Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: LUFTA PËR VLORËN, LUFTË PËR SHQIPËRINË

Rreth librit “Lufta për Vlorën-1920” të studiuesit të mirënjohur ushtarak kolonel ® Zeno Jahaj, një publikim shumëdimensional që synon të vendosë një raport organik midis gjeopolitikës-diplomacisë-strategjisë-politikës dhe artit ushtarak ndaj Luftës për Vlorën, që ishte në fakt ishte luftë e mbarë shqiptarisë për Pavarësinë e dytë të Shqipërisë më 1920-ën…

Kanë kaluar 106 vite nga zhvillimi i një prej ngjarjeve më epike të historisë sonë kombëtare – Lufta për Vlorën. Në truallin vlonjat dhe më gjerë, kjo luftë shënoi jo vetëm një përballje të armatosur, por një moment vendimtar në fatin politik dhe shtetformues të Shqipërisë. Për këtë ngjarje janë organizuar botime, konferenca dhe studime me këndvështrime të ndryshme. Kanë shkruar figura të njohura si Ago Agaj, Muin Çami, Eqrem bej Vlora, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Arben Puto, Pëllumb Xhufi, Bardhosh Gaçe, Shyqyri Hysi, Bernard Zotaj, Shahin Leka, Refik Kucaj, Proletar Hasani e dhjetëra të tjerë. Po ashtu, studiues të huaj, si Indro Montanelli, si dhe historianë italianë të historisë ushtarake e koloniale, e kanë trajtuar Luftën e Vlorës në kuadër të politikës italiane në Ballkan në fillim të shekullit XX.

Megjithatë, analiza e plotë dhe thellësia e gjykimit për aktorët dhe faktorët që ndikuan në këtë luftë nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin e plotësisë së nevojshme. Historia kërkon qëmtim të thellë, depërtim në rrethanat e kohës dhe në kompleksitetin e zhvillimeve gjeopolitike të një shekulli më parë. Përndryshe, libri mbetet një stoli bibliotekash, ndërkohë që kultura e leximit duhet ringritur në nivelet që brezat e mëparshëm i kujtojnë me nostalgji si “kohën kur lexohej”. Libri i kolonel Zeno Jahaj përfaqëson një qasje shumëdimensionale. Autori synon të vendosë një raport organik midis gjeopolitikës, diplomacisë, strategjisë, politikës dhe artit ushtarak, duke e parë Luftën për Vlorën jo thjesht si një përballje lokale, por si një akt me rëndësi kombëtare. Ai argumenton se kjo ishte, në thelb, luftë e mbarë shqiptarisë për Pavarësinë e dytë të Shqipërisë në vitin 1920.

Një nga meritat e veçanta të autorit është shmangia nga reduktimi provincial i ngjarjes. Termi “Lufta e Vlorës” shpesh e kufizon perceptimin në një hapësirë gjeografike, ndërsa “Lufta për Vlorën” nënkupton objektivin politik, strategjik dhe kombëtar të saj. Kjo luftë ishte për politikën e re shqiptare, për afirmimin e gjeopolitikës kombëtare, për diplomacinë dhe për artin operativ e strategjik që synonte përdorimin e aktorëve dhe faktorëve në interes të fitores dhe të konsolidimit të shtetit shqiptar. Në këtë kuadër, dy ngjarje madhore të vitit 1920, Kongresi i Lushnjës dhe Lufta për Vlorën u bënë shtylla të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar. Ato përfaqësojnë ndërthurjen e vullnetit politik me veprimin ushtarak, në një kohë kur prania italiane në ultësirën bregdetare shqiptare ishte bërë fakt i konsoliduar që prej vitit 1914. Libri hapet me një vështrim të argumentuar të Agron Berdajt, i cili thekson me objektivitet rëndësinë e përdorimit të saktë të termave dhe dimensionin historik të ngjarjes. Në këtë mënyrë, studimi vendoset në një plan më të gjerë analizash, të mbështetura në dokumente dhe në interpretim të thelluar të fakteve.

