Tri tregime nga Shpëtim Emiri
KONCERTI PIANISTIK DHE XHA LAZJA NGA MALLAKASTRA
Disa minuta pasi Radio-Televizioni Shqiptar pat transmetuar një koncert të luajtur në piano nga bija jonë, Almira, në atë kohë studente e konservatorit “Bela Bartok” në Budapest, në Tiranë ra zilja e telefonit të shtëpisë.
Ishte viti 1999 dhe ne atëherë ende mbanim në korridor një telefon të vjetër që dëgjohej në të tëra qoshet e apartamentit ku banonim. Unë dhe Vala, ime shoqe, ishim nën pushtetin e emocioneve të bukura që na pat sjellë koncerti dhe e morëm me mend, që edhe miqtë tanë nuk donin të prisnin më gjatë për të filluar urimet për atë ekzekutim virtuoz të Milës tonë.
Ngrita dorezën e telefonit dhe e vura në vesh.
“Aloo, alo! – dëgjova zërin e njohur të mikut tonë familjar nga Ballshi. – Familja Emiri”?
“Hë xha Laze, ç´kemi”? – e pyeta.
“O Shpëtiiim, m’u drejtua si zakonisht, por me një shprehje të veçantë, si të kishte një dert a një amanet të beftë. – Të mora në kohë të papërshtatshme, po mos ma vur re mua, plakut! Ashtu ma dha truri, mora! Nuk e lija dot për më vonë!… Ça të të them unë, më pëlqeu shumë qy koncerti! Sapo dëgjova në televizor mbiemrin ‘Emiri’, daç beso, daç mos beso, më ngriu piruni në dorë! Ndënja, e dëgjova nga fillimi gjer në fund, pa vënë gjë në gojë. Më mbetnë sytë mbi televizor, për kokë të fëmijve! Nuk kam ç’them! Më pëlqeu shumë, më pëlqeu, më pëlqeu…! Bravo i qoftë çupës tënde, edhe ty! Ama, dua të uronj sidomos të jëmën”!
“O Vala, i thirra, – eja në telefon, se është xha Lazia. Ka ndjekur koncertin e Milës dhe i paska pëlqyer shumë e do të të urojë ty, veçanërisht”!
Ime shoqe fluturoi! E dhënë me mish e me shpirt pas dy fëmijëve tanë, e sidomos mbas vajzës, mësimeve të saj të pianos, si kur i nisi në Shqipëri dhe i vazhdoi në Hungari. I dinte mamaja, përmendësh, pjesët që i luante e bija dhe entuziasmohej me rezultatet e njëpasnjëshme të saj andej. Ja, iu bë qejfi që edhe artdashësit në Shqipëri donin të shprehnin vlerësime të koncertit, që u filmuan dhe u dhanë në transmetim ditët e fundit në atdhe. Ma rrëmbeu dorezën dhe me padurim, e etur të dëgjonte vlerësime, nuk pati kohë të llogariste se nga cili burim po vinin përshtypjet.
“Alo, hë xha Laze, a e pe koncertin”?
Jo, jo… nuk e pyeti fare as “Si jeni” as “Si janë gjithë familja” e tjera e tjera, por drejt e në temë, e etur për lëvdatat artistike…
“Oj të parë, thotë qo! Të parë dhe të parë mirë, biles, ja me këta sy”!
“Cila pjesë të pëlqeu më shumë, xha Laze”!
Po e pyeste e drithëruar e ëma e pianistes xha Lazen, këtë spektator dashamirës që po befasonte me atë urim të papritur që nga Ballshi.
“Hëë, – do ketë nënqeshur xha Lazia, – ça pjese thua ti moj”?! – i lëshoi pyetjen mamasë të pjanistes, ai. – Mua më pëlqeu çupa juaj mooj, çuupa moj, çupa, – e ngriti zërin. – Çdo gjë e saj! Ishte veshur si njeri, me një fustan të gjatë deri në fund të këmbëve, kish lezet! Flokët i kishte mbledhur si ti moj, si e jëma, nuk i kish lëshuar mbi sy, si ca e ca të moshës së saj… Ish serioze, moj, ça t’u them më unë, i kish të gjitha të mirat! Bravo, njëmijë herë”!
“Po nga pjesët muzikore që luajti, kush të pëlqeu, xha Laze”? – nuk po e lëshonte narkoza e tingujve të pianos të ëmën, që harroi krejt se xha Lazia shtatëdhjet vjeçar, lerë e rritur si kapedan në krahinën e Mallakastrës, kënaqej me këngët polifonike, ato myzeqare e deri tek ca këngë qytetare të Korçës. Nuk kishte parë e dëgjuar pianon e Milës ai!
