Ahmet Xhavit Delvina: Pak retrospektivë…
Pas 16 – muaj e 13 – ditë babai ynë i dashur doli nga birucat e organeve të diktaturës, ku jetohej në mënyrën më ç’njerzore. Natyrisht gëzimi ynë ishte i papërshkruar, por çe do, ky gëzim zgjati shumë pak sepse menjëherë filluan hallet e reja. Siç e kam përshkruar edhe më lart atij nuk ia dhanë asnjëherë punën që i përkiste, së paku ta lejonin të punonte si avokat i thjeshtë, por “Jo”, atij i treguan se puna e tij e vetme po të donte të jetonte ishte kazma, llaçi etj, por ai këto lloj punësh nuk i bënte dot, nuk kishte më mundësi fizike pas atij trajtimi të gjatë torture nëpër analet e Ministrisë së Brendshme të atëhershme të drejtuar me “mjeshtëri” nga xhelatët monstra e injorant si Muço Saliu, Xhavit Struga etj. Shëndeti i tij kishte rënë shumë deri në shkallën e një sëmundje shumë të rëndë e të gjatë dhe mbi çdo gjë e pashërueshme, së paku për atë kohë dhe për ato kondita.
Tuberkulozi, kjo sëmundje e mallkuar kishte marrë një zhvillim shumë të shpejtë në trupin e tij, me predispozicion të lartë për këtë sëmundje sepse ai ishte diabetik i vjetër me stazh të gjatë dhe me peshë trupore të madhe. Ftohjet e njëpasnjëshme dhe plevitet e pakuruara nga banjat me ujë të ftohtë, të cilat ishin pjesë e programeve të torturave, i kishin shkaktuar një dobësim maksimal të imunitetit për tu mbrojtur nga sëmundjet e ndryshme. Pasi u prek nga tuberkulozi avancimi i kësaj sëmundjeje qe i pandalshëm tek ai. E keqja më e madhe ishte se ai duhej të izolohej, ishte i sëmurë krejtësisht pozitiv dhe izolimi i tij për të mos infektuar të tjerët ishte mëse i domosdoshëm dhe urgjent. Rrjedhimisht e shtruam në Senatorium, aty sëmundja i avancoi në mënyrë galopante, prandaj e transferuan pas një kohe të shkurtër në aneksin e Senatoriumit vend që dërgoheshin të pashpresët përpara vdekjes.
Këtu “fatkeq-mirësisht” qëlloi mjek pavioni doktor Kalmari, një mik i vjetër i babait, nuk diskutohet për kontributin që ai dha për kurimin e babait duke bërë çmos për të. Kjo qe dhe një ngushëllim për ne që shyqyr ra në dorën e një miku të ngushtë. Edhe ai ndjente detyrime për babain tonë sidomos për ndihmën që i kishte dhënë babai atij në kohën e gjermanëve sepse e ndiqnin për hebrej. Por për çudi kjo njohje apo miqësi e madhe u shndërrua në fatalitet për babain nga një gabim i rrjedhur nga pakujdesia dhe pleqëria e doktorit që e bëri krejt padashur.
– Në një ditë të zakonshme vizite vjen në dhomën e babait doktori së bashku me një person të panjohur për babanë dhe fillon vizitën e zakonshme, personi i panjohur nuk po tregonte ndonjë interes për vizitën që po kryente doktori. Ndërkohë që babai po zbulohej që doktor Kalmari të vendoste stetoskopin, ai i drejtohet këtij personi të panjohur deri atëher në gjuhën frënge dhe i thotë në sy të babait se ky person ka mbaruar dhe nuk ka asnjë shpresë për t’u mjekuar, prandaj unë këtij ia kam ndërprerë mjekimin sidomos me streptomicinë, biles edhe penicilinën për t’i përdorur tek të tjerët që janë me shpresë dhe kam menduar se t’i injektosh këto ilaçe të çmueshme këtij është njësoj sikur t’i hedhësh në pus ato. Ndërsa këtij i kam thënë se me ty që të kam mik, kam vendosur në bazë të strategjisë time, të t’i ndërpres për ca kohë mjekimet për t’u pastruar organizmi dhe ai më besoi, nuk kam ç’t’i bëj, vdekjen e ka shumë të shpejtë. Personi që e shoqëronte doktorin e aprovoi me kokë bisedën.
Babai sapo dëgjoi këto fjalë sa anormale po aq edhe amorale dhe shumë anti-njerëzore e goditi doktorin me shpullë në fytyrë dhe njëkohësisht pështyu edhe personin që e shoqëronte atë. Ndërkohë doktorit i shpërthen hemoragji e madhe nga hundët. Pas gjithë këtij skandali doktori vjen në vete dhe kujtohet që ai me babanë gjithë jetën kishin biseduar frëngjisht sepse ai e fliste keq shqipen dhe në moment i kërkon disa herë të falur me zë të lartë: “Pardon – Pardon” – ndërkohë ndërhyjnë infermjerët dhe e tërheqin doktorin për t’ia mjekuar hemoragjinë. Më vonë morëm vesh se i pështyri nga babai apo shoqëruesi i doktorit ishte vet mjek dhe Drejtor i Mjekimit në Ministrinë e Shëndetsisë. Pas këtij gabimi fatal të doktor Kalmarit, ai kërkoi të takohej rishtazi me babanë dhe me insistim të vazhdueshëm për t’i kërkuar një falje të madhe botërisht, por ai nuk pranoi asnjëherë duke na e ndaluar edhe ne të komunikonim me të, edhe pse ndërhynë shumë miq që i kishin të përbashkët.
Pas 2 – 3 ditësh me shumë ngut vijnë dy infermjerë dhe e marrin babain prej krahësh dhe pak si me të shtyra apo edhe me dhunë, e hipin në një auto-ambulancë dhe direkt e sjellin tek dhoma jonë e famshme duke na komunikuar se, me urdhër të Drejtorit të Senatoriumit Dr. Stavri Lekës, për thyerje të rëndë të disiplinës në Senatorium, babai përjashtohet përgjithmonë nga ky Institucion Shëndetësor. Babai hyri në “shtëpi” shumë i shqetësuar duke ulëritur me të madhe se këta, më duket mua me ç’po shoh, nuk duan vetëm kokën time, por duan edhe kokat e tre fëmijëve dhe të gruas. Ai shprehte habinë se si ka mundësi që ata kriminelë injorantë të bëjnë këtë krim të pastër legalisht dhe pa asnjë siklet, po a e kuptojnë që ata i dënon ligji të më fusin mua i sëmurë “Gavernal Bilateral” plotësisht “pozitiv” i sapo nxjerrë nga aneksi i Senatoriumit të jetoj në një sipërfaqe prej 12 m² vet i pestë? Ç’më duhet mua jeta kur të sëmur fëmijët? Allahu na ruajt! Të gjitha këto biseda ai i bënte larg nesh ose jashtë tek ai mikro-oborr që kishim, me qëllim që të evitonte kontaktin me ne. Biles edhe në orët e vona të natës rrinte jashtë dhe vetëm kur “mbërdhinte” shumë, lidhte fytyrën me peshqir të lagur edhe me ca napa të vjetra që ndodheshin në shtëpi dhe hynte brënda në dhomë sa merrte një zjarr tek soba që na pati sjellë Sejfulla Maleshova, dhe pa folur fare pas pak minutash menjëherë ri-dilte në oborr. Kishte ndarë çdo gjë të vetën si enët, rrobat, shtratin e çdo gjë tjetër.
Por për fat kjo situatë nuk zgjati shumë, pas 5 – ditësh me urdhër të Ministrit të Shëndetsisë të asaj kohe Dr. Taqi Skëndi e rishtruan urgjentisht në Senatorium. Këtë nder të rëndësishëm dhe të paharruar na e bëri personalisht Ministri i Shëndetsisë sepse, njihej dhe kishte shoqëri që në Korçë me nënën tonë dhe me Esatin. Por për fat të keq ai nuk jetoi veç 23 ditë pas ri-shtrimit. Na mbeti peng dhe na erdhi shumë keq që ditën e vdekjes nuk ju ndodhëm pranë meqënëse, ai na u duk se e kishte ri-marrë pak veten dhe me rekomandim e kërkesë të tij, vajtëm ne të tre fëmijët dhe nëna për të bërë analizat e rrezikut të infektimit sepse ishim shumë të dobët fizikisht. Më kujtohet se një ditë përpara se të ndërronte jetë i thamë për të qeshur se kjo aventurë e vogël sikur të bëri mirë dhe ai po me humor pëshpëriti “Komsi – Komsa” sepse këtë shprehje e përdornim ne fëmijët që atij i pëlqente. Kështu ndërroi jetë në vetmi ai i mjerë dhe ky qe shpërblimi që i dha Shqipëria atij dhe sakrificës së tij.
Deri në fund kur shkonim për ta takuar, inatin e kishte me Dr. Kalmarin dhe na thoshte se më dërgon njerëz përditë “çifuti i m..!” dhe më kërkon “Pardon” duke u “skuzuar” që të më fali e të mos ma vërë re Neki Beu se, jam matufepsur plotësisht dhe nuk më tret dheu për këtë gabim fatal që bëra me të, unë sot jetën e kam nga ai. S’ka faj ai, ju them ndërmjetësve miq, fajin e kam unë që e hoqa nga duart e Selami Çelës (Kryetar i Organizatës Antikomuniste Bashkimi i Kombit) që e kishte arrestuar dhe po ja u dorëzonte gjermanëve, se kishte mjekuar partizanë të plagosur dhe më mirë ta kisha lënë ta digjnin në Krematorium se ashtu e paska merituar. Neve ia bënim me shenjë të mos fliste me zë të lartë sepse mund të na dëgjonte ndonjë “Espion” apo hafije siç iu thoshte ai “sigurimsave”, mirëpo ai bëhej nervoz dhe ngrinte zërin, e… e… e… mjaft më me këto frikët tuaja, boll – boll, më.
