Lutfi Dervishi: Lufta e heshtur për Kosovën!
Fjalë përshëndetëse në promovimin e librit “Kosova, lufta e heshtur”
Kur flitet për Kosovën, zakonisht flitet për NATO-n, për UÇK-në, për luftën, për bombardimet, për krismat, për Adem Jasharin, për Hagën… Flitet kudo dhe për këdo.
Por shumë pak flitet për diplomacinë.
Shumë pak flitet për atë që gatuhej në prapaskenat e tryezave ndërkombëtare. Për dokumentet që rishkruheshin deri në mesnatë. Për formulimet që dukeshin të vogla, por mbanin brenda një ndryshim epokal. Për përpjekjen këmbëngulëse që Kosova të mos shihej si “çështje e brendshme e Serbisë”, por si nyja e krizes që çoi në shpërbërjen e ish Jugosllavisë dhe që pa zgjidhjen e saj nuk do të kishte stablitet në rajon.
Pikërisht këtu qëndron veçantia e këtij libri.
“Kosova, lufta e heshtur” na tregon një dimension që historia shpesh e lë në hije. Luftën pa armë. Luftën me argumente. Luftën për të depërtuar në tryeza ku Kosova nuk kishte karrige, nuk kishte flamur, nuk kishte status republike, por ishte një realitet që kërkonte të njihej.
Kosova e pati jashtëzakonisht të vështirë të penetronte në ato tryeza. Ishte thuasje e padukshme dhe e injoruar në protokollet zyrtare. Dhe pikërisht kjo e bën historinë e saj edhe më domethënëse: një vend që arriti të shpallet i pavarur pa qenë republikë e federates, (kujtojmë parimet e Badinterit- )një popull që u bë katalizator i shpërbërjes së Jugosllavisë, një realitet që imponoi fillimisht vëmendjen dhe me pas nderhyrjen ndërkombëtare.
Ky libër dokumenton (përmes 6000 dokumentare) se si ky imponim nuk ndodhi rastësisht.
Libri dokumenton rolin e një brezi të ri të një grushti diplomatësh shqiptarë që punuan në një terren jo fort miqësor, pa përvojë, pa manual, shpesh pa mbështetje të plotë politike, por me një bindje të qartë për drejtësinë e kauzës.
Një prej fijeve më interesante të këtij rrëfimi është marrëdhënia profesionale dhe njerëzore mes Zef Mazit dhe Bujar Bukoshit, kryeministrit të qeverisë në ekzil. Si këshilltar i padeklaruar marrëdhënia mes tyre ishte e ndërtuar mbi besimin, dhe qartësinë e kristaltë të rreziqeve të kohës. Mazi e kishte të qartë se Kosova ishte zemra e krizës jugosllave dhe se çdo qasje e butë ndaj Milosheviçit ishte rruga më e shpejtë drejt katastrofës. Bukoshi vlerësoi tek Mazi qëndrimin e palëkundur, profesionalizmin dhe guximin për të sfiduar interesat e ditës, qoftë të Brukselit, qoftë të Uashingtonit e ndonjëherë edhe udhëzimet e Tiranës.
Në një kohë kur shumëkush përkëdhelte Milosheviçin në emër të stabilitetit, pati njerëz që guxuan të thoshin se stabiliteti mbi padrejtësi është thjesht paradhomë e krizës.
Në këtë libër del qartë se sa shumë e ka paguar Kosova çmimin e heshtjes europiane. Në vitet kur vemendja ishte i përqendruar tek Bosnje-Hercegovina, diplomacia shqiptare dhe ajo e qeverisë në mërgim kërkonin të hapnin çdo derë për të bërë të dukshëm një realitet që shumë refuzonin ta shihnin. Zef Mazi ishte ndër të paktët që këmbënguli dhe paralajmëroi se Kosova nuk ishte çështje e brendshme e Serbisë, por një vatër krize që do të shpërthente. Duke qenë në qendër të luftës së heshtur, ai e pa rrezikun përpara se të dëgjoheshin krismat dhe kur askush nuk donte ta dëgjonte. Koha i dha të drejtë.
Përtej dokumentave dhe dëshmive, ky libër është pasqyrë e integritetit të autorit: mënyra si reagon diplomati në momentet e pasigurta dhe të vështira tregon kush është njeriu. Mazi nuk e fsheh asnjëherë tensionin mes asaj që mendonte dhe asaj që i lejohej të thoshte. Ai ka guximin të flasë ndryshe edhe atëherë kur shefat i kërkonin vetëm “të lexonte qëndrimin e ardhur nga Tirana”.
Këmbëngulja e tij për një fjalë apo një nuancë, edhe kur të gjithë mendonin se “deklarata” ishte mbyllur, nuk ishte kokëfortësi. Ajo ishte pasojë e një qartësie strategjike për Kosovën. Pikërisht këtu qëndron vlera thelbësore e këtij rrëfimi.
Ky libër është pasqyrë e një realiteti që dikur vetëm pak veta patën mundësinë ta shihnin nga afër. Ai dëshmon se si një grup i vogël diplomatësh të rinj mbajtën mbi supe një përgjegjësi shumë më të madhe se vetja, duke vepruar me bindjen e palëkundur se Kosova duhej, me çdo çmim, të kishte zë dhe të drejtë në arenën ndërkombëtare.
Në kohën që jetojmë, me tensione të reja gjeopolitike, me rishikime të balancave ndërkombëtare dhe me shumë paqartësi, roli i diplomacisë bëhet edhe më i rëndësishëm.
Diplomacia nuk është luks. Është hapësirë mbijetese për vende të vogla. Është mjet orientimi në mot me mjegull.
Ky libër na kujton se asgjë e madhe nuk arrihet vetëm me këngë, brohoritje në stadium apo shpërthime emocionale. Duhet këmbëngulje. Duhet nuancë. Duhet durim. Duhet profesionalizem. Dhe duhet integritet.
“Kosova, lufta e heshtur” nuk është vetëm pasqyrë e së kaluarës. Është ftesë për të kuptuar më mirë të tashmen.
Dhe në fund, dy fjalë për botuesin.
Shtëpia botuese Onufri ka bërë një botim cilësor, të kujdesshëm, me standardin që e meriton ky liber. Bujar Hurdhri ka ndërtuar prej vitesh një markë serioze në botën e librit shqip. Është botuesi i Ismail Kadare dhe kjo nuk është pak.
Zef, faleminderit që me këtë libër ke shkruar kapitull të rëndësishëm të historisë shqiptare që rrezikonte të mbetej në harresë.