Tri tregime nga Shpëtim Emiri
PËRBUZJA PËR DIKTATORIN
Ishte bërë rit i përditshëm për inxhinierin. Pasi përcillte gjysmat e mjeteve të rënda të transportit, ngarkuar me asfalt në fabrikën e ngritur pranë urës së lumit të Tragjasit në Orikum, nisej edhe vetë, në mbështetje të stafit teknik, të ndiqte ecurinë në shtrimin e binderit apo tapetit. Ato ditë ishte faza më delikate e procesit të asfaltimit pas Qafës së Llogorasë, në Faje – faqja e malit që shikon nga Dhërmiu. Për të garantuar cilësi sa më të lartë, shtrimi duhej filluar nga poshtë lart. Pra, do fillonte tek ura e Palasës dhe do të ngjitej në gjarpërimin mahnitës përgjatë 12 kilometrave deri në kuotën plus 1026 metër mbi nivelin e detit, në krye të Llogarasë.
Punohej mbi trupin e rrugës ekzistuese të ndërtuar nga ushtria italiane në Luftën e Parë Botërore, të zgjeruar paksa me aksion nga ushtria jonë para një viti, më 2000. Ndërsa projektimi i rrugës, sidomos vija gjeometrike e saj, ishte e mahnitshme, gjerësia ishte e frikshme, e mjaftueshme vetëm për qëllimin fillestar të pushtuesve. Domethënë, kalim i automjeteve ushtarake me peshë diku te 3-5 ton, që tërhiqnin artileri, topa etj, në vitet 1914 e deri më 20-ën, në Luftën e famshme të Vlorës, kur luftëtarët shqiptarë e hodhën ushtrinë italiane në det: “Çobanët mbi gjeneralë”!
Ndërkohë, grupimi që transportonte asfaltin përbëhej nga një duzinë automjetesh, shumica me katër akse, me kapacitet 36 ton ngarkesë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, rrezikshmëria e këtij procesi rritej akoma më tepër, teksa mjetet duhet të ecnin mbrapsht rreth 2 kilometër në secilën brinjë të gjarpërimit, nëpër atë farë rrugëze, dhe të mbërrinin me kazan tek finitriçia, ku do shkarkonin në ecje asfaltin dhe në kthim do të këmbeheshin me makinën e radhës që do të vazhdonte shkarkimin.
I ngarkuar me tensionin e lartë të kësaj situate, inxhinieri luste Zotin të mos kishin asnjë avari apo ngjarje që mund të ishte me pasoja të paimagjinueshme. Trysnia ishte në përmasat kur njeriu harron gjithçka, madje edhe familjen, fëmijët.
Prodhimi i asfaltit në fabrikë ecte sahat. Blloku i filtrave thithte gjithë pluhurat aq sa nuk dallohej tymi në oxhak. Ekipi i specialistëve, sekush në vendin e vet, ia kishte marrë mirë dorën dhe u qëndronte tek koka, përmes kujdesit të profesionistëve të talentuar, inxhinier Raqit për mekanikën dhe Gjetos për pjesën elektrike. Tek pulti i komandës, me përqendrim maksimal, Sazani garantonte respektimin e procesit teknologjik, të recetës së çdo shtrese asfalti.
“Ah, ç’po na rokanis shumë me këto hollësi teknike”, do mërzitet lexuesi. Ama, po të marrë vesh se ato asfalte, edhe pse shtruar para mbi dy dekadash, nuk kanë pësuar dëmtime si “shoqet” e reja gjithandej vendit tonë, që i japin shenjat e para të rrjepjes pa u marrë ende në dorëzim, le ta falin shkruesin e këtyre radhëve.
I kënaqur me ritmin, sapo doli dhe makina e katërt me asfalt, inxhinieri u nis të ndiqte procesin e shtrimit në terren. I vetëm, teksa po kalonte ngadalë me veturë degëzimin e rrugës hyrëse të qytetit të Orikumit, u ndodh si zakonisht përballë me grupin e njerëzve, dalë në anë të xhadesë për rrugëtim në drejtim të bregut. I shikonte përditë me keqardhje hallexhinjtë në pritje të ndonjë automjeti dhe ndihej keq, ndërsa i shpërfillte ata dorënderur, të psherëtinin apo ta shanin e mallkonin, e nuk ndalonte të merrte asnjeri në makinën bosh. E kapërdinte dhe mundohej ta qetësonte veten teksa mendonte se Ai, i Madhi, e dinte arsyen, se ky shërbente brenda zonës së punimeve, brenda kantierit.