Ky qe dhe fundi i njërit prej Themeluesve të Drejtësisë Moderne Shqiptare që la gjurmë të pashlyeshme, një figurë e pakompromis me padrejtësinë dhe injorancën profesionale, modeli më perfekt i elitës së gjyqsorit. Epo të lësh Stambollin në moshën 24-25 vjeç, të jesh i lauruar atje Doktor në Drejtësi, pa e parë asnjëherë Shqipërinë, të refuzosh emërimin në qytetin “Kars” të Turqisë, në vitin 1914 të vish gjyqtar pajtues në Skrapar e qytete të tjera në vazhdimësi, dhe të punosh për mbi 32 vite në organet e Drejtësisë Shqiptare me shumë e shumë halle dhe të PËRFUNDOSH ME KËTË FUND TRAGJIK, KJO NDODH VETËM NË KOMUNIZËM.
Po të bësh një analogji me nëpunësit e lartë shtetërorë sot, të vjen çudi se si prindërit tanë vunë interesin e atdheut amë përmbi çdo gjë, dhe ju përgjigjën thirrjes për të ardhur këtu në Shqipëri për ta ringritur atë, duke mos marrë parasysh asnjëherë vështirësitë që do të lindnin. Hajde dhe krahasoji këta pushtetar të sotëm me ata të “mjerë” që lanë edhe kokat. Po marr si shembull diplomatë të sotëm që konsiderohen shtetarë të formuar dhe të zgjedhur ndër më të mirët, sidomos edhe për vlera të larta atdhedashurie, i dërgojnë jashtë për të na përfaqësuar dhe ata fill pasi mbarojnë mandatin katër vjeçar të detyrës diplomatike, bëjnë çmos të qëndrojnë atje me gjithë familjet e tyre, dhe arrijnë deri aty sa të kërkojnë të gjitha llojet e azileve nga ai politik, ekonomik, etj mjafton të jetojnë më mirë se këtu, lëre Shqipërinë! Iu vlon në gjak dhe janë gjithnjë pjellë e “njeriut të ri të Partisë, vepër monumentale e saj”.
Inteligjenca shqiptare e prodhuar në shkollat e komunizmit numerikisht në raport me popullsinë e vendit, nuk bie më poshtë se shumë shtete të përparuara, por ama po të shohësh efektivitetin dhe kontributin e tyre për vendin, ai është kaq i ulët sa vendi ynë klasifikohet ndër vendet më të prapambetura të botës. Arsyet e skarcitetit të kësaj specie të quajtur “inteligjencë” i kam përshkruar më lart, prandaj rrodhën dhe këto negacione ekonomike dhe shoqërore. “Kuadrot” e të ashtuquajturës “Periudhë e Revolucionit Popullor” që me pesë klasë fillore filluan dhe mbaruan për një, dy apo edhe 3 – vjet Akademitë Ushtarake apo Universitetet Sovjetike apo edhe ato të Lindjes Komuniste, duke ju dhënë edhe grada apo dhe tituj shkencor si: Profesor, Doktor etj sipas sektorëve ku “militonin”, pa folur pastaj kur ky element i kualifikimit të lartë merrte pozita të larta në Parti apo në Shtet, këta element brënda një apo dy viteve merrnin dhe nga dy fakultete të tjera me metodën komuniste të quajtur “Program Personal” që ishin metoda shumë të turpshme. Pra këto janë vlerat reale të inteligjencës skarco të socializmit që e shkatërruan plotësisht Shqipërinë dje dhe sot.
Deziluzion pëson kur shikon dhe krahason rezultatet e punës në dobi të atdheut, të një inteligjencie të vërtetë e të përgatitur, mjafton të kujtojmë për këtë kontributin e madh të kësaj kategorie njerzish të shquar që dhanë për administrimin e ndihmave në shtetet që përfituan nga plani “Marshall” dhe në ç’nivel e ngritën, psh Gjermaninë e shkatërruar nga Lufta II Botërore. Në raporte vlerash duke patur parasysh numrin e popullsisë, etj, etj, jo më pak përfituam edhe ne pas vitit 1991, por çe do sot administrata jonë shtetërore nuk ka dhe nuk do të ketë mendim të drejtë për të shpëtuar vendin nga kjo gjëndje kaotike që ekziston sot në Shqipëri. Më çudit fakti që shtetet e Perëndimit nuk po e kuptojnë akoma edhe sot realitetin shqiptar, më vjen të mendoj se edhe sikur të shtiren të tillë ndoshta ua kërkon situata këtë sjellje, japin ndihma të mëdha në të gjitha format dhe ne si shtet “vidh e shpërdoro”, disa me qëllime përfitimi për njerëz të parapërcaktuar nga nomenklatura shtetërore dhe disa të tjera të administruara shumë keq nga inkompetenca organizative tashmë e njohur. Akoma edhe sot udhëheqin aventurierët komunistë me bijtë e tyre. Nuk vijnë investitorët e huaj në Shqipëri sepse nuk ka legjislacion të saktë e të sigurt si në Perëndim që të garantojë investimet e tyre.
Pra, në një vënd ku nuk ka investime për zhvillim, nuk ka punë dhe nuk ka prodhim, rrjedhimisht auto – gjenerohet krimi i organizuar. Kjo është matematikisht e sigurtë si teorikisht, ashtu edhe praktikisht dhe faktikisht kështu po ndodh në vendin tonë. Sot drejtojnë shtetin zyrtarisht klanet mafioze. Çfar pret Perëndimi? Përse vazhdon ta investojë akoma këtë situatë? Mos vallë presin që Mafia Shqiptare të “ndërrojë” mendje dhe të hyjë në rrugë të ndershme? Apo të bëhet e dobishme? Nuk besoj që ata të shpresojnë në një gjë të tillë dhe e dinë fort mirë se çfarë është Mafia! Mendoj që për vendin tonë strategjitë e Perëndimit të jenë më të kontrolluara dhe më të specifikuara dhe analitike.
Situata ekonomike në familjen tonë u rëndua shumë pas këmbënguljes sadiste të Manol Konomit ndaj babait tonë. Ai personalisht e kishte bllokuar babain në çdo hap që bënte dhe për të mos e lejuar punësimin në sektorin e avokaturës, arriti të nxjerrë urdhëresën e refuzimit të kërkesës për avokaturë, edhe pensionin sipas një ligjit absurd që e përjashtonte nga kjo e drejtë, ku kategorizoheshin edhe antarët e Gjykatës së Lartë. Imagjinoni një familje me pesë vetë, me të sëmurë rëndë dhe tre fëmijë të parritur, ç’do të bënim për të jetuar? Kjo varfëri e imponuar padrejtësisht u bë dhe shkaku kryesor për avancimin e sëmundjes së Tuberkulozit në mënyrë galopante të babait.
Por falë asaj valixheje që na shpëtoi Gani Çano nga thonjtë e Andrea Memës, mbetëm gjallë dhe arritëm të mbijetojmë për disa vite. Gjatë kësaj periudhe shumë të vështirë babain e mundonte edhe një hall tjetër i madh për të, sikur ai nuk kishte mundur, ndoshta edhe për faj të tij, t’i siguronte Sherifit kushtet që ai meritonte për studim sepse tek ky djalë ai dallonte diçka speciale në sensin pozitiv. Sherifi – thoshte babai, me të marrë semi-maturën duhet të vazhdonte gjimnazin në degën klasike, por për fat të keq gjimnazi në atë kohë nuk ishte për ne me biografi të keqe, ai i përkiste klasës së re pushtet mbajtëse dhe kjo e shqetësonte më shumë atë. Atëherë nëna pa e vënë në dijeni atë, mendoi të shkonte e t’i kërkonte ndihmë për këtë gjë një ish – komshiu nga ata të revolucionit, megjithëse njohja ishte e pakët sepse ne na hoqën shpejt andej sapo arrestuan babanë.
Ai qëlloi që ishte funksionar i lartë në Ministrinë e Arsimit dhe ky ishte Siri Shapllo. Ai pati ardhur në kat sipër nesh tek apartamenti i të ndjerit Shyqyri Borshit në kohën që sapo e kishin pushkatuar në gjyqin special. Nëna, familjen e Siriut e pati ndihmuar shumë si banorë të rinj, që kishin shumë nevoja fillestare në atë fillim jete, prandaj pa asnjë ndrojtje ju drejtua atij dhe në fakt nuk bëri ndonjë gabim sepse ishte një përpjekje e ligjshme e prindit për fëmijën e saj. Por për fat të keq kjo ndërhyrje shkoi bosh sepse ata kishin qenë një familje kriminelësh komunistë shumë ordinerë dhe të lidhur me gjak me krye – kriminelët e asaj kohe Bedri Spahiu dhe Shemsi Totozani.
Siriu kur e takoi nënën e priti shumë keq duke e fyer me fjalët më të poshtra që mund të imagjinohej dhe jo vetëm atë si person por edhe familjen tonë në tërësi, duke u shprehur: Ti ke qënë Gjyshja Nedime me Sherifin e Xhavitin në të kaluarën një prostitutë e salloneve dhe tani kërkon shkollim të veçantë për djalin, megjithatë ti mos u merakos se kam porosi nga Partia dhe populli im për këlyshët e bejlerëve që t’ju sigurojmë si perspektivë të së ardhmes, kazmën dhe punën në kanal, edhe këto në rast se i meritojnë dmth në rast se rrijnë urtë, në të kundërtën do t’u japim ‘peshqesh’ në emër të Partisë dhe popullit nga një plumb në ballë ose bythëve. Po kështu në një tjetër rast të veçantë takimi edhe me të dy vëllezërit e Siriut, Dauti dhe Zijai, mbajtën të njëjtin qëndrim përbuzës me familjen tonë. Nuk kishim ç’të bënim, murit me kokë nuk i bihej. Atëher nëna mendoi të manovronte ndryshe për ta qetësuar sado pak babanë për këtë problem. Sherifin e la krejt të lirë nga hallet e shtëpisë që ai të kishte kohë për të studiuar kur të dëshironte. Prandaj e shkreta nënë të tëra hallet e problemet e familjes i pleqëronte me mua, diskutonim vazhdimisht se cilin nga xhevahirët e mbetur do të shisnim, ku do ti shisnim, kujt do t’ja ekspozonim për shitje dhe sa do ta shisnim.
