sapo ishte bërë “Muzeumi i Luftës Nacional – Çlirimtare” dhe me gjithë këto avantazhe që na leverdisnin ne, ai kishte në një zonë të dyqanit edhe një kasafortë të sigurisë së lartë të futur dhe të betonuar në mur. Këto masa sigurie ai i kishte marrë sepse tregtonte dhe xhevahir të “miletit”. Çmimi shumë i lartë i unazës i paparë ndonjëherë në tregjet tona të asaj kohe u bë një kuriozitet për publikun e thjeshtë, tek vitrina mblidheshin shumë njerëz për ta parë dhe shpesh kishte nga ata kurioz që hynin në dyqan dhe pyesnin se mos kishte ndonjë gabim në vendosjen e zerove të çmimit. Edhe Hekurani për arsye sigurie sapo errësohej jashtë e hiqte atë nga vitrina dhe e vendoste atë në kasafortë. Më kujtohet se Hekurani ishte një burrë shumë i sjellshëm dhe simpatik nga paraqitja, ai na tha se me kërkesë të një të huaji e çuam në Bankën e Shtetit për ti verifikuar vlerën dhe me përjashtim të këtij rasti s’kemi patur ndonjë tentativë pazari me të. Ne shpesh kur kalonim andej edhe pyesnim për ndonjë Pazar për unazën, por vumë re se kaluan ditë dhe dyqani nuk po hapej, për këtë çudi u interesuam dhe fatkeqsisht morëm vesh se Hekurani ishte arrestuar. Ne të interesuar se si do vinte fati i unazës, e ndoqëm punën e Hekuranit me ndihmën e Esatit, deri aty sa na thanë që atë në mënyrë eksprese e gjykuan, e dënuan, dhe njëkohësisht e ekzekutuan menjëherë për shkallën e rrezikshmërisë që paraqiste ai qyqar aq i mirë. Kjo formë asgjesimi ishte praktikë e njohur dhe motivacioni iu vu si: “agjent i shërbimeve të huaja”. Pritëm për ndonjë rikthim të unazës nga shteti por më kot. Edhe ky qe një rast flagrant “grabitje shtetërore” shumë i turpshëm sepse kishim dokumenta me vlerë ligjore për këtë rast si ne edhe ai, dhe nuk kishte as më të voglën vështirësi për një kthim brënda ligjeve, po çe do! Babai i shkretë fliste për Hekuranin e gjorë, por sa për unazën tonë as të mos ju shkoj mëndja se do të na rikthehet ndonjëherë sepse rrezik që i është kujtuar “Bishës Nexhmije” se ajo ia pëlqente Asimesë atë unazë, dhe tundte kokën duke qeshur me veten e tij duke thënë se këto gjëra si shumë të tjera me siguri do të kenë shkuar në “Thesarin e Shtetit”, por ama me siguri që ai thesar më shumë është i familjes Hoxha se i Shtetit, pika, pika administratës ligjore, hajde gjykata hajde!
– Hajdutllëku është ligjëruar! – Kështu kaloi koha dhe nëna sikur e mblodhi veten dhe iu përvesh halleve të ditës të cilat ishin me bollëk. Ngaqë nuk kishim kuzhinë ajo merrte të gjitha enët e palara në një tepsi të madhe dhe e vendoste tek ai pak shesh i “mikro – oborrit” për ti larë, aty afër vendoste një kovë me ujë të cilën e mbushte te çesmja e rrugës nja 300 – 400 metra larg, dhe një tepsi tjetër për enët e lara, por qëllonte që gjatë proçesit të larjes ta ndërpriste këtë punë për ndonjë nevojë të rastit, dhe ta linte “vendin e punës”, por në moment “sulmonin” pulat e mëhallës, dhe bëhej “skandali”, thyheshin pjatat, rrjedhimisht ne ishim konsumatorët më të mëdhenj të pjatave dhe atëherë thoshte nëna: A do të bëhemi ne ndonjëherë me kuzhinë e lavapjatë? Jo, jo, thoshte, se besoj që të biem kaq poshtë, kuzhina është “lluks” dhe ne jemi kundër lluksit.
Muri i oborrit tonë ishte gjysëm i shembur dhe nuk e kalonte lartësinë e një metri. Nga ana e brendshme e këtij muri, i cili ishte përballë rrugës kryesore pa trotuar, ishte izoluar një pjesë me sipërfaqe më pak se një metër katror me dërrasa të vjetra e karton katrama. Në mes të kësaj sipërfaqe të izoluar ishte një brimë që komunikonte me kanalin e ujrave të zeza dhe prandaj atë vend e patëm quajtur “nevojtore”. Një mëngjez herët nëna shkon në këtë vend dhe në momentin që ajo po ngrinte të brendshmet, kalon tek rruga një shok i babait, avokat Xhai dhe e sheh nënën në pjesën gjysëm e lartë dhe ai menjëherë heq kapelen Borsalino nga koka dhe e përshëndet me një reverencë të tipit klasik me gjysëm përkulje, atëherë edhe nëna me buzëqeshje, por ama me të dy duart që mbante të brendshmet, e përshëndet po me të njëjtin nivel duke shqiptuar edhe fjalën “Bonzhur”. Pas pak ajo vjen në dhomë dhe ndërsa ne po rrinim nëpër krevate ajo na thotë: Shumë xhentil është ai avokat Xhai. Po, i thamë ne pa ditur gjë, ashtu është por ç’të ra ndërmend avokati që në mëngjez pa gdhirë mirë? – e pyes unë. Ajo u përgjigj: “Isha duke lexuar një roman të bukur frëng në tualetin e oborrit që më kishte tërhequr shumë dhe po jetoja në atë botë kur kaloi avokati, më kënaqi me një përshëndetje “alla France” që lidhej me romanin dhe njëkohësisht më kujtoi Parisin. Shumë xhentil është, bravo i qoftë që edhe në këtë kohë të vështirë e ruan xhentilesën. E morëm me mend si ishte puna dhe na hipi e qeshura. Pas pak nëna, jo pa qesëndi do të pyeste: A do të bëhemi edhe ne femrat e kësaj shtëpie me tualet si ju burrat që e keni të zgjidhur këtë problem? Se për ju ka menduar Partia, ju ka lënë në vend të oborrit të shtëpisë këtë farë Lanë, po ne ç’duhet të bëjmë? Vetëm mendoj që ishalla Partia do të ketë menduar dhe ta ketë futur këtë problem në këtë plan 5-vjeçar.
E bukur ishte kur vinte për vizitë një kushërirë e jona Xhemale Vrioni (vjehrra e Sabri Godos) dhe i binte derës së dhomës, nëna e shihte atë nga hapësirat e dërrasave të derës, afrohej nga pas derës dhe thërriste: “Antre” (hyr) dhe largohej menjëherë, dhe ajo e gjente të ulur në minder. Kur ajo hynte i thoshte nënës “Bonzhur” dhe atëher nëna i përgjigjej: – o pika Bonzhurit tënd, hajde të pijmë nga një kafe Elbi se kam për ty edhe një konjak Korçe, të shijojmë edhe erën e Lumit të Lanës, qeshnin të dyja dhe ndiznin edhe nga një cigare “Partizani”!