Ahmet Xhavit Delvina: NJË HISTORI ME MUA PROTAGONIST!…
Po e shkruaj këtë ngjarje që e kam trajtuar unë si “dirigjent” dhe më ka lënë mbresa të paharruara sepse është një pjesëz e jetës së njerzve tanë në atë periudhë të keqe të sundimit komunist.
Ishte viti 1954 u nisa për në Tiranë nga Burreli në orën 4 të mëngjesit, isha ushtar në Repartin 7620 me detyrë në ofiçinë si automekanik, në këtë rast po çoja një makinë – kamion ushtarak tip GMC (xhems) Made in USA, për remont – kapital në ofiçinën qëndrore të ushtrisë. Kjo lloj makine luftarake mund të them se ishte krejtësisht e papërshtatshme për transport civil sepse si konstruksion kabinën e shoferit e kishte krejtësisht të hapur me tendë, por faktikisht tek kjo mungonte tenda dhe xhami përpara, nuk egzistonte se kishte kaluar një përplasje dikur, karrocerinë e kishte totalisht metalike me sponde të ulta 25 cm lartësi dhe kjo e zbuluar pa tendë apo dhe pa ndonjë mbajtëse anësore. Ishte muaji shkurt, kulmi i atij dimri të egër.
Sapo kisha zbritur lartësinë e njohur tek ura mbi lumin Mat (Burrel) tek kryqëzimi Tiranë – Peshkopi, shoh që del nëpër errësirë nga poshtë urës një grua relativisht e moshuar, me rroba të zeza dhe ma bën me dorë për të ndaluar, por me insistim të madh.
U ndala menjëherë dhe e pyeta i habitur që pse ndodhej ajo aty në atë vend natën, çfarë i kishte ndodhur dhe se çfarë ndihme kërkonte?
Ajo u step për një moment.
– Fol zonjë fol, – i them dhe po e pres duke e parë në sy.
Ajo pasi më vuri re mirë në fytyrë ia dha të qarës, por shpejt e mblodhi veten dhe më thotë: – Më fal që po qaj por u trondita shumë nga mirësjellja juaj për këto kushte që po të paraqitem dhe nuk e prisja kurrë që një “partizan” të më begenisi në këtë mënyrë kaq njerëzore, lëre pastaj të më quaj edhe “zonjë”… zonjë! dhe mblodhi buzët në formë habie!
Unë iu përgjigja aty për aty se nuk isha partizan, por ushtar i shërbimit të detyruar.
Ajo mu përgjigj: – Më fal, u ngatërrova nga ylli i kuq që ke në kapele, dhe vazhdoi, ju lutem a ka mundësi të na merrni për në Tiranë?
– Po, hajde hip, – i thashë, por për fat të keq kam makinë të hapur dhe pa asnjë komoditet.
– Për atë punën e hapur apo pa komoditet, nuk prish punë por jemi të gjitha 14 – 15 gra që po ngrofim pak duart me një zjarr që e kemi ndezur me ca “stapka” (shkopa) poshtë urës, të cilat i kemi mbledhur lart e poshtë, kemi dy ditë e dy netë që rrijmë atje poshtë urës, na ka mbaruar çdo gjë, tani presim të na dalë edhe shpirti, nuk po gjejmë makinë për t’u kthyer në Tiranë, hëë, si thoni? Ju lutem mos na refuzo, ju lutem vini dorën në zemër se po vdesim, na beso dhe u përlot.
Atëherë me gjithë mirësjellje i them të vijnë ato shoqet e ta shohin mjetin dhe pastaj të vendosin nëse e pëlqejnë dhe po ju mbush mendja le të urdhërojnë.
Ajo në ato momente ndjeu një gëzim të papërshkruar, u bllokua në shikim e në shprehje dhe u kthye menjëherë, e vajti poshtë urës për t’i njoftuar se fati ju zbriti nga qielli. Kur po shoh pas pak të dalin nga poshtë urës gati me vrap drejt makinës një nga një, tërë ato gra që fatkeq-mirësisht pothuaj i njihja të gjitha sepse ishin mikesha shumë të afërta të familjes sonë dhe të gjithë farefisit në përgjithësi. Ato kishin qenë për takimin periodik me njerëzit e tyre të burgosur në burgun politik të Burrelit. U gëzova jashtë mase që mu dha rasti t’i ndihmoja direkt vetë këto qyqare që akoma nuk ju besohej për rrugën e degradimit që na kishin futur të gjithëve ne të përmbysurve, dhe komunistët gjithnjë shpresonin se do të shpëtonin një ditë. Mendova se do të ishte më mirë të mos iu prezantohesha, se po ta merrnin vesh ato se kush isha unë, me siguri që nuk do të pranonin t’ju shërbeja me ato që kisha ndërmend se, e njihnin mirë dhe fukarallëkun në shtëpinë sonë, si në të gjitha shtëpitë e sërës tonë. Në fakt ato nuk më njohën deri në fund të “aksionit” sepse isha me kokë të qethur, me kokore ruse dhe veshët i kisha të mbuluara me bishtat e kokores, lëre që kisha të veshura dhe kominoshe të zeza, doreza, etj. Këtë mosnjohje nga ato e kishte shkaktuar dhe mungesa e kontaktit periodik me ta, ndryshe ishte me Nedon dhe me Sherifin që shiheshin shpesh, por unë për natyrën e punës që kisha shpesh jashtë Tiranës, pothuajse nuk isha parë fare me ta, i kisha të fiksuara në njohje. Ky ishte realiteti, ato s’e kuptuan dhe mbetën të habitura se si iu ra ky fat nga qielli sepse kështu i trajtova nga fillimi deri në fund.
Nuk mund ta përshkruaj gjendjen fizike dhe shpirtërore të atyre grave për ato momente që jetuam bashkë, kishin 2 – 3 ditë pa ngrënë fare, në të ftohtë e të demoralizuara në kulm, pothuajse edhe pa lekë nëpër xhepa dhe gati të ngrira. I pyeta në një rast se si e kishin menduar ta kryenin këtë udhëtim në këto kushte të rënda dimri, se kuptoj, ju sikur donit të vrisnit veten? Ato mu përgjigjën në grup njëzëri të gjitha: – Ju lutemi vetëm na merr e mos na lerë të vdesim këtu nën urë. Ndërkohë shkëputet njëra dhe më vjen pranë e më thotë: – Dëgjo zoti shofer, nuk e di a beson në zot ti? Sepse ne të gjithave që na sheh këtu besojmë dhe do t’i lutemi atij të madhit Zot për ty dhe për familjen tënde, që të mos kesh keq kurrë në këtë dynja “të mallkuar”. Mora t’ia ndërpres fjalën por jo, më thanë se nuk është mirë por megjithatë të japim fjalën se do t’i zbrazim xhepat tona për ty e për fisnikërin tënde.
– Mirë, mirë, – i thashë, – por nuk besoj që t’ju kenë mbetur nëpër xhepa aq para sa të përballoni vullnetin tuaj të mirë për të më shpërblyer.
