Kujtim Nuro: Prefektura e Leskovikut në Perandorinë Osmane
Leskoviku, jo vetëm një qendër e rëndësishme administrative, por edhe një nga qendrat e kërkuara prej nëpunësve të Perandorisë Osmane për pushime ose kurime shëndetësore
Edit Durhami, në muajin Mars të vitit 1904 viziton kazanë e Kolonjës dhe të Leskovikut
Leskoviku gjatë administrimit osman ka qënë një qendër e rëndësishme e administratës së Portës së Lartë deri në Shpalljen e Pavarësisë. Kjo krahinë, në këtë periudhë, ka qënë jo vetëm kaza (nënprefekturë), por edhe sanxhak (prefekturë). Edhe kur është shëndruar në kaza, kërkesat e popullsisë kanë qënë të shumta që të kthehej përsëri në formën administrative të sanxhakut. Atë që e bën të vëcantë këtë qendër, është se ajo nuk ka qënë vetëm njësi administrative me zyrat përkatëse si të gjëndjes civile, zyrës së kadastrës, gjykatës, etj, por ka qënë edhe një qendër arsimi dhe kulture. Këtu janë ngritur shkolla fillore, shkolla të mesme dhe shkolla e mësuesisë për përgatitjen e mësueseve për ciklin e ulët për vajza. Përveç fëmijëve të banorëve vendas, këto shkolla janë ndjekur edhe nga fëmijët e krahinave të tjera shqiptare, si nga Berati, Frashëri dhe Ohri. Përveç shkollave të qëndrës së Leskovikut, shkolla fillore janë ngritur edhe në fshatrat përreth, ku ndër më të përmendurat kanë qënë shkolla fillore e Glinës dhe ajo e ngritur në fshatin Radanj. Këto shkolla, të ngritura në këto fshatra dhe fshatra të tjerë, mbaheshin me shpenzimet e banorëve, duke i paguar ata vetë mësuesit, të cilët u jepnin mësim fëmijëve. Prindërit, fëmijët e tyre, që mbaronin këto shkolla, i dërgonin për të vazhduar studimet në Janinë, Manastir, në degët e ndryshme të Universitetit të Stambollit dhe të vendeve të tjera orientale, veçanërisht për shkenca politike dhe në shkollat ushtarake. Një numër i madh juristësh të Peranadorisë Osmane kanë qënë me origjinë nga Leskoviku ose nga Gjirokastra. Gjithashtu, një numër nëpunësish me origjinë nga krahina e Leskovikut, jo vetëm kanë kryer detyra të ndryshme në administratën qendrore dhe lokale të Perandorisë Osmane, por janë bërë edhe historianë, shkrimtarë, poetë, përkthyes, të cilët deri më sot kanë qënë të panjohur për publikun apo edhe në studimet e historiografisë shqiptare. Dhe mbi të gjitha, pavarësisht, se ata ku kanë punuar, afër apo larg vendlindjes, Leskovikun, nuk e kanë harruar asnjëherë. Ata janë rikthyer për të ndërtuar institucione arsimore, sociale dhe fetare. Në këtë qytet ka patur farmaci, mjekë të bashkisë dhe rrugë për t’u lidhur me Kolonjën, Manastrin, Konicën, etj., që iu krijontë mundësinë tregëtarëve leskoviqarë për të zhvilluar tregëtinë e tyre jo vetëm brënda vilajetit, por edhe jashtë tij. Karvanet e leskoviqarëve, që në dokumentet osmane, nga kërkimet e deritanishme i shohim që në vitin 1501, kanë luajtur një rol të rëndësishëm në transportin urban dhe të mallrave tregtare, veçanërisht në vijaletin e Rumelisë. Drejtuesit e tyre kishin ngritur hane për të pushuar në çdo distancë prej 30 -40 km. Ky qytet, nga pikëpamja e organizimit administrativ dhe e zhvillimit të tij, nuk kishte ndonjë ndryshim të madh nga Manastiri apo Janina, të cilat ishin edhe qendra vilajetesh. Përveç kësaj, Leskoviku, me natyrën piktoreske dhe klimën e shëndetshme, me mikpritjen bujare të banorëve, me guzhinën e veçantë karakteristike në të gjitha vilajetet, me shijen e njohur të prodhimeve bujqësore dhe blektorale, me ujrat termalë që kishte, ishtë bërë edhe një qendër e kërkuar për të kaluar pushimet ose për të ardhur këtu edhe për kurim shëndetësor. Studiuesja dhe etnografja e njohur angleze, Edit Durham, në javën e fundit të muajt Mars të vitit 1904, nëpërmjet rrugës së Korçës vjen në Kolonjë dhe shkon në qytetin e Leskovikut. Mbas qëndrimit në këto dy kaza, ajo ka vazhduar udhëtimin e saj drejt kazasë së Përmetit. Gjatë kësaj vizite në Leskovik, asaj i kanë tërhequr vëmëndje ujrat termalë dhe për këtë ka zhvilluar një bashkëbisëdim me kajmekamin e qytetit, bisedë që do të sjellë edhe një letërkëmbim ndërmjet kajmekamit, valiut të Janinës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Portës së Lartë. Ndër të tjëra, në këtë lëtërkëmbim theksohet së është ë nevojshme të gjenden kanalet nëntokësorë të derdhjeve të këtyrë ujrave. Njëkohësisht, nëpunës të administratës qendrore dhe lokale, në mes të vendeve të tjera, kur Perandoria Osmane, në fillim të shekullit XX-të kishte një shtrirje territoriale me një sipërfaqe prej 2.550. 500 km2 dhe numëronte një popullsi prej 24 milionësh, do të zgjidhnin për të pushuar vetëm ose me familjen, Leskovikun. Ata, do t’iu drejtonin kërkesë organeve të tyre vartëse, që t’iu jepej lejë se dëshironin të vinin në këtë kaza. Këshilli i Lartë Perandorak i Stambollit më 30 Korrik 1905 i jep lejë anëtarit të këtij këshilli, Hajredin beut, i cili kishtë kërkuar që të vinte në Leskovik, sepse bashkëshortja e tij nga që kishte shqetësime shëndetësore, kishte menduar se ndryshimi i klimës do t’i përmirësonte shëndetin e saj. Dhe për këtë, ndërmjet gjithë atyre qendrave të Perandorisë, për përmirësimin e shëndetit të bashkëshortes së tij, ai kishte zgjedhur kazanë e Leskovikut. Edhe kryesekretarit të Qendrës së kujdesjes për të moshuarit në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, në Stamboll, Baha beut, do t’i jepet lejë më 13 Qershor 1906 për të arrdhur në Leskovik. Ai do sjellë këtu për ndryshim klime, të gjithë antarët e familjes së tij. Në Novoselë të kazasë së Kolonjës ishtë hapur një shkollë fillore, nxënësit e së cilës, në vitin 1908, vazhdonin proçesin mësimor nën drejtimin e mësuesit, Abdyselam efendiut. Duke u mbështetur në kërkësën ë tij, mbas një letërkëmbimi ndërmjet Komisionit të Arsimit të Kolonjës, Drejtorisë së Arsimit të Vilajetit të Manastirit dhe Ministrisë së Arsimit të Portës së Lartë, edhe atij i është dhënë lejë që mbas mbarimit të vitit shkollor, gjatë muajve të verës të shkojë me pushime në Leskovik.