Këto halle për ne në atë kohë përbënin shqetësimet e vazhdueshme, por ja që ia morëm dorën, biles ndërtonim dhe programin e shpenzimit si edhe kohën që të mos mbeteshim zbuluar. Natyrisht nuk përjashtoheshin edhe rastet e mbishpenzimeve sidomos për ilaçe të paparashikuara të cilat duhet t’i blinim me çdo kusht duke shitur çdo gjë që kishim sado të nevojshme që të ishin. Por ja që erdhi dita dhe Sherifin e kishin caktuar në shkollën e mesme pedagogjike, shkollë e cila për botkuptimin e asaj kohe nuk preferohej sepse dihej që në përfundimin e saj do të “hidhej si Dhaskal” në fshatrat më të largëta të vendit, por s’kishim ç’të bënim dhe pranuam. Sherifi e vazhdoi me shumë sukses dhe me rezultate të mira por për fat të keq në vitin e fundit me propozim të organizatës së rinisë, ai përjashtohet për një vit nga shkolla sepse vëreheshin tek Sherifi disa shenja indoktrinimi negativ që nuk përputheshin me jetën e re socialiste.
Rrjedhimisht ai u largua atë vit të fundit të maturës nga shkolla, por fatmirësisht atë vit të fundit ai e mbaroi njëherësh me shokët e klasës së tij sepse për fat në atë kohë ekzistonte një ligj i cili lejonte që të jepeshin provimet e sezonit apo të vitit edhe si kandidat i jashtëm. Kështu u mbyll kjo çështje, ai i mori provimet me nota të larta dhe u diplomua mësues për shkollën fillore së bashku me shokët e klasës. Gjatë atij viti që mungoi në shkollë, ai punoi në lumin Erzen në sektorin e prodhimit të inerteve për ndërmarrjen e ndërtimit “Ndërtesa” të asaj kohe. Me këtë punë që bëri ai dha një ndihmesë të rëndësishme për ekonominë e familjes, por edhe babait sikur iu bë qejfi që ndodhi kështu kjo punë me djalin, sepse ai e pa që Sherifit iu bë e qartë që lufta e klasave shtrihej deri tek ne që ishim akoma të parritur mirë me pa të drejtë, po ashtu edhe puna e asaj kohe në ndërtim e zhvillonte Sherifin në sensin praktik sepse atij i dukej se i mungonte kjo dhunti në një farë mase, po kështu e gëzonte fakti se e shihte Sherifin që çdo pasdreke pas pune e kishte mundësinë të studionte në bibliotekë, dhe thoshte “bereqaversën”.
Pas përfundimit të shkollës atë menjëherë e çuan në Gjirokastër dhe në rrethet e saj. Nga Gjirokastra qytet, atë e hoqën menjëherë sepse e konsideruan se me forma shumë të rafinuara ai bënte një propagandë pro fesë, ai u godit direkt në një mbledhje që drejtohej nga kryekrimineli Bedri Spahiu, ish – Ministër i Arsimit në atë kohë dhe menjëherë e çuan nëpër fshatrat e largëta të Tepelenës, ku mendonin se ai do të shkatërrohej psikologjikisht sepse ishin fshatra të njohura për vështirësi si në Luftinjë, Bënçë, Krahas dhe vinte në Tiranë vetëm për pushimet e verës, pas përfundimit të vitit shkollor. Kjo llojë pune nuk e kënaqte babanë sepse e pengonte atë që të bënte një studim të organizuar mirë dhe sistematik pas punës dhe normalisht çdo ditë. Lëre pastaj kur mendonte varfërinë e asaj kohe, kushtet e fshatit, mundësinë e provokimeve nga dashakeqët që nuk mungonin sepse ishin pjesë e atij sistemi dhe, paaftësinë e Sherifit për t’i shërbyer vetes sidomos në ato kushte. Ndërsa krejt e kundërta ndodhte me mua, ai më konsideronte “Birichino di papa” apo “qerrata” dhe kishte besim se unë mund të zgjidhja çdo situatë sado e komplikuar që të ishte, prandaj më çonte shpesh te Sherifi për ti çuar ndonjë ushqim suplementar, që ne e dinim se me sa sakrifica ja siguronim, por për babanë më e rëndësishmja që i çoja ishte ndonjë libër i ri që ai nuk e kishte lexuar, me subjekte të njerzve të shquar që kishin jetuar në kohë të vështira dhe, ndonjë letër me mesazhe morali, durimi apo edhe shprese me fjalë ose me fjali të mbështetura në fe ose në filozofi idealiste.
Pas disa vitesh pune të Sherifit nëpër fshatrat e Tepelenës, babai kishte arritur një marrëveshje me mikun e tij të vjetër Gjeneral Spiro Moisiun për ta nisur Sherifin ushtar sepse, mendonte se jeta do t’i shkonte diçka më mirë në të ardhmen duke menduar se pas ushtrie, mund të krijoheshin mundësitë për ta afruar së paku rreth Tiranës. Këtë mision shumë delikat ma ngarkoi mua që ta “drejtoja”, unë duhej të shkoja në Krahas të Tepelenës dhe ta “rrëmbeja” Sherifin në mes të vitit shkollor për tu “arratisur” nga detyra. Ky aksion duhej bërë në fshehtësinë më të madhe sepse quhej “braktisje detyre” dhe dënohej rreptësisht me ligj dhe përfundoje në burg. Mirëpo babai kishte marrë siguri nga Gjeneral Spiro, se pas ardhjes së Sherifit në Tiranë, ai do të nisej menjëherë brënda dy – tre ditëve në ushtri, kështu që pushteti i atjeshëm jo vetëm nuk do ta ndalonte dot, por as mund që ta penalizonte në gjyq si braktisës së detyrës së Partisë, sepse ekzistonte në atë kohë një ligj që ju ndalonte për kohë të pacaktuar që, arsimtarët të thirreshin nën armë për nevojat e larta që kishte populli për dije dhe për të dalë nga injoranca e imponuar nga regjimet anti-popullore.
Kështu sipas Gjeneral Spiros faji do t’i mbetej Degës Ushtarake për gabim njerëzor, këtë e merrte përsipër ai, por Spiro thoshte duke qeshur se Sherifi edhe mund të lavdërohet për gadishmërinë e lartë që tregoi duke mos kundërshtuar thirrjen e jashtligjshme për në ushtri pavarësisht se ishte rehat në punë mendore. I tërë ky “aksion” u realizua me përpikmëri pa as më të voglin gabim. Merita kryesore më mbeti mua si organizator i aksionit. Babai mendonte “Allah Qerim” pas dy vitesh Zoti do të vërë dorë e kushedi ç’bëhet dhe Sherifi do të shpëtoj nga ato fshatra të largëta.Pasi Sherifi u largua morëm një telegram nga Seksioni i Arsimit të Tepelenës se mësuesi Sherif Delvina braktisi detyrën në kundërshtim me urdhërat e Partisë dhe nëse ne kishim ndonjë informacion për vendndodhjen e tij sepse e kishin proçeduar në gjyq. Atëherë ne në telegramin tonë iu përgjigjëm se Sherifi për të mos thyer rregullat e mobilizimit u nis urgjentisht për të kryer “Detyrën e shenjtë” ndaj atdheut dhe ndodhet nën armë në Repartin – 5013 E në Kukës, ata siç duket e verifikuan dhe çështja u mbyll.
Pasi u qetësua gjendja babai më afron dhe më pyet: Pa më trego për këtë aventurë tënden si e realizove me kaq sukses? – të drejtohem ty se e di që Sherifi nuk është për kësi gjërash. Tani në fundin e vjeshtës “Vjosa” ka shumë ujë, jam kurioz të di se si e kalove lumin sepse mesa di unë aty nuk ka ndonjë urë, pa hë më trego. Unë fillova t’i spjegohem si me indiferentizëm, se zbrita në Sevaster te një klub anës rrugës dhe u ula poshtë në lumë, në fakt kishte shumë ujë të rrëmbyeshëm, mendova që është e pamundur që të mos ketë lëvizje fshatarësh nga një anë e lumit për në anën tjetër, prandaj fillova të lëviz gjatë bregut të lumit se mos shoh njeri apo të gjej ndonjë varkë që mund të kalohej. Diku dallova gjurmë thundrash kuajsh nëpër baltën anës lumit dhe u ula atje sepse mendova që ai vënd duhet të jetë i preferuar për të kaluar, dhe me të vërtetë ashtu doli, pas nja dy orësh po shoh nja 12 kuaj e mushka të ngarkuara që po afroheshin tek vëndi ku po rrija unë apo tek gjurmët e patkonjve. Ju luta “kalorësve” se kisha nevojë të kaloja matanë dhe ju kërkova ndihmë për këtë. Ata më thanë se ne të marrim por nuk mbajmë përgjegjësi në rast se nuk je trim e të merr lumi, – më vjen keq, ju thashë, s’keni pse të mbani përgjegjësi se unë po kërkoj vetë të kaloj. Hajde pra hidhu, më thanë, kapu pas bishtit të një kali dhe shiko vetëm lart qiellin dhe në asnjë rast mos e shiko ujin poshtë, sa të kalojmë lumin se të merren mendtë dhe do të të godasin këmbët gurët që lëvizin posht në ujë, por ti duhet t’i durosh dhimbjet në rast se do të kalosh se ndryshe “vate puna jote, në esfel” do të shkosh. Kështu veprova por pata pak dhimbje nga goditjet e gurëve te këmbët megjithatë kalova për bukuri, i falenderova dhe aq.
