Albspirit

Media/News/Publishing

Hiqmete Daja: Më dhemb ky largim kështu në heshtje!

Ti u largove një vit më parë profesor e diplomat i nderuar Shaban Murati.
Ike duke lënë një vend bosh.
Kaq i madh ky boshllëk.
Sa asgjë nuk e mbush dot.
Nesër më 14 shkurt në ditën e dashurisë, ti njeriu që njihje vetëm dashurinë zgjodhe të largoheshe duke na lënë dashuri e duke marrë me vete dashurinë tonë.
Jo pa qëllim zgjodha një foto ku mbas një takimi me njerëz të artit e letërsisë në qytetin tonë të lindjes e të rinisë Durrësin, ne po pinim një kafe në një lokal buzë detit. Mbasi u bënë shumë foto të pjesëmarrësve me ty më the: Eja durrsake të bëjmë një foto këtu afër detit tonë dhe unë u gezova se do të kisha edhe një kujtim më shumë me ty mik i shtrenjtë, por pa e menduar kurrsesi se do ta publikoja këtë foto në një vjetorin e largimit tënd nga jeta.
Kam shkruar diku që ne miqve të tu na mësove shumë gjëra, por jo të numëronim ditët, javët e muajt e largimit tënd. Më dhemb ky largim kështu në heshtje për ty që nuk heshte kurrë për të mirën e njerëzve.
Do të takojmë nesër, atje ku prehesh në Mbretërinë e Heshtjes dhe me shumë dashuri, dhembje e respekt do të vemë një buqetë me lule, ndonëse ti meriton lulet e mirënjohjen e gjithë botës.
Pushofsh në paqe mik i shtrenjtë!
Nuk do të harrojmë kurrë profesor e diplomat i nderuar Shaban Murati.
Ti do të jesh me ne në kujtimet tona, gjithnjë, ashtu fisnik, i dashur e buzëgaz!
I përjetshëm kujtimi yt!