Albspirit

Media/News/Publishing

Dy tregime nga Shpëtim Emiri

Ë RËNË NË DASHURI ME ZARARIN…

– Vaso, na gjej një vend sa më të qetë e larg zhurmave, së paku ta pimë kafen rehat!… Or po ta harrojmë një orë këtë siklet që na ka zënë derën…! – turfulloi inxhinieri tejet i mërzitur me projektin që u ishte dhënë për zbatim. Të tillë që, edhe po të zbatohej në mënyrë perfekte, jetëgjatësia e shtresës përfundimtare mund të kapte vitin, nëse dimri i ardhshëm do të sillej si “Zotni”! (Ishte pranverë e vitit 1999. Kantieri i firmës TRISS-Ndërtim punonte në disa prej kontratave për rikonstruksionin e 100 kilometrave rrugë rurale në zonën e Korçës dhe të Devollit. Pat fituar tenderin për segmentet: a) Zëmblak – Zvezdë – Liqenas (buzë Prespës); b) Kuç – Poloskë deri në Miras (Bozhigrad) dhe c) degëzimi i rrugës për Ziçisht. Gjithsej 44 kilometra. Por u përballën me pasojat e një burokracie evropiane! Financimi i këtij investimi, projekti dhe supervizioni ishin nga Evropa. Ishte thjesht adaptim i gabuar i një projekti të ekzekutuar suksesshëm në Afrikë, në kushte klimatike të nxehta e pa reshje. U diktua të përdorej në zonën e Devollit dhe Voskopojës, në lartësinë 800-1000 metra mbi nivelin e detit me klimë të ashpër kontinentale, me reshje të shumta, temperatura të ulëta dhe borë e ngrica disa mujore. (V.O. Shtresa e asfaltit ishte thjeshtuar në një “cipë” asfalti me trashësi vetëm një centimetër e gjysmë)! Kundërshtimi dhe përpjekjet e përbashkëta të kontraktorëve vendorë për ndryshim nuk u vlerësuan).

Këtë bindje inxhinieri e përtypte, e përtypte dhe mundohej të mos e shprehte, të mos u priteshin krahët punonjësve të kantierit, të cilëve po iu kërkonin “asprën”, ndonëse shumica prej tyre e kuptonin situatën po aq sa personeli teknik. Gjithsesi mes drejtuesve gurgullonte pa reshtur ky hall i rrallë. Këmbëngulnin ata dhe bënin çmos të arrinin më të mirën e mundshme gjatë zbatimit, por puna nuk u shijonte, as i kënaqte…

– Do shkojmë ne lokali lart tek lapidari. – i ra pikës drejtori i kantierit.

Bar-bufeja ishte pjesë e restorantit të madh që ndodhej mbi kodrinën sa del nga Bilishti për në Kapshticë, në anë të rrugës, në të djathtë. Vendvendosja në lartësi mbi qytet të ofronte prej aty pamje të pafund të asaj natyre aq të bukur të Devollit. Gjerbja e kafes shoqëruar me raki mani, zier dy herë, me shikimin që lundronte anembanë mbi gjelbërimin e fushave, lëndinave e kodrave që dallgëzonin deri në horizontin me silueta malesh që kapërcenin kufirin me Greqinë, ishte çlodhëse deri në përhumbje.

Ai peizazh të rrëmbente. Përqendrimi i vështrimit të pa nginjur nuk u linte radhë bisedave; fjalët ishin të tepërta. Një qetësi që të përthithte në heshtjen, nga ku hera-herës të përmendnin gëzueshëm fëshfërima gjethesh të pemëve të larta përreth lokalit, përkëdhelur nga flladi i erës, e sidomos cicërimat e pandrojtura të zogjve të shkujdesur të stinës, që nuk e kishin për herë të parë qëndrimin aty, të cilët pamja e natyrës nga lartësia nuk i joshte aq sa njerëzit.

Nuk ia kursyen lavdërimet inxhinier Vasilit që u gjeti pikërisht atë që u duhej, vendin ku mund të harroheshin përkohësisht. Tavolinat ishin të hapura jashtë në natyrë. Qetësi absolute në pranverën e ndriçuar që jeshilohej me orë. Kamerieri nuk e vonoi hiç porosinë uniforme, ose ata nuk e kuptuan kohën që kalonte në heshtje. Ulja, trokitja mbi tavolinë e filxhanëve të kafesë dhe gotave të rakisë i zgjuan nga përhumbja dhe pa e zgjatur, “brom”, çokitën gotat, veçse me një urim të ndryshëm nga herë të tjera: “Dalçim faqebardhë nga kjo punë”!