Fusha e studimit të artit ushtarak, siç dëshmon kjo vepër, mbetet një “shtëpi” ku shkolla ushtarake shqiptare gjen identitetin e saj. Arti taktik, operativ dhe strategjik nuk duhet vetëm të kujtohet, por të trashëgohet si mësim historik dhe si kulturë institucionale. Mendimi ushtarak dhe ai gjeopolitik ndërthuren në analizë, duke sjellë koncepte që shpesh kanë munguar në debatin akademik, por që janë thelbësore për kuptimin e plotë të ngjarjeve. Në këtë kontekst, pushteti i dijes u jep autorëve legjitimitetin për të analizuar dinamikat gjeopolitike, rolin e Fuqive të Mëdha, të mbretërve, princave, gjeneralëve, komandantëve, diplomatëve, vendimmarrësve të kohës, të dalë nga fushëbetejat apo nga kancelaritë evropiane. Libri i Zeno Jahajt nuk është thjesht një rikthim në një ngjarje historike, por një përpjekje për ta rilexuar atë në dritën e ndërthurjes së politikës, diplomacisë dhe strategjisë ushtarake, duke e vendosur Luftën për Vlorën në vendin që meriton: si një moment kyç në konsolidimin e shtetit shqiptar dhe në afirmimin e sovranitetit kombëtar. Autori i referohet me shifra e fakte ngjarjeve të mëdha në Evropë e Amerikë për të konkluduar me ngjarjet e fillimshekullit të kaluar, për të ardhur te Italia me referenca akademike, enciklopedike dhe universitare. Më tej trajton fqinjët që ëndërronin kthimin e triumfit të Romës, por që, në kushtet e reja, ishte një dështim i plotë politik, ekonomik e financiar, natyrshëm edhe në planin ushtarak. Autori është i vëmendshëm të hedhë dritë edhe mbi aleancat që fqinji ynë ndërroi “në mes të lojës”.

Vështrimi për Shqipërinë e lloj-lloj axhendave gjeopolitike, strategjike e idealiste, për Shqipërinë e skajeve dhe të morsës së perandorive e të qytetërimeve, nuk i shpëton syrit vigjilent të studiuesit, ndërkohë që bazohet rreptësisht në analiza gjeopolitike, strategjike, ekonomiko-financiare, në të dhëna të nxjerra nga arkivat dhe në libra autorësh autoritarë vendas e të huaj. Kjo ia shton kureshtjen dhe “urinë” lexuesit për të njohur vorbullën e gjeopolitikave të Fuqive të Mëdha, interesat dhe prapaskenat e tyre.

Në libër nuk mund të mungonte “diplomacia” si arti dhe praktika e menaxhimit të marrëdhënieve ndërmjet shteteve, negociatave, dialogut dhe përfaqësimit. Arena e Parisit kapërceu dukshëm Vestfalinë (24.10.1648) dhe Koncertin e Vjenës (1815), pasi Këshilli i Pesëshes e më tej “Këshilli i Dhjetëshes” përfundoi në një katërshe solide të drejtuar nga Clemenceau, Wilson, Lloyd George dhe Orlando. Ishin katër këndvështrime diplomatike, që autori i quan, ashtu siç janë në të vërtetë diplomatët, hakmarrës, votaxhinj dhe ëndërrimtarë, ndërkohë që “dinamikat strategjike” në truallin shqiptar ishin krejt të ndryshme nga ato evropiane. Shqiptarët, edhe pse “lufta pushoi me armëpushimin në Compiègne pranë Parisit më 11.11.1918 dhe me nënshkrimin e Traktatit të Versajës më 28.6.1919”, në vendin tonë, në veri dhe jug, përballja me të keqen vijonte. Janë këto rrethana që autori Zeno Jahaj sjell “pozitën gjeostrategjike të Vlorës”: ngushticën, gjiret, distancat, majat, malet, detet, leverdinë; Sazanin, këtë “ishull të shpresës”, dhe, në fund të fundit, faktin se italianëve “nuk u ikej nga Vlora” si pikëmbështetje e politikës së tyre.

Fakt është se, kur politika nuk çan shtigje për rrugëzgjidhje, armët bëhen zgjidhja; prandaj edhe vetë lufta është vijim i politikës me mjete të tjera, siç thoshte Karl von Klauzeviçi. Nuk ishte zgjedhje, ose më mirë nuk kishte rrugëdalje në Shqipëri edhe pas Lushnjës, në kërthizë të vendit. Nuk kishte zgjidhje, edhe pse vetë kryeministri Sulejman Delvina duhej të shkonte “fshehurazi” në disa zona të Fierit dhe Vlorës për mbështetjen e luftëtarëve nga një dorë e padukshme e ushtarakëve të qeverisë së Tiranës.

