Kohët kanë ndryshuar, e keqja ka dalë zbuluar, njerëzimi është zgjuar!
Zana Tako
Nuk janë të mëdhenj pushtetarët, por të mëdhenj janë të vegjlit që nuk quhen pushtetarë.
Përsa kohë pushteti sundon të vegjlit, të vegjlit pushtetin e mbajnë mbi shpinë, e nderojnë, ia dëgjojnë fjalën dhe rregullat, e respektojnë, por nuk ndodh e njëjta gjë në shkëmbim, sepse pushtetari nderon vetëm fronin dhe lavdinë duke shfrytëzuar shpinën e të voglit, (masës së gjerë popullore). E rëndësishme është të kuptojmë, se kur rëndohet pesha e pushtetit mbi shpinën e të voglit do të thotë, se mbingarkesa shpie në revoltë dhe pafuqia kthehet në fuqi, bindja nuk quhet më bindje por mosbindje. Kjo mosbindje ndihmon, që çdo kërkesë për të hequr nga supet zgjedhën që rëndon në jetën e gjithkujt që ka ndjerë peshën e pushtetarit, të qartësojë qëllimin për të cilën e refuzon këtë mbingarkesë, e cila prodhon pafuqinë në ecjen e rrugës në vazhdim.
Pushtetari nuk ka dëshirë ta lerë fronin e tij, rehatinë, pasurinë, pushtetin që zotëron, sepse i mësuar në këtë fron, refuzon çdo protestë që vjen nga mbingarkesa, që vjen nga mosrespektimi i së drejtës së gjithësecilit që ka ndjerë shtypje dhe padrejtësi nga kjo mbingarkesë.
Revolta është armë, ushqen muskujt e shpirtit, qartëson idenë dhe qëllimin për të përmbysur çdo pushtet që shtyp, çdo padrejtësi që shtyp, çdo mizori që shtyp, sepse masa udhëhiqet, nuk shtypet. Por udhëheqja e pushtetarit nuk mund të funksionojë duke shtypur shpinën e qytetarit. Shembuj të kësaj mizorie, shembuj të kësaj padrejtësie kanë dhënë shumë popuj, të cilët janë bërë mësim se si mund të rrëzosh nga froni çdo pushtetar, që në vullnet të lirë ose jo duhet të zbresë dhe të mos ngjitet më në atë vend ku anashkalohen ligje, ku nëpërkëmbet drejtësia dhe ku shtrembërohet vetë ligji, të cilin e kanë firmosur dhe vulosur të gjithë ata që kanë besuar në drejtësi.
Pushteti duhet të bashkëpunojë jo të sundojë, ndaj kjo kohë po tregon më së miri, se pushteti sjell fatkeqësi që dëmton kur nuk sjell mirëqenie.
Popujt kanë kuptuar, se ky pushtet irreal kërkon të zaptojë jo të drejtojë, kërkon të manipulojë jo të drejtojë. Ky zaptim, ky manipulim është në dëm të njerëzimit. Sytë po hapen dhe veshët po dëgjojnë. Nuk do të ketë më qorr dhe sakat që nuk sheh dhe nuk dëgjon. Revolta gjithëpërfshirëse do të nxjerrë zbuluar të gjithë ata politikanë qejfli pushtetesh, që kanë lakmuar atë që nuk ju përket, që kanë shfrytëzuar atë që nuk e kanë merituar. Ky ballafaqim do të shpalosë realitetin e hidhur që njerëzimi ka jetuar kohë pas kohe.
Zinxhiri i projektit manipulativ politik, i cili zbatohet nga ata njerëz që lakmojnë pushtet për të bërë tregti, për të ndarë në përfitim personal, për të ligjëruar atë ç’ka nuk ju takon, por që e përvetësojnë nëpërmjet ligjit të vetvetes, në kohë do tregojë se popujt janë zgjuar, se njerëzit janë ndërgjegjësuar, se e keqja që ka zënë vend në jetën e tyre e ka emrin pushtet, që do të thotë sundim, që do të thotë shfrytëzim, dhe të gjitha këto barazohen me fjalën kapitullim.
Politika do të kapitullojë duke shpallur humbjen përfundimtare të këtij sistemi uzurpator dhe korruptiv në të paimagjinueshmen e vet. Ky sistem manipulativ, shpalli se njeriu kthehet në demon. Ky demon shfrytëzon njeriun për të shpërbërë atë që Zoti e krijoi nëpërmjet dashurisë. Shfrytëzimi i njeriut nga njeriu do të quhet epoka më e errët në historinë e njerëzimit. Shfrytëzimi nuk prodhon ekonomi, nuk mbjell mirëqenie, por është faktor i së keqes më të madhe që mbin dhe nuk shkulet.
Kohët kanë ndryshuar, e keqja ka dalë zbuluar, njerëzimi është zgjuar!