– Sigurisht që ashtu është, por pavarësisht nga varfëria jonë do t’i zbrazim xhepat për ty. por të lutemi shumë mos na ndaj e na merr të gjithave së bashku.
– Hajde pra hipni ju thashë, e na priftë e mbara, dhe u nisëm.
Diku afër urës së “Urakës” ndalova dhe ju hapa një shishe me konjak “Korçe” dhe iu them: – Pini të gjitha nga një gërmaz dhe mbarojeni shishen, kjo besoj se nuk do t’ju lerë të ngrini.
Mu drejtua zonja që më tha në fillim “zoti partizan”: – Ju lutem në këto rrethana që jemi na duket e tepërt ky kujdes kaq i madh për ne nga ju dhe nuk besoj të jemi në gjendje t’ju paguajmë atë që meritoni.
– Më falni zonja, – ju thashë, – sepse ju meritoni shumë më shumë, por për fat të keq nuk ju përgjigjem dot me konjak “Bordoje” sepse ai lloj konjaku ju takon, biles i servirur me “ciocolattina Perugina”. por çfarë t’i bësh fukarallëkut, prandaj këtë që kemi do ta pini.
Nuk e mora vesh a mi dëgjuan llogjet e mia sepse u sulën tek shishja me radhë për të pirë nga një gllënjkë. Pasi e mbaruan shishen si të “babëzitura” mu drejtuan disa prej tyre: – Sinqerisht po të mos e kishim pirë këtë pije që na ofrove, me siguri do të ishim shndërruar në blloqe akulli dhe më falenderuan një nga një.
Pas këtij procesi iu ofrova edhe nga një cigare të asaj kohe “Labinoti”. Të tëra morën nga një duke më falenderuar si ngahera. Atëherë ju drejtova duke i pyetur: – Eee ç’thoni, a ta nisim tani “tragetin” për Tiranë?
– Çfarë trageti? – më pyet njëra nga ato duke qeshur. Por edhe unë duke qeshur i them se sot makina ime është kthyer tamam në “traget-turistik” dhe po ju shëtis juve për qejf nëpër “atdhe”, biles para disa kohësh një pasagjer tjetër si ju, siç duket edhe ai u kënaq nga trageti im dhe më propozoi që po të ketë mundësi “Tragetit” tënd t’i vendosësh emrin “Lord Triestino” sepse lundron shkëlqyeshëm nëpër pellgjet e rrugëve tona të mrekullueshme.
Ato u panë me njëra-tjetrën dhe thanë: – Nise kapiten atëherë!
Ndërkohë mu drejtua njëra nga gratë: – Ju lutem na thoni se kush jeni? Se me ç’po shohim e po kuptojmë, ju patjetër na njihni, kështu së paku e gjykojmë ne. Unë iu përgjigja, se mos më ngatërroni me njeri tjetër, unë jam njeri i thjeshtë, ashtu është edhe origjina ime, biles jam edhe provincial dhe as ju njoh e as më njihni, mos ushqeni iluzione të kota, veprova kështu me ju se vura re që jeni 16 – femra me halle të mëdha dhe po jetoni momente shumë të vështira, prandaj po mundohem t’ju lehtësoj brenda mundësive të mia. Njëra nga ato mu përgjigj që ky rasti juaj me ne është “eksepsion” (përjashtim) sot në Shqipërinë e trazuar, çudi! Atëher ndërhyn ajo më e reja në italisht: Mos i zgjatni më këto muhabete, o “idiote” se po e merr vesh ky që ne jemi reaksionare, siç na thanë sot sapo do të niseshim në agjensi dhe përfunduam tek ura e Burrelit si të arrestuara, por fal Zotit këtij llojë “xhentili primitiv”.
Direkt i pyes si i habitur që kjo zonjëza që po flet, e huaj është e shkreta se nuk ditka shqip. Njëra nga ato që ishte aty pranë mu përgjigj se e ka më për mbarë të flas italisht se sa shqip sepse jo vetëm që ka lindur andej, por ka edhe nënën italiane dhe prandaj të mos e keqkuptosh.
Pas këtyre bisedave u nisëm edhe nuk ndaluam më deri në Rubik përball klubit tek ura e madhe e Rubikut. Aty pasi ndalova ju propozova të hamë diçka, mirëpo në ato kohra në asnjë vend, klub apo kudo nuk gjeje për të ngrënë pasi ishte koha më e keqe e sistemit famëkeq të triskëtimit. Kishim tre lloj triskash, për bukë, për ushqime dhe për veshmbathje, prandaj nuk mund të mendoje se mund të paguaje dhe të haje, në këto të vetmet të quajtura klube mund të gjeje maksimumi pelte niseshteje, kafe elbi dhe pije alkolike.
Ndërhyn rishtazi ajo llafazania në italisht: – Unë kam një propozim, meqënëse “Trageti ynë i famshëm” ndaloi, neve marrim një taksi dhe shkojmë të drekojmë në ndonjë restorant “modern e tradicional”, të mos hamë drekën që na ofron ky “Garibaldi” sepse, mendoj që jemi ankoruar në ndonjë port të rëndësishëm dhe t’u japim fund sakrificave.
Ndërkohë ndërhyn një shoqe e saj dhe i thotë: – Mbylle moj e marrë atë gojë, moj llafazane, s’ke faj ti, ka faj ky qyqar që nuk të la të ngordhje atje.
Të them të drejtën dhe mua nuk mu durua më dhe buzëqesha, kaq qe reagimi im dhe ju tregova se çfarë kisha ndërmend t’ju ofroja për të ngrënë. Ato mu lutën që të mos influencohesha për asgjë nga fjalët e saj, sepse ajo në fakt vuante nga një depresion nervor shumë i rëndë.
– Nuk prish punë, ju thashë sepse ju dëgjova që e qortuat në shqip se unë nuk marr vesh italisht, por ama edhe ajo nuk e flet pastër italishten. Tani urdhëroni dhe hani, ju thashë, ju hapa një kuti me mish 3 kg të konservuar të ushtrisë ruse, kontigjent ushqimor i oficerëve që ia kisha blerë shumë shtrenjtë magazinierit të prapavijës kapter Preng Ricës për shtëpi. Ju preva dhe dy bukë ushtrie dhe ju thashë në italisht: “Buon Apetito” (Ju bëftë mirë).
Ato menjëherë ndërprenë muhabetet dhe filluan ndarjen e ushqimeve aty ku ishin të ulura në karrocerinë e ftohtë metalike. Vetëm t’i shihje si ushqeheshin, gjithë finesë të shoqëruar me babëzitje njëkohësisht, se ishin shumë të uritura, kushedi sa ditë ishin pa ngrënë.
Pak më vonë porosita në klub për të gjitha edhe nganjë pelte me formë rombi dhe nga një kafe për të gjitha të shtëna në një ibrik alumini me vetëm 4 filxhanë pa pjata, sepse këto ishin kushtet e atëhershme kudo nëpër Shqipëri.