Shyqyr o Zot – tha babai, që je qerrata e të ka ruajtur Zoti! Me të pyetur pastaj e gjeta vendin ku rrinte Sherifi, natyrisht e prita se edhe aty ai nuk e kalonte kohën të pa programuar. Atë ditë për belanë time po intervistonte një ish dervish shumë i vjetër në moshë dhe u kthye i kënaqur për të rejat që kishte mësuar nga ai. Sa u çudit dhe u habit kur më pa, – më pyeti se ç’kishte bërë vaki dhe unë ia spjegova detyrën time pse kisha ardhur, e sqarova për taktikën që duhet të ndiqnim dhe se duhet të largoheshim natën pa u vënë re nga asnjë sidomos nga ata të Këshillit të fshatit se, marrim fund dhe na digjet plani për shpëtimin tënd. Pritëm sa u ngrys dhe u nisëm menjëherë, kalimi i lumit ishte më i lehtë këtë radhë sepse Sherifi njihte një vend më të përshtatshëm për këmbsorët, ishte një va shumë i gjerë por vetëm që u lagëm pothuaj në të gjithë trupin. Megjithatë lindën vështirësi të paparashikuara, problem shumë i rëndë u bë transportimi i “thesarit” që kishim me vete. Ky thesar përfaqësohej nga 12 kg. miell gruri. Ato ditë Sherifi kishte marrë racionin mujor të miellit dhe pasi lau të gjitha borxhet mujore i kishin mbetur 12 kg, por ama në atë kohë të “lumtur” e dini se ç’donte të thoshte të kishe jashtë racionit 12 kg miell? Kjo gjë atëherë ishte e pakonceptueshme sepse rregulloi bilancin mujor të ushqimit, zbuti urinë e cila ishte e pranishme çdo ditë, e shumë të mira të tjera rrjedhonin, prandaj ne duhet të bënim çdo sakrificë për të mos e humbur këtë rast fatlum, peshqesh nga Zoti. Ishte e pamundur në atë kohë që të gjeje mjet transporti për në Vlorë nga Sevasteri, por ama për ne që të rrinim në ato anë për periudha të gjata, ekspozoheshim dhe merrej vesh aksioni ynë dhe, e dini se ç’donte të thoshte atëherë të zbulohej që mësuesi po dezertonte nga detyra? – që e kishte mobilizuar Partia, çështja merrte rrugë të padëshiruara. Kështu që e vetmja rrugë për të arritur qëllimin ishte të përshkohej rruga Sevaster – Vlorë në këmbë dhe me miellin në krah dhe kështu u bë. Pas një udhëtimi 18 – 22 orë arritëm gjysëm të vdekur nga lodhja te sheshi i flamurit në Vlorë.
Më kujtohet lufta “heroike” që bëmë tek burimet e ujit në rrugë me qentë e fshatit “Vajzë”, ishte me të vërtetë e vështirë vet – mbrojtja kur sulmoheshe në grup nga qentë e fshatit, por megjithatë shpëtuam. Lodhja ishte e jashtëzakonshme por qëllimi u arrit. Të gjitha ç’ka hoqëm u kaluan, suksesi u arrit por për brezin e ri sot, këto janë sakrifica të pakuptimta apo të kota, të mbash në krah mbi 40 km. rrugë malore sepse nuk ka makina e ta bësh në këmbë këtë distancë, sot të thonë se paskeni qënë të luajtur mendsh. S’kemi ç’të themi, mund të kenë edhe të drejtë por komunizmi na e imponoi këtë jetë me detyrim. I ndjeri baba gjithmonë i përmëndte përpjekjet tona të cilat i konsideronte të parakohshme për moshën tonë të re dhe sidomos për mua kishte një konsideratë speciale sepse mi vlerësonte shumë punët e mia dhe thoshte shpesh gjynah, i poqi shumë shpejt “zamani” këta të shkretë.
Sherifi siç thamë ushtrinë e bëri në Kukës, dimri i parë i qëlloi nga më të ftohtit, nga që ishin bllokuar rrugët nga bora i hidhnin ndihma ushqimore me avion sovjetik, megjithatë Sherifi i përballoi pa ndonjë konseguencë të gjitha sikletet e jetës ushtarake. Pas dy vitesh u rikthye përsëri në arsim por këtë rradhë u rregullua diçka më mirë, me përpjekjet tona arritëm që ta mbanim në rreth të Tiranës, si në Pezë, Shëngjergj dhe në fund në Kombinat. Babai me këtë punë të re që iu dha Sherifit sikur u qetësua sepse e shikonte çdo natë në shtëpi dhe pasdite pas pune në Bibliotekën Kombëtare. Sherifi pati edhe një shans tjetër, shfrytëzoi një kohë të zbutjes relative të luftës së klasave dhe ju dha e drejta të vazhdonte studimet në Universitetin e Tiranës, me korrespondencë në degën Histori-Gjeografi të cilën e mbylli me shumë sukses dhe në një kohë rekord. Sherifi vazhdoi në arsim deri dy vitet e fundit përpara daljes në pension, por pavarësisht se mësim – dhënia për të ishte vetë jeta, ai e humbi qetësinë shpirtërore sepse duke qënë mësim – dhënës i shkëlqyer, i shtuan orët jo vetëm të letërsisë së politizuar të realizmit – socialist, por i shtuan edhe orët e Historisë së Partisë apo edhe orët e Marksizmit dhe e propozuan kandidat për në Institutin e Botimeve të Librave.
Ai gjithnjë thoshte proverbin latin: “Verba Volant – Scripta Manent”, “Fjalët i merr era – shkrimet mbeten”. Kështu Sherifi mendoi se duhej patjetër të shkëputej nga ky shërbim i detyruar për të helmuar rininë e atëhershme, por ky largim duhej të bëhej me shumë marifet që të mos kuptohej arsyeja e vërtetë e këtij largimi se të hante dreqi. E mendoi mirë dhe ju drejtua për ndihmë një mikut të tij të mirë Dr. Nestor Polimnerit, ish – Drejtor i Spitaleve Neuro – Psikiatrike, natyrisht nuk i tregoi të vërtetën se pse donte të linte arsimin, por ju ankua se nga lodhja e madhe studimore kishte disa forma alucinacionesh, zhurma, shqetësime etj dhe kërkonte ndihmën e tij, (këtë rol e luajti shumë mirë sepse ishte kompetent në psiko – analizë e cila i ishte dashur ta studionte për kulturën e tij). Ai menjëherë iu përgjigj duke i siguruar të gjitha rekomandimet për shërim duke i rekomanduar të punonte në punë fizike në prodhim për një periudhë shplodhjeje mendore për t’u riaftësuar, këto ishin metoda të reja shkencore shërimi. Për këtë “problem” e mora unë në Kombinatin e Autotraktorëve si punonjës ngarkim – shkarkimi në Fonderinë e Gizës N=2. Aty Sherifi fitoi respektin e të gjithë puntorëve dhe të kuadrove të atjeshëm, punonte shumë si punëtor dhe njëkohësisht ju mësonte drejtuesve gjuhë të huaja, italisht, frengjisht, anglisht dhe njëkohësisht më bëri dhe mua disa materiale të reja teknollogjike italiane të grumbulluara në një libër me titull “Giza sferoidale” të cilën e përvetësoi Universiteti. Ky libër do të më shërbente mua për repartin e ri të Gizës Sferoidale që po ndërtoja. Sherifi këtu gjeti qetësi të plotë shpirtërore dhe në konspiracion të plotë shkroi tragjedinë “Genti” që përshkruante diktatorin dhe rrjedhojat që reflektonte egërsia e tij në popull.
Tek kjo tragjedi ai aludonte edhe për katilin Enver Hoxha, gjithashtu shkruajti edhe disa pjesë historike për të “ardhmen” dhe i fshehëm tek kapakët e dollapit të rrobave meqë ishin tamburat (me thënë të drejtën nga frika), se t’i gjente njeri dhe në Spaç e kishe vendin. Babai pati dëshira të mëdha që ne të dy djemtë e tij të rriteshim me një kujdes e kulturë të veçantë që nesër kur të rriteshim, të përfaqësonim me dinjitet origjinën e familjes. Për këto arsye që në moshën dy – tre vjeçare na futi në kolegjin italian që të merrnim kulturë dhe edukatë italiane. Aty në atë kolegj kishte nivel pedagogjik të shquar, që në “azilo” (foshnjore) edukatoret ishin “suorat” (murgeshat apo motrat) shumë të përgatitura dhe influencuan shumë për mirë në formimin tonë. Qëllimi i babait tonë ishte që në perspektivën e afërme shkollimin ta bënim jashtë Shqipërisë, si rrjedhim që në moshën pesë vjeçare filluam shkollën fillore elementare italiane, përveç shkollës paralelisht babai na vuri për çdo ditë studim suplementar privat me profesorët më të kualifikuar të kohës, si psh. Scandurra, Gentile, Vanda etj. Këta profesorë babai nuk na i ndau nga mësimi deri në ditën që u bë kiameti apo “Çlirimi”. Komunizmi i mbylli menjëherë këto shkolla të shkëlqyera që nxënësit shqiptar të mësonin vetëm në shkollat e tyre bastarde dhe të shkëputeshin nga mardhëniet me botën e përparuar. Për fat të keq e gjithë ëndrra e babait tonë u ndërpre sepse fatkeqësisht edhe vendin tonë pas Luftës II Botërore, Perëndimi me dashje ia la Lindjes Komuniste për ta bërë “shkollë – mësimore” dhe ekspozitë për t’i treguar Europës por edhe Botës mbarë se, “ja ç’është” dhe ku të çon regjimi “shterp e kriminal i komunizmit” sepse kishte rrezik përhapje kjo farë e keqe nëpër botë.