Për herë të parë ishte vënë në rrezik “emri”, reputacioni i firmës. (Në aksin më të vështirë, Zëmblak – Zvezdë – Liqenas, drejtuesit e firmës “TRISS” i mohuan vetes të drejtën ligjore të fitimit normativ 15 % dhe ndryshuan shtresën e asfaltit DBST (12-15 mm trashësi) me asfaltim me penetrim 5 cm).

Pa gjerbur as gjysmat e filxhanëve e gotave, këtë relaksim të rrallë filloi ta trembte një zhurmë e largët, e panjohur, e pazakonshme, që sa vente dhe po rritej. Të shkëputur disi nga qetësia e asaj parajse, ata të katërt çokitën përsëdyti gotat me njëri-tjetrin si për t’u zgjuar nga ai ëndërrim i ëmbël dhe u drejtuan mbi tavolinë, duke iu kthyer me përtesë realitetit, jetës së tyre të zakonshme tokësore, njerëzore e çnjerëzore…

– Ç´është kjo zhurmë? Ç´të jetë vallë? Nuk ngjan me asgjë!… Erë lufte prapë?! (Ishte pranvera pas trazirave tip “Grusht Shteti”, të vitit 1998).

– Po vjen për nga ne, më duket. – po i flisnin njëri-tjetrit me veshët ngrehur, por të habitur si në përçartje. Edhe boritë e zgjatura të makinave dukej se shoqëronin zhurmën e panjohur me ca kërcitje, trokëllima, çokitje, përplasje të shpeshta e gërvishtje metalike të zgjatura.

– Qënka dasëm, qënka dasëm! – i shkrehu Vasili. – Ja, shikoni se si po nderet e varet kameramani i Bilishtit përjashtë xhamit të derës së veturës.

– Ç´do na hapi kot ndonjë punë i uruari, ku na qëlloi ne të jemi dëshmitarë! – hynë në lojë menjëherë ndërtuesit e tavolinës.

Sezoni i dasmave ishte në kulm! Gushti më tepër, por dhe shtatori nuk mbetej mbrapa. Muaji i pushimit vjetor, “feragosto” italiane, ua hoqi privilegjin prindërve në Shqipëri të caktonin si ta donin ditën e dasmës të fëmijëve. Atë datë tashmë ua caktonte “pronari”, kudo ku punonin nëpër Evropë. Ceremonitë e zhurmshme e të gëzueshme të martesave po ndiqnin njëra-tjetrën. Nuk kufizoheshin dasmat vetëm me ditët e fundjavës. Ku mjaftonin vetëm të shtunat e të dielat për tërë ato dasma që duheshin bërë pa tjetër?! Nuk priste puna!

Të rinjtë e emigruar pas nëntëdhjetës, tani pas tetë-nëntë vitesh po krijonin familje. Shumica, njohur, lidhur e bashkëjetuar andej, nëpër Europë, e caktonin bërjen e ceremonisë së dasmës në Shqipëri, ta gëzonin gjithë rrethin e tyre familjar. Dhe vinin të përmalluar çiftet e reja, takoheshin e çmalleshin me familjet, i njihnin ata dhe me nusen, apo dhëndrin e gjetur vetë andej, “në fund të Botës”, por, sipas rastit, i njihnin dhe me fëmijën e parë që, i paduruar, kish nxituar të ishte i pranishëm në dasmën e mamit me babin.

Imazhet e eskortave me dasmorë që gjezdisnin nëpër rrugët kryesore të qyteteve ishin të freskëta. Kalimtarët ndalonin të shijonin pamjet e veçanta tejet të gëzueshme, makinën e çiftit të ri që ecte ngadalë për të kënaqur kërshërinë e beqarëve e nostalgjinë e të moshuarve, të shikonin zbukurimet e shumëllojta, mbulesat e hapura, ndonjë nuse me të bardha ngritur në këmbë nën kujdesin e shofer-dhëndrit krenar për sorkadhen që nuk mbahej. Këngë e saze magnetofonësh ngritur në kupë të qiellit dhe zhurmërime nga më të çuditshmet që tërhiqnin vëmendjen e kalimtarëve.

– Pooo, e vërtetë! Ja, makina e zbukuruar e nuses pas! Shih dhe veturat e tjera, si po e ndjekin! E paskan bllokuar krejt rrugën, të dy korsitë… E po, ç´bëhet o shokëni!

– U pa puna, le të presin makinat që po vijnë përballë tyre. Ku jemi këtu?! A i thonë Devoll këtij vendi, apo jo? Le të gjejnë po deshën edhe ata përballë një nuse dasme, që tu 117 hapin rrugë këto veturat tona me devollinjtë dasmorë çakërrqejf.

– Po tërë ato kanoçe ç´i kanë, or t’u zjeftë? Jalla o dhëndër, ç´paske bërë or i uruar? Do ta ketë për sefte i gjori! – vetë ambienti i nxiste edhe të ardhurit për punë në Devoll, të shpreheshin disi në dialektin e këndshëm të atij pellgu.