Ato u befasuan fare dhe nuk po e kuptonin se çfarë po ndodhte. Kur mbaruan dhe kafet ju bleva dhe dy paketa cigaresh të kohës “Labinoti”, një shkrepse dhe duke qeshur ju thashë se “biletat tuaja kaq e kanë kufirin e shpenzimeve, trageti është gati për nisje” dhe me qetësi u nisëm për rrugë.
Pa ardhur te ura e Matit më thotë e moshuara që kisha tek vëndi i parë:
– Të lutem, të lutem së paku të paguajmë diçka nga shpenzimi i përgjithshëm që ti bëre për ne, me ato pak para që na ndodhen. Ne me ty nuk lahemi dot kurrë qoftë për sakrificën që ti po bën për ne, qoftë për keqardhjen që tregove, lëre pastaj për shpenzimin, na ka bërë shumë përshtypje mirësjellja jote me gjithë atë “noblesë” që tregove në vazhdimësi me ne, prandaj të lutem prano diçka nga ne sepse llogjika e sotme nuk bën asgjë për shpirt dhe sikur njerëzit e tu të na kishe nuk besoj të sakrifikoje kaq.
Atëhere i them unë: – A më lejohet edhe mua të bëj ndonjë shaka për “passa tempo”? (për të kaluar kohën) që të shtyjmë mërzinë e përbashkët?
– Uuaa posi jo?
– Dëgjo, – i them, – për ato që shpenzova unë për ju, meqë i ke vënë re, ti mos u shqetëso fare se për ju investon “Luogo-Tenenza” (Mëkëmbësi i Mbretit).
Atëhere asaj nuk iu durua më dhe mu drejtua në formë lutje: – Të lutem na thuaj se kush je e mos na mundo më tej, imagjinata jonë nuk po funksionon më. Nuk ka njeri sot që të na vihet ne fatkeqve me tërë mundësitë për të na ndihmuar, ti hoqe bukën tënde nga goja dhe na e dhe ne, pse e bën këtë? Mos je edhe ti nga sëra jonë more bir?
– Jo, jo, – i thashë, – e bëra këtë vetëm se më vjen keq për ju dhe mos imagjinoni gjëra të tilla se më ofendoni me këto lavde apo komplimente të panevojshme.
Kështu edhe ajo e imponuar nga kundërpërgjigja ime, por jo e bindur, pushoi. Në Mamurras një incident me policinë pasi më bën kontroll, konstatuan se të gjitha pasagjeret nuk ishin të pajisura me bileta udhëtimi sepse kështu ishin rregullat e atëhershme dhe biletat duhej të merreshin në agjensinë e Burrelit, e dyta, në makinën time që ishte me sponde të ulta dhe metalike, ndalohej të hypnin pasagjerë për “teknikë sigurimi” sepse, atyre iu rrezikohej jeta.
Ju them policëve “të dashur” se fatkeqësisht këtë “lloj malli” ma ka bërë peshqesh me imponim dhe kundër dëshirës sime kapiten Gjolek Aliu (Kryetar i Degës së Brendshme) Burrel, biles më tha: – Mi hiq qafe këto kuçka se nuk i shoh dot.
Atëherë ata më buzëqeshën dhe më lejuan të çoja deri në fund “shërbimin e ngarkuar” nga kapiten Gjoni, kështu i thërrisnin atij andej dhe nuk më bezdisi më njeri deri në Tiranë. Këto manovrime i bënim ne shoferët e asaj kohe, për të dalë nga situatat e vështira që krijoheshin jo rrallë dhe shpesh dilnim me sukses. Rreth orës 10:00 mbërrita në Tiranë dhe i zbrita prapa Bankës Kombëtare, u përshëndetëm me shumë përzemërsi reciprokisht nën korin e urimeve me bazë fetare dhe me lavdërime në shkallë superlative.
Për një moment e thirra gruan që kisha përpara gjatë gjithë udhëtimit, ajo që më tha “shoku partizan” dhe i them në konfidencë që të mos iu thoshte shoqeve të tjera që ishallah takohemi në “Shqipërin e lirë” pa kriminelët komunistë, pastaj i dhash gaz makinës dhe u zhduka nën përshëndetjen e të gjithave.
Kur u ktheva në shtëpi i tregova nënës dhe babait për udhëtimin dhe cilat kisha marrë dhe mbi të gjitha i harxhova për to të gjitha “zahiretë” që kisha marrë për ju, bukë e mish. Prandaj i them babait se “Humanizmi me bazë fenë, të le pa bukë”.
– Të lutem mos fol kështu, hallall ju a bëftë Zoti atyre dhe ty.
Ju luta që kurrë të mos u tregonin atyre për emrin tim, kisha frikë se në fund e shava shumë komunizmin dhe “gjithsesi” siç thonë tiransit, por nuk ndodhi siç desha unë sepse, shumë shpejt u dekonspirua çdo gjë dhe të dy palët në raste të ndryshme e tregonin këtë histori aventureske timen. Shpesh ato thoshin se gjaku është gjak, ai Xhaviti që nuk linte pa ngatërruar gjithë pallatet e “bardha” ku banonim e përreth tyre, sot kthehet në rolin e një fisniku të vërtetë e të pashëmbëllt që sakrifikon maksimalisht nga vetja për njerëzit që janë në fatkeqsi. Hallall, hallall çdo gjë shejtanit!
* * *
Ishte viti 1957, punoja si shofer me veturë në hidrocentralin “Karl Marks” në Ulëz dhe po kthehesha në Tiranë me specialistin e njohur elektrik Ramazan Stërmasi dhe Hamit Tabaku, punonjës i nderuar në sektorin administrativ dhe që të dy kishin kulturë perëndimore. Kur hymë në Tiranë më propozuan të shkonim të pinim një kafe dhe nga një teke raki. Gjatë rrugës që po shkonim në lokal shohim dy miq tanët, Astrit Xhulin dhe inxhinier Skënder Dakon, ndaluam makinën dhe i morëm me vete në lokal. Sapo u ulëm në kafe që të pestë, po parakalon para nesh inxhinier Qazim Xhepa dhe me kërkesë dhe insistim të të gjithëve, e ulëm edhe atë me “dhunë” jashtë dëshirës së tij sepse do të shkonte diku me ngut, megjithatë aq i edukuar ishte sa nuk ju a prishi. Filloi biseda mes miqsh të vjetër, ishin gjithashtu dhe profesionistë të klasit të parë dhe natyrshëm filluan biseda të ndryshme teknike. Bisedat lidheshin sigurisht me punët e kohës për të cilat ata ishin kritikë të përhershëm, jo vetëm për arsyen e antikomunizmit të tyre, por sepse dallonin një drejtim dhe administrim pa rentabilitet të ekonomisë në përgjithësi, por edhe për arsye të njohura që ushtrohej terror komunist ndaj kundërshtarëve. Ata nuk ragonin, por marazi i gërryente përbrenda sepse e donin Shqipërinë. U hap diskutimi i fazave të zhvillimit të teknikës botërore sipas progresit dhe shkallëve të kohës, p.sh në kohën e vjetër kishte prioritet dhe vlerë artizanati, me kalimin e kohës zhvillimi erdhi në rritje dhe u kalua në fazën e mekanizinit dhe më vonë në atë të automatizimit, tani po synohet të kalohet në faza të reja më të përparuara, si ajo e programimit, kompjuterizimit apo vënien në punë të robotëve etj., etj dhe kushedi se ku do shkohet. Po punon bota dhe nuk rrinë si ne dhe “grin sallatë”, ndërhyn Hamit Tabaku. Shif sa prapa jemi ne akoma, propagandojmë dhe jemi në fazën e mekanizimit, lëre pa të mbërrijmë ato fazat e tjera më të përparuara që thamë – thotë ing. Dako. Më pas hidhet ing. Qazim Xhepa por jo pa ironi dhe thotë, po shof në shtyp dhe radio që po propagandohet me të madhe një formë e re a metodë e re, nuk e di ça t’i them, shumë rezultative dhe që bie një progres të paimagjinueshëm. “Metoda Zinxhir” i thonë dhe çuditërisht oshtë edhe me origjinë ruse, a e di nonjoni prej jush të më shpjegoj se ç’osht kjo metod dhe ku bazohet se pasha Zotin nuk e marr dot me men, biles thon që po përhapet në të gjith botën. – Metoda Zinxhir! –
Në qoftë se i thonë vijushmëris së prodhimit nga faza përgatitore deri në përfundim, shkall – shkall sipas operacioneve të punës, këtu nuk ka nonjë gjo të re, kjo është domosdoshmëri për prodhimin serial.