Unë si Xhavit, nuk kisha lindur për t’u bërë ashtu siç dëshironte babai dhe kushedi se kujt i ngjaja në soj. Të gjithë mësuesit që kishin punuar me mua sidomos ata privatët, natyrisht edhe ata të shkollës normalisht, i kishin dhënë babait konsiderata pozitive për shkallën e inteligjencës sime, por njëkohësisht shfaqnin shqetësime për natyrën time me prirje tejet çapkëne, por njëkohësisht mendonin se kjo “e metë” do të zbutej me kalimin e kohës. Prapësitë e mia si në klasë apo në ambjentet e shkollës apo edhe në shoqëri, ishin bërë shqetësuese dhe thuhej se në çdo ngatërresë protagonist isha unë, por asnjëherë nuk më ishin faktuar as nga shkolla dhe as nga suorat (motrat priftëresha), aq sa u përfol që për arratisjen e një suore dora primare e këtij skandali isha unë, por edhe kjo mbeti një hipotezë që nuk u vërtetua kurrë, pavarësisht se ishin të sigurtë për pjesëmarrjen time në atë “komplot”. Babai nuk donte të besonte për ç’ka thuhej, por i vinte edhe për të qeshur kur dëgjonte dhe ata që jetojnë me të, duke thënë që nuk jemi në gjëndje t’ja faktojmë këto çapkënllëqet e tija që nuk i takojnë një nxënësi të shkollës sonë të nderuar. Babanë e çudiste ky fakt dhe thoshte se kaq shejtan i lindur të jetë ky djal? Kujt i ngjan? Bakallëm, bakallëm, (të shohim) të ardhmen. Këto cilësi do t’i kanalizoj për mirë apo se mos ngjan nga “bilmemnet” (të paditurit, për shaka për soin e nënës).
Drejtuesit e kishës dhe të shkollës njëkohësisht, dolën të zbuluar për neglizhencë në mbrojtjen e rregullave si edhe të vigjilencës që ata duhet të ushtronin në shkollë dhe në ambjentet përbërëse të saj, si me personelin zyrtar ashtu edhe fetar, lëre pastaj me nxënës e punonjës të thjeshtë. Arratisja e suorës u konsiderua ngjarje e jashtëzakonshme, i turpëroi të gjithë, sipas rregullave të tyre që kishin, u njoftua edhe Vatikani dhe pritej që ajo edhe të ç’kishërohej. Por ishte e qartë se që të çahej zinxhiri i karantinës kishtare duhej patjetër që të ishte një bashkëpunëtor i brendshëm dhe çuditërisht u shkoi mendja edhe tek mua, por sado u përpoqën kurrë nuk e zbuluan të vërtetën. Për këtë ndodhi babai dyshoi për pjesmarrjen time që atëherë, por e pati lënë dhe çuditërisht në vitin 1946 më thotë, pa hë? Më fol si qe ajo puna e Suora Venecianës atëhere, a kishe dhe ti gisht në arratisjen e saj? Atëherë dhe unë ju hapa: Po, i thashë. Po vija një mëngjes të zakonshëm në shkollë, ishte viti 1941 – 1942. Vura re që rreth shkollës po vërtitej një oficer aviacioni, ishte një pilot shumë simpatik si “Ramona Navaro” për mos me thënë shumë më i bukur, me gradën e “tenentes” (togerit), mendova menjëherë se ai duhet të ishte nga Italia e Jugut sepse ishte shumë brun dhe me mustaqe “Spic”. E pashë me vërejtje dhe po i sillesha rreth tij, dyshova diçka për të. Kurioziteti në atë kohë ishte në natyrën time, në fakt më iku ora e parë e mësimit nga kjo ndalesë e kotë, por kureshtja ime sa vinte dhe shtohej sepse prania e tij në oborrin e shkollës në anën përpara kishës nuk bënte vaki kurrë. Sado që unë lëvizja me kujdes me pamje si i shkujdesur, ai më kishte vënë re mirë dhe me shumë kujdes dhe gjoja si rastësisht më afrohet dhe me shumë takt e dashamirësi më buzëqesh dhe më pyet: Mos je ti ndonjë agjent i SIMI – t (Shërbimi Informativ Sekret Ushtarak) ndoshta? – I them se mos të të duket çudi, kohë lufte është. Po ti më tërhoqe vëmendjen që sorollatesh përreth ambjenteve të “motrave”, ato s’kanë nevojë për ndihmën tënde, ato janë “çupat e Zotit” virgjëresha i thonë. – Ai më pyet: ti në këtë shkollë je? – “Si, signor Tenentino”. – Ai qesh dhe thotë: Pse fjalën “toger” ma thua me përkëdheli? – Se je simpatik, i them. – Më pyet sërish: A i njeh të gjitha suorat që janë në këtë manastir? – Të gjitha i njoh dhe kam muhabet biles, vetëm me “Madre Superioren” (Nënën murgeshë) të tyre nuk flas sepse ajo është si shtrigë e vërtetë, ka edhe mustaqe pak më të vogla se të tuat, po ashtu edhe me Suora Ernestën. – Po Suora Venezianën a e njeh? – I them se e njoh dhe e dua më shumë nga të gjithë. – Po pse e do kaq shumë? – Sepse është shumë e re, i ka sytë të kaltërt edhe të lëngshëm sikur është e përlotur, rri gjithnjë e heshtur, e mërzitur dhe shumë e veçuar nga çdo gjë, nuk e di se ç’hall ka dhe nuk kam mundësi ta ndihmoj për hallin që ka.
– -Dëgjo, më thotë ai, a bëjmë një marrëveshje? Po të më kryesh një shërbim të thjeshtë, por shumë sekret, do të të jap një çokollatë “Perugina”.
– Me keqardhje i them se më vjen keq për ty sepse qenke shumë i varfër, unë nuk kam nevojë për çokollatën tënde, ruaje atë për vete po lëri këto dhe më thuaj çfarë do dhe mos e zgjat.
– Ai qeshi me të madhe dhe më pyet: – Po ti djalë i pasur je?
– Jo, jo – i thashë.
– Po ç’punë të bën babai? më pyeti ai.
Atëhere i përgjigjem: – “Vice Presidente Della Corte di Cassazzione”. (Zv. Kryetar i Gjykatës Lartë).
Më afroi me shumë dashuri (atëhere isha afro 7 vjeç) dhe me shumë mirësjellje mu lut të më jepte një letër të vogël për Suora Venezianën, a do të jesh në gjëndje t’ja japësh?
– Shkruaje, shkruaje, i thashë e mos e zgjat më, mjaft me diskutime po hajt shpejt se po humbas edhe orën e dytë për ty.
– Ashtu është, më thotë ai po pse e bën këtë sakrificë?
– Po e bëj për ju të dy sepse edhe ti po më pëlqen, qenke “gjynafqar” dhe nuk arrin atë që do, por ja Zoti do t’ju ndihmoj të dyve.
E shkruajti me shpejtësi dhe në kohën që po ma jepte më thotë: – Në qoftë se kjo letër nuk bie në dorë të saj dhe vetëm të saj, ne të dy jemi të mbaruar.
– Lëri llafet dhe prit këtu ku je, i thashë, mora letrën dhe ika.
E kërkova Suora Venezianën vërdallë dhe nuk po e gjeja, më në fund e pashë të ulur në një nga bangat e sallës së kishës duke u lutur me duart e bashkuara përpara siç luten katolikët. Ju afrova duke bërë edhe unë kryqin dhe u ula pranë saj. Pasi pashë rreth e qark që ishim jashtë vëmendjes së të tjerëve që po luteshin, i kërkova në emër të Jezu Krishtit të dalim pak jashtë për një nevojë timen shumë të domosdoshme.
Ajo pranoi dhe dolëm së bashku, u ndodhëm në një korridor të errët me kollona të rrumbullakta e cila të nxirrte jashtë në ambient të ndriçuar, por unë ndala në vend, ishte gjysëm errësirë dhe i drejtoj letrën asaj duke i thënë se e ke nga “tenentinua” jote (togerushi) yt.
Ajo shtangu në vend dhe filloi të dridhej, mesa duket kuptoi gjithçka, ishte punë e tyre, dhe i them: mos u impresiono kaq të lutem, lexoje dhe më sill përgjigje sepse Togeri e ka me ngut, nuk e di si është puna, lëri romantiçizmat dhe shpejt se nuk pret puna. Atëherë ajo me gjysëm zëri më thotë të pres maksimumi 10 minuta dhe erdha, në të vërtetë kështu bëri, më solli përgjigjen menjëherë dhe ia çova togerit. Gëzimi i tij ishte i dukshëm dhe menjëherë ai u përgjigj me një letër tjetër që ia çova rishtazi Suora Venezianës. Që nga ai çast nuk i pash më, as Suorën dhe as Togerin për gjithë jetën. Të nesërmen pas kësaj ndodhie vura re një lëvizje jo të zakonshme të Suorave të shoqëruar me shqetësim e nervozitet. Suora Veneziana nuk zihej më me gojë nga asnjë. Nxënësit që mbulonte ajo i kaluan tek të tjerat. Unë për inat apo “hakmarrje” i shikoja këto lëvizje jo të zakonta të suorave dhe nënqeshja, por mesa duket ato të specializuara për djallëzi e vunë re një sjellje timen të tillë që ngacmonte shqetësimin e tyre dhe, mesa duket menduan se mos unë kazualisht mos dija ndonjë gjë në lidhje me skandalin e Suora Venecianës dhe për këtë më futën “informator spiun” një shokun tim italian të shpeshtonte ndejtjen me mua se mos më shpëtonte ndonjë gjë, në qoftë se dija ndonjë gjë. Por as ai nuk nxori asgjë sepse ishte dhe tip “dudumi” unë vazhdoja me rolin tim si indiferent, llafazan, teveqel, trazovaç etj. Kështu që ata hoqën dorë nga dyshimi për mua.
