Albspirit

Media/News/Publishing

Fatmire Duraku: Kaq vjet ecim bashkë Republikë

Përkushtuar 18 viteve të Pavarësisë së Republikës së Kosovës


I.
Gjithçka në ty
Është prej puplës së shenjtë
Tetëmbëdhjetë vjet nuk janë shumë për një gur,
janë moshë e thellë për zemrën që ka mësuar të rrahë vetë.

Republikë, drita ime e re mbi Sharr,
ëndërr e vjetër si këngë që zgjohet lahutës në mbrëmje.
Në mëngjeset e tua tashmë ka vesë bari,
kalldrëmi gjëmon nga hapat e nxënësve për në shkollë,
Si frymëmarrje e qetë që ngrihet në gjoksin e trimit
emri i të cilit është shkrua me gjak në flamur.

Tetëmbëdhjetë herë ka ardhur pranvera
ka mbjellë fidanë shprese në arat e Kosovës,
tetëmbëdhjetë herë dimri ka zbardhur malet në Rugovë,
duke na kujtuar se “guri i rëndë peshon në vendin e vet”.

II.
Republikë
Ti nuk je më veç një parullë në mur,

as veç zë i studentit të hedhur në erë.

Je duart e rrudhosura mbi xhubletë të një nëne
që numëron vitet me rruaza qelibari në lutjeje,
je hapi i sigurt i fëmijës
që mëson alfabetin shqip në shkollë.

Në qytetet e tua shpërthen drita e Yllit Agon,
që mbajnë brenda një histori të pathënë:
një klithmë, një falje, një plagë të vjetër.
Flamuri është qiell i kaltër që përkulet mbi sheshe,
është pika e gjakut që ujiti themelet tua.

III.
Republikë,
ti po rritesh me hapa të amshuar,
si vëllai që mban motrën për dore
të kalojnë lumin mbi urë e thyer.

Gjithçka në ty
Është prej puplës së shenjtë

Megjithatë unë e ndiej zjarrin
që shpërthen padukshëm nga qielli yt
e ndiej ngrohtësinë e tokës tënde
mbi të cilën eci hap pas hapi drejt agut.