Albspirit

Media/News/Publishing

Tri proza nga Ilirian Ballaj

KUR VDEKJA TË KA FALUR TRI HERË, JETA BËHET MË E SHTRENJTË

– I mbetur jetim për babë tre vjeç, me një nënë në krevat, fukara i pikur deri në palcë, që e mbanin shpirtin me lakëra…

– E ngriti kokën që 7 vjeç, u pajtua shërbëtor dhe i doli jetës zot..

– Doli partizan, nuk e mori plumbi, u sëmur keq e nuk vdiq.
– U rrit vrullshëm në përgjegjësi në luftë, në paqe oficer madhor.

– Rroi sa deshi, me të qeshurën në buzë deri sa iku.
– Njerëzit e mirë janë frymëzim i mirë për të gjithë.
Secilit i ka rastisur në jetë të “takohet” me vdekjen dhe ka thënë: “desh vdiqa”.
Xhebro Gjika, vjershëtori dhe hokatari lab, i internuar nga gjermani në Beligrad (Beograd) në tetor 1944, kur pa se shokët po ia ekzekutonin me grupe, ishte në katin e tretë e duke qenë i veshur krejt në shajak, u hodh mbi telat me gjëmba, shajaku e mbrojti, ai u gjakos dhe iku. Dhe këndoi më vonë për vete:
Xhebro Gjika nga Tërbaçi/Që ka qënë i internuar/Në kampet e Beligradit/Çuditem qysh ka shpëtuar/
Si nga thonjtë e lugatit.
Po paska edhe nga ata që paskan shpëtuar nga vdekja e sigurt disa herë. Në librin e tij “Kohë gjëmimesh…”, ish gurtilieri i ’30-’40-s, lab, ish luftëtari i parë i Çetës Plakë, partizani i Brigadës V që shkoi deri në Vishegrad, që e quajtën edhe “mohikani i fundit” nga që rroi gjatë, që shërbeu oficer i lartë, u martua dhe u shtua, që vdiq te 90-at; shkruan se “kam shpëtuar nga vdekja e sigurt plot tri herë”.