Të nesërmen i them nënës time, të lutem pyete profesoreshën time private për Suora Venecianën se ç’u bë sepse nuk po duket më dhe kam dëgjuar shumë fjalë, më vjen keq për të sepse ishte shpirt njeriu. Ajo u habit dhe më thotë se ç’është ky kuriozitet për të, se mos ke ngatërruar ti ndonjë bela tjetër “or ditë zi”. Jo për Zotin, ju betova, a të të besoj? – mos e diskuto më, i thashë. Pasdreke erdhi profesoresha ime private signorina Vanda, kur nëna i solli kafenë si rastësisht e pyeti për çështjen e Venezianës. Ajo tundi kokën me dëshpërim dhe i tha: – Lëre, lëre na turpëroi, ajo kishte qënë shumë e rafinuar. Se kush nga këtu brënda e rilidhi me një Toger – pilot, të dashurin e saj që në Itali për të cilin familja e saj “Nobile” dhe me funksione shumë të larta sot në Partinë Fashiste, e kishte mbyllur në një manastir në Itali, por diçka u dyshua se nuk funksionoi prandaj e larguan për këtu në Shqipëri, por ja që ajo iku me Togerin. Ata këtë djalë nuk e donin sepse ishte “Figlio Naturale” (kopil pa nënë e babë), kështu që ajo shkeli me të dy këmbët besën që i dha zotit, turpëroi familjen, manastirin dhe gjithçka, s’ke çfarë të bësh, duhet ta pranojmë jetën ashtu siç është. Nuk them, dashuria duhet respektuar por ama brenda disa rregullave (ajo vetë signorina Vanda ishte e dashura e Seit Kazazit). Në këtë rast vërtet humbi autorsia ime, por hakmarrja ime ndaj “Madre Superiores” dhe Suora Ernestës sikur u vu në vend, ato ndjenin përgjegjësi të madhe përpara “Jezusit”, megjithatë sërish këto dy “shtriga” nuk ndryshuan në sjellje dhe në “diktaturë” me ne nxënësit, mbetën egërsira dhe nuk u zbutën kurrë. Të tilla prapsira bëja çdo ditë në shkollë si me nxënësit e shkollës po ashtu edhe me mësuesit.
Njihesha nga të gjithë si i tillë por më të “mënçurit” qetësonin babanë duke i thënë se ishin prapësira pa zarare se ishin të moshës. Kështu vazhdova edhe më vonë në shkollat shqiptare, kjo ishte natyra ime, por “jeta e re” pas vitit 1945 u soll ndryshe me ne, i lamë prapsitë e rinisë në kujtesë dhe ju shtruam punës për të nxjerrë bukën e gojës. Si përpara “çlirimit” të vëndit edhe pas “çlirimit” deri në vitin 1949, vit që fillova punë të rregullt si puntor, unë isha në qendër të këtyre “ngatërresave rinore”, por po tregoj edhe një tjetër rast për të qeshur apo një “aventurë” që, mund të më kishte kushtuar më shumë sepse kishte të bënte me “heroin e Luftës Nacional – Çlirimtare” Gjeneralin – kriminel Myslym Pezën (Babën).
Ishte viti 1945 dhe sapo kisha mbushur 11 – vjeç tek godina vilë luksoze e “Eccelenza Omar Fortuzit” ku sot aktualisht është selia e Partisë Social – Demokrate që në fakt është “Filiali i Partis së Punës”. “Revolucioni Popullor” kishte sistemuar në katin e parë familjen e Gjeneral Myslym Pezës, totalisht analfabet dhe në katin e dytë familjen e Deputetit të Korçës Esat Dishnica (daiu tim). Omar Fortuzi ishte emri i Ymer Furtuzit ose Mer Furtuzit, tironas safi i cili e kishte rinovuar si emrin edhe mbiemrin nga Mer në Ymer dhe në fund Omar dhe nga Furtuzi në Fortuzi, për t’u dhënë një shqiptim të ri klasik modern sipas kërkesave të reja të kohës. Ana arkitektonike e godinës vilë ishte shumë interesante për kohën. Kati i parë ishte në dispozicion të “Babës” (pseudonimi luftarak i Myslym Pezës), ndërsa kati i dytë në dispozicion të Esatit siç e thamë më lart, por të dy këto kate kishin dyert kryesore të pavarura nga njëra-tjetra të cilat lidheshin përbrenda oborrit të madh që rrethonte të gjithë godinën me pasarela prej betoni me lule dhe granil të kuq dekorativ dhe me vazo me lule anash, këto kombinacione i jepnin një bukuri të rrallë kësaj vile, mund të them fantastike për kohën sepse gjelbërimi trajtohej nga dy kopshtarë të kualifikimit të lartë të cilët i kishin mbajtur edhe Baba me Esatin, oborri ishte totalisht i lulëzuar dhe biles mund të them dhe i pyllëzuar me konfiguracione të ndryshme gjeometrike dhe me një simetri gjithë fantazi, nga fundi i këtij oborri ishte një “viletë” e vogël dhe e posaçme për personelin e shërbimit: shërbyes, kujdestarë, kopshtar, dhe shofer, edhe një garazh për dy vetura. Aty tek “vileta” jetonin një kujdestar fshatar nga Peza dhe mik i Babës, i cili kryente dhe funksionet e bahçevanit si dhe të kujdestarit të përgjithshëm të familjes së Babës, si dhe një guvernante e vjetër e familjes së Esatit së bashku me familjen e saj. Ata kishin gjithësecili sipërfaqe të bollshme banimi dhe kushte speciale jetese. Në ekstremin tjetër të këtij oborri madhështor ishte edhe një barakë shumë e bukur tip “Forestale” të cilën Baba e përdorte për të mbajtur një lopë rrace të sjellë posaçërisht nga Peza të cilën ai e kishte “marak” sepse, i jepte 14 – 16 litra qumësht në 24 orë “ene çfar qumshti”. Ky kontigjent qumështi i plotësonte jo vetëm nevojat e familjes së tij, por furnizonte sistematikisht edhe familjen e mikut të tij të ngushtë (njusht siç e thoshte Baba) Esatit me qumësht të cilësisë së lartë. Kujdestari i kësaj lope ishte po ai i vilës, “ene krahas detyrave që përmenda më lart, ai ishte ene trimi i Babës” për zonën e shtëpisë. Rreth nja 200 metra më sipër nga vila e Babës dhe e Esatit ishte një vilë tjetër dhe ajo shumë e bukur, sigurisht edhe kjo e shpronësuar nga shteti që i ishte dhënë mikut dhe shokut të tyre Gjeneral Spiro Moisiut, Shef i Shtatmadhorisë.
Një koençidencë apo “fat” i bashkoi këta tre miq të vjetër apo “Tre Mosketierët”, kështu i thoshnin atëherë me të qeshur, por jeta e re ju a kishte ndryshuar pozicionin e tyre në shoqëri e në popull. Ata deri përpara se të fillonte lufta civile Nacional – Çlirimtare, luftë plotësisht vëlla – vrasëse, njiheshin si aventurierë të karrierës, qefli pijesh e femrash. Këto tipare i kishin shoqëruar gjatë gjithë jetës, por ja që tani ata ishin bërë personalitete të larta, heronjë të popullit, strategë ushtarak të shquar apo politikanë të mirfilltë, kështu i bëri “Revolucioni Popullor”. Në këtë rrugë plot lavdi i kishte favorizuar të ecnin me sukses cilësia e veçantë e grave që kishin, kështu flisnin Spiro për Aspasin, Esati për Ruzen dhe deri diku Baba për Nepin. Ato ishin amvisa të pashëmbullta, rrisnin fëmijët në mënyrë perfekte sipas sistemit të vjetër oriental, gatuanin shkëlqyshëm, ishin nikoqire të nivelit të lartë për të mbajtur shtëpinë model, dhe mbi të gjitha kishin një natyrë shumë të mirë sepse, nuk përziheshin kurrë në punët e burrave nga që ato e dinin që këta të fundit merreshin me punë shumë të “rëndësishme shtetërore”. Ato për këtë sjellje ishin të ndërgjegjshme dhe bënin të gjitha përpjekjet për t’iu krijuar burrave qetësi dhe ambjent shplodhës e të gëzuar në jetën familjare. Ndërsa gruaja e Babës, Nepi në ndryshim nga dy zonjat e tjera ishte puro fshatare dhe shumë herë më e bindur se Aspasia dhe Ruzja ndaj burrit. Ajo ishte e lumtur për influencën që kishte fituar Baba në popull dhe ishte shumë krenare që ishte grua Heroi. Për më tepër kishte dhe një cilësi të veçantë që urdhërat e Babës ishin ligj për të dhe zbatoheshin pa asnjë diskutim prej saj, në mënyrë ushtarake dhe me buzëqeshje biles, pavarësisht se i pëlqenin apo jo. Komshillëku i këtyre të treve krejt i “rastësishëm” ju krijoi të gjitha mundësitë që të vazhdonin pa asnjë merak rrugën e tyre të “vagabondazhit”, sepse e ndjenin që po ju vinte fundi, të bëjmë ç’të bëjmë se mosha po bënte të vetën prandaj “o burra”. Vetëm këtu nuk kishte ç’të bënte Partia, se ndalonte dot moshën. Kjo jetë intime private “pas orarit të punës” nuk pengohej më nga asgjë, ata ishin të mbrojtur dhe të blinduar në çdo aspekt, deri me roje shërbimi 24 orësh dhe të pajisur e të armatosur tek dera e shtëpisë vilë, ata gëzonin imunitet të pakufishëm, por vetëm rritjes së moshës s’kishin ç’t’i bënin, prandaj ata mendonin se duke jetuar me femra të reja e të bukura, sikur shtynin diçka për mirë dhe e ndjenin veten burra. Kështu mund ta shtynin pleqërinë ndoshta në infinit sepse kështu thuhej se, femrat e reja ta bien këtë shans “se s’bo”, thoshte Baba.