– Ça kuptimi kanë ato poçe-korroçe që i kanë lidhur pas veturës së nuses, jalla o?

– Po u del borxhit banorëve dhëndri. Bravo! Sherr e shamata dashkan të dëgjojnë me këtë nuse. U dha alarmi që sot, pa hyrë ende te shtëpia e burrit.

– Jo, jo, e kanë për mbarësi, për të larguar të këqijat nga shtëpia, zhapinj, gjarpërinj, ligësi… zakone që u bëjnë qejfin të moshuarve.

– Jo, more?! Traditë, ëëë?! Domethënë, i bie që edhe para njëqind vjetësh paskërkan lidhur kanoçe pas veturës së nuses, ëëëë?

– Jo po, lidhnin veturën pas kanoçeve! Po ku kish vetura atëherë, or i uruarë? Nusja çohej kaluar me kaaalë or derdimen…

– A thua të kenë lidhur kanoçe mbas kalit, o?

– Baaah! Provoje një herë, të shohësh hajvanë se ku do ta mbajë vrapnë dhe pastaj shko të gjesh nusen gjene… Duhet të vësh poshtë kalin që ta shpëtosh nusen. Po a ka dhëndër ta verë poshtë kalin, o? I gjori dhëndër, kë të verë poshtë më parë?!

– Këto lloj zhurmërimesh, ore vëllezër, janë shpikjet e reja të këtij tarikatit të ri të sotëm. Mos ua ngarko kot kanoçet të parëve, se nuk kanë bërë ata të tilla marrëzira! – i vuri kapak më i moshuari, xha Lazia.

Ndërkohë karvani i veturave nuk po dilte matanë në drejtim të Kapshticës, por humbi pas kurrizit të kodrinës ku ndodhej lokali e, ndërsa i la të habitur disa çaste, u shfaq sakaq sipër tek sheshi para restorantit, pranë lapidarit. Po ndalonin veturat njëra pas tjetrës, nga ku zbrisnin dasmorët e veshur për festë. Të ngelur ashtu grupe-grupe, të porsazbriturit, dukej sikur prisnin udhëzime për çfarë do të bënin në vazhdim.

Aq tërheqëse u bë kjo skenë e gëzueshme festive, sa i përfshiu brenda edhe “hallexhinjtë” tanë, që nisën t’ia ndjenin shijen rakisë së parë, tashmë jo si për vaki, por si për dasmë.

Dëgjohej zëri i kameramanit. Ai duke filmuar diktonte edhe drejtimin e lëvizjeve të eskortës së çiftit. I zoti i kamerës nuk merrej me të gjithë. Ai orientonte çiftin e ri dhe të tjerët e ndiqnin pas. Meqenëse ustai me kamer paguhej me “orë filmimi”, i sillte xhiro dasmorët andej nga mbante rruga më gjatë.

– Këndej, nga lodrat! – u dëgjua qartë komanda.

– Ooou! I ktheu nga ne ai malukati me atë berdyvelen në dorë. – tha xha Lazia.

Ca lodra gjendeshin mu para tavolinës ku ishin ulur ndërtuesit, një tip lëndine një metër më poshtë sheshit me pllaka të lokalit. Kameramani ecte mbrapsht, duke filmuar, pa merakun se mund të rrëzohej. Kushedi sa dasma mund të kishte filmuar me të njëjtën “guidë”.

Sa mbërritën dasmorët tek lodrat, e mësoi çiftin të uleshin në dy pilikundëset e varura në një tub metalik me nga dy litarë e me nga një copë dërrasë si ndenjëse. Ndërtuesve, si dhe klientëve të tjerë të rastësishëm, u mbetën filxhanët e gotat e rakisë në dorë. I përfshiu ajo ndjenja e përgjegjësisë përpara një rreziku të mundshëm. Pilikundësja dukej se i kishte plotësuar orët e punës. Litarët ishin jo vetëm të hollë, por dukeshin edhe si të kalbur e nuk ta mbushnin synë për atë plan që bëri kameramani. Dukej sikur e kishte çuar çiftin 119 kasten për t’u rrëzuar e t’i gëzonte më pas ata me filmimin e rrallë të çiftit me këmbët havadan…

Hezitimin për t’u ulur në pilikundëse ua shoi me një shikim të rreptë kameramani. Nuk kishin përse të mos i besonin. Ai aty mund të kishte ulur edhe pesha më të rënda dhe ja ku ishin litarkat e ato copka dërrase… U hap punë e madhe për të ulur nusen me fustanin e bardhë të hapur në formë rrethi në fund dhe me një bisht të gjatë, për të cilin u panë të angazhuara dy gra, dy zonja, që, me sa kuptohej, qenë gratë e bishtit të nuses.

