Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Xheni Krypi

“Dashurinë s’e kam provuar”

“Qenke xheloze…” – më tha një shoqe,
kur më pa me mimoza në duar,
me pranverën që më ndizte faqet
si një sekret i artë i pashuar.

Ngrita lehtë supet,
si dikush që s’di ç’të thotë,
si një fëmijë që prek për herë të parë
dritën dhe trembet nga flaka e ngrohtë.

“Dashurinë s’e kam provuar…”
ia ktheva me zë të qetë,
por brenda meje diçka u drodh,
si petal që pret të bjerë në det.

Mimozat më dridheshin në duar,
ar i brishtë i një ëndrre të pathënë,
ndoshta xhelozia s’ishte xhelozi,
por frikë nga një zemër e zënë.

Se dashuria, kur s’e njeh,
është si aromë që të ndjek pas,
si një këngë që s’e ke kënduar,
por që ta di zemra përmendësh, pa zë e pa fjalë.

Unë s’e kam provuar – them,
por ndoshta ajo më ka provuar mua,
në çdo mimozë që çel në shpirt
kur pranvera më thërret, të dua.

Po ta shtrydhësh poezinë

Po ta shtrydhësh poezinë,
mos prit të pikojë bojë —
do të pikojë gjak i ngrohtë kujtimesh,
lot të fshehur nën qepalla nate.

Ajo nuk është fletë e bardhë,
është kraharor i hapur.
Çdo varg është një rrahje zemre
që s’pati guxim të flasë me zë.

Po ta shtrydhësh fort,
do të dëgjosh krismën e heshtjeve
që u thyen brenda një shpirti
kur askush nuk e pa.

Do të të njomë duart me mallin e nënës,
me pritjet e gjata te dritarja,
me një dashuri që iku pa “lamtumirë”
dhe la pas vetëm jehonë.

Mos e prek lehtë poezinë —
ajo digjet.
Ka brenda prushin e netëve pa gjumë,
ka brenda britmën që u kthye në lutje.

Po ta shtrydhësh deri në fund,
kur të mendosh se s’ka mbetur asgjë,
do të ndjesh se ajo
të ka shtrydhur shpirtin ty.

Sepse poezia
nuk shkruhet për t’u lexuar,
por për t’u përjetuar
si një plagë që ende rreh

Kur dyzohen orët

Kur dyzohen orët
dhe akrepat ndalen mes dy rrahjeve,
nata mbështillet me frymën time
si shall i hollë mjegulle.

Kur dyzohen orët,
as dita s’është më ditë
as nata s’është më natë –
janë dy hije që puthen fshehurazi
në pragun e një zemre që pret.

Ora e murit troket dy herë
për të njëjtin çast,
dhe koha bëhet pasqyrë
ku shoh veten të ndarë:
njëra që shpreson,
tjetra që dorëzohet.

Në atë çast të dyfishtë
edhe mendimet kanë dy emra,
edhe rrugët ndahen në dy drejtime,
edhe fjala “kthehu”
tingëllon si “ik”.

Kur dyzohen orët,
jeta më mëson
se gjithçka ka një hije,
se çdo dashuri ka një pritje,
dhe çdo ikje
mban brenda një kthim të fshehtë.

Dhe unë rri në mes,
si një urë mbi lumin e kohës,
duke pritur që akrepat
të bien sërish dakord
për një të vetme rrahje.