Sipas burimeve historike, Sulejman Delvina, në cilësinë e kryeministrit të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjës, ka mbështetur dhe zhvilluar takime për organizimin politik dhe ushtarak të kryengritjes kundër pushtimit italian në vitin 1920, ku diskutohej mobilizimi i krahinave të Myzeqesë dhe Mallakastrës dhe koordinimi me Vlorën, në bashkëpunim me drejtuesit ushtarakë lokalë. Megjithëse veprimtaria e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” përgatiti Luftën për Vlorën me personalitete të spikatura dhe të shkolluara akademikisht për drejtimin luftarak, Sulejman Delvina, si kryeministër, dha mbështetjen politike dhe institucionale nga Tirana.

Këtu krijimtaria poetike e folklorike, që krahason çobanët me gjeneralët, është, besoj, vetëm një emocion poetik, pasi në të vërtetë ata që drejtuan luftën ishin të gjithë me shkolla të larta ushtarake dhe me kulturë orientale dhe oksidentale. Në planin e përballjes luftarake, lufta u zhvillua e menduar dhe e peshuar mirë, kur u poqën kushtet, dhe luftërat e kanë me pakicë fisnikërinë e burrërinë, pasi këto janë episode sporadike të “dueleve fisnike”. Lufta ka me dhjetëra përkufizime, teori e aksioma, por në fakt dhe në thelb është “art i shkatërrimit” dhe është e shkallëzuar në nivele; ka në thelb pabesinë, dredhinë, mashtrimin, për të cilat përgatiten plane të detajuara që mësohen në të gjitha akademitë ushtarake të globit. Teoritë dhe praktikat mbi “Artin e luftës” dhe “Artin ushtarak” të trajtuara në libër lënë pak vend për t’i “shtrydhur” edhe studiues të tjerë.

Për rastin e Vlorës, fisnikëria shqiptare qëndron në faktin se lufta nisi me ultimatum, duke deklaruar edhe datën e sulmit, që në botë janë të rralla qëndrime të tilla, duke eliminuar befasinë. Rrallë drejtues lufte në botë e njoftonin armikun se kur do të niste sulmi, një qëndrim burrëror dhe i vendosur. Në Vlorë dhe për Vlorën ishte e gjithë shqiptaria, edhe At Shtjefën Gjeçovi-Kryeziu (Janjeva), diaspora dhe banda “Vatra” nga SHBA, banda muzikore “Afërdita” e Elbasanit. Në planin akademik ushtarak, “arti ushtarak është tërësia e parimeve dhe metodave për organizimin, përgatitjen dhe përdorimin e forcave të armatosura në luftë për të arritur fitoren”, por në Luftën për Vlorën kemi një gërshetim mjeshtëror të traditës luftarake, të moralit popullor, të përgatitjes serioze dhe bindjes në fitore, përfshi vendosjen në drejtim të akademikëve ushtarakë që kishin studiuar në akademitë më prestigjioze të botës; këtu padyshim bën pjesë grupi i oficerëve që erdhën nga Tirana. Mbi të gjitha, përtej koncepteve e parimeve të luftës, qëndron një dëshirë shekullore që trualli arbëror të jetonte lirinë në trojet e veta, në amanetin e të parëve. Fakt është se nuk luftohej vetëm në Kotë, Kaninë, Tepelenë, Matohasan, Llogora e Gjorm; luftohej në të gjithë Shqipërinë. Këtë e vërteton pjesëmarrja masive e 89 çetave të luftëtarëve që shkruan me gjak historinë e kësaj përballjeje me rëndësi vendimtare për fatet e kombit.

Masiviteti, faktorët moralë, befasia në sulme, taktikat e shkathta, veprimet energjike dhe shfrytëzimi i gjithë potencialit popullor bënë që lufta t’i vendoste “piketat” e fitores që në fillim, duke e shkurajuar tërësisht armikun dhe duke i lënë vetëm një shteg (sikurse thotë Sun Xu) kundërshtarit: “detin” për tërheqje. Pas luftimeve të përgjakshme kishte ardhur sahati që të binte edhe “karta” e ishullit të Sazanit, por fundi i luftës së përgjakshme ka edhe diplomaci. Më 2.8.1920, përballë interesave të shurdh-memecëve të Fuqive të Mëdha, Italia realizoi interesin e saj strategjik në zotërimin e Otrantos, që, sikurse referon autori, “…italianët do të lëshonin shumë, por nuk ua japim të gjitha”. Për raste të ngjashme është mirë të mësojmë edhe ne shqiptarët nga kolosë të diplomacisë, si për shembull Henry Kissinger dhe shumë të tjerë, nuhatës e parashikues diplomatikë.