Nuk e kuptoj, nuk e kuptoj rëndësin e këtij problemi. Këtu ndërhyn Hamit Tabaku, Vallahi o Qazimo un e kom mor vesh ene shum mir biles, vlerën e madhe e shkencore të kësaj metode përparimtare, plasi spiunazhi industrial i perëndimit për ta vjedhur metodën, por deri tani nuk kanë mundur, se ti e di se sa i fortë është (KGB) Komiteti i Sigurimit të Shtetit, që ishte agjensia kryesore e sigurisë për Bashkimin Sovjetik nga viti 1954 deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, për t’u çarë. – Ho pra ho, na fol ma qart se çere osht kjo metod se ti e ditke se vallahi po plas o Homit, i thot Qazimi, dhe Homiti filloj të tregoj: Po e tregoj se si lindi dhe historikun e kësaj metode shum të suksesshme në gjuhë popullore që ta kuptoni ma thjesht, sepse dhe burimi i kësaj mrekullie, në popull osht bazuar. – Ho praa ho, leni hyrjet dhe fillo po dite gjo se na plase e mjaft mo, mos na boj propagand ne! Ja pra, mos u çudisni, rrini urtë, nigjoni e mos u ngutni: Djali i një Pani në Rusi kishte shumë inat priftin e fshatit, e urrente për vdekje. Ai ishte një burrë i bukur, i ri dhe shum simpatik, kishte shumë sukses në shoqëri, por çe do, bonte seks me nonën e çunit Panit plak. Ai fakiri këtë gjo nuk e duronte dot, ene po plaste nga inoti. Atëher ai shkoi dhe u këshillua me një mik të tij që shquhej për mençuri dhe pasi ia shtroi hallin që e kishte zonë me shkaktarin e këtij halli, priftin e fshatit, i kërkoi atij një këshillë se si mund ta turpëronte atë rëndë përpara fshatit dhe biles po të kishte mundësi edhe sikur ta vriste, prap nuk do të ngopej, kaq kishte mbërritur dëshpërimi ndaj tij. Miku i mençëm qeshi dhe i tha se nuk ishte nevoja ta vriste fizikisht sepse kishte mënyra të tjera edhe më të rënda për ta turpëruar, biles mas turpërimit që do t’i bëhej priftit në fshat, vdekja do të ishte lule për të, nami i keq që do ti vishej atij do të tregohej për vite nëpër gojën e popullit. Prandaj mos u bëj merak se po ta tregoj se ç’do të bëjmë: – A ka turp më të madh për një njeri të Zotit që të mjekohet në fshat për sëmundje “Blenorologjike” apo sëmundje grash, kur ai predikon në fshat vetëm moral në emër të Zotit? – Jo, pasha Zotin, tha biri i Panit, s’ka turp ma t’madh për të, por s’kemi dëgjuar një gjë të tillë, çfar s’po ndodh sot në këto ditë, që “Urata” o është pederast apo homo – seksual siç i thonë tani, sot po e ndigjoj. Po mor po – i tha miku, ashtu është por ai nuk është pederast, por sëmundjen do t’ja fusim me metodën e re dhe shkencore që ka dalë tashti për meritë të klasës më revolucionare, atë të puntorëve. Kjo metodë e re quhet: “Metoda zinxhir”. Aman, i tha djali i Panit, mikut, ma trego këtë metodë çudibërëse. – Ja sa e leht dhe e thjesht është, pa shpenzime dhe me efektivitet të madh, por ama kërkon edhe sakrificën tënde. – Jam i gatshëm për çdo sakrificë, tha djali i Panit, se po plas nga urrejtja për priftin. – Ja po ta tregoj mrekullinë: Ti do të shkosh në një shtëpi publike në “Saratov”, aty do të të çoj unë tek Sashenka, një mikja ime e hershme, ajo është pronarja e asaj shtëpie. Ajo do të të çoj të bësh seks me një prostitut të sëmurë me “skollomento”, rrjedhimisht ti do të marrësh “skollomenton” dhe do të shkosh në shtëpi dhe të bësh seks me shërbëtoren me të cilën shkon babai, pastaj babai do të shkoj me nënën dhe me nënën do të shkoj prifti dhe ja pra, në saj të kësaj shpikje apo racionalizimi, siç i thonë këtu, qëllimi i pamundur dhe i pabesushëm, arrihet. Prifti merr sëmundjen e “skollomentos” dhe natyrisht do të kërkoj ndihmë mjeksore. Ja pra qëllimi u arrit, lajmi do të përhapet kudo dhe si rrjedhim prifti do të depersonalizohet deri në atë shkallë sa mund edhe ta ç’kishërojnë dhe ky është dënimi maksimal. Ja pra objektivi u arrit në saj të kësaj metode të thjeshtë, por shumë me efektivitet.
Efektiviteti i kësaj metode u transplatua edhe në industri, dhe kudo u përhap menjëherë në tërë Rusinë Sovjetike. Rezultatet ishin brilante prandaj ajo metodë po përhapet edhe në vendin tonë. Sëmundja merret aty ku osht, deri në Saratov, ene të infekton edhe ty, burrin e nershëm, Qazim Xhepën në Tironë. A e shef se çfar mrekullie osht “Mrekullia Ruse” e njoftun tashmë në botë? Prandaj binduni ene ju o robër që nuk hani pyk, që të mendoheni të prisni dhe ti kuptoni pa skepticizëm këto metoda fantastike, nqs nuk doni që edhe ju ta pësoni si Urata në Rusi. Prandaj u desh të përhapet kjo metodë edhe në atdheun tonë të dashur, ene ju vini në dispozicion “ndenjset” tuaja. Pas këtij “shpjegimi” plot humor u gajasëm së qeshuri dhe u shpërndam të pestë.
