Dy tregime nga Shpëtim Emiri
ME SHKOLLË TË LARTË PËR PUNË TË ULËTA!
U gjendën të papërgatitur para atij niveli inspektimi në njërën nga kontratat e rikonstruksionit të rrugëve rurale në Devoll. Ishte viti 1999. Grupi i kontrollit kryesohej prej pushtetarit më të lartë të ekzekutivit të Bilishtit.
Përfaqësuesit e pushtetit u shfaqën papritur dhe mjaft të shqetësuar për mbarëvajtjen e punimeve në investimet e planifikuara nga Ministria e Ndërtimit në territorin e tyre. Kontrolli u bë i befasishëm, por, për fat, presidenti i firmës sipërmarrëse, inxhinier Thanasi, rastisi në objekt dhe i mirëpriti gjithë respekt e u vu në shërbim të tyre.
Duke gjezdisur nëpër gjurmën e rrugës ekzistuese, i sqaroi gjithë entuziazëm se çfarë merrte përsipër kontrata e lidhur, u foli për zgjidhjet e ndryshme teknike, për shtresat e reja, veprat e artit, afatin e përfundimit…
Ndërsa mendonte se i pat lënë të kënaqur me ekspozenë serioze të paraqitjes, dalloi se vizitorët përreth nuk shfaqën asnjë shenjë pëlqimi dhe pëshpëshet mes tyre mbartnin lodhje, bezdi, ndofta dhe qejfmbetje. Nuk po e kuptonte dot arsyen e këtij qëndrimi, ndërsa duhet ta falënderonin. U bë më i vëmendshëm të zbulonte shkakun, në pritje të hapnin gojën. Atë investim e menaxhonte Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në Tiranë dhe ndiqej në terren nga firma italiane e supervizionimit. Pra, lidhjet me pushtetin vendor ishin thuajse vetëm për shpronësimet. Ç´të qe pra gjithë ai shqetësim i tyre nën zë për cilësinë e punimeve, teksa çekani po iu rrihte tek lloji i materialit që po përdorej për mbushjen e trupit të rrugës?!
– Ku e merrni materialin për mbushje zoti Thanas?
– Ja, ne ajo kodrina në mes të rrugës. Do kalojmë para saj, – nxitoi t’ua tregojë me dorën shtrirë në atë drejtim, shoqëruar me sqarimet se materiali tip-zhavorishte i asaj kodrine plotësonte kërkesat e specifikimeve teknike të kontratës. Por as nga këto shpjegime nuk gjeti qetësi grupi i kontrollit, të cilët shprehnin pakënaqësi të dukshme; tundnin kokat mohueshëm dhe uf-buf me njëri-tjetrin.
– E njohim, e njohim! Ay material nuk është hiç i përshtatshmë! – deklaroi prerë njeri nga “ekspertët” e kryetarit, që nuk ishte deklaruar si i tillë.
– Po ku ka si ay material, or t’u mbylltë?! – shpërtheu Thanasi. – Kam sjellë dy profesorë të nderuar që nga Tirana këtu bre! Profesor Nikollën dhe profesor Papin, Përparimnë, njeri rektor, tjatri dekan. Kanë marrë kampione në shtresën e ruluar në rrugë, janë bërë prova pe tyre dhe thanë okej bre. Kush e çpiku këtë llafnë se nuku bën materiali?!
– Ai material është i papërshtatshmë, ce nuku është yniform. Mund të dalë një provë e mirë e dy metër më tutje del i keq, – argumentoi “eksperti”, që ish përgatitur për këtë lloj diskutimi.
– Përse nuk merr zallin tek lavatriçja buzë lumit, posht’ urës së Kuçit? – e pyeti direkt dhe në mënyrë autoritare kryetari i grupit, si ta kish kapur në flagrancë në shkelje të projektit. – Ai është materiali më i mirë për rrugët dhe ne prandaj kemi erdhur të çqetësuarë, ce duamë garanci maksimale. E gjersa mundësia eshtë pe Zotit, përse të bëjmë sëkur nuk e shëkojmë!?
Thanasit i bënë masë “antenat”! Iu kujtua oferta për atë lloj materiali, bërë sefte, sa ngriti kantierin. E kuptoi më në fund se ku i flinte ekipit “lepuriiii”. Ndërkohë iu kujtua ç’i kishte kapur veshi në Bilisht, çka lidhej pikërisht me qëllimin e ekipit të kontrollit. Jo ndonjë gjë të madhe, por ama kreu i ri i pushtetit lokal ishte ortak i një lavatriçeje! “Hiç, po Habili…”!
