Albspirit

Media/News/Publishing

Belul Korkuti & Avdulla Kënaçi: GOLEMAS, APO I GOLËM

-Sprovë modeste në dobi të bashkëfsharëve tanë-

Ka disa emra të përveçëm fshatrash në Shqipëri që thirren me emrin Golem, më i madhi ndër këta është Golëmi i krahinës së Kurveleshit, i cili sot bën pjesë në njësinë administrative të Gjirokastrës. Është i vetmi fshat emri i të cilit shqiptohet ndryshe nga të tjerët, quhet Golëm dhe jo Golem. Përse ndodh ky ndryshim fonetik? Fjala Golëm shfaqet për herë të parë në Bibël, në Psallmin 139, i cili përdor fjalën Golmi, Golëmi im, që do të thotë “forma ime e lehtë, lënda e parë për të nënkuptuar qenien njerzore të papërfunduar para Zotit”. Po përse në trojet shqiptare përdoret nga krahinat e tjera forma Golem e cila në gjuhët sllave ka kuptimin i madh? Sepse ky emër është romanizuar prej kohësh nga që zanorja “ë” përdoret më pak në Veri se sa në Jug.
Me sa duket krahina e Kurveleshit ka qenë më konservatore dhe e ka ruajtur me fanatizëm emrin e lashtë, Golëm, duke e trashëguar brez pas brezi, deri në ditët e sotme. Ndoshta kanë influencuar edhe blegtorët hebrej që jetonin në Galisht, në kullotat fqinje të Fterrës, sinoritë me blegtorët e Golëmit. Mbiemrat hebrej Avreçi dhe Kofina janë edhe sot në fshatin Fterrë. Gazetarët izraelitë për këto familje kanë realizuar një film dokumentar para dy dekadash, të cilin e ka transmetuar televizioni publik RTSH. Besohet se hebrejtë e Fterrës duhet të kenë ardhur nga Spanja dhe zbritën në Vlorë, pastaj u shtynë në Fterrë, të dëbuar prej andej në fund të shekullit të 15-të, më saktë; ashpërsimi i lëvizjes antisemiste dhe animyslimane në Spanjë arriti kulmin me shpalljen e dekreteve mbretërore të çiftit mbretëror spanjoll Ferdinand dhe Isabela, më 31 mars të vitit 1492 për dëbimin me dhunë ose konvertimin zyrtar të hebrenjve nga Spanja dhe Sicilia. Emri Golëm, gjatë shekujve është përdorur për të nënkuptuar luftën, komunitetin, izolimin, shpresën dhe dëshpërimin. Historitë për Golëmin datojnë që nga Judaizmi. Adami fillimisht krijohet si një Golëm prej pluhurit që derdhet në një lëvore, ndërsa Golëmtë krijohen nga balta ose argjila, por një Golëm nuk është njerëzor, por ka forcë të jashtëzakonshme fizike. Ai lëviz, punon, bindet ndaj të zotit, por nuk flet, është memec. Golëmi ka në gojë ose në ballë një alef (citat), një copë letër të shkruar e të kënduar. Nëse ia heq atë letër, ai kthehet në pluhur.
Në hebraishten moderne Golëm përdoret në kuptimin budalla, i pafuqishëm, ose i lehtë, pupël. Në mënyrë të ngjashme përdoret sot si metaforë për një budalla ose për një entitet (krijesë) që i shërben dikujt tjetër në kushte të kontrolluara, por që është armiqësor në rrethana të tjera. Golëm kaloi në jidish si Goylem që do të thotë dikush që është gati në gjendje letargjike, ose i mpirë.
Golëmi i Kurveleshit nuk gjendet në regjistrimin e parë turk. Thuhet se ai ishte i vendosur në perëndim të fshatit të sotëm dhe quhej Krap. Aty janë edhe sot gërmadhat e një vendbanimi të hershëm. Gjeografikisht Krapa ndodhet më afër Fterrës dhe Kuçit. Besohet se banorët kanë zbritur në fshatin e sotëm aty nga shekulli 16-17-të. Në dobi të kësaj flet edhe fakti që Valet, megjithse larg fshatit të sotëm, kanë qenë pronë e përhershme e Golëmit deri në krijimin e kooperativës. Për ruajtjen e pronësisë është zhvilluar fshaçe edhe ndeshje e armatosur me zhulatasit. Sipas mendimit tonë, Golëmi ka qenë aty ku është sot, ndërsa popullsia e tij banonte në pjerrësinë e kodrave ne veri-perëndim të fshatit të sotëm, duke ruajtur kullotat dhe tokën