* * *
Ishte viti 1957 – 1958 (vite kur unë punoja si shofer profesionist), po udhëtoja me një auto-veturë “Pobieda” që në atë kohë konsiderohej si vetura klasike nga më luksozet sepse ishin Ruse (mos e pëlqeje po deshe) dhe në një rast gjatë rrugës për në Tiranë, rreth orës 19.30 duke kaluar në qytezën e Mamurrasit shoh një çift të moshuarish e të zbardhur komplet që ma bënë me dorë. Ky veprim i tyre nënkuptonte që ata donin të udhëtonin me siguri drejt Tiranës, i njoha menjëherë, ishin miq të familjes sonë, si të babait ashtu edhe të nënës dhe, për më tepër kishim qenë për një kohë të gjatë edhe komshinj tek apartamentet e bardha të italianëve, por që fatkeqsisht u ndamë pas “Kataklizmës Kombëtare” të Nëntorit 1944, sepse edhe ata familjarisht pësuan të njëjtin fat me ne, e provuan burgun si im atë. Ky ishte inxhinier Naraçi së bashku me gruan e tij, tërësisht me flokë të bardha, një zonjë e vërtetë me tërë kuptimin e fjalës. Ajo u tregua edhe heroinë, ishte austriake, ishin martuar bashkë në Austri pasi zoti Naraçi kishte mbaruar atje studimet e larta. Këtu në Shqipëri ai kish qënë Sekretar i Përgjithshëm dhe më vonë Ministër në Ministrinë e Punëve Botore, fatkeqësisht ishte pa fëmijë, njeri i urtë, i mirë dhe fisnik sa nuk bëhej më, por edhe ai si të gjithë shokët e tij e hëngri burgun nga Flama Komuniste.
Natyrisht e ndala menjëherë makinën dhe hapa derën e parë në krah të djathtë timin, tamam përpara këmbëve të tyre, sigurisht automatikisht me hapjen e derës u ndriçua totalisht makina brënda, menjëherë nxitimthi erdhi vet Z. Naraçi, u përkul dhe futi kokën brënda, meqë kontrasti i errësirës jashtë me ndriçimin e madh brënda, shtoi ngjyrat e ndezura të tapicerisë, mesa duket e bënë të mendohej në çast, se kishte kërkuar të ndalonte një makinë që nuk duhej ta ndalonte dhe e ndjeu veten fajtor, u step në vend dhe për një moment iu bllokua edhe goja dhe për pak çaste nuk foli dot. Ajo makinë ishte e kryetarit të grupit të specialistëve sovjetikë në Hidrocentralin e Ulzës në dispozicion të “muzhikut” Ivan Fomiç dhe nuk i takonte më intelektualit të shquar dhe me kulturë perëndimore e për më tepër një ish – funksionari të lartë që rridhte nga një familje e vjetër e patriotike shkodrane, qoftë edhe ta ndalte atë, lëre pastaj të kërkonte për të udhëtuar.
Dikur me shumë zor e mblodhi veten dhe më kërkoi ndjesë që më ndaloi duke shtuar se, nga ndriçimi i makinës sime ai kujtoi se kishte të bënte me ndonjë kamion me drita të forta, u verbova fare dhe prandaj të më falni, më falni për shqetësimin që ju shkaktova, këtë e përsëriti disa herë dhe mori për t’u larguar. Më pas i drejtohem unë që, pse flisni me ndrojtje, ju e shihni që makina është bosh dhe në këto raste e kemi për detyrë t’i shërbejmë popullit të thjeshtë si ju, hajt pra ngjituni, ndërkohë hapa edhe derën e prapme dhe kështu ata hipën në makinë për të mos bërë më një gabim të dytë.
U nisëm menjëherë dhe vura re nga pasqyra e brendshme, kënaqësinë që djeu nga aroma që lëshonte nëpërmjet degëve të saj të parfumosura, një trëndafil i bukur artificial i vendosur diku sipër në gabinë, një aromë me të vërtetë të këndshme që ma kishin sjellë vetë sovjetikët nga Bullgaria. Jo më pak u kënaqën edhe nga nxehtësia që ishte brënda në makinë. I vura re nga pasqyra që filluan të ç’kopsiteshin dhe të hiqnin shallin. Për koiçidencë qëlloi orë e plotë dhe hap radion tek Italia kur ajo në moment komunikon “Giornale radion” dhe po jep të dhëna rreth një “Sputnik” që kishin lëshuar Rusët në Kozmos. Vura re nga pasqyra e brendshme që zonja Naraçi po i shprehte habi të shoqit se ç’po ndodhte, por edhe ai me duar sikur donte të thoshte se edhe unë s’po marr vesh gja. Për zonjën Naraçi kisha respekt të madh jo vetëm sepse ajo ishte një intelektuale e mirfilltë e specializuar në shkencat sociale, por edhe ndonëse ishte e huaj, për të gjithë periudhën që i shoqi qëndroi në burg, ajo punoi dhe bëri çdo gjë që nga shërbyese nëpër hotele, apo hekurosje rrobash, rrobaqepsi, etj dhe ruajti me dinjitet e krenari nderin e familjes së tyre të vogël. Ndërkohë ndërhyj unë si pa të keq për muhabet, duke shprehur habinë se si “muzhikët e trashë rus” mundohen që të prijnë edhe në shkencën e madhe aq shumë të kushtueshme, nuk e kuptoj marrinë e tyre, të gjitha këto shpenzime gjigande kryhen tamam në kurrizin e popullit shumë të varfër Rus që po vdes për bukë tamam si ne këtu. Këto mbishpenzime nuk justifikojnë bilancet e buxhetit të tyre shtetëror, prandaj në Rusi mbretëron skamja dhe fukarallëku, siç e shpreha më sipër. Këto shpenzime janë katastrofike për atë popull sepse nivelet e tyre teknollogjike në përgjithësi janë të ulta për të mos thënë të prapambetura për këto lloj punësh, por mesa duket mbishpenzojnë për demagogji, këto janë arsyet politike që i drejtojnë rreth këtyre marrive, mua kështu më duket, nuk e di se ç’mendim keni ju për ç’ka fola!