“Asanj t’i bjerë si të donjë çupa, moj, se nuk na prish asnjë punë, unë shikonj ato që janë kryesore, nuk shikonj nga rangadungat e… ça i thonë asanj vegle, piano sikur… I lumtë asanj, ju lumtë dhe juve”!
KUR U AKORDUA DEKORATA “LUGAT I PUNËS!”
Kishte kaluar mesi i gushtit, kur kryeministri i vendit, në intervistën para gazetarëve kishte deklaruar bujshëm sihariqin e pabesueshëm se rikonstruksioni i rrugës së Llogarasë, loti 1, nga “Sorkadhja” deri tek Ura e Palasës, afër 17 kilometër, do të përfundonte brenda afatit, pikërisht më 5 tetor të atij viti, 2001. Madje, për ta bërë më të pranueshme dhe të sfidonte ilaritetin e mosbesimit, shtoi si për t’i vënë vulën: “Sot ka filluar shtrimi i asfaltit”!
Efekti ishte i menjëhershëm dhe befasues. Do përfundonte pas dy muajsh, kur vetëm para tre muajsh ishin shkëputur forcat ushtarake të xhenios nga puna për zgjerimin e trupit të saj dhe gjendja pas shpërthimeve, përgjatë gjithë rrugës, dukej shkarravinë, copë-copë…
Të nesërmen që në mëngjes, sapo doli nga apartamenti në shtëpinë e pushimit në Dhërmi, kryeministri u hodhi një sy kalimthi gazetave të ditës dhe u mbërthye tek titulli me gërma kapitale: “GËNJESHTRA E RADHËS E KRYEMINISTRIT”, e ai u hardallos. U vërsul ashtu siç ishte, me pantallona të shkurtra, me shapka e me gazetën që iu zhubros brenda grushtit të mbledhur për “luftë”, e nxitimthi i hipi asaj makine që pati shoferin në timon dhe urdhëroi: “Urgjent, lart në Llogora”!
Alarm i madh në shtëpinë e pushimit të udhëheqjes! Pjesëtarët e grupit të shoqërimit u nisën rrufe njëri pas tjetrit ta arrinin dhe i ndihmoi fati të mos turpërohen, se veturës së “rrëmbyer” i ra goma rrugës, Kryeministri, djalë i ri e tip sportiv, u hodh shpejt në veturën tjetër ku iu desh ta përsëriste urdhrin: “Lart, në majë”! Gazetën e kishte flakur sa lexoi rreshtin e parë: “Shtrimi i asfaltit ende nuk ka filluar në Llogara”!
Gjithë kacabuj rrugës rreshtonte çomanget që do t’ua vërviste cilitdo që e kishte keqinformuar për fillimin e asfaltimit. Madje, lutej të ishin shumë syresh, ndryshe dengu i sharjeve me britma do t’i mbetej stok. Makina, edhe pse po fluturonte, i dukej se rrinte në vend, ndërsa nevriku i hipte shkallët dy e nga tre deri sa mbërritën tek serpentina e kreut, pjesa thuajse horizontale, ku u përball me pamjen e çuditshme, rreth një kilometër gjatësi rruge të shtruar me asfalt. Bukurinë, shtrimit mjaft cilësor, ia shtonte së tepërmi kontrasti i thellë me pamjen e rrugës si gërmadhë pas punimeve shkatërruese shkëmbore me lëndë plasëse…
Si nata me ditën!
– Ndale! – bërtiti padashur e makina gozhdoi!
Ky ton i lartë që e trembi shoferin ishte karikuar gjatë rrugës për tjetërkënd. Zbriti titullari i lartë, eci para një copë rrugë më këmbë dhe i vetëm nuk po qetësohej dot. Atij tërbimi që e pat kapluar, nuk i mjaftonte pamja e asfaltit të shtruar, të shkarkonte në boshllëk. Ama, sa mirë! Nuk e patën gënjyer drejtuesit vendorë… Gazeta e opozitës kishte botuar një lajm të rremë e diskreditues për kryetarin e qeverisë.
Mjaft i kënaqur nga bukuria verbuese e shtrimit, e shijoi atë përgjatë gjithë gjatësisë së saj, edhe pse shapkat i ngjisnin nga pak në asfaltin e freskët, lehonë, kur bitumi ende nuk ishte pluhurosur. Deshi perëndia të mos i këputeshin rripat e sheshkave, por zgjidhja nuk do të mungonte. Njëra nga makinat e shoqërimit ishte kthyer të merrte, për çdo rast, një komplet veshjeje për kryeministrin plazhist të “arratisur”.