Unë si kurioz që isha pata vënë re shpesh se shumë femra të reja vinin tek këta për çdo fundjavë, por një skandal apo komedi më ka mbetur në kujtesë që po e përshkruaj më poshtë. Aspasia e Spiros dhe Ruzja e Esatit nuk lëviznin kurrë nga shtëpia, kjo ishte gjithnjë e sigurt sepse burrat e “shpisë dijshin ç’bonin”, ky mendim i karakterizoi gjithë jetën. Ishte ditë e shtunë e asaj jave rreth orës 15.00 – 16.00 pasdite, nga ana e pasme e shtëpisë që ishte një deriçkë që komunikonte me rrugicën e shtëpisë së Dr. Zymës, vjen bukuroshja brune S.S., motra e shkrimtarit merhum D.S. për “vizitë” tek të tre “mosketierët”.
Roja te dera kryesore e shtëpisë së Babës ishte porositur t’i thoshte kujtdo që vinte në “shpi se s’ka njeri mrena” dhe për asnjë rast nuk duhet të lejonte njeri të hynte, qoftë dhe deri në oborr derisa t’i vinte një urdhër i dytë”, urdhëri ishte urdhër ene pik” s’kishe ç’bojshe ishin ushtarak. Nepen si çdo javë të premte, të shtunë e të djelë e çonte për fundjavë në Pezë me makinë “angazhe”, “kët gjo e sajonte Baba kastanile gjasme me i bo nerë Nepit se shumë kishte vujt me të gjatë luftës”. Mirëpo për çudi se kush e informon Nepën në Pezë se Baba “ene noshti që po flasim no, oshtë tu nejtë ene po bo qef me horospi qera, ene ti rri ktuna e u ma bishtukun atyne”. At’hernaj Nepia me iher si ishte me nallane e fiston shpie niset orgjent me makinë të rastit ene me karroc, biles deri në një far veni, ene n’komë biles e mrrin në shpi mejherë orgjent. Roja kur e pa shtangu në vend se nuk dinte si të vepronte sepse në urdhërin që kishte dhënë Baba, a përfshihej edhe e zoja e shpisë? Megjithatë ai i doli përpara dhe i tha se në shtëpi nuk kishte farë njeriu dhe se dera e shtëpisë ishte e mbyllur. Prandaj ai iu lut të shkonte e të pyeste tek Esati se mos Baba kishte lënë çelsat. Ajo nuk e përfilli fare rojen dhe u turr për tek një gril (penxhere) që ju duk pak si e hapur. Gjithë parcelën nga dera e jashtme, tek ajo e brendshmja e vilës e përshkoi me nallanet e ngritura mbi kokën e saj duke i rrahur me njëra-tjetrën dhe duke thirrur me zë të lartë: Enver Hoxha, Enver Hoxha. Nga hapësirat e grilave nuk shihej gjë, ato sapo ishin hapur 2 – 3 milimetra vetëm për pak ndriçim, mirëpo heronjtë apo të tre mosketierët i dëgjuan klithmat e Nepit duke e njohur që ishte ajo dhe menjëherë e nxorrën “horospin” nga një derë e vogël që ndodhej në pjesën e pasme të shtëpisë dhe e zhdukën.
Menjëherë del Baba i “revoltuar” dhe i bërtet Nepit: Ç’bo mi, ç’bo kshtuna, ke dal menç se na fulliqe, tërp, tërp se oshtë ene Spiria mren (Esati kishte dalë së bashku me S.S. dhe e kishte strehuar në shtëpinë e tij për t’u qetësuar, pasi Esati i dha asaj një kafe dhe një ‘Shery-brand’ e shoqëroi gjithë “afeksion” jashtë shtëpisë). Nepia bërtiste: “Të kapa, të kapa, o orospi e mutit”, ndërkohë Baba i drejtohet asaj me inat dhe zë të lartë: Ja mri mrenë e shif, a ke lujt menç? Se mor vesht kët punë me ty, tu ka bo “ferra Brahim”, kush mri të shiti kshtu “armiqt tanë”? kët e dun ata, të na prishin unitetin, si mër ke ardh zbath pri Peze e ktuna? pu… pu… pu torp, torp na fulliqe, na fulliqe. Ndërkohë Baba e fton të hyj brënda duke e tërhequr fort prej krahu, por ajo i hikën nga dora dhe me vrap hyn brënda duke kontrolluar të gjithë shtëpinë. Orospinë nuk e gjen por për fat të keq aty në një poltron gjen një bluzë femre, e kap ene ja trego Babës me deklamim, ja, ja e gjeta “yrnekun e rospis” te Enver Hoxha do ta çoj, hë, hë, ç’thu nishti? Ç’thu? – Hik hik, mër budallaqe, i thotë Baba se oshtë jeleku i Ruzes, ishte dje ajo ktuna se na pru ene qofte për meze, ene e ka harru, nje pyt Spiron ja ku e ke pruzent. Atëherë Baba merr telefonin ene thërret Esatin dhe i thotë: pash Zotin po deshe bjere Ruzen këtuna posht t’i mushi menien kësaj budallaqes sime se xhumleku gri me pika të bardha osht i saj, – Esati e mori këtë lajmërim dhe e dinte ai si vepronte me Ruzen që e kishte stërvitur gjithë jetën me ksi punësh, të lutmi shumë të vijë orgjent nishti ktu posht, të lutmi. Pasi Esati e sqaroi Ruzen, i tha shko poshtë se i kanë hyp të vetat Nepes dhe rregulloje këtë punë ashtu si duhet, se e harrove ti bluzën e zezë me pika të bardha kur na prune mromë qoftet për meze dhe merre me vete, se kushedi si i ka punët Myslimi e duhet të jetë në rrezik. – Ajo si gjithnjë e urtë, e bindur erdhi poshtë dhe e kreu porosinë për bukuri, ashtu si e donte puna. E shkreta Ruze takoi Nepin me bluzën e orospisë në duar dhe ja kërkoi duke i kërkuar edhe të falur që e harroi mbrëmë.
Atëherë Nepi mbeti keq dhe tani i erdhi rradha Babës për t’u hakmarrë se pse i ra në qafë “kot nasi kot” – “Bigair i hakë”. Nepia mbeti e turpëruar dhe në moment i kërkoi falje Babës duke i thënë se: ne gratë jemi menie-shkurta ene torollake, s’ke çi bo “nji shtu na boni kabull”. Atëher Baba “i shkret” e pyti se kush e fryu apo pa nonjë ondër pash Zotin ma thuj. – Aaahh mor Babë. Vallahi nuk mu afru njeri se s’ja ma me ty, por të zej jemin se parcimrom të pash në onër ene më lujti kocka e kokës prej dashnis që kom me ty, ene “çëfësht” erdha ktuna prej marakut, vallahi më beso se kështu oshtë të zej jemin. Kjo formë bashkëbisedimi u leverdisi të dy palëve për këtë çështje të “vogël”, nuk pati nevojë që Baba të përdorte autoritetin e heroit dhe Nepia si “nxori” të vetët apo “lajmsit”. Kjo ishte një pasqyrë e vogël e jetës private apo një pjesëz e jetës së Babës, Spiros dhe Esatit.
Me nënën tonë shkonim shpesh tek Esati sepse edhe për ne fëmijët kishte boll vend për të luajtur, ishte gjithë ai oborr. Por në natyrën time zevzeke më lindnin vazhdimisht dëshira për të “ngatërruar” diçka që të tërhiqja dhe vëmëndjen e të tjerëve apo edhe për “gallat” siç i thonim dhe pastaj kisha dëshirë të vëreja si spektator, rezultatin e ngatërresës. Kishte qëlluar shpesh që unë të shihja kujdestarin e Babës te baraka e bukur, tip forestale, të milte lopën, veprimi i mjeljes mu duk shumë interesant dhe më lindi dëshira ta provoja edhe vet njëherë së paku mjeljen. Mendova se si do ta arrija këtë dëshirë sepse Baba në asnjë mënyrë nuk lejonte të përzihej njeri në punët e lopës, ai përdorte shpesh shprehjen: “maraku – marak oshtë”, me atë lopë ushqente me qumësht “safi e special” veten, familjen e tij, ene mikun e zemrës Esatin, biles për qejf apo për punë fizike, shpesh i shërbente edhe vetë asaj larusheje. Kujdestari ishte tip i vrazhdë dhe shumë i egër, nuk bënte asnjëherë muhabet me ne fëmijët, lëre sikur unë t’i kërkoja atij që të më mësonte se si milej lopa, e dija që kjo ishte e pamundur, e dija edhe që “Komiteti Profesionist” Babë Myslymi po të njëjtën gjë do të bënte duke thënë se këto punë nuk janë për kalamajë. Prandaj vendosa të veproja vetë ilegalisht pa i përfillur ata.
E vrojtova për disa ditë kujdestarin, veprimin e mjeljes që bënte, orarin e mjeljes dhe se ku shkonte e rrinte pas mjeljes ky kujdestar, sepse unë duhej të koordinoja dhe të gjeja kohën e ndërmjetme për ta mjelur lopën vet në qetësi dhe të kisha siguri absolute që nuk më shihte njeri në këtë “aksion illegal”. Pasi rreshtova problemet që mund të më ndodhnin gjatë mjeljes si dhe rreziqet eventuale, bëra edhe skemën e mjeljes në mëndjen time, si rrjedhim isha i gatshëm për aksion dmth kishte ardhur koha për të filluar mjeljen. Gjeta një kovë në fund të oborrit pranë pusit, e marr dhe sapo shkoj te lopa filloj menjëherë mjeljen, mua mu duk shumë punë e lehtë, por nuk e di se ç’thoshte lopa se më dukej se i dhimbnin gjijtë nga reaksioni që bënte. Pasi i hiqja një sasi të konsideruar qumështi, rregulloja vendin e mjeljes me përpikmëri si përpara, derdhja kovën në një kanal aty pranë dhe shpëlaja si kovën edhe ndonjë sasi të vogël qumështi të derdhur në tokë, vendosja kovën sërish në vëndin e vet dhe rrija aty diku më larg për të pritur të vinte ora e mjeljes nga kujdestari. Ai vinte normalisht si çdo ditë dhe fillonte mjeljen, por për çudi lopa pothuajse s’kishte qumësht, ai u habit dhe menjëherë njofton Babën se rendimenti qumështit të lopës sonë po shkon drejt zeros.