Kushdo që do të lexojë “Lufta për Vlorën – 1920” nuk ka si të mos përbashkohet në mendim me autorin për këtë luftë të armatosur midis forcave shqiptare dhe trupave italiane; për mbështetjen që Italia kishte marrë në marrëveshje të fshehta si “Traktati i Londrës”, që synonte të siguronte kontroll strategjik mbi Vlorën për arsye ushtarake e gjeopolitike, si pikë kyçe në Adriatik; për pakënaqësinë popullore shqiptare dhe për krerët vendorë e përfaqësuesit nga krahina të ndryshme, të cilët organizuan qëndresë të armatosur energjike; si dhe për një nga momentet më të rëndësishme të konsolidimit të shtetit shqiptar pas shpalljes së pavarësisë, si një “pavarësi e dytë” shqiptare në kuadrin e riformatimit politik të Ballkanit. “Lufta për Vlorën – 1920” e Zeno Jahajt është dukshëm një analizë shkencore që u shërben studentëve ushtarakë të AFA-së dhe lexuesit të gjerë. Vlerësimet dhe përfundimet janë përtej miteve dhe folklorizmave, me një këndvështrim të ri, duke sjellë edhe përkufizime të luftës, konfliktit, luftëtarëve, strukturave, zinxhirit komandues, llojeve të forcave, kohës dhe limiteve të konflikteve, luftës me shpallje, njohjes dhe përdorimit të aspekteve ligjore të luftës, si dhe të akteve si dorëzimi, kapitullimi, armëpushimi dhe marrëveshja e paqes.

Të gjitha këto vijnë në këtë studim, sikurse thotë Klauzeviçi: “Lufta nuk është një veprim i vetëm, por një seri reagimesh dhe kundërreagimesh.” Me interes paraqiten “humbja italiane dhe fitorja shqiptare”, “fuqia dhe forca”, “armëpushimi, dorëzimi, kapitullimi”, si dhe momenti kur lufta “erdhi” në Tiranë, në tavolinat e blerta të diplomacisë.

Në fund të fundit, përcaktimi se “Kush zotëron Vlorën, hyn në syrin e Fuqive të Mëdha” e njeh lexuesin me dimensionin gjeopolitik e gjeostrategjik të çështjes, një maksimë proverbiale që në fakt është e vërtetë: Shqipëria, për pozicionin e saj gjeostrategjik, do të mbetet nën vëzhgimin e Fuqive të Mëdha; por shqiptarët, edhe në të ardhmen, duhet të mos e harrojnë historinë, të mësojnë prej saj dhe të respektojnë vetveten me sjellje të mençur në një botë të trazuar, ndonjëherë edhe paradoksalisht demokratike.

Kur flasim për libra që trajtojnë tematika të rëndësishme gjeopolitike, gjeostrategjike dhe sidomos të artit e zbulimit ushtarak, kolonel Zeno Jahaj mbetet profesionalisti ushtarak që na sjell studime me vlerë, analitike për luftërat e shqiptarëve, si dhe trajtime rigoroze të aspekteve teorike e praktike të lidhura ngushtë me mjedisin rajonal dhe më gjerë.

Libri i tij më i ri, “Lufta për Vlorën”, besoj se ka përmbushur pritshmëritë jo vetëm të lexuesit ushtarak, por edhe më gjerë, për mendimin e hapur, seriozitetin e trajtimit të fateve të shqiptarëve në vitet ’20, për rigorozitetin shkencor që del nga dora dhe mendja e një profesionisti e diplomati ushtarak, akademik, teoricien dhe prakticien.

Si në të gjitha akademitë ushtarake botërore, edhe në “Shkollën e Naltë Ushtarake” e deri te AFA-ja studiohet lufta si e lidhur ngushtë me objektivat kombëtare dhe vendimmarrjen politike. Prandaj autori u referohet mendimtarëve ushtarakë si Karl von Klauzeviçi, Moltke, Zhomini, Sun Xu, ku përcaktohet lidhshmëria “politikë–luftë”, si dhe mjaft elemente të diplomacisë, ushtrisë, taktikave, planeve operative e atyre strategjike. Përmes pesë pyetjeve themelore: “kush”, “kur”, “ku”, “pse”, “çfarë”. arrihet në vendimmarrje.