Sa doli në krye, në vend të kthehej mbrapsht, në shtëpinë e pushimit, dalldia e fitores e çoi për kafe tek lokali në kuotën më të lartë të rrugës në Llogora. Njëkatëshe me mure guri, Bar-Bufe-Restoranti ishte i vendosur në kuotë rreth pesë metër mbi rrugën nacionale, shtyrë më në thellësi që t’i lejonte të kishte para sheshin e parkingut dhe tarracën e shërbimit veror plot tavolina nën gjelbërim agrumesh, ndarë e lidhur mes tyre nga shkalla që ngjitej deri tek hyrja e lokalit.
Se pronari i këtij lokali do të ishte i Dukatë merrej me mend, por që të ishte vetëshpallur “Prefekti i Llogorasë” nuk kishin si ta dinin. Kjo kishte ndodhur sapo u emërua prefekti i ri i qarkut Vlorë – Sarandë, me të njëjtin emër, Tare.
Tarja i Llogarasë, burrë mali kockëfortë e mjaft energjik tek të dyzetat, që nuk kishte hequr dorë nga fanella e leshit, mbizotërohej nga tiparet e çobanit, i gjallë, gazmor, mikpritës, i zhurmshëm dhe me karakteristikën e spikatur të banorëve të Dukatit, sa malësorë aq qytetarë!
Vetë-titullimi i Tares, ndonëse vinte era karshillëk me pushtetin, kishte fituar miratimin e opinionit. “Votimi” kishte qenë i hapur, në erë, pa kundërshtarë, pa vjedhje votash… dhe në këtë aspekt pronari i lokalit mund t’i mburrej edhe vetë Kryeministrit! Pra titulli honorifik i takonte!
Nga ajo lartësi, ku kishte ngritur Bar-Bufe -Restorantin, dominohej pamja magjepsëse e kaltërsisë së pafundme të detit Jon, gjithë bregdeti në kuotë një mijë metër më poshtë, me plazhet një pas një: i Drimadhes, Palasës, Dhërmiut, Vunoit, Himarës… përballë tyre dy ishujt e pabanuar të Greqisë dhe tej në horizont ishulli i Korfuzit. Si të mos mjaftonte gjithë kjo bukuri e rrallë natyrore që shijohej mahnitshëm gjatë gjithë ditës, natën, në errësirë të plotë, nga ajo pikë të befasonte gjerdani i zjarrtë i ndriçimit të bregdetit italian të Brindizit. Përrallë! Kush e shikonte për herë të parë hutohej dhe nuk kuptonte dot se po shikonte me sy të lirë Italinë që nga Shqipëria. Kurse për çobanët e Dukatit ai gjarpër zjarri natën mbi det ishte orientuesja natyrore më e mirë, sa herë qielli nuk mbulohej nga retë.
Nisur nga këto vlera marramendëse që kishte vendi, njëherësh edhe “rezidenca” e Tares, mund të mendoje se ai ishte treguar mjaft i përmbajtur, kur pretendonte titullin “Prefekt”. Nuk ishte treguar tamahqar! Shyqyr që s’kishte lakmuar fronin e kryeministrit, se, me kokën që kishte i Dukati do kishte shkuar puna “Ja ti, ja unë”!
Përreth lokalit të Tares, mes pishave, ishin sistemuar edhe fjetoret e lëvizshme të firmës ndërtuese dhe qysh prej tre muajsh punonjësit e saj hanin e pinin tek lokali i tij e flinin në të njëjtën “lagje”.
– E kam të tretën këtë! – iu mburr qysh në fillim fqinjëve të rinj për fuoristradën “Toyota”, me të cilën kryente furnizimin e lokalit. – Me të parën u rrëzova tek kthesa… me të dytën u përmbysa… nuk kuptova gjë fare si më nxorrën…! – dhe i mjaftonin dy llafe të përshkruante “karrierën” si shofer, ndërsa çuditërisht aksidentet i ndodhnin teksa ishte esëll, por kjo ndofta ngaqë nuk i mbante mend ato, kur ishte i ngrohur vendçe. Pavarësisht të gjithave, bënte be e rrufe se i dehur ndihej më i sigurt në timon. – Makinat u bënë m… ore, po ç’i… t’ëmën! – ua pat bërë të ditur edhe konkluzionin mospërfillës përfundimtar.
Grumbullimi i njëhershëm i grupit të veturave tek parkingu dhe tek rruga para lokalit të tij, shumica me sinjale policie mbi kokë, i tërhoqën vëmendjen “prefektit”. Porosia “Kafe për kryeministrin” sakaq mbërriti tek i zoti i lokalit nga shoqëruesi, por Tarja nuk nxitoi të vinte xhezven. Vuri përparësen e bardhë borë dhe u lëshua nga banaku sa pa eskortën të mbushë tarracën para lokalit të vet.