  1. Ai mbeti jetim për babë fare i vogël, tre vjeç, me nënën tejet të sëmurë në shtrat, në një përdhese që lëshonte ujë, pa pikë ekonomie, një ulli para derës që pak prodhonte, pa ara, pa bagëti, jetën e shtynin me lakra të egra, herë flinin të ngrënë pak e herë jo. Në vitet ’20 uria ose ashtu e quajtura zi e bukës, kishte rrëmbyer shumë jetë fëmijësh të paushqyer.
    U detyrua që shtatë vjeç të mos shkonte në shkollë me shokët, shkoi dhe u pajtua bari me dhitë e një të afërmi, i çonte në kullotë, i sillte prej andej, flinte në stallë me to, mbi pleh, bënte si qen natën kur vinte ujku nga që qeni kishte ngordhur, pronari i kishte thënë se në fund të vitit do t’i jepte 4 krerë por që nuk ia kishte dhënë, sepse ” dhitë e caktuara për të kishin ngordhur”! Atë të afërm nuk e kishte bërë më sa kishte qenë gjallë. Kështu, nga njëri bari te tjetri, deri 10 vjeç, pastaj kishte shkuar te njeri që kishte tokë dhe prashiste, vadiste, e ruante atë nga derrat e egër natën duke rrahur me shkop llamarinat, e duke ndezur zjarre dhe merrte gjashtë karroqe misër në fund të vitit.”Me qullin e misrit që bënim çdo ditë, ia dolëm” shkruante. Shikonte shokët që hanin bukë, djath, dhallë, gjizë, gjalp dhe e ngushllonte veten se “edhe unë do të kem një ditë”. U hodh në luftë që 14 vjeç, u bë guerilas me djemtë e Gjormit, priste tela telefoni, prishte ura që të pengonte lëvizjet e armikut në Kotë, në Sevaster, në Himarë e tutje gjer në Sarandë. Pastaj u inkuadrua në Çetën Plakë, edhe pse shumë i vogël. Shkoi ushtar në ushtrinë italiane, por shpejt u arratis prej andej sikurse bënin shumë në Lumin e Vlorës dhe shkoi përsëri në çetë. Por në fshat ishte njëri, e thotë me emër dhe mbiemër, që raportonte te italiani ata që linin ushtrinë dhe, kur i zinin, i burgosnin e në se nuk i kapnin, u internonin prindërit, Shameti kishte vetëm një nënë gjysmë të vdekur në krevat, e nuk kishin ç’t’i bënin. Rrinte fshehur dhe vepronte natën kundër pushtuesit. Një ditë, te dyqani i fshatit shkoi fshehur për një paqetë duhani, por italianët e kishin marrë njoftimin dhe e kishin rrethuar aty, Shameti ua kishte përplasur derën për hundësh, gjaku i kishte mbuluar karabinierët dhe ai ishte ngjitur shpejt nën çati, kishte hedhur tej rrasat dhe kishte fluturuar. Dy anëtarë të çetës i kishin shkuar informatorit në shtëpi dhe i kishin thënë: Jo me Shametin, por me asnjërin që arratiset nga ushtria nuk ke punë, ndryshe ke punë me ne”. Kishte marrë pjesë në të gjitha aksionet e Çetës Plakë, pastaj kishte dalë partizan në mal në Brigadën V, më 28 nëntor 1944 në Gumenicë në batalionin “Perlat Rexhepi”.
    Madje, po të bisedoje me të sepse kam patur rastin e mirë ta njoh, thoshte se është johistori ta nisësh rrugëtimin e Brigadës V jo nga Gunenica, por nga Bramyshnja, ai kishte qenë pjesë e të dy inagurimeve. Kështu Shametin fukara, të vogël nuk e kishte rrëmbyer dot vdekja, kishte mbijetuar dhe ishte bërë burr, madje shumë rezistent. Këto i tregonte me dhimbje të madhe, sidomos kur fliste për vitet e skamjes, kur nga uria kishin vdekur shumë fëmijë në fshat, kur fliste për nënën e sëmurë dhe për veten e tij. Vdekja dot s’e rrëmbeu.
  2. Lufta, ku mori pjesë edhe Shameti, të vinte përballë plumbave, përballë vdekjes.Jo të gjithë ata që shkuan në luftë u kthyen. Shametin, fukarallëku i fëmijërisë, e kishte lënë të imët, trupvogël, por për nga forca dhe vullneti ishte shpuzë. U ndesh edhe ai me gjermanin në Lumin e Vlorës në operacionin “Andhoc” të dimrit 1944 ku iu vranë edhe dy bashkfshatarë të tij, Mevlan Imeri dhe Arap Shena, marshoi në Burrel, në Gryknokë ku iu vranë të tjerë shokë e jo një, por plot 12. 3.Plumbi e kurseu por i “dhuroi”një pleurit të rëndë në të dy mushkëritë.
    E lanë në një bazë, në se përmirësohej të shkonte në shtëpi, por falë dibranit që ia mbante qumëshin e lopës te koka, Shameti u shërua dhe nuk iku në shtëpi, por marshoi në këmbë dhe e zuri brigadën duke marshuar për në Vishegrad. Shameti e tregonte si gjest burrërie malësori, atë që bëri dibrani për të, edhe pse jo shumë pro partizanëve. Por edhe Shameti, pas lufte, kishte shkuar atje dhe falë njohjeve me pushtetin, i kishte kthyer triskën e frontit që ia kishin hequr për ca pasuri që kishte patur dibrani.
    Dhe u fut në luftë Shameti si gjithë të tjerët, arriti deri komandant baterie artilerie, një funksion i lartë, që më vonë edhe gjeneralë u bënë shokët e tij me pak suport miqësor a krahinor.
    Këto ishin tri pritat që i zuri vdekja, fëmijëria tejet e skamur, lufta përballë plumbave dhe sëmundja. Por, sikurse thonë, jetëgjati nuk bëhet kurrë jetëshkurtër, le ta besojmë. Dhe Shameti ishte një shembull i mbijetesës, sepse ia doli. Në luftë gjeti edhe shoqen e jetës.
    Ai kishte një urtësi të dyfishtë, njerëzore dhe intelektuale, fliste ngadalë, gjërat i thoshte me emrin që kanë, kishte objeksionet e tij për situatat politike të luftës në Vlorë, te të gjithë faktorët që vepruan, shikonte edhe të mirat edhe të këqiat, nuk i ndahej shpirti nga shokët e luftës, e deshi demokracinë, por jo atë shqyerje, thoshte, që pati, jo ato vlera që humbi, dhe vlerat i shikonte më gjerë se ato monetare, materiale.
    Njerëzit e mirë janë vlerë e shoqërisë.

