Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Nismë me vlera historike dhe kulturore që duhet mbështetur

(Shpalljen “Qendër Historike” të Fshatit të Djegur Kallarat)

Është i njohur në Lumin e Vlorës Kallarati dhe bashkë me të edhe “Fshati i Djegur” nga andartët grekë në vitin 1914. Banorët e Tij në atë mot, nuk u vendosën më aty, por e lanë si një dëshmi të kohës, për t’u parë dhe për t’u vizituar nga brezat që do të vijë. E fshati i djegur dhe rrënojat e tij flasin shumë dhe kanë mësuar breza të tëër rreth historisë, qëndresës së banorëve, por dhe arkitekturës të ndërtimit të shtëpive një shekull e ca më parë.

Në këtë vend, sot kanë mbetur veç rrënojat, por historia është atje dhe kjo histori duhet njohur nga brezat e rinj. Më ka rënë rasti ta vizitoj dy herë dhe jam befasuar nga ky fshat i rrënuar nga pushtuesit grekë. Kam shkruar dhe janë shprehur se ky vend meriton një status të mbrojtur nga shteti dhe nga institucionet e trashëgimisë kulturore.

Edhe pse me vonesë, sepse kanë kaluar mbi 111 vite nga djegja e tij dhe degradimi i ndërtesave ka ardhur në rritje, prapë duhet menduar se nuk është kurrë vonë për ta mbrojtur atë çfarë ka mbetur dhe për të kujtuar historinë e tij, tek brezat që vijnë dhe si një dëshmi orgjinale e luftërave dhe të djegve masive që pushtuesi u bëntë fshatrave të Shqipërisë së Jugut.

Edhe unë kam përkrahur grupin e punës të shoqatës “Kallarati” me Prof. dr. Rami Memushaj në krye, i cili, pas konsultimeve me specialistë dhe autoritete të fushës së njohjes e ruajtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, përgatiti një kërkesë. Kjo kërkesë ju është drejtuar institucioneve shtetërore të trashëgimisë kulturore, të shoqëruar me dokumentacionin përkatës si: shkrime në shtypin vendas, pjesë nga historiku i fshatit dhe i Kurveleshit, emisione në TV, krijime letrare, harta, foto etj.

Duke qenë i njohur me miq në Kallarat, kam çmuar kontributin e këtij fshati dhe të banorëve të Tij, ndaj Labërisë dhe çështjes mbarë kombëtare, kam përkrahur kërkesën e përgatitur dhe gjithë dokumentacionin e përguatitur për shpalljen e Fshatit të Djegur, Kallarat “Qendër Historike” të dërguar institucioneve shtetërore prej Këshillit të Fshatit dhe Shoqatës “Kallarati”.

Unë jam i njohur me të gjithë materialin dhe shpresoj shumë në vendosjen e dinjitetit të kërkesës dhe në shpalljen “Qendër Historike” të Fshatit të Djegur Kallarat.

Mendoj se zëri i njerëzve të Kallaratit, por dhe zëri i mjaft miqve si dje dhe sot, të njohurve të Kallaratit do të jenë mbështetje dhe angazhim në këtë proces, si ndaj institucioneve vendimmarrëse, por edhe ndaj medias dhe rrjeteve sociale, të cilat kanë një rëndësi të madhe vlerësuese.

Unë gëzohem për punën fisnike të bërë prej Tyre, edhe pse janë të vonuar, përsëri misioni është i saktë dhe gjithë materiali i përgatitur… unë mendoj, se pavarësisht aktit zyrtar, Kallarati e ka marrë që ditën e djegjes së fshatit statusin e Qendrës Historike. Të mënçuar kanë qenë ata burra dhe gra që një zëri, ditën kur ju vu zjarri e u dogj Kallarati e lanë si një dëshmi historike të kohës.

Në Fshatin e Djegur të Kallaratit gjenden dhe sot dy varre të Smokthinjotëve. Është një histori e trishtë që duhet treguar, e cila dhe plotëson historinë e kohës, me tradita, norma dhe zakone, për të cilat populli dhe banorët i qëndronin burrënisë dhe kanunit.

Ishte koha që për të nderuar zakonet, besnikërinë, burrëninë, mikpritjen, besën dhe nderin e truallit, për t’i provuar botës që parësia nuk fitohet e nuk mbahet vetëm me të drejtën e lindjes fisnike, shumë burra lanë jetën e tyre, shkatërruan shtëpi edhe fëmijët e vet, për namin dhe nderin e shtëpisë së tyre.

Me Kallaratin Smokthinën e lidh dhe një ngjarje historike. Eqerem bej Vlora e ka trajtuar ngjarjen në kujtimet e veta. Por ngjarja ka ardhur dhe deri në ditët tona, e për këtë flasin dy varre të smokthinjotëve në Kallarat.

Kujtesa historike shkurt. Pas rënies së Ali Pashës, më 1822, iku nga Janina edhe sejmeni i tij, Hysen Memo Rojta. U nis për të ardhur në Smokthinë. Shkoi në Kallarat në shtëpinë e Toto Qejvanit, të cilin e kishte nip. Smokthinjotët shkuan për të marrë hak ndaj luftimeve të bëra në Ramicë, për dorëzimin e Ibrahim Pashës së Beratit që ishte strehuar tek Zoto Aga Mahmuti. Kullat e Zotos u bombarduan me topa të vegjël, u vranë rreth 23 burra nga fisi i këtyre trimave, Ibrahim Pasha u dorëzua dhe Zoto Mahmuti e Mustafa Agaj u vranë në Ujë të Ftohtë, Vlorë.

…Në Kallarat, shkuan një grup i madh me djem nga Ramica e Velça dhe rrethuan shtëpinë ku ishte strehuar. Hysenji u premtoi pare e florin, por smokthinjotët nuk pranuan dhe e vranë Hysenin dhe djalin e tij. Ata nuk i pranuan gjithashtu të varroseshin në Smokthinë. Ata e varrosën në Kallarat.

Të afërmit e tyre kërkuan pas 150 vitesh për të marrë eshtrat e tyre dhe për t’i prurë në Smokthinë, por drejtuesi i kohës i Smokthinës, ju përgjigj se nuk ishte në dorën e tij. Për këtë vendim të marrë para 150 vitesh duhej pyetur e gjithë Smokthina. Problemi nuk u ngacmua më… varret janë dhe sot në Kallaratin e djegur.

Është kjo dhe një histori sa tragjike, aq dhe burrërore e fisnike e cila tregon vlerat e kohës dhe burrërinë e fjalës. Ata dy varre flasin për një histori të madhe të krahinës, e cila luftonte dhe jetonte me dinjitet dhe fisnikëri. Zakonet, normat, doket dhe trimëria çmohej dhe vlerësohej sa një mijë kushtetuta së bashku.

Fjalën e kisha se ka ç’të tregohet histori në Fshatin e Djegur të Kallaratit. Gjithë zona ka lidhje me këtë fshat dhe historitë, miqësitë, luftërat, përpjekjet ishin të përbashkëta, e në këtë mes shpallja e fshatit “Qendër Historike” do të jenë nder për gjithë Lumin e Vlorës, por dhe për Brgedetin e Kurveleshin. Historitë do të rrëfejnë njera tjetrën…