– Nuse me bisht po marka Devolliu! – u bë e gjallë tavolina në krah.

– Ishalla të jetë bisht fallco, se po qe pe vërteti, nuk ia mbajnë dot jo dy gra, po gjithë fshati jo! – uroi tjetri i asaj tavoline, që bëri ta përfshinte gazi edhe tavolinën e “tanëve”.

Nuk qe aspak e lehtë ulja e nuses në pilikundëse. Duhej mbajtur fort deri sa të peshonte mbi të. Lëvizjet e saj si film me xhirim të ngadaltë u shoqëruan me pasthirrma grash e me potere të gëzueshme. Vetëm pas kësaj u shkrepën blicet pa pushim e kamera po u vinte rrotull.

Dhëndëri nuk shkoi tek pilikundësja tjetër, ndofta ngaqë nuk donte t’ia tundnin nusen, nga sot e tutje, duar të tjera, por qëndroi më këmbë i bërë gjysmë hënë mbi të dhe ndryshonte pozicion sipas udhëzimeve të grarisë dhe të kameramanit aq të sjellshëm e të duruar, i cili nuk prishte qejf me asnjë sugjerim dasmorësh që e shtonte edhe më kohën e xhirimit “artistik”.

– Tani çohuni dhe qëndroni më këmbë! – i kaloi në një sekuencë tjetër filmike “regjizori”. – Aaaashtu, shumë mirë!… – dhe me njërin sy të mbyllur vazhdonte xhirimin sipas stilit që e kishte bërë mjaft të njohur e të kërkuar në Bilisht e më gjerë.

– Tani dhëndri të puthi nusen! – u dëgjua komanda e radhës “Zjaaaarr”!

Nusja, si të ishte para skuadrës së pushkatimit, u mblodh, ngriti supet lart për të mbrojtur faqet. Rezervohej, ndofta të mos i prishej tualeti e stolisjet e fustanit apo flokëve dhe i rrotullonte gjithë namuz faqet për t’iu shmangur buzëve të zgjatura me vendosmëri e me kurajë të dhëndrit. Nuk jepej, që nuk jepej ajo!

Ama, iu bë qejfi xha Lazes, “kryeplakut” të kantierit. Nusja i hyri në sy për mirë! I kish lezet namuzi, po ish e vetme e shkreta.

– I ka të gjithë kontra korba, – foli i pikëlluar i moshuari. – Amaa, bravos i qoftë asanj! Mirë ky merhumi me atë kamerën, që u ka hedhur sirën të gjithëve, po ato gratë si nuk i dalin në krah asanj çupe?

Dhëndri nuk iu nënshtrua nazeve të saj dhe nuk u mjaftua vetëm me njërën faqe. E puthte qeni, e puthte sikur mezi priste urdhër për atë punë. Ama, të mos i hymë në hak, e puthi si motër.

– Mo e rëmoni të shketën, mo e rëmoni, oooh. Ka turp more, ka të drejtë çupa, po këta janë edepsëzë, more, – nuk pushonte xha Lazia, që nuk e mbante më vendi. – Po mjaft ti ore, mjaft se e bëre copa! Çfar malukati i babëzitur qy derr! Ooh! E meruan çupën e shkretë!

– Në buzë, në buzë! – thërrisnin me të madhe e duke qeshur gratë, që u kish mbetur merak ndofta nga koha e tyre, kur ishte e ndaluar t’u prekeshin edhe faqet, si të ishin buste dhe, kur xha Lazia priste të jepej komanda “Zjarr- ndalo”, filloi mësymja. Dhëndëri e kishte marrë të qartë detyrën. Nuk kishte pse vinte vërdallë sa në një krah në tjetrin. E mbërtheu me të dy duart kokën e nuses, pa u qederosur hiç për shkatërrimet e “luftës” që po bënte mbi tërë ato zbukurime të bëra për orë të tëra në kokën e saj, dhe ndodhi hataja. Ndodhi më në fund ajo që po vinte rrotull. Shkeli fustanin e bardhë, kur nusja po i largohej. Ajo, e penguar, u përkul e nuk u mbajt nga askush, ndofta të tërhequr nga ndroja për të mos e prekur nusen, e ra poshtë në barin e lëndinës. Dhëndri, në kërkim të buzëve të saj, iu gjend pranë thuajse rënë mbi të.

– Ahaa, ngrehuni çuna! – buçiti zëri i xha Lazes, që çau në mes të atij kiameti. – Ngrehuni ore, se na vuri poshtë dhe neve qy dhëndëri i sotëm! – dhe u çua brom në këmbë ai, që nuk po e duronte dot atë skenë të llahtarshme të atij palo filmi në xhirim.

