Ruzhdi Gole: AFROHEMI… DUKE IKUR
1.
Tek sytë e çdo zogu
jeton një peisazh,
sytë e zogjve
flejnë
peisazhe
pa natë.
2.
Po ngjis kodrën…
shi bie, nuk m’i lag kryet
shiu përkrah ngjitem me mua
qeshim pa u lagur tej syve të botës…
Shiu përqafet me mua…
sëbashku
u ngjitëm kodrës
shiu me gjelbërimin në duar e sy
unë me zogjtë në sy e në duar.
3.
Në mëngjes herët
shpërndaj postën
e urimeve,
postën pa lamtumirë
të ditës së re.
Gjithë nata
vrullime
në kokën time
fluturoj
edhe shtrirë.
Mesnatave
hera herës
çohem,
ç’të bëj… do çohem
kryej ndonjë shërbesë.
Në mëngjes
nxitoj
të shpërndaj postën fluturake
shtyp tastierën e qelqtë
por shoh që s’jam i pari
se më ka ardh’
më shpejt
me postë tjetër
një “mirëmëngjes
i freskët,
ngazëllues
nga dikush pa vrullime
po jo pa fluturime.
4.
Një herë ua ndërroj veshjet,
jo vetëm njëherë,
nuk varet
nga stina që ikën
varet nga çasti që çel…
Herë tjetër, përkrah tyre hutohem
më shohin, s’i shoh, më duket
sikur dëgjoj sirena porti
që këputen në çast,
s’di ç’vela
të ul, të ngre
nga kjo mëdyshje
kjo përhumbje
e frikshme
buzagaz…
5.
Rrugë bregu me luspa pluhuri
hapat drithmojnë lehtë,
rrufetë shkundin
veriget e fundit
të reve
shkunden dhe vet.
Jeta përqark plot gjemba iriqi…
e mbartim gjithkund
zë, premtim,
rrugëbregu
me bisht të syrit
sheh shpatullat e sfinksit
sfinksi shtrihet
mbi qytetin thëllim.
6.
Shiu nisur qysh mbrëmë
as sot s’ka ndërmend
këmbëve t’u verë fre,
shkoi një gjysmëhënë
agu rrënjëqullur
gjithandej
begatohet
a ndihet
i ve?
Shira pafund squllin florën,
të plogët qiejt
zbardh’llojnë
ngadaltë…
I shkurtër Shkurti… sa i gjatë…
7.
Çdo ditë, dikush m’i çon
përpara akrepat,
pyes bletën:
unë jo… – më gjegjet bleta,
unë mjaltin më të mirë të verës
e sjell tek ty, shpërndaj tek të tjerët.
Atëhere, çudie, pyes shiun…
ai shkund supet s’bën zë
është i pafajshëm?
ndoshta s’e kupton
habinë e njeriut.
Jo, jo! – shiu gjegjet menjëherë
unë rrebeshëm jetoj më shumë
por bastunët e moshuar
përpiqem të mos i qull.
Ditën takoj në të njëjtën orë,
në diell, ernash dhe cikmë
në kodër ngjitemi bashkë,
asnjë cent nuk paguajmë
për fluturimin tonë ajror
Librin e Gjelbërimit
lexojmë kudo
përqark…
o, Zot, atëhere
kush m’i çon para
kaq shpejt akrepat?
Ai orën time sheh
në qiellin e tij e të botës
takohemi tjetër herë –
më thotë vdekja.
8.
Mbi kryet e mia
po fluturon një shpend,
duket i vogël, më i vogël
nën madhështorin qiell…
Përhera mbi kryet e mia
fluturon një shpend…
9.
Po ikën, po ikën, frymon çastin e fundit
t’fundit çast don ende pak shpresë
tek të lumturit nuk hyn
as tek të shkundurit,
qëndistar s’është
as zjarrmëtar
rrufesh.
Buzëmbrëmjes
gjithçka
duket
se mpihet,
shëmbet
çast i mbramë vetiu,
në t’fundmin çast
tjetër hënëze
e ftohtë vëmendja
ndaj njeriut…
10.
Më dhimbset uji,
kuturu rrjedh
s’e mbajnë këmbët
po i këputen duart,
sy ëndërrt
ëndërr pa të këqiat
në gjuhë xix’llojnë ujërat.
Më vjen keq
ujërat ngjethen
një rreze u dridhet gisht,
stepen ujërat, mërziten me veten
s’mërziten me veten por me
ata që i çojnë theqafje në hiç.
Më dhimbsen ujërat
brenda trupit…