Ruben Avxhiu: Mirënjohje kongresmenit Eliot Engel!
Në fund të janarit 2008, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice, bëri një vizitë në Amerikën Latine. Për ta shoqëruar kërkoi ndihmën e kongresistit Eliot Engel.
Sekretarja Rice ishte republikane, Engel demokrat, por në politikën e jashtme shpesh bashkëpunonin.
Kryediplomatja i duhej Engeli në këtë udhëtim sepse kongresisti kishte ndërtuar në vite marrëdhënie shumë të mira me udhëheqës të Amerikës Latine. Por edhe Engelit i duhej mundësia për të shtyrë Sekretaren e Shtetit që vendimi për pavarësinë e Kosovës, kauzës së tij të zemrës, t’i jepej drejtim sa më shpejt.
Mund të jetë rastësi apo mund të ketë pasur shumë faktorë të tjerë në lojë, por tre javë pas vizitës Kosova shpalli pavarësinë, një vendim i marrë në bashkëpunim me partnerët amerikanë e perëndimorë.
Në 31 janar 2008, kongresisti Engel dha një intervistë ekskluzive për gazetën “Illyria”, ku tregoi për këtë udhëtim me Sekretaren Rice dhe për bisedat që kishte bërë për pavarësinë e Kosovës dhe temën tjetër të dashur për të, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Përveç temës shumë popullore të asaj kohe, rivalitetit mes Hillary Clinton dhe Barack Obama për zgjedhjet presidenciale në SHBA (Engel mbështeste Senatoren Clinton që përkrahte pavarësinë e Kosovës) dhe debateve për hyrjen e Shqipërisë në NATO, e pyeta kongresistin Engel se çfarë do të bëhej me Kosovën.
“Çështja e Kosovës nuk mund të shtyhet më dhe nuk do të shtyhet më”, më tha ai, duke folur me siguri, nëpërmjet telefonit. “Tani bëhet fjalë vetëm për modalitetet. Pavarësia ka hyrë në rrugën që nuk ka kthim pas. Kundërshtarët e pavarësisë vetëm mund të vështirësojnë periudhën pas saj, por nuk mund ta ndalin dot më atë”.
Sipas një shakaje të kohës, të treguar nga Harry Bajraktari mik i ngushtë i kongresistit, Sekretarja Rice donte t’i bënte një surprizë Engelit për ditëlindje, mirëpo ngatërroi datën dhe Kosova u shpall e pavarur në 17 shkurt dhe jo në 18 shkurt kur është ditëlindja e tij.
11 vjet pas intervistës me telefon pata mundësi t’i rikthehem temës, në Zyrën e tij në Bronx. Kur e pyeta për “legjendën” e ngatërrimit të datës së pavarësisë dhe ditëlindjes e tij. Kongresisti Engel qeshi, por tha se ndonëse në udhëtim kishin folur shumë për Kosovën, data nuk ishte caktuar aty dhe nuk kishte lidhje me të.
“Afërsia me ditëlindjen time është një rastësi e bukur. Tani kam dy festa bashkë. Por caktimi i datës nuk kishte të bente me mua”, tha ai. Madje shtoi me modesti se edhe zyra e tij e mësoi gati po aq vonë sa shumica e shqiptarëve për shkak të fshehtësisë së diskutimeve në rangun më të lartë të diplomacisë së kohës.
Dje u festua dhe u urua ditëlindja e shtetit të Kosovës, sot e meriton të urohet miku i përkushtuar i Kosovës, për ditëlindjen e tij. Për atë që ka bërë për më shumë se 30 vite në Kongres, shqiptarët kudo ku jetojnë do t’i jenë përjetë mirënjohës.