“Bukuuur, shumë bukur! Më bukur s’ka ku të vejë?!” – po mendonte Nashua. “Pra ata kanë erdhur në neve të na detyrojnë të blemë e të përdorim materialin e depozituarë në lavatriçen e “agait”, – i ra më në fund më të muhabetit Thanasi. Domethënë të blente me lekë e ta transportonte dhjetë kilometra atë që Zoti ja kish shtënë pa pare në një kodrinë ku kalonte ajo rrugë, ashtu siç llogariti çmimet e konkurroi në tender. Uaaaa! I dogji keq Nashos kjo! “Si shumë të mençëm po na dalin këta pushtetarët e rinj bre”! – po bluante dhëmbështrënguar.
– Nuk e lejon projekti të përdoret zalli i lavatriçes për shtresat e rrugës! – ua preu shkurt ai, pa u zgjatur për t’ua shpjeguar arsyen teknike të mos lidhjes e të mos kompaktësimit të atij materiali, si të qe një grumbull sferash.
– Ma jep projektin ta shëkonj unë! – e urdhëroi kreu.
– Më falni zotëri, po çfarë profesioni keni, ju lutem? – po përmbahej me zor inxhinieri.
– Agronom i lartrë! – dhe e theksoi kreu epitetin “i lartrë”, që nënkuptonte arsimin e lartë në universitetin bujqësor në Kamëz.
– Domethënë, që të sqaronemi bashkë… ti, agronomi, do më sqarosh mua, inxhinierin, projektet e ndërtimit, ëëëë?!
– Ma jep projektin, pastaj llafosim bashkë! – vuri në veprim gjithë autoritetin e tij i ardhuri i ngrehur.
– Ore, agronom, që qënke edhe i lartrë, – thirri Thanasi sa të dëgjohej gjer në Poloskë, – po shurkën e ke bërë para se të vinje këtu tinë, apo jo? – dhe ia mbërtheu sytë mbi fytyrën që po i ikte të lartrit e s’dihej sa do t’i vonohej. Nuk e pat menduar atë lloj reagimi të inxhinierit, tërë përçmim e qesëndi njëherësh për keqpërdorimin e pushtetit të besuar. Pyetja për “shurkën”, si të ishte ndonjë çilimi, e egërsoi sa s’ka, ama të çarmatosur plotësisht.
– Shko, shko, bëj shurkën një herë e pastaj dil gjene këndej nga objekti, dëgjon o? – ja la “të hapur” vazhdimin e bisedës Thanasi i revoltuar, me këtë ftesën për një “urinim” tjetër të komanduar, si të donte t´ia shpëtonte pa lagur të brendshmet. – Si agronom mund të jesh i lartrë, e jam i detyruar ta pranonj o zoti Kryetar, por si njeri… të më falësh, por…! Se që të më rekomandonje të blinja donjë qepë, a donjë patate, apo fasule pe Devolli, do të të theshnja si urdhëron zotrote! Por ti, or byrazer, vjen e më ze derën të më shesësh zalln´e lumit! Eja baba të të mësonj arat! Po kjo s´ka by… ku të rrinjë or t’u mbylltë! Uaaaa! – po shkrofëtinte Nashua i habitur nga ky lloj i ri i pushtetarëve që kishin filluar të bubulonin gjithandej në pjacë. – Unë i mora për burra seriozë këta bre, e nuk ma previ mendja, ce patnë dalë për “allatkë serioze” …– vazhdonte të fliste edhe mbas largimit pa fjalë të atyre, sikur do të sqaronte të vetët Thanasi. – Oj të gjorët jo, ç’i paska gjetur! – e mbylli buzagaz Nashua, sikur bënte konkluzionet e inspektimit prej pushtetit.
PRAGPUSHTIM I KORÇËS PE TURISTËVE!
Thanasi e kish bërë të vetën!
