Albspirit

Media/News/Publishing

Luan Rama: Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë…

Gurët janë si zemrat e njerëzve

gurë të latuar shtëpish,

gurë të vrarë në qemerë përrallash,

koka varresh për t’u prehur

dhe shkallare dhimbjesh mbetur pezull në ajër

që s’dinë ku shkojnë,

gurë si pasqyra të syve që nuk janë më.

Janë gurë me aromë ulliri e qumështi

me gjurmët e duarve të tyre

që ende shkëlqejnë nën një hënë të argjendë,

mbi një portë diku një kurorë e gdhendur

dëshmi e një dasme dhe shtëpie të re

lyer me mjaltë në një blatim gëzimi,

diku, një shqiponjë e gdhendur

krahëthyer qëndron ende në këmbë

si shatorja e Samothrakës në erën që fryn,

në heshtjen që flet,

ku në mesnatë kënga përcjell krahë xixëllonjash.

Ç’bëjnë vallë xixëllonjat këtë natë të errët

në dritaret e shqyera dhe odat bosh?

– Enden pa zhurmë, – thonë gurët

joshur s’dihet nga ç’zëra hyjnish,

dhomat e xhveshura pëshpërisin emra fëmijësh

ku ninullat prej vitesh nuk dëgjohen më,

xixëllonja që shkojnë në truma,

enden pa zhurmë

mbi mandile nusesh lehonë që presin në vetmi,

në korridor këpucë të vjetra kërkojnë të ecin

të shkojnë ndoshta në krua

në rrugën e korbave,

në kryqëzimin e gjëmës

ku të vdekurit njomin buzët për të mbajtur frymën e fundit.

Në agun e mëngjesit

këta gurë e pragje feksin si Kodikë Purpuri

në palimpsestin e kohës dhe historisë

në flamujt e arvanitasve të Revolucionit Grek

në flamujt e çamëve që shpejt u harruan

por flamujt e tyre s’mund të harrohen.

Njëri pas tjetrit evlatët zgjohen

me karafilë ndër duar shkojnë rrugëve të blerta të Çamërisë

që Greqia të shoh fytyrat e tyre të vrara

fytyrën e bukur të pafajsisë,

që Greqia të dëgjojë këngën e shtëpive gërmadha,

vajin e pafund të gurëve,

rënkimin e themeleve dhe portave

zërin e shuar të të varurve.

Janis Ricos do zgjohet nga gjumi i gjatë,

të kuqen e karafilëve të shohë

e me grusht të godasë gjoksin e tij

për revoltën dhe fjalën që nuk e tha

për miqësinë e tradhëtuar,

poemën që nuk shkroi për gjakun e derdhur

dhe errësirën vrasëse që ra mbi tokën e tij.

Pas tij të tjerë do të zgjohen nga varret,

pinjollë të Elitis, Kavafis, Sikelianos, Livadhitis,

poetë të fjalës së praruar të Lirisë,

karafilët e Greqisë dhe të Çamërisë kanë të njëjtën ngjyrë

gjaku ka të njëjtin velur dhe kur rrjedh nën tokë

atje ku vajet antike ngrihen në korr,

ku « Njeriu me karafil » këndon këngën e fundit të tij,

deti Jon përqafuar është me Egjeun

bashkë, në të njëjtën tokë dhe qiell pa kufij,

Janis Ricos nesër në ag

do të zgjohet nga gjumi i gjatë…