– Çohuni, po ju them, se na vuri para, na shoi ore, na shoi! Ça mut dhëndëri paskish qënë qy, or mi q… t´ëmën? Edepsëzi! Ku na qëlloi ne qy mut? Na i bëri helëm atë gotë raki, na i zuri në grykët.

– Pse i bie më qafë kot dhëndrit o xha Laze? Lere të shkretin të gëzojë, është dita e tij! – i ndërhyri i ardhuri nga Tirana.

– Kot i thua dhe kësanj ti? – më t´u kthyer bëri xha Lazia nga të vetët. – Pse, ça pret më ti të bëjë ai, or inxhinier? E ça i mbeti pa bërë atij? Po, punët e natës të mos vijë të na i bënjë mu në mes të ditës, në sy tonë, ai qen! – po u hakërrehej zëlartë xha Lazia gjithë seriozitet shokëve, të ngritur tashmë nga tavolina, por që nuk po i përgjigjeshin me të njëjtin seriozitet, teksa po e dëgjonin buzagaz, ndaj iu lëshua përsëri atyre me të brritur e me thirrje të prera:

– Ooooh, o shokë, o vëllezër, shkuluni të ikim se nuk ish vend për ne qy! Drejtor Vasili na solli për mirë, për sehir në këtë vend, pooo… nuk çshtë faji i tij për ato që gjanë aty, në sy tonë. Dhëndrin nuk e zgjodhi Vasua për ta parë ne se ça malli ish!

– Për sehir na solli, sehir bëmë o xha Laze! E mbajti llafin drejtori!… Të kish rastisur ndonjëherë tjetër të shikoje dhëndrin të rrokej me nusen me të bardha ashtu, shtritur nëpër barin e lëndinës, në mes të dasmorëve, akoma pa nisur dasma?

– Aha, jo, për të tillë sehir, jo! Këtë sehir nuk e dua, o shokë! Këtë sehir mos e pafsha më! – shkrofëtinte i gjori Laze, që nuk ia kish marrë kurrë mendja se do t´i shikonin sytë të tilla mysibete.

– Ama, ata dasmorët do kënaqen, kur të shohin veten në film, sidomos këto pjesët që xhiruan aty afër tek këmbët tona.

– Ah, në drekë të tyre, jo! Atyre do rënkuar për mendjen, o, për mendjen. Atë po! – nuk ua falte xha Lazia ato axhamillëqe që gatuan në sy të tyre. – Po, nuk e keni dhe aq keq, jo! – e mblodhi pas pak. – Ai soj kënaqet, kënaqet. Ai stan atë bylmet ka! – dukej sikur fliste me vete rrugës…

– Ore shokë, ore vëllezër! – i ndali sërish këmbët tek lapidari, para se të hypnin në makinë. – Do më falni mua plakun, se nuk e kam shkollën tuaj e nuk ju bëj dot vërejtje, po dua t’u pyes seriozisht. Vërtet ju kënaqi juve qo lloj feste?!

– Po, bukuri o xha Laze! Festë, gëzim i madh familjar ishte dhe s’kemi pse t’u bëjmë kaligrafi ne!

– E ça na tregoi qo lloj dasme me rrapëllima poçesh nëpër rrugë e me ato gjëma me të gjorën nuse?!… A ma shpjegoni një çikë, ta kuptonj edhe unë njëlloj si ju?!

– Po ça tregon, – thotë xha Lazia!… – Tregon se tani ne i shijojmë gëzimet më të lirë, më të çliruar edhe pse, ndofta, e kalojmë pak masën …

– Jo, jo! Qo nuk tregon atë që keni kuptuar ju, joooo! – dhe e zgjati si jehonë. – Qo tregon se ne nuk dimë më të festojmë! – e plasi konkluzionin e vet, por duke parë fytyrat përballë, bërë më të qeshura nga ato fjalë, ngulmoi:

– Ça po ju them unë është një e vërtetë e madhe që na sëmbon keq ne të moshuarve… Po or, po! Ne kemi harruar se si bëhen dasmat, se me sa lezet e me sa terezi, ku nderohej sekush siç i takonte. Ore, kish një të madh në krye dasma dhe nuk vinte ta merrte komandën një dyqanxhi nga rruga!… Dëgjoni, dëgjoni xhaxhanë këtu! Ne po festojmë si të marrë, or vëllezër! Si të marrë! – e përsëriti rëndshëm, ndarë në rrokje dhe nuk u smbraps aspak nga mosmiratuesat.