Edhe Baba u habit dhe mendoi se mos vallë nuk i shkojnë kushtet e reja të jetesës së lopës nga Peza “këtuna në qytet”, jo vallahi s’ka mundsi qo (kjo). Si oshtë e munme, kom dit që e kom pru vironën pri Peze, ene se ka lujt gramin, çe gjet noshti? Kjo osht çudi, oshtë për të bo libër vallahi, çe – fësht e s’ka mo qumësht, allah-allah kjo punë. Ngjo, merr në telefon doktor Vreton se oshtë mo i miri për shokët e vet dhe thuj se të kërko orgjent Babë Myslymi, biles – biles shko me “fildispitin” tat (biçikletën) dhe thuj të vij paqetër e mos boj gili-vili se pasha Zotin për “lopën teme të marakut, ja… e llahingës në shqelba”, hik pra qërrohu ene tina veç ksi gjonash po më thu. Pasi kujdestari e gjen doktorin dhe e lajmëron për kërkesën e Babë Myslymit, ai vjen urgjent tek shpia e Babës dhe ky i qan hallin për lopën e “marakut”.
Doktori pas vizitës që i bëri lopës, nuk dalloi gjë dhe i propozoi Babës që ta çonte edhe njëherë në Pezë sepse ju duk rast tepër interesant. Ai ishte tip shkenctari dhe për Babën kjo kërkesë nuk përbënte problem dhe menjëherë u bë, por për çudi ajo brenda 24 orëve u kthye në rendimentin e vet, 15 – 16 litra në 24 orë, e mbajti dhe tre – katër ditë të tjera dhe rezultati nuk ndryshoi. Njoftuan Babën dhe ai u gëzua pa masë duke thënë: “priherësh me ç’duket e kon marr m’sysh” dhe jep urdhër të kthehej lopa dhe kështu u bë. Ajo për tre – katër ditë dha rendimentin e vet të qëndrushëm 15 – 16 litra në 24 orë, kur priherë ra prodhimtaria drejt zeros prap. Natyrisht nënkuptohet se kisha hyrë unë në “aksion”, por me një kujdes të madh sepse tashmë ishte loja në rrezik. Këtë rradhë Baba u revoltua jashtmase, ndejti, u mendua në heshtje dhe tha: a të jetë punë e Zotit kjo punë apo të jetë ndonjë rrufjanllëk i ndokujt dhe ju gjallëruan instiktet e komitit kriminel, egërsia e tij u ngjit në atë shkallë sa ishte i gatshëm për këtë “kunjë” të kryente edhe krim, por nuk e merrte dot me mënd se kush po ja shkaktonte këtë bela. Nigjo, i tha kujdestarit: Unë kam dyshime se qumshtin po na e vjedhin, se për çfar qëllimi unë nuk e di, noshti për noshti nuk dim gjo as un as ti, por ta dish se kët gjo do ta morim vesht shum shpejt edhe do t’ja vejm patllaken ballit hajdutit, trut në erë do t’ja hedhim “për emën të atij që osht nji e s’bohet dy”, pranaja ti do t’rrish maj tarace i mshef për 24 – orë dit – not rresht, ene kur ta shofësh kusarin ja e më njofto kudo që të jem menjiher, ene i dehur të jem mos nguro se… e në ven do ta vras. Këto muhabete i dëgjova kur Baba po ia tregonte Esatit pas ngjarjes në prezencën time. Kështu filloi aksioni i përgjimit. Mirëpo unë si i ri në atë kohë, sado i rafinuar të isha për këto gjëra, nuk mund të matesha me “komitët profesionist” dhe rash menjëherë brënda. Kur kujdestari pa veprimet e mia, ai menjëherë njoftoi Babën i cili menjëher zbathur dhe me benevrek merr revolen në dorë i gatshëm për të vrarë kusarin, shumë shpejt mbërrin në vendin e ngjarjes. Por fatkeqsisht mbeti i pezmatuar kur më pa mua duke bër veprimet që parashkrova, mil lopën, mbush kovën, shpëla kovën dhe vendin dhe shif përreth se mos diktohesha.
Allah – allah, tha ai, bështyu revolen e tij, e hodhi me zemërim anash vetes dhe erdhi si shqarth duke më kapur për qafe dhe, me dy gishtat e tij të dorës së djathtë më kapi hundën tamam si me mashë kovaçi dhe ma shtrëngoi kaq fort sa, kur ma lëshoi për një moment plasi gjaku dhe unë lotova nga dhimbja. Imagjino në këtë gjëndje që isha unë, më shtynte e më tërhiqte nga vetja duke thirrur me një zë tmerrues: e… e… e… – ti doje të ma hidhje mu mër “Preng – Gjyzel”, por ç’të boj nuk të vras dot se të kom nipin e mikut e vëllait tem Esatit. Pas një kohe më lëshoi, unë rash në tokë dhe menjëherë ai më hyri me shpulla që nga fytyra e gjakosur prej hundësh, në trup e deri te këmbët dhe më në fund më bështyu me një gëlboqe siç thoshte ai vet dhe hiku pasi mori dhe revolen e tij tek bari i lopës që e hodhi vet që në fillim. Pas këtij rasti kur më shifte, ndalonte, më kapte për faqe dhe qeshte duke thënë: “Vallahi po të lanë këta të qeveris sotme në të ardhmen, ke për tu bo diçka se je bir kurve”. Nji kshtu si ty i dum no sot njerzit, të hudhin gurin e të mshefin dorën, por ama mos kapen kurrë, e jo si ty që re mren priher, por ani, ke për të msu ene ti që të mos kapesh.
Kaluan vite dhe unë u bëra mekanik, shofer, etj dhe në vitin 1957 apo 1958 ndodhesha në plazhin e Durrësit si shofer i ing. Bukurosh Pezës, Kryeinxhinier i Drejtorisë së Përgjithshme të Centraleve Elektrike dhe po shëtisnim të zhveshur me rroba banje nëpër vilat e plazhit sepse Bukuroshi kërkonte dikë, kur përpara një vile të bukur shohim që po bënte banjo dielli Babë Myslymi me gjithë nusen e re pranë, ajo ishte për në atë kohë një brune shumë simpatike dhe e lezeçme gjithashtu, por për nga mosha i takonte të ishte e bija e vajzës së Babë Myslymit. Kur u pa Babë Myslymi me Bukuroshin, u takuan përzemërsisht sepse njiheshin si bashkëluftëtar që në Pezë dhe Babë Myslymi për më tepër ishte dhe mik i babës së Bukuroshit. Më prezantoi edhe mua si shokun e tij dhe natyrisht i dhamë dorën me përzemërsi edhe nuses së re.
U ulëm dhe ne me ta së bashku në rërë ku ishin ata, pasi na e propozoi vet Baba të rrinim ca për muhabet. Unë në mënyrë krejt të pandërgjegjshme i ngula sytë nuses së re të Babës, që në të vërtetë ishte si kumbull me flok të zinj sterr dhe me sy shumë të bukur, me një lëkurë të bardhë dhe topçe si trup. Në ato momente hutimi, po më kalonin si film e kaluara tek vila e Fortuzit, Nepia, Dija, Skënderi, kujdestari, “orospia S.S.” dhe herë-herë shkëpusja shikimin nga nusja e re tek Baba që ishte me flokë të bardha, me lëkurë të rrudhur si e buallit plak, fishka i tërë dhe po flisja me vete se ç’është kjo dynja dhe ç’ndodh me të. Mirëpo shikimi im i ngulitur pas nuses së Babës, nuk i shpëtoi atij komiti të vjetër pavarësisht se ai po bënte muhabet me Bukuroshin, dhe për një moment e ndërpreu menjëherë bisedën me atë dhe e pyeti në mënyrë të rrufeshme sepse mesa duket u bë nervoz me mua, se prej ka e ke atë shofer o Bukurosh? – Prej Tirane, iu përgjigj ai. – Ei… ei… ei… ja boni Baba, dhe ma bën me dorë mua… ja i her ktuna, ju afrova dhe menjëherë më pyeti se i kujt isha? – I Neki Delvinës, i thashë. – I kuj mër i kuj? I atij gjykatsi barkmadh? – Po, I them. – I madhi apo i vogli? – më pyet. – I vogli, i thashë. – Demede qeke nip i Esatit? Po, i thashë. – Ja, ja i her ma afër, më tha dhe unë ju afrova. Ai përnjëherë më kapi nga hunda si tek lopa por këtë rradhë më lehtë. Bukuroshi dhe nusja u shtangën kur panë këtë skenë, por ai menjëherë më liroi dhe më mori pranë vetes. Bukuroshi dhe nusja e re po shihnin njëri – tjetrin dhe ndërkohë Baba vazhdoi të fliste: ky shejtan nuk mu da asiher dhe iu tregoi historinë e qumështit të lopës duke thënë: për emër të Allahut kaq më nervozoi atëher, sa qesh tu e vra, por kur e pash këtë dreq, meta keq, ene ja ene sot po më ngacmon prap dhe më përqafoi duke thënë se po bënte shaka. Qeshëm të gjithë bashkë. Ky qe kontakti im i fundit me “Heroin popullor” të “Luftës Civile Nacional – Çlirimtare” – Gjeneralin Myslym Peza.