I shkoi tek tavolina ku ishte ulur rëndë-rëndë titullari, veshur “për ibret të Zotit”, me pantallona të shkurtra e shapka dhe, pa e fshehur buzagazin që i mbiu në moment, i uroi mirëseardhjen gjithë respekt.
– Kafe! – përsëriti kreu i qeverisë pa e lënë të zgjatej.
– Tani, që më ke respektuar e je ulur këtu, e di unë se çfarë duhet të shërbej! – thirri të dëgjohej mirë gjer tutje në “prefekturën” e vet. – Nuk do helmojmë kryeministrin që pa gdhirë me kafe ne! Do pish një gotë qumësht të freskët të sapomjelë e të zier mirë dhe me një lugë mjaltë brenda, pastaj… kafia është e fundit! Juve zotërinj, – iu drejtua grupit të shoqërimit, – porositni çfarë t’u dojë b… dhe me ruajtjen e Kryeministrit, këtu tek lokali i Tares, nuk keni punë! Ka zot vëndi këtu! Ju keni punë jashtë atij murit në buzë të rrugës! – thërriste e thërriste Tarja, që nuk i kishte dalë ende rakia e mbrëmshme, veç asaj të “Mirëmëngjesit”…
Kryeministrit i pëlqeu “arroganca” e të zotit të shtëpisë, që me atë kurajë e bëri për vete dhe nuk e kundërshtoi; ia la atij në dorë menynë. Fluturoi Tarja në banak e në kuzhinë, ku i punonte me përkushtim, pastërti e cilësi gjithë familja dhe me tabakanë në dorë i shërbeu të madhit.
– Ulu! – e urdhëroi “plazhisti” dhe i hapi muhabet si ta kish mik të vjetër.
– Si të duket kjo firma që po merret me rrugën? – e pyeti.
– E ku i ke gjetur këta, o zoti kryeministër? – ia plasi Tarja, sikur mezi priste ta shpallte bujshëm mbresën që i pat lënë ai grup i papërmbajtur ndërtuesish. – Po paskan qenë lugetër për punë, o i uruar! Ëndërr o, ëndërr, të paparë, po të thotë Tarja! Më morën shpirtin dhe mua, më bëjnë zgjimin. Hallall! U i varfëri ngrihem që më pesë të sabahut se do ndez zjarrë, do bëj paçen e tasqebapin të freskët, që të jenë gati në gjashtë e gjysmë, kur më ndalon autobuzi i linjës. – dhe pa marrë frymë nxitoi t’i tregojë me zërin shpellë ç’pësoi në fillim. – Uaaau! U trëma ditën e parë, kur dëgjova goditjet e çekiçit hidraulik të Flamurit. Thashë se më kishin vënë dinamitin në lokal, për kokë të fëmijëve. Dola meee… me hanxhar, (iu dha në moment ta ndërronte kallashin pa leje me ç’i shpiku truri). Ja, ja! Dola nga ajo baranga e llamarinës, ku flë me gruan, siç isha… – dhe i mbeti dora nderur, deri sa ta kthente kokën bashkëbiseduesi andej nga faqja mbi gërmimin e parkingut…
Kryeministri u shkri gazit.
-Po ju them ore; kur mos kem njeri! – ua molloiste ndërtuesve sapo mbërritën për drekë në lokal, ku Tare pronari mezi po i priste! – Uuu, ça nderimi që më ka bërë mua ai sooot… t’ia tregoj varrit!
Aman e kënaqa, iku pa mënd! – dhe ua rrëfente bisedën “sekrete” kokë më kokë me kryeministrin e bënte be e rrufe. – Për kok’n e fëmijve! Mos u gdhifsha i gjallë nesër! – ta besonin se nuk po shtonte apo zbukuronte asgjë rrokje. – Uaa, si nuk pata njeri të na dëgjonte!… Ku i ke gjetur këta lugetër, i thashë për ju, jaaa, për këta dy sy!… U shkri, u shkri ai! – Po tjetër, Tare? Ju do keni ndenjur ndonjë gjysëm ore bashkë. – Po ç’gjysëm thua ti more?! Thuaj një orë dhe e ke pak! Llogarit që iu shërbyem të gjithëve pa përjashtim, dhe atyre që rrinin më këmbë rreth e rrotull. S’lashë njeri pa qerasur, po të them ore! Aah, që nuk pati një nga ju ndërtuesit këtu!