Po, po tamam ashtu ashtë, thotë Z. Naraçi instiktivisht që i doli prej shpirtit, por shumë shpejt e kuptoi që kishte bërë një gabim shumë të madh, ndoshta edhe fatal për kohën që jetonim. Ai mesa duket dyshoi në moment për sinqeritetin e bisedës sime dhe me siguri atij i shkoi mëndja se mos biseda ishte provokative sepse e tillë ishte koha, spiunoheshe kudo dhe nga kushdo dhe për më tepër që në një makinë si ajo, mund edhe të inçizoheshe dhe kjo lloj bisede që u bë, në bazë të nenit famëkeq “55” – “për agjitacion e propagandë” dënoheshe maksimalisht. Pas këtij incidenti e shihja si gjithmonë nga pasqyra e brendshme e makinës, që ai kishte vënë dorën përpara gojës, me siguri për një auto – qortim, por ja që i shpëtoi “pohimi fatal” duke nxjerr armiqësinë që kishte për Bashkimin e Madh Sovjetik”. Pas kësaj “hataje” që i ndodhi, filloi ai muhabet duke më pyetur se nga isha, por u trondit jashtë mase kur unë i them se njifeshim sepse kemi qënë komshinj dhe biles i kemi patur shtëpitë ballë për ballë, Zoti inxhinier Naraçi. Mu duk se vura re nga pasqyra se në atë moment iu mbush mëndja top se kishte rënë në grackën e provokimit të qëllimshëm dhe po lëvizte gojën se i ishte tharë pështyma dhe me shumë vështirësi arriti të më pyesi se kujt familje i takoja. Atëherë unë për ta ndërruar situatën dhe ta ktheja në humor, e dija që edhe Zonja e njihte mirë italishten, ia ktheva në italisht: Sono il figlio dell’ Consigliere della Corte di Cassazione, Neki Delvina. Si… si… si – tha, duke qeshur dhe i thotë gruas në gjermanisht se kush isha, ajo tundi kokën për të nënkuptuar se e kishte marr vesh dhe filluam të qeshim së bashku. Por ajo shumë e entuziazmuar i thotë të shoqit se unë dua t’i kujtoj djalit të atëhershëm dhe zotërisë së sotëm se unë nuk e kam harruar dhe nuk do ta harroj kurrë nderin që më ka pas bërë përpara shumë viteve, kur ishte ende shumë i ri, duke më shitur pa asnjë interes një mbulesë tavoline dhe dy këmisha që i kisha qepur për t’i shitur sepse isha në gjëndje ekonomike të mjeruar, si shumë mikeshave tona duke përfshirë edhe familjen e zotit Delvina. Po të mos i kisha marrë momentalisht ato të holla në atë kohë nga ky zotëria që po flasim, do të isha turpëruar nga dikush që më kishte bërë debitore pa të drejtë.
– Po, i thashë, më kujtohet plotësisht, të shkuara e të harruara dhe të lutem të mos i kujtojmë më ato kohra të këqia sepse e kemi shpirtin të mbushur plot me të tilla gjëra.
– Hë pra, thotë Z. Naraçi, a e kqyr pra, ti pa asnjë qëllim të keq më tregon mendimin dhe unë instiktivisht apo natyrshëm për gjëndjen që jetojmë sot, për të zi temin, pohoj që jam i një menie me ty, asht krejt normale, por rreziku asht se njeriu i sotëm ashtë ba pa “din e iman” dhe mund të të kthej fare lehtë në burg apo të të shkatërroj si do.
Kur mbërritëm në Tiranë ai mu lut t’i zbrisja aty ku unë e kisha ma për mbarë. Ndërsa unë iu luta të më falin për mungesën e taktit në bisedën që bëra sepse ju shkaktova siklet dhe për ta shlyer atë gabim i ftova t qeras me nga një kafe e me shumë zor ata pranuan, i çova në restorant “Vollga” dhe hëngrëm darkë si “qëmoti”. Nuk më bëri syri “tërr” se po atë ditë kisha marrë shpërblimin për tejkalim në përdorimin e planifikuar të gomave dhe kisha para edhe për shtëpi. Aty u ndamë me përshëndetjet më të nxehta, për të mos u parë më në këtë botë.
* * *
Diktatura komuniste u bë shkak që ne fëmijët e ish – intelektualëve apo familjeve të vjetra, nëpërmjet punëve dhe kushteve shumë të rënda edhe të vështira që na ofruan apo na detyruan, të burrëroheshim apo të piqeshim para kohe. Megjithëse ishim rritur në kushte të privilegjuara sepse na e lejonte edhe niveli pasuror që trashëgonim nga origjina apo nga kontributi real që vazhdonin të jepnin prindërit tanë dhe që çmohej në atë kohë, ne, fëmijët e tyre nuk ishim prekur nga ndonjë ndjenjë dembelizmi apo përbuzje ndaj punëve të rënda, prandaj këtë realitet të ri e të vështirë që na u imponua, e përballuam me shumë sukses dhe qëndruam gjithmonë në pozita të dalluara pavarësisht se sa na vlerësonin dhe për këtë, ka meritë të padiskutueshme – Edukata familjare.
Isha 10 – 12 vjeç atëherë kur fillova të vras mëndjen për të gjetur forma për të jetuar në atë shkatërrim të imponuar të familjes. Burgosja e babait, nxjerrja nga shtëpia, plaçkitja pasurore, tjetërsimi i babait nga një njeri i ekuilibruar dhe me forcë shpirtërore të lartë e të pashtershme, në një njeri të sëmurë rënd fizikisht, si rrjedhim i torturave të ushtruara ndaj tij nëpër hetuesitë e diktaturës dhe sidomos kur na parakalonin çdo moment kujtimet e shumë njerzve të afërt apo dhe miq të ekzekutuar, burgosur apo internuar shumë keq, na preknin sa s’ka më, por kurrë nuk u demoralizuam apo na ulën moralin dhe kryelartësinë, përkundrazi na jepnin forcë, shpresë dhe na rrisnin urrejtjen kundër komunizmit gjakatar që përfaqësohej nga Partia e Punës. U lidhëm në mënyrë absolute me mendimet dhe anën shpirtërore të prindërve tanë dhe të gjithë miqve historik, po ashtu edhe të farefisit tonë të persekutuar, kështu që edhe pjekuria jonë arriti limitet e një moshe madhore dhe me përvojë biles. Kështu që kurrë nuk e shkëputëm jetën tonë personale nga bashkësia e familjes.
Kur mbërrita 14 vjeç fillova mardhëniet me punën shtetërore, aty punoja gjithnjë me kujdes për të mos manifestuar asnjëherë dhe për asnjë moment ndonjë pakënaqësi sado të vogël dhe kurrë nuk e dekonspiruam mendimin tonë të vërtetë në atë jetë apo shoqëri. Shumë të pakta apo të rralla ishin rastet e hapjes së ndjenjave të vërteta të shpirtit në shoqëri. Më kujtohet një rast i tillë ndër të rrallët që më ka lënë mbresa me të vërtet të pashlyeshme në këtë jetë. Isha ushtar në Burrel në vitin 1954, aty njihem me një shok të nderuar dhe të respektuar që meritonte t’i hapje zemrën. Ai ishte kryemjeshtër për të të hapur zemrën, dhe këtë gjë ta impononte me shumë mjeshtri, por ama edhe me shumë sinqeritet në saj të bisedës së tij shumë të ëmbël, kishte natyrën e një prindi “plak” të qëmoti. Një ditë prej ditësh në repart, bisedë pas bisede ai më thotë: – Dëgjo Xhavit, kur të lirohemi nga ushtria dhe të takohemi në Tiranë, dua të të bëj një bisedë ose më mirë një propozim shumë të dobishëm dhe mendoj që për ty dhe mua është pak si i vonuar por “alla Qerim”. Ti, më tha, për mua je një shok i rrallë si në mënçuri, karakter dhe çdo gjë tjetër të mirë, prandaj dua të ndaj të ardhmen me ty.
