Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Piro Kuqi, poeti që e burgos pse i këndoi diellit

Duke kaluar sot te një rrugicë fare pranë rrugës “Myslim Shyri” në Tiranë, m’u kujtua poeti Piro Kuqi, i cili ka ndërruar jetë 20 vjet më parë, në vitin 2006. Po kërkoja me sy shtëpinë e tij përdhese pikërisht në këtë rrugicë, por përpara më doli një ngrehinë disakatëshe. U trondita kur solla ndërmend imazhin e vjetër të portës së ndryshkur, ku Piro ishte i zoti i pronës së trashëguar, që nuk e gëzoi kurrë sa ishte gjallë. Ai u persekutua në çdo regjim. Kishte kërkuar leje për të restauruar shtëpinë, apo për të zhvilluar pronën, por kurrë nuk gjeti mbështetje nga autoritetet. Takoheshim shpesh në Bibliotekën Kombëtare dhe më tregonte për vitet kur e burgosën, vetëm pse i këndoi diellit në vjershën “Përqafimi i Diellit”, duke e akuzuar për metafora që shprehin dëshirën për liri.

“Ky njeri të futet në varrin më të thellin,

se ky pati guxim të përqafojë diellin!

Në burg diti të pikturojë tragjedinë e individit. Ja një nga poezitë e burgut:

Dua të shkruaj me duar,

por duart m’i kanë prerë

Dua të shkruaj me lot,

por sytë m’i kanë nxjerrë

Dua të shkruaj me gjoks,

por gjoksin ma kanë shqyer

Dua të shkruaj me eshtra,

Por eshtrat mi kanë thyer

Dua të shkruaj me gjak,

por gjakun ma kanë marrë

Dua të shkruaj me shpirt,

por shpirtin ma kanë vrarë

Përse më lini vallë,

të endem kufomë e gjallë?

Pas kryerjes së dënimit vijoi persekutimi shumëvjeçar dhe refuzimi i botimit nga censura zyrtare. Në vitet ’90, si i dënuar politik rronte me 10 mijë lekë në muaj që i jepte shteti dhe pjesën më të madhe të kohës e kalonte në Bibliotekë. Pastaj shëtiste rrugëve deri vonë. Kishte frikë të kthehej në shtëpinë kasolle, me kartona e dërrasa, se kishte ftohtë, nuk kishte asnjë mundësi për ngrohje.

Piro Kuqi ishte një poet i vërtetë i dhimbjes njerëzore, i njohur për një stil lirik krejt natyral, human dhe melankolik.

Ai shkroi poezi tradicionale që respektojnë rimën dhe ritmin dhe kanë një muzikalitet të vetin.

Ka botuar vëllimet:

Botë e panjohur” (1998)

Blatimi (2001)

O sa lule, o sa ngjyra (1998)

Nga vëllimi “Botë e panjohur” po shkëpusim vargjet:

“Më iku mosha më e flirtë

Më iku koha më e bukur!

I ndjeva unë ato në shpirt

Si ndjeu dhe luleja një flutur.

U tretën ngjyrat e ylberta

Unë kërrusem erërave të serta”.