– Unë, or ju miqtë e mi të mirë, mejtonj se qo kohë ka një të keqe të madhe, që nuk ngjerohet, nuk përtypet, or po nuk gëlltitet hiç! … Jaaa! … Harruat ju?! Ne njëlloj e bëmë dhe luftën e 97-ës, kur u hapën depot e armëve! Si të çmendur dhe kur?! Para dy vitesh. U vranë mbi tremijë vetë, apo jo?! … Vramë njeri-tjetrin e përse? Kush fitoi sipas jush?! – dhe u hodhi një shikim shkrepëtimë inxhinierëve, që nuk ia kuptuan dot në kohë dertin e rëndë më të moçmit.

– Shqiptarët, jo! – psherëtiu. – Shqiptarët, jo dhe jo! – përsëriti dhe, ballërrudhur, tejet i mërzitur i vuri kokë muhabetit ashtu siç e ndiente, jo thjesht pleqërishte:

– Këto nëntë vite gjoja demokracie o vëllezër ne kemi rënë në dashuri me zararin, me të keqen tonë, me shkatërrimin… Nuk mjaftoi shkallmimi i urdhëruar i fabrikave e uzinave, që ne e dimë ç’hoqëm për t’i ngritur në dyzet e pesë vite, as shkretimi i bujqësisë e blegtorisë që arriti aty ku nuk ta merrte kurrë mendja, deri tek prerja e pemëve frutore nga ne duartharët e ja tani, ku po bëjmë sehir e kënaqemi me tharjen e shpirtit tonë, me shkelmimin e traditave tona aq të bukura e të bekuara …

Nuk pipëtinte asnjeri. Derti i xha Lazes ishte edhe i tyre, sigurisht, dhe shokët u ndienë si të kapur në faj…

– E ktheftë Zoti për mirë këtë katrahurën tonë, të padëgjuar asgjëkundi! – rënkoi urimin plaku moshëthyer i ngopur me helm dhe me merakun për pasardhësit e kësaj toke.

– Por dhe Zoti vetë nga ne pret t’i thërresim mendjes … – ofshau. – Nga ju o, nga ju! – ua degdisi më në fund buzagazin…

NË JETË KANTIERI ÇUDITË NUK JANË HIÇ ÇUDI!

Ishte kulmi i dimrit, teksa ‘98-a përtonte t’ia linte vendin ‘99-ës. Një acar i paparë në juglindje! Bora borë, jo shaka dhe tufanet nuk mbanin radhë. Lere temperaturat! I ftohti brisk dhe era, pasi të shfytyronte, ta priste kokën!

Në rrugën Pogradec-Korçë, në orët e para të mëngjesit, kush arrinte të kalonte në ngjitje gjithë merak e kujdes të jashtëzakonshëm Qafë Plloçën, e ndiente se nuk i kishin mbaruar kusuret e rrezikut, sapo përballej me makina të rrëshqitura në kanalin gjatësor anërruge sa më shumë po i afroheshin Korçës. Dhe gjithçka kishte ndodhur pavarësisht asfaltit të pastër, “xham”, sa të verbonte! Pamja e njëpasnjëshme e mjeteve të anuara, dalë nga rruga, apo me gomat e njërit krah përpjetë, ta hiqte vetiu këmbën nga gazi, me frikën se kishte diçka që nuk shkonte, por nuk të sqaronte me çfarë shpejtësie ishe i sigurt.

Inxhinieri e pat gjetur mirë gjuhën me benzin e vjetër “Sel-280”, veçse në kohë të mirë, pa borë e ngrica, dhe nuk e kishte ndjerë mungesën e shofer Gimit, që iu largua për shkaqe familjare. Kurse sot! Sot nuk kuptohej në i drejtonin shoferët makinat në rrugë, apo makinat, rënë në sevda me kanalin, i merrnin shoferët me vete… Ama, benzi i tyre nuk po jepte asnjë shenjë divorci me asfaltin, edhe pse rruga qe mjaft e dyshimtë. Pat qëlluar benz sojlli, që e ruante vetë kokën, mjaft i gjerë dhe me amortizim të shkëlqyer.

Pa mbërritur ende në Korçë, u kthye me terezi në një benzinatë të furnizohej me naftë. “Uaau”! thirri sa shkeli në asfalt. I rrëshqiti këmba! U mbajt te dera e hapur dhe me shumë terezi qëndroi jashtë deri sa të lexonte aparatin dhe të likuidohej me të zotin e benzinatës, që u vrenjt kur i pa targën TR.

– Ç’e paske marrë këtë rrugë sot, bre tinë?! – i tha ndërsa i kthente kusurin. – Të tepërt e ke kokën, o?! Po ku lëvizet sot, bre?! – dhe si u shkund nja dy herë shtoi: – Kjo kohë është gjeç më e keqe se nëpër borë, ce kur ka borë, ta heq veshnë ajo bardhësia e saj, bre, papo mund të përdorësh edhe zinxhirkat!… E me këtë të uruarë ngrice vetëm pas orës dhjetë mund të nisësh të bëhesh trim, dëgjon o?! Kynë është akull pa borë, o në p… të sëmës, që nuku dallonet hiç!