bujqësore. Më vonë, me shtimin e popullsisë, zbriti në fushë. Kjo vërtetohet edhe nga varri i Gjergjit, i cili ndodhet midis buzës së Belle dhe Mustafare. Për këtë varr nuk ka dokumente historike, por edhe nuk janë bërë studime serioze. Ky varr, i cili sot është zhdukur nga fenomene natyrore dhe nuk dimë për cilin Gjergj bëhet fjalë. Ne na pëlqen që të jetë varri i Gjergj Arianitit duke u nisur se që nga kohët e hershme e gjer më sot, në Golëm është edhe një fis që mban mbiemrin Komemi. Mos ndoshta ky mbiemër rrjedh nga Komneni?! Mendojmë se ky ndryshim fonetik ka ndodhur sipas ligjeve të gjuhësisë. Si e gjithë krahina, edhe fshati Golëm banohej nga popullsia e besimit të krishterë katolik, për këtë dëshmojnë një pjesë e mirë e mbiemrave të fiseve e familjeve, emri Gjergj dhe toponimia e kullotave, arave, kodrave, pyjeve dhe përrenjve.
Sipas historianit Pëllumb Xhufi, pas pushtimit Osman, nga Kurveleshi, drejt Italisë janë shpërgulur rreth 13 fshatra. Një pjesë e tyre kanë ndjekur rrugën Qafë Skërficë – Lukovë – Sasaj ku ka pasur një liman të vogël. Nga raportet e priftërinjve basilikë mësojmë se popullsia e krishterë e këtyre fshatrave grumbullohej me forcë nëpër kishat e tyre dhe ata rriheshin mizorisht nga osmanët për t’i detyruar të ktheheshin me dhunë në fenë e re myslimane të pushtuesit. Një gjë e tillë duhet të ketë ndodhur edhe me popullsinë e vjetër të Golëmit. Dëshmi e besimit të krishterë janë edhe tregimet e të moshuarve që flasin për kishën e Shën Marisë, rrëzë Vreshtave dhe dëllënjën e madhe të shenjtë përpara saj, kur deri vonë, gjatë Luftës së dytë Botërore, kush sëmurej, duhet të rrotullohej tri herë rreth këtij trungu të shenjtë që të shpëtonte nga sëmundja ose vdekja, rite këto të trashëguara edhe nga besimi i hershëm pagan. Pleqtë e moçëm të shekullit të kaluar tregonin për grindje dhe ndeshje me fqinjët progonatas gjatë mbjelljeve për tokat e Rrëzës së Serës, të cilat popullsia e ardhur nga Krapa i mori me luftë. Ata e shtynë kufirin me fqinjët gjer në Gurin e Çpuar, aty ku kishte qenë më parë e që është edhe sot.
Në historitë e hebrejve të shekullit të 12-13-të gjenden shkrime se si formohet një Golëm. Besohej se golëmtë mund të aktivizoheshin nga një përvojë ekstatike (jashtë shqisave) e shkaktuar nga përdorimi ritual i shkronjave të ndryshme të alfabetit hebraik duke formuar një shem (citat) në një copë letër që i futej në gojë ose i vendosej në ballë Golëmit. Kështu njeriu memec, prej balte, apo argjili, mund të çaktivizohej me shkëputje të alefit, duke ndryshuar kështu nga e vërteta, në vdekje asgjësuese. Tek hebrejtë, sidomos ata të Polonisë, Çekisë dhe Gjermanisë ka shumë legjenda të krijimit të Golëmit të cilët me fuqinë e tyre të mbinatyrshme kanë mbrojtur me heroizëm krijuesit e tyre hebrej duke u shpëtuar jetën. Janë realizuar shumë libra prej mijra faqesh, filma të Hollivudit, kompozime muzikore të cilat kanë mbërritur gjer në ditët tona, pra, janë qindra legjenda të heroizmit të Golëmve në mbrojtje të hebrejve, krijuesve të tyre. Përfundimisht trajta e shkrimit dhe e shqiptimit të emrit të fshatit të Labërisë, Golëm, është e drejtë dhe shumë e vjetër, aq sa legjenda e krijimit të Golëmit në Bibël, tepër besnik ndaj miqve të ardhur. I veçantë është edhe shqiptimi i fjalës «i golëm», Golëm, ndryshe nga fshatrat përreth që thirren me një prapashtesë «as», progonatas, zhulatas, ose kolonjarë, fterriotë, kuçiotë, etj. Është pikërisht ajo zanore e pazëshme, «ë që Golëmin dhe golëmtë, i bën të veçantë, që nga kohët më të lashta që nuk mbahen mend e deri më sot.