Sapo i vuri edhe “vetullat” e nuk i mbeti gjë pa plotësuar, veç t’i nxirrte sytë më hotelit të famshëm, të vendosur në një pikë mbizotëruese në kodrën mbi qytetin e Korçës, ku porsa kishin përfunduar punimet për rikonstruksionin dhe restaurimin, madje dhe transformimin konceptual të tij. U eliminuan banjat e përbashkëta në fund të çdo kati, zëvendësuar me banjat në çdo dhomë dhe tashmë ishte gati me kuzhinë moderne, restorantin gjithë shkëlqim, bufenë simpatike edhe sallat e mbledhjeve kompletuara me arredim të ri, me foni e video dhe Thanasi, pronari i këtij kompleksi, i lodhur sa s’ka, i shpenzuar gjer më palcë, por i kënaqur; veshur-ngjeshur me kostum të ri e kollaren “pe të gjyshit” nga Amerika, rrinte në pritje, i etur për turistët që, siç bisedohej gjithë pasion mes shqiptarësh në vitet e para pas ‘90-ës, mezi prisnin t’u krijoheshin kushtet për të vizituar Shqipërinë, por sidomos Korçën, siç “theshnin” korçarët…
Ama çudi, ëëëëë?
Turistët vërtet po “vritshin” për t´i parë, ama dhe korçarët nuk po e hanin thatë këtë! Boll kish vuajtur bota të shikonte nga afër, me sytë e vet, sukseset që patëm arrirë ne, “kalaja e pamposhtur në brigjet e Adriatikut dhe Jonit”!
– Ja, i hapmë më në fund portat! Ore, i xmontuamë fare bre, ce qenë ndryshkur berduvelet, pa hapur të gjorat 45 vite rresht!… E përse i hapmë? Për yve! Bujrëm, o! Ja o ku jemi, ajdeni! T’u ikë më së fundi ai mosbesimi se vallë a qenë të vërteta mburrkat e qeverisë tonë.
Korça kish pritur e përcjellë në shekuj, gjithë jetën, të huaj; grekë, “tyrq”, maqedonas, rumunë, bullgarë, austriakë, francezë… por tani, pas pesëdhjetë vite ndalimi, turistët që mezi prisnin të etur e të malluar mbas gardhit tonë me tela me gjemba, veç korrentit, do të dyndshin domosdo në Korçën që u qe mohuar.
Qenë vitet e para të demokracisë dhe të tërë përpiqeshin të nderoheshin para turistëve, nxitonin gjithë merak se mos mbërritja e turistëve do t´i gjente pa mbaruar punët. Lum kush do t’u delte i pari në krye gatitjeve, të sulej ne dera për t’u thënë: “Mirë se na ardhët”! Por hesapet qenë bërë pa hanxhinëëë!
– Po kujt t’i theshe, bre? Ai bumi i turistëve të imagjinuarë pe neve së brendshmi, nuku po ndodhte. Ata ende nuk po e dëshmonin padurimnë e natyrshmë për të erdhur. Hiqshin si të shkujdesur, sikur nuku kish qenë aq i vërtetë padurimi i tyre.
– Ce, neve do të na i hidhnin ata, o? Leri o nazet se nuk u shkojnë në neve, dëgjon o?
– Ne nuku na shpëtonte gjë pa kuptuarë bre, por ata rrinin të ftohtë. Evropianë, de! Hiqshin sikur nuku ishin të djegur e të përvëluar për të parë Shqipërinë dhe shqiptarët.
– Po ejani bre, ejani, ce u ardhi dita edhe yve më së fundmi. Ore, yve mund të mos u besonet, po ne më shumë luftuam për yve, ce, po qe për veten tonë, ne u mësuamë, ashtu, të mbyllur e pa tyristë.
– Ça kanë bre, ce nuku po i marrëm vesh faare?! Thua donjë frikë e re? Po, pe kujt o?
– A thua t’u ketë ryrë frika pe “njeriut tonë të Ri”, që krijovi e kaliti Partia jonë këto pesëdhjet vite këtu në ne o? Ta kenë dëgjuarë thua?
– Po, ku ta dish se si na imagjinojnë bre? Nuku dinë se ç´ndryshim ka ky njeriu i ri pe atij të vjetrit, që kanë njohur n’ato kohërat e para ata.
– Eee, me sa po kuptonet, nuku kanë për të erdhur me tabore të mëdha, o jo. Ndofta do vijnë pak e nga pak. Në fillim do të shëkojnë se si jemi katandisur e pastaj, më pas, si të siguronen, do ja cëllojnë me tufa turistësh, dëgjon o?