E DHIMBSHME, ITALIA FASHISTE I BURGOSI DY VËLLEZËR MINORENË DHE MË PAS U VRAU EDHE BABANË

– Shqipëria ishte ndezur zjarr e flakë kundër pushtuesit italian.Vlora vullkan.Ishte viti 1940.
– Fëmijët kishin dëgjuar për këngën: Në mos keni armë, gjeni/ Ia rrëmbeni atij qeni, dhe filluan të kërkonin edhe ata armë.
– Nga kjo punë, atë vit, dy minorenë përfundojnë në Burgun e Tiranës.
– Atje edhe Petro Marko, shkrimtar dhe Xhemil Sherif Çela, profesor ekonomie.

– Pas një viti italianët u vrasin minorenëve edhe babain dhe ua hedhin mbi telat me gjemba.
Italia i kishte shtrirë tentakulat në Lumin e Vlorës që prej 1914-s si në gjithë Shqipërinë. E kishin hedhur në det më 1920 e ajo përsëri kishte ardhur më e rreptë më 1939. Lumin e Vlorës e kishte mbjellë me xhepane (armatime). Në 1940, Italia në Drashovicë kishte një garnizon dhe një vendkomandë lufte, në Fushëmavrovë te Ura e Belasë kishte depot e armatimeve, në Varritavë në hyrje të Gjormit kishte poligonin e stërvitjeve dhe të qitjeve me armët e këmbësorisë dhe të artilierisë ku ndezej mali flakë nga mortajat dhe topat që qëllonin nga fortifikimet e betonit të 1920-s, në Brataj kishte postëkomandën me një skuadër karabinierie që bastisnin, arrestonin, dënonin madje edhe kanë zhdukur pa nishan ushtarë shqiptarë që dezertonin nga Italia e shumëve u internonin familjet sikurse te “Nata e Ustikës” e Petro Markos. Vlora ishte ndezur flakë kundër Italisë dhe guerilierët vepronin sa në Vlorë, në Himarë, Sarandë, në Luginën e Vjosës, të Shushicës.Dy baza guerilie ishin në Vlorë më 1940, një në qytet dhe një në Gjorm, ka shkruar në kujtimet e veta Rrahman Parllaku. Vloda, thotë ai, vinte erë barut, në fshatra ishin krijuar njësitet luftarake. Formacionet e mëdha të armatosura shqiptare kishin lëshuar rrënjë e po nxirrnin sytha e lastarë. Ishte pragluftë.
Në janar të vitit 1940 në Varritavë, në hyrje të Gjormit, në një pllajë kullotë dimërore, kishin zbritur nga malet të imëtat. Nëpër to edhe ushtarët italianë që stërviteshin e bënin qitje, që u prishnin barin dhe qetësinë. Në pushime ata kulmosnin armët dhe lëshoheshin për të mbledhur breshka. Aq të bezdisur ishin bërë, sa edhe qentë vërviteshin në lidhë dhe mbyteshin e ngjireshin nga e lehura me zinxhirin për qafe.Kasollet e barinjve nxirrnin tym e barinjtë prisnin të shkrinte bryma e pastaj të lëshonin bagëtinë dhe të mos rrezikonin pjellën që e bënin ato ditë.
Ishte mëngjes e dy djem adoleshente nga Gjormi ngroheshin në kasollen më tej. Ishte koha kur në Gjorm armatoseshin edhe fëmijët. Në lëndinën poshtë stanit ushtarët italianë i kishin kulmosur karabinat dhe kishin marrë ferrat. Dy djemtë nga Gjormi, Alemi Haxhiu 16 vjeç dhe Cano Haxhiu 14, duke shfrytëzuar një vijë uji, kishin shkuar ulur-ulur dhe kishin marrë katër armë. Armët shpejt e shpejt i kishin futur mes kashtës në kulmin e kasolleve të dhënëve dhe po ngroheshin në zjarr sikur nuk kishin bërë gjë. Befas italianët i kishin lidhur me tel, me duart pas dhe i kishin hedhur shpejt e shpejt përmbys në një makinë të tipit berletë dhe i kishin shpurë në Sevaster, lokalitet. Babai i tyre kishte ardhur nga shtëpia dhe nuk i kishte gjetur ata në të bujtur, kishte thirrur e stërthirrur, i kishte kërkuar edhe lumit mos kishin shkuar për dru zjarri, kishte hyrë edhe në ujë se mos ishin mbytur, kishte kërkuar rreth kasolleve se mos kishte gjak, dhëntë blegërinin brenda, kuajt lidhur hingëllinin, qentë në zinxhirë lihnin.