Atë ditë, për dreq, pa ditur se si, e ngadalësoi makinën tek këmbët e një zotërie, pamja e të cilit iu imponua. Paraqitja e tij ishte mbresëlënëse. Një burrë i moshuar, diku afër të shtatëdhjetave, i mbajtur mjaft mirë, i gjatë e me trup të drejtë lastar, veshur me kostum të ri ngjyrë gri të çelët, derdhur mbas trupit, në kokë borsalinë të lehtë verore ngjyrë gruri e në dorë një qese të lehtë plastike të tendosur pastër, si të kish ndonjë libër në të.
“Me siguri mësues në pension”, mendoi. Ama, dhe mënyra se si e nxirrte dorën para makinave nuk ishte e njëjtë me të tjerët. Jo, nuk lutej, bënte shenjë të ndaloje si të ishte inspektor i policisë rrugore. “Mësues matematike”, e paragjykoi nga sjellja inxhinieri… ose “ndonjë banor Bregu i ardhur nga emigrimi i pas 90-ës”.
Ndaloi, uli xhamin anësor të derës së pasagjerit dhe u nder ta sqaronte se përse nuk mund ta merrte. Zotëria hapi derën e parë e u ul në sedilje, sikur nuk dëgjoi asgjë nga ato që i tha gjithë mirësjellje “shoferi”. U ul jo vetëm si të ishte kjo një makinë në dispozicionin e tij, por edhe disi i mërzitur nga vonesa, pse nuk i kish mbërritur në orar.
– Nise! – urdhëroi zotnia me kokën e kthyer nga inxhinieri në timon.
– Me falni, por me mua, me këtë makinë mund të mbeteni në mes të rrugës.
– Deri matanë kodrës, tek fiqtë, jam unë! – ia preu në mes ligjëratën inxhinierit. I shkujdesur e në çakërqejf, si u sistemua, mbylli derën dhe e vendosi përsëri në kokë borsalinën me brima ajrosjeje dhe rimori pamjen e tij imponuese.
E habiti inxhinierin kjo mënyrë sjelljeje kaq autoritare, që i kalonte caqet e korrektesës. Pasagjeri po sillej si pronar i makinës, që, po të donte, mund ta ndërronte edhe shoferin. Inxhinieri i mblodhi buzët, por duke menduar se mysafiri do të zbriste mbas tre-katër kilometrave rrugë, nuk e shtyu më tej muhabetin me të. “Ndofta do ketë kthyer ndonjë gotë, ose do jetë nga ata tipat e veçantë që i kanë nxjerrë namin Dukatit…”, mendoi.
– Nga të kemi? – pyeti zotnia.
– Nga Gjirokastra!
– Nga ç’fshat? – pyeti i sigurt se ai që i bëri vend në makinë ishte fshatar, pa një pa dy!
– Brenda nga qyteti, nga lagjja Palorto!
– Ooooo?! – lëshoi një pasthirrmë qesëndisëse. – Si të quajnë? – vazhdoi të interesohet mysafiri me pyetjet një pas një si ta kish ngritur në mësim në dërrasë të zezë.
Inxhinieri i tregoi emrin dhe, për t’u sjellë njëlloj i afruar, e pyeti zotninë:
– Po ju, si e keni emrin?
– Me nder teje, M… e kam emrin! – tha plot gojën zotnia dhe u tendos mirë në sedilje, sa e vuri inxhinierin të mendonte se do ti duhej ta fuste makinën në lavazh sapo të shkarkonte atë “mall” që iu bë peshqesh në veturë.
– Më vjen keq që përgjigjeni kështu! Unë, më duket, ju respektova. Më pyetët për çfarë deshët, ju fola, më pyetët për emrin, ua tregova, – shprehu keqardhje e zemërim bashkë inxhinieri.
– Atë punë bëra dhe unë, ta tregova, megjithëse nuk qe ndonjë emër për t’u treguar, – tha mysafiri, që nuk e mohoi atë farë emri, por që nuk kishte prind t’ia vinte fëmijës së vet.