Aty kuptoi inxhinieri se sa vlerë patën këshillat që i jepte Vasili rrugës, por meritat më të mëdha doemos i takonin Zotit. “Ai” e pat ruajtur të mos rrëshqasë në atë rrugëtim të frikshëm. Asfalti i rrugës ishte mbuluar gjatë natës me një cipë akulli transparent, “xham”, e dielli që kishte dalë, si të ishte binjak më hënën, ia kalonte asaj vetëm për ndriçimin se për të ngrohur e kishte harruar zanatin…

– Si kaluat mbrëmë? – pyeti xha Lazia inxhinierin sa mbërritën tek qendra e kantierit në fshatin Zvezdë, rrëzë malit të Ivanit, ku punonin për rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugës Zemblak – Zvezdë, deri në buzë të liqenit të Prespës. E dinin se kishte qenë i ftuar për darkë tek familja e drejtorit të kantierit, Vasilit, që banonte në Pogradec.

– Ta bëjnë borxh me të pritur këta korçarët, xha Laze. – i doli në shteg mallakastriotit aty ku i dhembte më tepër. – Tani unë nuk i vë dot kutin kësaj pune. Deri mbrëmë e dija se ishte Mallakastra e para ajo që të turpëron me mikpritjen, por jo!

– Aah, e ndrite me këtë konkluzion. Na the llaf të madh! Mallakastra, or ti mik, nuk pranon ta krahasosh për mikpritjen, hëëë… me Korçën jo se jo, por me asnjë krahinë! Eeeh, çoç mund t’i afrohet labëria, po nuk e di se sa… E që t’i vëmë kapak këtij muhabeti të bukur që na i hape që pa gdhirë… jo që s’krahasohet, por ofendohet krahina jonë ta krahasosh me Korçën! Dëgjove? Dëgjova! … Pastaj ç’ne?! Ç’lidhje ka Vasua me Korçën, ai është nga Kolonja, të shoqen e ka nga Pogradeci, Zagorçani… Hane Shan hane Bagdat!

– Po çfarë gatimesh, mor Laze?! – vazhdonte avazin, ku e kishte lënë inxhinieri. – Dhe çudia më e madhe ishte mëngjesi. Sikur të mos mjaftonin gjithë gatimet e darkës, qe ngritur menatë e shoqja dhe gjetëm mbi tavolinë paçe koke viçi me të gjitha tertipet deri tek arrat…

– Aaaa?! – i gufoi habia xha Lazes. – Është nga der’ e madhe ajo, esh çup’ e filanit, shum’i dëgjuar… Uaaa! Dika të gatuanjë edhe paaçeee?! Ëëëh, më i lumtë!

– Ç’të të them, o xha Laze?! … Atë mendova mbrëmë, “Rron Vasili, jetojmë dhe ne”! A ta merr mendja ti?!

– Kur ta provonj! – ia preu shkurt xha Lazia oreksin e muhabetit shefit, që nuk i merrej vesh kandari nga i anonte, në ishte tepër apo mangët…

Në katin e dytë të një pallati të hershëm banimi në Korçë, firma e ndërtimit kishte marrë me qira një apartament për personelin, teksa akomodimi i gjithë punonjësve ishte bërë në Zvezdë, me regjim kthimi nëpër familje një herë në dy javë. Përveç kompletimit me krevate e tesha fjetjeje nëpër dhoma, aneksi i apartamentit u plotësua me çka duhej për gatim plus frigoriferin e madh, që plotësonte mjaftueshëm nevojat e gjithsecilit.

Biseda për mikpritjen dhe gatimet, që sapo bëri me shefin në kantier, i hapi horizont të ri xha Lazes, teknik furnitori, që shquhej për gjallërinë e spikatur, ndershmëri dhe për cilësi të veçanta të menaxhimit. Si mallakastriot i thekur ia thoshte për organizimin e drekave dhe darkave shoqërore sa më të shijshme, po aq edhe ekonomike, por aty për aty shfaqi edhe cilësinë e re që nuk i njihej krahinës së tij. Mëngjesi! Gatimi i mëngjesit për gjithë grupin e inxhinierëve.