…E ça nuk llafosëm me të?! Po unë nuk kam shkollë sa ju inxhinierat, t’ua numuroj me pik’e me presje!… Merak të madh ai kishte afatin. “A do ta mbarojnë dot në afat”?! – Këtë ma tha, kur mos kem njeri e më duket se jemi shumë mbrapa! – shtoi pas një hopi gjithë seriozitet Tarja nga vetja, si të kishte pjesë në përgjegjësinë e detyrës për realizim. I qe zgjuar sedra dhe mendonte a do kish sy e faqe t’i delte para përsëdyti të madhit në vizitën e ardhshme. – Ama, po e kapët dot 15 tetorin, do t’u japë punë tjetër më të madhe, ta dini! – O vëlla, – iu ktheva, – këta, mos bëj gabim t’i lësh pa punë! Janë gjynah nga Zoti! Fjalë për fjalë po ju them, u gdhifsha qorr! – betohej e betohej se kish hyrë mik për firmën e ndërtimit tek kreu u qeverisë.
Ngjarja e çuditshme la gjurmë të thella, madje u duk se po përmbyseshin ca raporte… Me shpërthimin vullkanik të pushtetit të Tares, u zbeh e ra vetiu autoriteti i supervizionit. Vërejtjet e Tares nuk bëheshin kabull! Në krahun tjetër ndërtuesve iu humbi e drejta të bënin ndonjë ankesë, për cilësinë apo sasinë e racioneve të ushqimit në lokal. Kujt t’i bëje vërejtje?! Shyqyr që pronari i lokalit ishte dorëlëshuar e nuk do t’u vinte radha për ankesa, për më tepër që dhe produktet, bulmeti, qumështi, kosi, mishi dhe perimet ishin prodhime vendi Bio e me shijen fantastike.
Ama e paprekur mbeti liria e informimit. Kushdo që e pyeste Taren do ta merrte përgjigjen në vend, madje me kënaqësi dhe përditë shtohej ndonjë gjë e re, që ai u betohej se i kish shpëtuar pa thënë…
– Ore, më duket se po e bën “shto ujë e shto miell” ky qerrata Tare! Çdo gjë që nuhat se na e bën qejfin ne, na e bën peshqesh e na e lë në prehër. – Jo, jo, mos e ngarkoni me faj! Ajo që kaloi këtu nuk është shaka. Vini veten në vend të tij! Të vijë e të të zërë derën e shtëpisë kryetari i shtetit që në mëngjes, sekush nga ne do të qe hutuar e emocionuar dhe nuk do lidhte dot dy llafe, lere më të kujtonte saktësisht ç’u tha aty me gotat e rakisë para. Është gjynah t’i biesh më qafë!
– Nga ai krah që ke merak ti, nuk e vret fare Tarja, nuk ka lidhje hiç me emocionet ai?! Më shumë emocione mund të ketë pas kryeministri, kur i doli para Tarja, se sa Tarja nga ai. Nuk ia bën syri “tërr” fare për pushtetarët. Ai ç’t’u bëjë klientëve, të mos i largohen; për ata po mund të bëhet merak…
Porsa u mor vesh në ndërmarrje, në Tiranë, inspektimi i rrugës nga kryeministri, shefi i madh, nisi direkt drejtorin teknik. “Kujdes! Në përshtypjet e kryeministrit mund të lexohet perspektiva e firmës. Domethënë, do të merrnin punë në vazhdim, apo kishte shfaqur ndonjë pakënaqësi”?
Sa mbërriti, u përshëndet me punonjësit që po drekonin tek lokali në majë të Llogorasë, porositi nga një pije për secilin ndërtues nëpër tavolina, puna e parë si zakonisht, dhe u fut në temë.
Ç’të dëgjoje?!… Vendin e parë në botë!
– Ore, po këto që paska thënë kryeministri për ne, nuk na ka shkuar në mendje t’i themi as ne për veten tonë! – u tha i habitur drejtuesve në kantier. – Nuk është e mundur!
Këto janë muhabete “Futja… katundit”! Ku është Tarja?! – kërkoi burimin, që dashur-padashur ditë pas dite ishte turbulluar.
– Kush ishte tjetër në tavolinë veç teje e kryeministrit, o Tare?
– Isha unë dhe ai e hiçnjeri të them! Ishim vetëm! Nuk pranoi njeri tjetër në tavolinë ai. S’kish ç’i duhej!… Ama u prëjtëm muhabet! Mua më pëlqeu se erdhi ashtu, siç ishte në plazh! – tregonte e çokiste gotën e rakisë, që s’e lëshonte nga dora, Tarja, por me tjetër hije, ndryshe nga para ca ditësh.
Ishte rritur pjaca! Pa qenë nevoja të imitonte ndokënd, ‘Prefekti’ fliste si të ishte zv-kryeministër.
– Ashtu, si ai i dua njerëzit unë! Sa më të thjeshtë! Më bëri për vete. Nuk i honeps dot të krekosurit.
Dhe inxhinieri i porsambërritur nga Tirana u ndie keq.