– Edhe fillikat nuku vijnë këtu ata oreee! Edhe ti të jesh! Ce nuk ua mban.
– Mir’o mirë, dakord jam edhe me ty, po pse nuk po fillojnë të vijnë xhanëm? Tërë kushtet ua krijuamë bre. Kufin’e hapmë…
– Kufin’e hapmë, thotë ky. Or po kufin’e shqyemë thuaj. Kufinë, thoj, shyqyr që po e ruajnë grekët, atë të tyren ore, se vate kufiri! Nuk arratisesh dot, dëgjon o, nuk arratisesh dot, jo se nuk të le ushtari i kufirit me atë qenin pe dore, por ce nuk e gjen dot më ku është kufiri. Vanë telat! Mund të baresësh në zona e këlonit për qejf. Të hysh e të dalësh në kufiri jonë sa herë të duash, t’u bëfsha.
– Po mja, o tinë, më këto kufira, po ne kemi ryrë në Evropë tani, prapë do vemë telat ne o?
– Nuku e pata llafnë ne kufiri, po e pata ne kushtet për turistët. Nuk u mungon gjë hiç bre. Të tëra o, të tëra janë, gjë nuku mungon or, në …çkë të semës. Ato ndërprerjet e korentit janë rralluarë, ujët me orar e ke të sigurtë, më dëgjon o? Mos e gjuko me donjë rast që nuku vjen fare ujët, janë ditë të ralla e nuk do mbajtur mendja në to. Me një llaf de, ç´është e drejta, nuku të nxihet jeta!
– De o Kiçkë, po le të rrinë o një ditë pa ujë e pa drita, se nuku bënet qameti de! Ce o, ça na gjeti neve? Me drita, pa drita, gjene po ne jemi! Bisedohej gjer’e gjatë për turistët sidomos në qendër, në hotelet e privatizuara e në lokalet e reja të zbukuruara për vdekje tani së fundmi me ca tavane të varura me asoj që e quajnë “kartonxhes”.
– Paskëshim vojtur për hiçgjë or t´u mbylltë! Po gjene shyqyr. Çunat e këthyer pe Greqie i zbukuruan dyqankat e lokalet radhë. Ç´nuku bënë bre?! Soje-soje, sidomos tavankat! Na mbeti koka lart o, në p…çkë të semës jo! Mbushur me forma të këthyera, me ndriçimn e fshehur, me drit-hijet e llambushkave vënë së brendshmi, jo vetëm me llampat e uzinës së Vlorës. Jo, jo! Hoqmë dorë pe atyre llambave që prodhonte Vlora. Bisedohej e bisedohej aq shumë për turistët, ama ata, me kokrra!
– Alooo, hotel Morava? – dëgjoi një zë në telefon Thanasi.
– Si urdhëron, Morava jemi, urdhëroni!
– Flasim nga Tirana, jemi agjencia turistike “Shpresa”.
– Urdhëroni! – e lëshoi zënë të plotë, si buçimë pronari i hotelit, që, pa kuptuar, ishte çuar më këmbë.
– Na dhanë numrin tuaj, na rekomanduan…
– Urdhëroni, urdhëroni ju lutem, neve jemi! – po përgjërohej gjysmë i hutuar Thanasi, që iu duk thirrja si thirrje pe Zoti.
– Kemi një aktivitet dhjetë ditor me një grup të huajsh. Na thanë se ju, përveç hotelit, keni ambiente, salla të kompletuara me monitorë, me kamera, me foni… që për ne janë kusht, më kuptoni?
– Si urdhëroni, ju kuptoj drejt, i kemi që të gjitha, nuku na mungon asnjë gjë bre, i kemi të reja pe fabrike, vënë sefte!
– Jemi tetëdhjetë vetë, dy autobusë…
– Saaa?! – e ndërprevi Nashua, por u pendua menjëherë për këtë pyetje.
E kuptoi se nxitoi dhe me atë pyetje habie mund të krijonte mosbesim tek turistët, që Perëndia i paskish hedhur njësh përmbi Korçë. Nuk kish pse të tregonte habinë, por, dreqi e mori, nuk u përmbajt dot … “Aaah! Ç’më shpëtovi”!