Djemtë kishin pas qenë jetimë për nënë, babai nuk ishte martuar më dhe ishte bërë për ta edhe baba edhe nënë dhe vepronte sa në stan në shtëpi ku kishte edhe fëmijë të tjerë. Dhëntë ia kishte lënë djalit pak më të madh dhe për gjithë natën, me një mushkë të mirë kishte zbritur në Vlorë, në shtëpinë e prefektit. Prefekti kishte pyetur e nuk rezultonte ndonjë i arrestuar së fundmi. Për gjithë natën kishte shkuar në fshat. Kishte pyetur e askush nuk i kishte parë. Italianët armët e rrëmbyera nuk i kishin gjetur, por edhe djemtë nuk kishin treguar edhe pse nën torturë e të veshur hollë e pa bukë e ujë.
Natën, nga Sevasteri lokalitet i kishin shpurë në Brataj në postëkomandë e prej aty po natën në fshatin e tyre Gjorm, që populli t’i shikonte të nesërmen se si arrestoheshin ata që preknin Italinë.I kishin shpurë në një shtëpi në vendin e quajtur Bregu i Zegale dhe i kishin futur në një katua, tek ish kryeplaku i fshatit. Në katua ruheshin me armë tek thërrisnin ujë, ujë.Ishin mjerisht të veshur keq, me këmbët gjysmë zbathur e të uritur.
Të nesërmen i kishin nxjerrë në qendër të fshatit që t’i shihnin se ç’i gjente ata që preknin fashizmin. Në qendër të fshatit burgezët italianë, që punonin në shtrimin e rrugës me zhavorr, i qëllonin fëmijtë me lopatë shpatullave.
Dhe në Vlorë në gjyq më pas.Armët ishin gjetur, djemtë përsëri nuk kishin pranuar.Por paska patur edhe italianë të mirë dhe një ishte edhe gjykatësi, një ankonas.
Vazhduan procedurat dhe gjykatësi, njëri rreth të pesëdhjetave: Ju armët i morët se nuk do të vrisnit kë. Kështu? I morët të dukeshit para shokëve? Prokurori: Protestoj! Gjykatësi: Ulu!
Cano u ngrit rrëmbimthi: Jo, i morëm për të luftuar me ju. Alemi: Për të vrarë ju. Gjykatësi: Mama mia! I kishin dënuar nga shtatë muaj secilin si të vegjël dhe i kishin shpurë në muajin shkurt 1940 në burgun e Tiranës.Atje, të dënuar si antifashistë edhe Petro Marko shkrimtar dhe mësues nga Dhërmiu dhe Xhemil Sherifi profesor në Tiranë, bashkfshatar i tyre.
Të gjitha këto i tregonin sikur t’u kishin ndodhur para pesë ditësh, edhe Alemi edhe Cano, shpesh herë.
Në burgun e Tiranës ajrimi i të burgosurve ishte veç për të rriturit dhe veç për minorenët, ndarë nga një gardh me tela, po ashtu edhe kapanonet. Petro Markos, i dënuar antifashist, i kishin rënë në sy e folura labçe e dy minorenëve të dobët e të veshur keq që nuk ndaheshin nga njëri tjetri. Duke lëvizur pranë e pranë me telat në mes, Petro i kishte pyetur dhe kishte mësuar se ishin nga Gjormi. Këtë ia kishte thënë profesor Xhemil Sherifit që ishte nga Gjormi. Për ditë minorenët përballeshin me buzëqeshjen e Petros dhe të profesorit. Profesori, që kishte studiuar në Napoli dhe Romë për ekonomi kishte kërkuar një takim me drejtorin e burgut italian por që drejtori e kishte kundërshtuar, më pas Xhemili kishte shkruar një letër atij dhe dy minorenëve u ishin ulur nga një muaj secilit, kështu që pas 6 muajsh, në korrik ishin liruar dhe ishin ndodhur te Zogu i Zi e prisnin ndonjerin të veshur lab që të orientoheshin për Vlorë. Po asnjë makinë te kazermat e Ali Rizait nuk i kishte marrë për Vlorë pa lekë. Në këmbë, duke marrë natën misra nëpër arat mbiuje, kishin arritur në Golem dhe prej Rigozhine në Mallakastër, në Selenicë, ishin sosur në Gjorm me këmbët lidhur me lecka pas 9 ditësh. Rrugës në Rigozhinë kishin punuar tek një burrë i mirë nja tri ditë duke përzjer byk me baltë për qerpiç ku ngrihej një shtëpi, ai i kishte veshur, mbathur, u kishte dhënë tri bukë, një gavetë për ujë, ca lekë të punës dhe i kishte nisur e orientuar të lëviznin nga kishte ura lumi për të shkuar në Vlorë dhe i kishte porositur të mos ngatërroheshin me askënd, madje as të bisedonin, të shkonin vetëm rrugës. Kur kishin shkuar në fshat, babai ishte lart me bagëtitë për verim e ata i ishin qepur malit më të lart e për dy orë kishin dalë te stani veror.