Ta dinte se ku kishin mbërritur punët për thjeshtësinë, do bënte mirë të vinte zbathur… Për herë të parë i pa me përçmim këpucët…
Ato ditë emri i kryeministrit ishte bërë kryefjalë, ndaj për ta shmangur përdorimin vend e pa vend të emrit të tij, plus ndonjë keqkuptimi të mundshëm, u koduan bisedat me citatin: “Sipas burimeve të informacionit nga Agjensia Telegrafike ‘Ta-Re’ – Mu po m’duket se po kënaqena me rrena! – Ky emën i axhensisë telegrafike asht ‘Ta-Re’, apo ‘Ta-Rren’?! – pyeti Ismaili, shefi i madh i TRISS -it, kur dëgjoi gojëdhënën rurale që e pat kthyer në furtunë flladin e lavdërimeve.
Ndërsa ditët kalonin, njëlloj si bora në Llogora, po shkrinte ngadalë legjenda folklorike e takimit kokë më kokë të “homologëve” të pushtetit qendror dhe vendor, ama mbeti në kujtesë epiteti i padëgjuar ndonjëherë “lugetër të punës”, që “prefekt” Tarja e nxori si nëpër legjenda nga pylli me pishat e larta, të moçme, rrahur nga erërat e suferinat e “Qafës së Llogorasë” që patën krijuar çuditshëm Monumentin e Natyrës, “Pisha flamur”!
– Ju lumtë! – erdhi urimi në orën 22 të datës 15 tetor, sapo u raportua zbatimi i plotë i projektit.
Çfarë lumturie të pamatë përjetonin “lugetërit”, stafet profesioniste të përkushtuara të kësaj firme, nga vlerësimi “Ju lumtë!”, të cilin luftonin ta merrnin në çdo kontratë, së pari për cilësinë e punimeve, por edhe për realizimet para afatit, qoftë dhe në afat…
DO ÇAJ, DO RIGON?
Ra menjëherë në sy rritja e beftë e trafikut në rrugët e bregut të Jonit pas vitit 2000. Që ishte rezultat i investimeve të reja për rikonstruksionin e aksit Vlorë-Sarandë, nuk vihej në dyshim, por kjo do të mbetej e pamjaftueshme, po të mos e mbushnin vendin tonë me vetura “çunat” që, për arsye ekologjike, po ia rrallonin ato me karburant Evropës, t’i ndërronte me elektrike!
Dhe ecja, rrugëtimi i këtyre mjeteve nëpër xhadenë mjaft të vështirë e malore të Llogorasë, ishte “thela mbi bisht”, prova e nderit për garancinë e veturave të soj-soj markave të perëndimit, të panjohura për blerësit vendorë, që përveç se më të padalët jashtë vendit ishin dhe më fukarenjtë e Evropës. Se po të ishin “Xin-Fu” kineze, “Karpat” rumun, apo “Varshava” polake, këtu nuk të falnin.
E në Qafën e Llogorasë blerësit dorëzoheshin pa kushte dhe gjynah të mos e bënin një sfilatë nëpër rrugët e Bregut, mbuluar anekënd me bukuritë përrallore të natyrës…
Qari i trafikut!
Si pa u ndjerë, natyrshëm lindën dhe tregjet me prodhime të fshatrave një pas një. Tezgat e nxjerra buzë rruge joshnin udhëtarët të ndalonin e të blinin prodhimet e tyre bio, kryesisht perime, vezë, fruta e sidomos mjaltë.
Cilësia e lartë e produkteve ua kalonte çmimeve, e blerësit, kur i konsumonin, pendoheshin për nazet që mund të kishin bërë në blerje. Me shijen e një domateje nga lagjja Shata, nën “Sorkadhe”, mund të konkurroje bërxollën në Tiranë! Pa lere më me prodhimet e vetë natyrës së virgjër në atë lartësi e në atë klimë të Llogorasë, ku prehet edhe Zoti vetë, siç ishin çaji i malit, rigoni dhe bimët medicinale!
Në tërë këtë gjallërim përshtypje të veçantë linin nxënësit e shkollës tetëvjeçare të Dukatit, madje edhe parashkollorët. Gjithë ndërtuesit ishin familjarizuar me ata fëmijë të mbarë duarplot me prodhimet e natyrës. Kishin zgjedhur pikat e tyre të shitjes aty ku ndalonin veturat, në kthesën te “Sorkadhja”, tek grumbulli i lokaleve mbi “Vilat e gjermanit”, tek lokalet me famë ndërkombëtare, të Sofos, Torit, Gëzimit… dhe përballë çezmës lart nën “Pishën Flamur”.