– Tetëdhjetë, tetëdhjetë. – u dëgjua i njëjti zë i sigurt në receptor. Dhe s´kishte pse të mos ishte i sigurt ai i agjensisë turistike. Ai e kish kollaj. Detyra e tij ishte t’i plaste turistët tek dera e hotelit dhe le të vrisnin veten ata “Thanasët” e hoteleve në Korçë.
– Qënkërkan shumë, or i uruarë, qënkan një batalon! – nuk po e mblidhte akoma veten hotelieri. – Unë mund t’u siguroj fjetje deri në pesëdhjetë vetë, më shumëëë… – dhe po e zvargte përgjigjen.
– Prandaj na kanë adresuar tek ju, zoti Thanas, sepse na thanë që ju mund të lidheni me hotelet e qytetit dhe mund ta zgjidhni problemin për të tërë. E rëndësishme për ne është, se jeni ju që keni ambiente të mjaftueshme për aktivitetin, për seminaret dhe aty mund të marrin pjesë që të gjithë. Ne nuk duam të ngatërrohemi me hotelet e tjera. Ne duam llafin tuaj!
– E drejtë, e drejtë, shumë mirë ju kanë adresuar, ua zgjidh unë, pa merak, mirsetëvini! – i mblodhi pak nga pak rrypat Nashua e më në fund i doli për zot Korçës tërë.
– Ke kaq kohë që pret turistë, o zoti Thanas, e tani trembesh pe tyre? Nuku e prisnim nga tinë që të dorëzohshe kaq shpejt, o Naskë!
I dogji Nashos kjo mënyrë e ndryshme të foluri dhe sidomos kalimi nga biseda serioze në qesëndi, ku edhe zëri i agjencisë “Shpresa” iu duk si zë jo pak i njohur.
– Ore maskara, po ti qenke, more?! – e hoqi maskën e mikpritjes pronari e ju vërsul inxhinierit, mikut të tij. – Po, s’u bëre njeri njëherë ti, o? Si nuku hoqe dorë nga këto budallallëket e tua? Po mja, o! Ma bëre gjakun uuujë, bre. Po, si o nuku ta njoha atë zënë e “bukur” që më ke?! Po, si o m’i mori Zoti mentë e po të dëgjonja si i shastisurë, si derdimen po të dëgjonja? Uaaaaa! Kur e nuhata se qe lojë, desh të mallkova, mor i uruarë. A di sa më përcëllovi kjo loja e zotëris sate? Ah ç´mi hoqe nga dora dhjetë mijë të thata! Evro ore, jo leka!! Fitim i thatë po të them, fitim safi, jo shaka, de! Ti flisnje, unë bënja llogaritë, bre. Nuku më punovi mendja për gjë tjatrë. E humba fare. Kur e kuptova se qe shaka më humbnë të tëra, – të qeshurat në receptor nuk pushonin.
– Ore Nasho, po si nuk më njohe në zë, bre? Ne flasim javë për javë, or i uruar! – e ngarkoi dhe me faj inxhinieri Thanasnë.
– Ore inxhinier, po shaka janë këto, o? Shaka e quan këtë ti, o? E ku e ka lezetnë kjo? Po kjo është shaka pe budallai, or t´u mbylltë, dëgjon o? Nuku gjenje dot një shaka ndryshe? Duhej pa tjatrë kjo? Lere që kot po pyes unë, ti vetëm të tilla di të bësh. Më nxorre djersë bre, mënd po fluturonja, dëgjon o? Aaah si më ke lëshuarë… siç lëshon skifteri prenë pe qellit, pe asaj lartësisë së madhe drejt e në greminët.
Thanasi nuk kishte faj. Evropianë priste, tek Evropa e kish graduarë mendjen. E dinte se evropianët nuk kanë kohë të bëjnë lodra. Ata i ndajnë punët me dy llafe: Po! Jo! dhe Pikë! A thua, lodrat të jenë mentalitet oriental, ballkanik, një mënyrë për të vrarë kohën, kohën që perëndimi e ka gjënë më të çmuar? Nga kjo ta kemi, thua, këtë qejfin për lodra ne, ca pe shqipove, apo e kam gabim? – “Koha është flori”!- është një pe fjalëve të urta të popullit tonë. Domethënë ce nuku i takon popullit tonë kotësia të vrasë kohën.
Ndaj, më mirë le t’i gjejë vendin vetes, se nga e ka origjinën ky miku për ditë të keqe i Thanasit!
Por dhe Nashua le t’i hapë sytë kur zë shoqëri, de!