Unë e mora me të qeshur dhe i thashë se jam dakort që ta bëjmë bisedën kur të lirohemi nga ushtria. Por ja që ajo ditë erdhi dhe takohemi natyrisht në Tiranë sepse edhe ai këtu banonte. Ky mik i shtrenjtë quhej Hiqmet Shena! Ulemi në një lokal dhe ai më thotë: – Shiko Xhavit, është budallallëk të të shpjegoj unë ty për jetën e qelbur që po bëjmë këtu në këtë Ferr Komunist që quhet Shqipëri. Prandaj kam menduar që të arratisemi që të dy njëherësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendi i Demokracisë Botërore. Atje ne do të punojmë dhe njëkohësisht do të shkollohemi për të marrë kulturën e mohuar. Unë atje kam njerëzit e mi por njëkohësisht jam interesuar edhe për ty dhe kam marrë vesh që edhe ti ke njerëz atje dhe me të njëjtin mbiemër, dhe biles ata atje janë bërë shkas për një histori krejt të rregullt e të ndershme për në atë kohë, që juve t’ju vijnë shumë të këqija sot, prandaj ata atje duhet të ndjejnë detyrim për ty. Kështu që edhe neve do të bëhemi atje dikushi, dmth më të vlefshëm për Shqipërinë tonë dhe do të mundohemi që t’ju afrohemi sa të jetë e mundur prindërve tanë në drejtim të kontributit që ata dhanë për këtë vend.
Më pas e pyes se si e ke menduar arratisjen?
Ai mu përgjigj fare i pashqetësuar dhe pa asnjë dyshim duke më thënë se këtë problem apo suksesin e kësaj ndërmarjeje të përbashkët, e marr unë përsipër pa më të voglin merak.
– Po si do ta bësh? – i them unë.
– I kam të gjitha mundësitë që të punësohemi në sistemin e ndërmarrjeve të Gjeollogjisë si shofer ose edhe si mekanik-lëvizës. Ata zakonisht kanë ekspedita buzë kufijve, kështu që pas një periudhe të caktuar pune, të studiojmë çdo detaj që lidhet me këtë çështje dmth në zonat kufitare ku mendojmë të kalojmë. Kështu që proçesi i “arratisjes” është mëse i sigurtë sepse jemi banorë efektivë të atyre zonave. Gjithashtu mendoj të fillojmë punë në ekspeditën që punon në rajonin e Qafë – Thanës.
– Dr. Hiqmet, i them unë, – a e di ti që Shqipëria Komuniste ka mardhënie shumë të mira e të shëndosha me Jugosllavinë, prerja e mardhënieve të mëparshme apo shkëmbimi i sharjeve të ndërsjellta etj. etj. janë taktik sa për sy e faqe që ju leverdis të dy palëve. Ky konstatim i imi që po të them dije se është i sigurtë sepse për këtë më ka treguar daiu im Esat Dishnica që ti e di se kush është ai, megjithatë ne të dyve nuk na takon t’i diskutojmë këto gjëra apo t’i hyjmë thellë këtij debati, biles ata kanë edhe një traktat që i shkëmbejnë të arratisurit e dyanshëm sipas leverdive reciproke. Ky traktat funksionon në perfeksion. Viktimat janë të ndryshëm si nga ana jonë ashtu edhe nga ana e tyre, sidomos me elementin kosovar. Ata të shkretë bëjnë çdo sakrificë për të shpëtuar nga shtypja serbe dhe vijnë tek atdheu amë, por ne i rikthejmë sepse ata që mbajmë i marrim sipas propozimit të atyre për t’i bërë agjentë kundër po kosovarëve. Ky është kontributi historik i shqiptarëve për kosovarët.
Menjëherë ndërhyn Hiqmeti: – Dëgjo o Xhavit, kështu si thua ti është e s’e luan topi, por ta dish që për mua kjo që po më thua ti, nuk është gjë e re, e di shumë më thellë seç mendon ti, biles di edhe gjëra të tjera që ti nuk i di, nuk dua të shes mend por po të them seriozisht më beso, se po të jesh me mua kjo “tramkë” nuk bëhet me ne të dy, të jesh mëse i sigurtë. Unë sapo të hidhem matanë marr lidhje të menjëhershme me njerëzit e mi në SHBA që janë me influencë dhe njihen si anti-komunistë sepse luftojnë edhe sot atje kundër këtyre “haleve” këtu, di unë si e zgjidh këtë problem, më beso në mënyrë absolute të lutem dhe vijnë ata aty e na marrin përnjëherë e mos më pyet më.
– Atëhere, – i them unë, – po pse nuk zgjedh kufirin grek, andej mendoj që ikja është më e sigurtë sepse në fund të fundit ata nuk janë komunistë si jugosllavët.
– Shiko, – më thotë ai, – Qentë e Tiranës (qeveritarët e Tiranës) janë shumë të rafinuar në kësi punësh, nuk e hanë pesën për gjasht, kështu i themi ne nga anët tona. Njerëzve si puna jonë që duan të punësohen nëpër ndërmarrjet e gjeollogjisë andej nga zonat e kufirit grek, i analizojnë shumë thellë sepse probabiliteti i shkëmbimit me ta pothuajse është i pamundur. Kështu si rrjedhim i kësaj llogjike ne të dyve asnjëherë nuk na e aprovojnë të punojmë andej, prandaj të lutem mos na hap punë dhe pse të bëjmë “shët” kur nuk kemi pula.
Pasi e dëgjova i them: – Shiko o Hiqmet, unë nuk vij dot sepse kam një baba shumë të sëmurë e të demoralizuar nga keqtrajtimi komunist dhe që e ka pothuaj të pamundur që të adoptohet me jetën e sotme, kam vëllanë të dhënë jashtmase pas studimeve dhe punon nëpër fshatrat e largëta të Shqipërisë dhe nuk merr pjesë fare në hallet e familjes, sepse veç librave ai nuk bën dot asgjë, kam një motër të vogël që do një kujdes të veçantë se është femër dhe e parritur akoma, një nënë që punon sa në punë të shtetit, aq edhe në shtëpi dhe të gjithë problematikën e familjes e zgjidh vetëm me mua. Kështu që unë nuk kam të drejtë të ndërtoj një jetë të lumtur për vete në kurriz të atyre të katërt sepse nuk diskutohet që internimet i presin dhe si do të katandisen pastaj? Sapo të thashë që mbështetja kryesore e tyre jam unë. Edhe forca e komunistëve qëndron pikërisht tek terrori që ata ushtrojnë në këto raste. A më dëgjon or mik? Ore vëlla Hiqmet Shena se ku e kam hallin që po të kundërshtoj propozimin tënd. O Hiqmet më dëgjo pa nervozitet se unë kështu i gjykoj këto gjëra, nuk do të më zërë shpirti kurrë qetësi kur të marr vesh rrjedhojat e tmerrshme që do të pësoj familja ime nga veprimi im. Nuk ndërtohet lumturia personale në kurriz të familjarëve të tu. Unë tërhiqem, s’ke ç’bën, është sistemi më i fëlliqur në botë që të frenon të mendosh për më mirë si për veten edhe familjen. Shiko, mund edhe të mos kem të drejtë, ndoshta këto punë i shoh edhe me një sentimentalizëm të tepruar, por s’ke ç’bënë kështu jam gatuar që kur kam lindur, nuk i lë dot ata dhe t’ia mbath, unë këtë mendim kam dhe po ta them përfundimisht.