Të befasonin e të rrëmbenin tufat e plota të çajit me lulet ngjyrëndezur floriri e aromën e dashur ndjellëfortë dhe tufat e rigonit po ashtu me erën e tyre karakteristike depërtuese që në orar dreke të sillnin në kujtesë mezet.
Zhurma e çdo makine në gjarpërimin e rrugës në ngjitje drejt Qafës së Llogarasë i vinte në “gatishmëri numër 1” shitësit e vegjël ambulantë. Madje e nuhasnin edhe sa kthesa larg ishte mjeti dhe, kur shikonin që po afrohej, dilnin me tufat në duar e thërrisnin: “Do çaj, do rigon”?
Çfarë adhurim e dhembshuri njëherazi ngjallnin ato thirrje fëmijësh, që luftonin për një jetë më të begatë në ato lagje të thella të Dukatit?! Inxhinieri ishte i dashuruar me sjelljen e asaj moshe të miturish, që i kujtonin fëmininë në kushte të ngjashme… Çaj dhe rigon kishte mbledhur me duar qysh foshnjë, në kopshtin mbi shtëpi, e më vonë në faqen e Malit të Gjerë. Po ashtu, së bashku me vëllain më të madh, Ibrahimin, kishin shitur nëpër Pazar në Gjirokastër gazeta dhe bileta llotarie, duke thirrur: “Bileta llotarije, provoni fatin” dhe e njihte kënaqësinë që të jep shitja e mallit, sikundër pezmatimin, kur të shkonin kot thirrjet dhe njerëzit nuk të përfillnin. Më keq akoma, kur bëheshe i bezdisur e të përcillnin me ndonjë, “Ik, mos na rrokanis kokën”, apo “Erdhe prapë mo?! Ti të kishim mangut”!… Por gjithçka e harronin, sapo dikush tjetër blinte diçka, lere më kur u linin bakshish… një lekë… dy lekë, që u siguronte biletat për kinema, pa iu bërë barrë prindërve!
E këtu në Llogara, për fat të keq, po përjetonte një situate krejt të ndryshme, mjaft të sikletshme e thuajse të përmbysur. Sa më shumë që adhuronte çunakët shitës, aq më keq ndihej. E mundonte ndjesia e brendshme se padashur ishin bërë pjesë e një loje pabesie ndaj fëmijëve… Siii?!
Po, po! Zhurma e makinave të kantierit që lëviznin në atë zonë, lart e poshtë përgjatë gjithë ditës, ishte një lloj alarmi i rremë për fëmijët dhe sharjet që dilnin vetiu nga çunakët e zemëruar, sapo kuptonin se kush po vinte, ishin një “sajdisje” e përditshme që ndofta zbutej paksa me përshëndetjet gazmore kur këmbeheshin. Por përsëritja dhe përsëritja shumë herë gjatë ditës nëpër atë vapë përvëluese e këtij “mashtrimi” ishte si një torture psikologjike mbi ato mosha të njoma.
Edhe pse ishte bërë e qartë për të dy palët, makinat e kantierit dhe fëmijët e Dukatit, asnjëherë nuk u ambientua dot inxhinieri me këtë cenim të entuziazmit të fëmijëve, me atë zhgënjim të tyre të herëpashershëm dhe nuk i shkulej nga mendja ndjesia e fajit. I respektonte sa mundte. Ulte shpejtësinë, ulte xhamat e dyerve, i përshëndeste buzagaz, por përsëri nuk u çlirua që nuk u çlirua, aq sa nuk iu shkul më nga mendja.
E dhimbshme të shikoje fëmijët si u binte entuziazmi i thirrjeve, sapo njihnin veturën e inxhinierit! Të pafajshmit, të zhgënjyer shkreheshin mërzitshëm. I nguliteshin në kujtesë ato fytyra fëmijësh, që suleshin pandërprerë në anë të rrugës me shpresën se dikush do t’u blinte ndonjë tufë çaji, apo rigoni, që ata e kishin mbledhur me thonj në faqen e malit të Çikës.
Ndalesa e ndonjë makine i mbushte me shpresë, se do mund të shisnin diçka. Oh sa qejf! Shijonin gëzimin e vlerësimit të punës së tyre në natyrë. Dhe nuk ishte lojë ajo punë në zhegun e vapës në faqen e malit të zhveshur e të thatë, pa ujë. Ooh, çfarë pune! Puna më e ndershme në botë!
Por dhe e kujdesshme. Nuk ua shkulnin rrënjët bimëve, mendonin dhe për vitin e ardhshëm…
E mali mezi priste t’i vinin fëmijët çdo vit në gushtin e thatë e të përvëluar. Përgatiste për ta ato fijeza të çajit e rigonit, në atë pakëz tokë rrëzë gurësh, a shkëmbinjsh, tokë e shpëtuar vjedhurazi nga rrëketë e shkujdesura apo të marrosura të dimrit e mali bëhej ‘MAL’ kur fëmijët përkuleshin t’i mblidhnin, sepse mbas çdo përkuljeje do të ngriheshin më të mirë, më të rritur e ai vetë, mali i Çikës, do t’iu dukej më i vogël…
Ooooh, çfarë fëmijësh! Dhe sa e shenjtë sakrifica e fëmijëve!
