Arben Iliazi: Shaban Murati, ky “Engjëll mbrojtës” i Shqiptarizmës!
Më 14 shkurt 2025, plot një vit më parë, iku në amshim një zë unik kombëtar, Mjeshtri i Madh i diplomacisë, humanisti, historiani, gazetari e polemisti i flaktë, Profesor Shaban Murati. Është e pafalshme që asnjë institucion shtetëror nuk u kujtua të thoshte sot dy fjalë përshpirtjeje dhe nderimi për prof. Shaban Muratin! Kjo nuk është harresë apo rastësi. Ambasadori fliste shpesh për “eunukëzimin” intelektual: intelektualizmin e duan të gjithë, por intelektualin e vërtetë asnjë!
Prof. Shaban Murati i ka këshilluar shqiptarët të mësojnë nga përvoja e popujve të tjerë, si dhe nga përvoja kombëtare, të mendojnë me kokën e vet, të dinë se kriteri kryesor është kombi, të mos bëjnë asgjë që bie në kundërshtim me interesat e kombit.
Profesor Shaban Murati ka një rol të jashtëzakonshëm për daljen nga keqkuptimi i kobshëm i apokalipsit revolucionar dhe shndërrimin e madh antropologjik të shoqërisë shqiptare drejt një shoqërie moderne evropiane. Gjithë vepra e tij ka si lajtmotiv reformimin e kodit të kombësisë, ruajtjen dhe përcjelljen e vlerave të trashëgimisë sonë kombëtare,
Analizat dhe komentet e tij vinin gjithmonë në momentin e duhur, për çështjen e Kosovës, Çamërisë, marrëdhënieve me fqinjët ballkanikë, në mbështetje të një politike të jashtme kombëtare, e cila duhet të jetë koherente dhe e ndërtuar mbi bazën e reciprocitetit dhe promovimit të të drejtave të shqiptarëve kudo që ata janë e jetojnë.
Vepra e Shaban Muratit është një mesazh, një apel për intelektualët shqiptarë, për diplomatët, historianët dhe studiuesit e rinj, që të rendin pas së vërtetës me guxim të heqin dorë nga retorika boshe dhe të zgjohen nga përgjumja. Shaban Murati, vizionar dhe kurajoz, u përpoq të fshijë tabu dhe antitabu, duke u përfshirë me një zell të pashoq në jetën publike të vendit, për një lulëzim të ri të energjive kombëtare, me moton që mbikombëtarja të mbështetet në themele kombëtare.
Personalitete të tilla, që nuk ua dorëzojnë shpirtin urdhërave të asnjë partie, janë garancia më e mirë për kombin, që ai të shkundet nga izolimi dhe inferioriteti, për të kuptuar fuqinë e tij të mirëfilltë, cilado qoftë ajo. Identiteti real i një kombi është aftësia e tij intelektuale e të menduarit në njohjen e vetvetes, thoshte shpesh Shaban Murati. Një komb apo një popull nuk afirmohet pse pohon veten, por duhet të jetë i tillë, pra pohues.
Disa nga veprat e Shaban Muratit:
Serbia kundër Serbisë: analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë – 2004.
Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës: (fletë nga ditari i një ambasadori) – 2007.
Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës: një testament diplomatik – 2009.
Profile të diplomacisë europiane në Ballkan – 2009.
Hije në diplomacinë shqiptare – 2012.
Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit – 2013.
Rusia ballkanike – 2014.
Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare – 2016.
Ballkani faustian – 2016.
Çështja e paqenë e detit, një intrigë diplomatike greke apo shqiptare? – 2018.
Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës – 2018.
Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana – 2019.
Antitabu : Këshilla për miqtë – 2020.
Deti midis Shqipërisë dhe Greqisë – 2020.
Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë – 2021.
Konteksti rajonal i aleancës strategjike Shqipëri-Turqi (2023).
Aleanca e duhur Shqipëri -Kroaci (2024).
Rusët po vijnë (2024).