Më 13 nëntor të vitit 1941, Italia kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, më 8 nëntor në Tiranë ishte formuat PK, pjesmarrës aty edhe Sadik Premte i gjorm. Në dhjetir 1940 në Gjorm kishte plasur një mosmarrveshje për kullotat kolektive, disa përkrahës të qeverisjes i donin të bëheshin private, ndërsa populli të ishin kolektive. Babai i djemve, Haxhiu, ishte përkrahës i traditës, të mbeteshin kolektive sikur kishin qenë. Në Vlorë do të bëhej një gjyq për këtë. Gjyqi do të bëhej në datën 13 dhjetor në Vlorë. Paria u nis me makinën kirierë të krahinës një ditë para, më 12. Haxhi Meto, babai i djemve, duke qenë kundër disave të kryepleqësisë, nuk shkoi me ta dhe u nis vetëm më pas me një kalë të mirë, rreth orës 12 të natës, qëtë nesërmen ishte në Vlorë, në gjyq. Ishte një natë e frikshme me mot tepër të keq. Ushtarët italianë roje të depove te Ura e Belasë, Fushëmavrovë, e vranë rreth orës një të natës. E vranë me tre plumba dhe e hodhën mbi gardhin e depove të armatimit. Në gjoks kishte një dëng me fier të thatë, një shkrepse dhe në xhelin e xhaketës së leshit një kile vajguri ( procesverbali 13 nëntor 1941). Kali kishte marrë arratinë dhe e gjetën në Fushmavrovë pas dy ditësh.Më 1920 babai i djemve kishte luftuar kundër italianëve në Gjorm, në Llogora dhe në Bestrovë me treqind burra nga fshati, ishte 25 vjeç, në Sherishta ishte plagosur në pulpë.
A mos planifikoi ai më 12 dhjetor të bënte një udhë e dy punë?! Thonë se shumë herë, kur tregohej historia e djemve të tij, forconte nofullat dhe tundte kokën, që ai e dinte ç’deshte të thoshte.Mbase atë natë e kishte lënë për të larë edhe ndonjë hesap me italianët e Varritavës që i kishin arrestuar djemtë një vit më parë. Ishte burrë i heshtur, pak i egër thoshin, atë që vendoste në heshtjen e vet e bënte. Italianët e Urës së Belasë ishin ata që ia kishin lidhur djemtë si qentë në zinxhir.
Djemtë e tij u hodhën më pas në luftë. Nuk e bënë dëshmor Haxhiun. Më vonë, në demokraci, deshën por djemtë e tij nuk e kërkuan.
Bisedat për ato që kishin vuajtur, fatin e të atit, i tregonin shpesh edhe kur u plakën Alemi dhe Cano. Ajo kishte qenë një plagë e madhe që kishte lënë dhembje.
Ata u rritën, Cano doli partizan e shkoi deri në Vishegrad dhe u bë morsist në Ohër, Alemi drejtues në fshat në vitet pas çlirimit, Petro dhe Xhemili kishin shkuan në festën e Drashovicës dhe prej aty Alemi dhe Cano i kishin marrë me mushka dhe i kishin ngjitur në malin e Gjormit. U pritën të dy si në dasma duke i ftuar edhe stanarë përreth dhe prej andej, pas tre dutësh, po me mushka i nxorrën në anën tjetër të malit, në Tragjas e shkuan të dy në Himarë, njëri me pushime e tjetri në shtëpinë e vet Dhërmi. E Petro mbeti mik në Gjorm me dy ish adoleshentët edhe më pas.
Për vatanin luftuan të gjithë, u armatosën edhe duke rrëmbyer armë. Si me domethënie Alemi shpesh këndonte:
Në mos keni armë, gjeni!
Ia rrëmbeni atij qeni!

