Vargje poetike nga Teuta Sadiku
Lule mimoza e 14 Shkurtit
Sa shpejt çele edhe këtë pranverë
lulet e tua, të verdha dyllë në fytyrë
nga vetja jote apo nga bota të vjen turp
dhe dashurinë e parë e vuan aq shumë?!
Gjoksin dielli ta shpërthen kur luan me ty
mjafton një puthje në buzë nga diellshkurti
e ti bie në krahët e dashurisë pa një pa dy
jeta pa romantizëm s’mund të ketë kuptim.
Aromë dashurie vinë rrugët gjithkund
po ti lule mimozë mos u zverdh kështu
të dashurosh nuk është gabim, as turp
edhe pse nuk ka happy end në fund.
***
Të prita tek fari i jetës, i dashur
kushedi sa anije këtej kanë kaluar.
Në breg u dergja nga pritja e gjatë
me të Lasgushit varg ndër duar.
Liqeni përkundet ngadalë në ëndrra
i dashur, pse vallë rrugët janë bllokuar,
vallë kur Odisea shiti gjithçka për një Itakë,
Pinelopë nuk dëshiron të jetë më asnjë grua.
***
Gratë e vendit tim
edhe gratë e vendit tim
përveçse të mjelin e të shesin qumësht në bidon
dinë të dashurojnë,
të përkëdhelin me duart e pjekura nga çapa e djersa,
të puthin me zjarrm
buzë që nuk mund të thonë dot:
Të dua, e dashur.
edhe gratë e vendit tim
përveç se të shesin prodhime në treg
dinë të flirtojnë
me sytë e zhytur në liqenin e lotëve
të ngrejnë e të mbajnë në pëllëmbë një shpirt të rënë përtokë
edhe me zemrën bërë copë -copë.
Gratë e vendit tim
nuk janë vetëm amvisa,
as vetëm nëna, që rrisin në djepe fëmijë
janë eros i lashtë,
janë diellzana
që me një shkëndijë sysh
të ndezin të hatashmet zjarre.