Edhe sot, pas më shumë se 150 vjetësh veprimtarie shtabesh, vepron parimi i famshëm i “5W” edhe në NATO (who, what, when, where, why), që mbeten pyetje principiale operative. Natyrshëm, këto janë çështje “teknike”, në fakt profesionale, që flasin për armikun, forcat tona, komandën, mbështetjen, zbulimin, misionin, objektivin, kapacitetet, rreziqet, momentin e veprimit, kohën në dispozicion, vendvendosjen (terrenin), arsyen e operacionit etj. Janë këto pyetje që përdoren në analiza operacionale, planifikim strategjik dhe inteligjencë ushtarake, bazuar në doktrinën e NATO-s, ku planifikimi operacional nis me qartësimin e misionit dhe qëllimit strategjik, përpara se të përcaktohen mjetet dhe mënyra konkrete e veprimit, duke marrë parasysh edhe teknologjinë më të fundit të armatimeve e municioneve të sofistikuara që ushtritë kanë sot në dispozicion për veprim në tokë, në det dhe në ajër. Autori Jahaj sjell në vëmendje se lufta kërkon fuqi ekonomike dhe buxhetore, pasi edhe politika, diplomacia dhe ushtria këtu e gjejnë fuqinë e tyre. Strategjia ushtarake nuk vihet në lëvizje pa kapacitete logjistike, zbulim, armatim, pa një “makineri lufte” solide financiare. Historiani britanik Michael Howard i analizon ngjarjet historike në gjerësi, thellësi dhe kontekst, duke parë të dy anët e përballjes. Kështu, profesionalizmi kërkon objektivitet në analizën e të gjitha dinamikave politike, diplomatike, ushtarake e strategjike. Në libër gjenden mjaft çështje kardinale të mendimit gjeopolitik, diplomatik, strategjik, politik, operativ e taktik, të cilat, kohë pas kohe, mund dhe duhet të bëhen objekt diskutimi e analizash serioze.

Në këto mendime nuk mund të mos shkruajmë disa radhë për kolonel Zeno Jahaj, i lindur më 5.2.1952 në Mesaplik (Vlorë), në një mjedis familjar patriotik dhe arsimdashës. Që në moshën 14-vjeçare, për katër vite ndoqi studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” (1966–1970), ndërsa në vitet 1970–1973 përfundoi studimet në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Më tej ndoqi kursin e specializimit për zbulim ushtarak.

Në vitet 1987–1988 kreu me sukses Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm dhe, pas dhjetë vitesh, më 1998 kreu Kursin e Lartë në Kolegjin e NATO-s në Romë. Në vitet 2011–2013 përfundoi studimet në nivel të shkëlqyer në Master për Sigurinë Kombëtare në Akademinë e Mbrojtjes. Karriera e kolonel Jahajt është sinjifikative, pasi ka kryer funksione komanduese, ka punuar në sektorët e mësimdhënies ushtarake, drejtues në Shtabin e Përgjithshëm, atashe ushtarak dhe këshilltar diplomatik në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Greqi, si dhe këshilltar ushtarak i Ministrit të Mbrojtjes.

Gjatë shërbimit të tij në FARSH, ai është vlerësuar me gradën ushtarake “Kolonel”, si dhe me dekorata, urdhra, medalje e tituj nderi për kontributin në Forcat e Armatosura dhe në mendimin ushtarak shqiptar. Veprimtaria e tij botuese lidhet me një sërë librash, si: “Gjeopolitika dhe Fuqia Ushtarake e Shqipërisë në Luftën e Ftohtë” (Botimet Dritëro, 2021); “Përtej Shtrembërimeve… Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar” (me bashkëautor) (Botimet Enja, 2021); “Fabrikimi i një lufte civile në Shqipëri mision i dështuar” (me bashkëautor) (2024); “Lufta për Vlorën 1920” (Botimet “Kumi”, 2025). Ka shkruar opinione, analiza, shkrime problematike, vëzhgime e mendime me brendi dhe thellësi për çështje krahinore e kombëtare, sikurse është edhe analiza “Pyetje dhe kërkesë për përgjigje publike nga tri ministri”, publikuar në gazetën “Labëria” në mars 2026, e cila sapo është draftuar. Gjithashtu kanë lënë gjurmë te lexuesi opinione dhe analiza në median e shkruar, si: “Për zhvillimet diplomatike e ushtarake dhe pritshmëritë e luftës në Ukrainë”, “Për zhvillimet diplomatike, ushtarake e të sigurisë në rajon dhe në Kosovë”, “Për gjeopolitikën dhe zhvillimin e mendimit ushtarak” (në revista ushtarake), “Për mbrojtjen e identitetit kombëtar të polifonisë shqiptare nga afishimet antishqiptare, antishkencore dhe antihistorike”, si dhe leksione periodike në kolegjet e sigurisë dhe mbrojtjes për gjeopolitikën dhe zhvillimin e mendimit ushtarak shqiptar dhe atij botëror.

-&-