Ai më përgjigjet: – Më fal Xhavit, është gabim i imi që të shtrova këtë problem. Kjo ka rrjedhur se të paskam mbivlerësuar, por po të them me keqardhje se po të dalloj të meta të pakorrigjueshme tek ty, më vjen shumë keq për ty dhe u ngrit menjëherë nga tavolina, pagoi llogarinë, më dha një përshëndetje me kokë dhe u largua shumë zyrtarisht. Pas disa ditësh e takoj në rrugë, u përshëndetëm dhe biseduam për shumë gjëra, por kurrë nuk më pyeti më nëse kisha ndërruar mendje, por vetëm më tha se më kanë dhënë një kamion 1.5 T “Lublin” në ekspeditën e Qafë-Thanës dhe do të nisem këto ditë për Pogradec me punë.
– Të uroj fat dhe mirupafshim, – i them direkt unë, – në “Shqipërin e lirë” ose në atë botën tjetër që besoj të jetë më e qetë se këtu.
U përqafuam shumë aq sa ai u përlot dhe sërish nuk ma zuri në gojë refuzimin që unë i kisha bërë çështjes së arratisjes. Ishte njeri shumë krenar dhe nuk ishte mësuar ti shkonte bosh ndonjëherë një propozim kaq serioz dhe i menduar mirë. U ndamë për të mos u parë më. Shumë shpejt mora vesh se Hiqmet Shena ishte arratisur nga Qafë-Thana në Jugosllavi dhe prej andej kishte fluturuar për në SHBA, dmth çfarë premtoi e mbajti dhe e realizoi. Megjithatë edhe sot pas kaq vitesh e gjykoj se nuk kam bërë gabim me atë veprim në atë kohë sepse do të shkatërroja përfundimisht familjen pothuaj të shkatërruar dhe nuk do të më zinte asnjëherë shpirti qetësi, kur të mendoja se unë do të isha shkaktari i asgjësimit të tre pjestarëve të tjerë të familjes nëpër burgje, internime apo kampe pune për shkakun tim. Dua t’i mbyll këto kujtime sa të ëmbla po aq edhe të hidhura për familjen tonë, megjithatë gjithmonë i kujtoj me nostalgji ato kohra të mbushura si me dhimbje, edhe me ndonjë gëzim të rastësishëm dhe bëj çudi se si ishte e mundur të gjenim në vazhdimësi forcë shpirtërore për të shpresuar për një të ardhme më të mirë, ndoshta kjo na mbajti gjallë, por ama ishim të sigurtë se megjithëse brezi ynë u dogj, sërish ishim të sigurtë se fëmijët tanë do të jetonin një ditë të lumtur.
Kjo ishte eksperiencë botërore. Një gjë dua të përmend me mburrje të madhe sepse kategoritë tona si grupe të së kaluarës, njiheshin nga rezilët – komunist sepse na ndiqnin në çdo hap të jetës sonë, por nuk arrinin të kuptonin se ku dhe si i gjenim ne ato forca shpirtërore apo edhe fizike për të qënë njerzit më të zotë në çdo gjë, e më të rregullt, si edhe punëtorët më të mëdhenjë dhe me një paraqitje të qetë dhe paqësore. Plasnin nga inati kur dallonin këto diferenca ndërmjet tyre dhe fëmijëve të tyre, me fëmijët tanë apo edhe me ne dhe tmerroheshin kur mendonin se e ardhmja mund të na takonte ne, reaksionarëve të dikurshëm që nuk na zhdukën dot të gjithëve. Megjithë këto halle që kaluam si ne edhe “ata” e treguam veten për atë periudhë të historisë që besoj të shkruhet realisht ndonjëherë. Ne gjithashtu e dinim shumë mirë se një popull i dalë nga një regjim totalitar e tiranik, që jetoi përmbi gjysëm shekulli i nënshtruar dhe nën një presion të vazhdueshëm sidomos kur mbi të u ushtruan gjithfarë dhunimesh dhe që kish arritur të pranonte në mënyrë pasive gjithçka të keqe, ky brez nuk mund të kishte zhvillim kulturor e demokratik të saktë apo edhe zhvillim qytetar që të arrinte të vetqeverisej me një shoqëri të lirë. Kjo jetë e ndryshuar do t’ju takojë vetëm fëmijëve tanë e jo ne. Fëmijët tanë do të hyjnë patjetër në rrjedhën e Europës së Bashkuar të udhëhequr nga Bashkimi Europian nën kujdestarinë e atdheut të demokracisë botërore SHBA, sepse vetëm kështu mund të shkulen gjurmët e së keqes të trashëguar në pamjet e njeriut të ri të mallkuar shqiptar i përgatitur nga monstra Enver Hoxha. Kështu besoj se do të bindet edhe miku ynë i familjes italiani Alberto Carlini nga Tolentino e Maçeratës i cili thotë sigurisht me humor apo dhe kur demoralizohet nga ndonjë veprim negativ i ndonjë shqiptari se: “Shqipëria do të bëhet vetëm kur këtu të mos ketë më shqiptarë”.
Aderimi në Europën e Bashkuar do të vonohet për ne shqiptarët, sepse eventualisht, ajo pengohet sot me forma nga më të sofistikuarat, të cilat lidhen me disa egoizma primitive nacionale të disa shteteve fqinje, duke futur në lojë të majtat socialiste, social – demokrate etj. Këto parti duan të metabolizojnë lëvizjet ish – komuniste dhe neo – komuniste ose më mirë të themi lëvizjet post – komuniste, të cilat kanë qenë të kompromentuara deri në grykë me regjimet totalitare komuniste dhe që sot kanë moderuar qëndrimet e tyre, pra duhet patur kujdes që këta popuj të vënë mënd dhe të ruhen që të mos lejojnë më kthimin e tyre në pushtet, ata kanë negacione të atilla që e ribëjnë po atë popull fatkeq sepse kanë mangësi të theksuara demokratike. Roli i ri social i individit në Europën e Re përbënë një objektiv kryesor të Partisë Popullore Europiane në të cilën aderojnë partitë më prestigjoze si, Demokristiane, Konservatore, Liberale, etj. Të tëra këto eksperienca ofrohen për të mbrojtur sidomos ato vënde që kanë prirje për të mbështetur politikat e majta, tashmë të njohura për shterpësinë e tyre. Programi i Partisë Popullore Europiane titullohet – “Një bashkim vlerash”. Shpresojmë të rrojmë edhe pak, nëse do të mundemi ne, brezi ynë i shumëvuajtur që të shohim këto të mira.