Të tërhequr nga thirrjet e tyre, kalimtarët ndalonin para djelmoshave, rreshtuar njeri mbas tjetrit. – Bleje tek unë! Bleje tek unë! O xhaxhi, o teta…!
Me sy lutës e me zërat fëminorë u drejtoheshin kalimtarëve, që ishin nisur nëpër pikat turistike të Bregut, apo atyre që ktheheshin, shumica lëkurënxirë nga pushimet në diellin e pjekur të plazheve të Jonit.
Por sa e pavëmendshme jeta! Ndryshe nuk mund të ishin aq të pandjeshëm përballë vështrimeve të sinqerta të “shitësve” të vegjël me shikim të gëzuar sa u afroheshin tek tezga, sy që trembeshin nga pavendosmëria e blerësve, të zemëruar kur u iknin klientët pa blerë e keqardhës, kur u bënin presion për të ulur çmimin, kur nuk ua pëlqenin “mallin”…
O kalimtar! Besoju syve të fëmijës! Kthehu, kthehu, pse ikën i pakënaqur? Merre nga dora e vogël e çunakut! Jepja krahun, ndihmoje atë! Me atë dorë ai do të shkruajë edhe më bukur… Përkrahe sadopak të rritet i gëzuar! A nuk i ke parë ata kur mbajnë fetën e bukës në njërën dorë e me krahun
tjetër duke shtrënguar pas mesit të tyre të hollë një deng me tufa çaji e rigoni, në rrugën për tek “tregu”, nën hijen e një pishe, a në rrëzën e murit tek çezma nën diellin përvëlues të gushtit? Me sa uri e kafshojnë, pa pasur merak për tualetin e fytyrës, kur u bëhen mustaqe të bardha deri mbi hundë… ?!
Udhëtar i rastit qofsh, jo, mos ik pa marrë aromën e malit në ato duaj, mos u largo pa marrë kënaqësinë e syve të gëzuar të fëmijëve që luftojnë të njomë për një jetë më të mirë! Flake indiferencën, ji i vëmendshëm me ta, dhuroju sa më shumë dashuri e përsëri do t’u mbetesh borxhli! Vështrimi i tyre i pafajshëm do të të ndjekë… Gëzojini ata dhe shikimi i tyre i qeshur do të jetë një bekim për ty, o njeriu i mirë!
Dhe qëllonte që kalimtarët, duke ndjekur njëri-tjetrin, të grumbulloheshin tek tezga e njërit prej fëmijëve. – Merrni dhe tek ai, njëlloj është! – dhe tregon një tjetër fëmijë, si veten. Lumturohen, kur shesin që të gjithë. Me sy të qeshur! Si është e mundur? Me sa zemërgjerësi respektojnë djersën e shokëve.
Lum kush e njeh erën e djersës së punës të fëmijëve?!
Çfarë arome dehëse për një prind!
Por, a jemi të zotë t’u ngjajmë fëmijëve?
– Merre dhe këtë, pa lekë xhaxhi! – e të ndjekin pas të të dhurojnë një “dorë” çaj, apo rigon. Nuk dinë si ta shprehin respektin për blerjen që i keni bërë. Sa dorëdhënë! Të bëjnëtë stepesh nga ajo bujari, sa fëminore aq burrërore. Ajo dorë e vogël fëmije e shtrirë për të dhuruar, shoqëruar me shikimin lutës që ta pranosh atë peshqesh, është një pamje engjëllore që të shtang, të mahnit, të mrekullon… E pas asaj pamje, nuk mund të mos dallosh një zemër të madhe që rreh kambanë brenda zemrës së një fëmije. Është shqiponja e karakterit, e traditës së bujarisë të Dukatit që lëshohet e lirë në fluturim nga trupi i njomë i një zogu të rritur n’ato male.
A mund ta ngresh dot peshën e asaj dhurate të sinqertë fëmije?!… Dhe mendohu mirë kur të përgjigjesh!… Hë pra, a mundesh…?!
Ndaj, kurrë mos ia kthe dorën, pranoje, mos e lëndo! E kur fëmija sillet si burrë, të rriturit ç’duhet të bëjnë?!
O Zot që ke derdhur mbarësinë mbi fëmijët, bëji të mbarë dhe të rriturit! Në se nuk mundesh, riktheji, bëji përsëri fëmijë!