Askush nuk e dinte se atë pasdite ai e përcolli drejtor Vasilin me një trastë të madhe. Do ta merrnin vesh të nesërmen pa gdhirë, kur dëgjuan borinë e benzit. Dolën vrap nga dhoma dhe u kthyen me një tenxhere të madhe plot me paçe, të gatuar posaçërisht nga e shoqja e drejtorit në Pogradec. Kapaku ishte “salduar”. Rrugës nuk ishte derdhur asnjë gjurmë…

Trasta e një dite më parë kishte brenda kokën e një viçi të porsatherur në Zvezdë, ku punonin… Sapo iu hap kapaku tenxheres, aroma e gatimit i bëri të harronin punën! Si të mos i mjaftonin brenda copkat e mishit të kokës, të gjuhës dhe trutë, nikoqirja nuk kishte harruar t’i shtonte edhe arrat! Mos e pyet! Madje as kavanozin me uthull dhe hudhra të grira! Paçe për mbretin, jo shaka!

E shijuan sa s’ka mëngjesin e parë. Ajo, sido që të ishte, do të shijonte si jo më mirë! Jo vetëm pse ishte e para dhe e fundit herë që një drejtor kantieri t’i çonte personelit, ende pa larë sytë, në dhomë, në fjetore, mëngjesin e gatshëm, por më e çuditshmja sepse ishte gatuar nga duart e të shoqes së drejtorit!

Hajde kantier ndërtimi, hajde! Drejtori i vënë familjarisht në shërbim të personelit! Dhe mos kujtoni se kjo ia ulte autoritetin! Absolutisht jo! Madje iu shtua së tepërmi. Po t’ia bëje borxh, tani drejtori, jo vetëm mund të të linte pa punë, por mund të të linte edhe pa paçe…!

Nuk po gjenin dot urimin e përshtatshëm për çka kishte gatuar gjithë merak e shoqja e drejtorit. E shikonin Vason si fatlum për bashkëshorten. Ore, nuk i gjendej shoqja edhe sikur ajo të mos të dinte të bënte asgjë tjetër veç paçes!

Si u frynë mirë e bukur atë mëngjes, pasi lanë e fshinë duar e buzë nga gjithë ajo yndyrë, hapën vend për tenxheren në fundin e frigoriferit të madh. Këtij frigoriferi, ç’është e vërteta, nuk i punonte rregullatori i gradimit të ftohjes, por, për fat të mirë, kishte mbetur i regjistruar në maksimum.

Ditën tjetër në mëngjes paçja ishte bërë aaakuuull! Jo vetëm një cipë akulli lart. Jooo! Akull komplet!! U bënë të gjitha provat me thika e me hanxhar që nga sipër për të copëtuar akull-paçen. Ishte e pamundur. Shpëtoi paq pa prerë duart xha Lazia! Po ngelte pa ngrënë racionin atë mëngjes! Shokët po qeshnin. Filluan romuzet. Një kokë viçi, një vakt paçe!… Ushqimit të mëngjesit mund t’i bëhej dermani ndryshe, nuk do mbeteshin pa ngrënë, por problemi ishte se u shkonte dëm gjithë ai gatim. Aroma e saj u kish mbetur në tru.

Faji ishte i tenxheres që vinte pak e mbyllur lart. Me sensin praktik, xha Lazia gjykoi se gatimi vlente më shumë se tenxherja. Pa e biseduar me asnjë, zbriti tek gjitonët e katit të parë që gjithë dimrin ngroheshin me dru dhe kërkoi borxh një sëpatë të mirë. Kush ia kursente xha Lazes?! Ai zinte miq ende pa shkelur, kudo që shkonin…  

E vuri tenxheren në mes të dhomës dhe i ra dy herë me sëpatë. Shqeu një copë tenxhere të shoqëruar nga një pykë akullpaçeje. E hodhi në tigan të shkrihej, largoi copën e prerë të tenxheres, që shpëtoi pa shkrirë, dhe ftoi shokët, kush kish mbetur në dhomë, të shijonin paçen.

Të lëpije thonjtë!

U hap një avaz i ri. Dy goditje me sëpatë çdo mëngjes e shkulnin pallatin, po sidomos gjitonin nën apartamentin e tyre, po fundi e tyrja qe sëpata! Hall i madh për ta vërtet, veçse i përkohshëm. Hall më i madh ishte si të mbahej 130 tenxherja për ta goditur me sëpatë. Ishte e pamundur! Si të ishte qenie e gjallë, sa shikonte sëpatën, lëvizte nga këmbët e xha Lazes dhe kur nuk e kapi mirë sëpata, u lëshua nëpër dhomë e përplasur në faqe muri.

– Po higjena? – do pyesni ju me të drejtë.

– Mos u bëni hiç merak! Një shplarje me ujë, para se të vendosej në tigan, i largonte çdo papastërti.

– A e pëlqeu xha Lazia paçen?! – e kish pyetur e shoqja Vasilin.

– Vaso, i thuaj sat shoqeje “I lumshin duart”, se xha Lazia atë paçe e hangri me gjithë tenxhere!