PESË DJEM NGA GJORMI NË PEDAGOGJIKEN GJIROKASTËR, TË PESË FUTBOLLISTË ME TË RINJTË

– Pedagogjikja ” Pandeli Sotir” e Gjirokastrës barabitej me Normalen e Elbasanit, shumë i thoshin edhe ‘Zosimea’ shqiptare.
– Gjashtë djem të gjormë shkuan atje në vitet 1961-1965 dhe të gjashtë u diplomuan për mësues pas katër vitesh, pa një prapsim.
– Gjashtë ishin, 4 u bënë futbollistë atje, fillimisht me të vegjëlit pastaj të gjithë me të rinjtë.
– Pesë mbaruan edhe UT më pas.
– Ata dhanë kontributet e tyre kryesisht në arsim dhe në drejtim.
– Dhe panteoni i tyre… i rralluar 50%.
Të gjashtë problem patën rusishten nga që në shkollën shtatëvjeçare të fshatit të tyre nuk bëhej rusisht. Sepse ishte bërë ky diferencim ec e merre vesh. Në klasë punohej me dy grupi, shumë të ardhur nga fshatrat si ata nuk e përballun dot, u skualifikuan dhe ikën. Gjormiotët rezistuan të gjashtë, madje vitin e dytë nuk ishim më ata që rrezikoheshin, përkundrazi ndonjërin mlsues Kosta Gaxhoni e merrte nëpër klasa për të treguar se ç’bën vullneti.
Ajo që ividentohej ndër ta ishte se të gjashtë kishin prirje për matematikë, këtë e kishte thënl që në vitet 1920 mësuesi Muço Delo së gjormiotët janë të gjithë matematikanë, e paska thënë më vonë edhe mësuesi sudjuar për matematikë universitetin Monpelie në Francë, Myrteza Starova, i internuar atje deri në demokraci. Dhe nuk ishte e rastit që pesë të Gjormë Sadik Premte, Neki Imeri, Xhemil Çela, Hamdi Rrapi, Hysen Sinani në Shkollën Teknike Tiranë në vitet ’30 kishin mbaruar të pesë ekselencë, dy orej tyre në Itali të lartën për ingjinieri dhe ekonomi, madje të dy nga dy fakultete, edhe për matematikë.
Por nga pesë djemtë e viteve ’60 në Gjirokastër asnjeri nuk kishte mbaruar të lartën për matematikë pir për Histori Gilo Halili dhe Skënder Seferi, Mehmet Majko, për gjuhë dhe letërsi Sazan Zykaj dhe Iliriani.
Gjormi gjithmonë e ka dashur shkollën. Vetëm nga ky fshat në vitin 1961shkuan për studime në shkolla të mesme profesionale 11 djem dhe vajza.
Më tej në shkolla e mesme të Gjormit mbaruan shkollat e larta mbi 120 djem dhe vajza që shërbyen gjithandej vendit deri në Has, Iballe Pukë, Margegaj Tropojë, Perondi Berat, Krutje Lushnjë, Krahës Tepelenë…