– Nuk ka mundësi ta keni atë emër! Megjithatë ju mund të silleni si të doni. Unë veten nuk e bëj me faj që ju mora, sepse më latë tjetër përshtypje, kur ndalova veturën tek këmbët tuaja. M’u dukët zotni e nuk doja t′u lija me dorën shtrirë.
– Të faleminderit! – tha gjithë mirësjellje, duke treguar se dinte të respektonte zotnia.
– Se ndryshe i bie, që po t’u kisha shtypur me makinë, nuk do kisha bërë ndonjë zarar të madh, se, në fund të fundit, do kisha shtypur një mender m…
– Epo ja… Enver e kam! Ma nxore me grep atë të shkretë emër, o gjirokastrit… i mirë, po mbaje makinën se mbërrimë tek shtegu që më çon në shtëpi!
E ndaloi benzin inxhinieri e, ndërsa po zbriste, Enveri i Dukatit i tregoi shtëpinë e tij të vetmuar, të rrethuar me pemë, aty poshtë në mes të asaj lugine të rrafshtë me pjerrësi nga deti që përfundon në Pasha Liman. “Kur të duash mund të më vish në shtëpi. Më gjen kollaj fare me atë emër…”.
E përshëndeti me dorë dhe mori monopatin teposhtë brinjës me një ecje që mund t’ia kishin zili dhe atletët.
Inxhinieri qëndroi një copë herë, duke parë të zbriste si një lis i drejtë, e iu qesh me borsalinën që mbronte nga dielli një kokë allosoj, të vetidentifikuar me…
Vazhdoi i vetëm rrugën për Llogora e nuk i hiqej nga përfytyrimi ai burrë që përçmonte emrin e tij. Ndaloi tek Çesma e Dukatit, mbi të cilën ishte veranda e lokalit të Lirimit për të ngrënë paçen aq të shijshme të mëngjesit dhe të fluturonte tek Ura e Palasës. Por më së shumti donte të qante hallin që sapo kaloi me atë, të Dukatin “pa edukatë”. I bëri zë që poshtë nga rruga dhe u lumturua që e gjeti të zotin aty. Nuk kish nevojë të jepte porosinë. Paçja dihej, por pas saj atë ditë duhej edhe kafja me gotën e rakisë. Mezi priste t′ia tregonte Lirimit, djalë për së mbari i Dukatit që kishte penë e shkruante edhe në gazeta, atë që i ngjau me fshatarin e tij.
Qeshi “i Dukati” që në fjalët e para…
– Do ketë qenë Enver… Ka punuar financier në kooperativë, po ka bërë ca vite burg politik në kohën e Enverit tuaj! – sqaroi.
Nuk ia përtoi as Lirimi dhe ia faturoi diktatorin inxhinierit gjirokastrit që e kishte dhe bashkëlagjar. Thënia e Lirimit dukej sikur nënkuptonte: Unë po e mbaj atë m… tonë të Dukatit, po mbaje dhe ti atë… tuajin!… Inxhinieri po e hante mëngjesin në mes të këtyre… por duke medituar e duke qeshur.
I Dukati me emrin e njëjtë me të diktatorit kishte zgjedhur një mënyrë origjinale për ta përbuzur adashin e vet.
Nuk u bë kureshtar të pyeste se deri kur u është vënë të porsalindurve në fshatin Dukat emri Enver. “Do ta kenë kufizuar shumë, në mos ta kenë hequr fare nga qarkullimi, besoj” – bënte llogarinë inxhinieri. Se edhe familjet me garanci politike nga diktatura, që kishin dëshirën dhe lejen ta emërtonin foshnjën me atë emër, do të hezitonin. I biri do të rritej thuajse pa emër, por thjesht si “i filanit” a “filanes”, teksa shumica e fshatit nuk do t’ia zinte në gojë emrin e vërtetë”!
Ama çudi, sa e larmishme qenka jeta! Çfarë nuk të ofron?!
Veç këtij incidenti nuk pati tjetër ajo ditë buzë rreziqesh. Gjithçka shkoi shumë mirë në kantier… Me sa duket, e keqja shkarkoi mbi inxhinierin dhe benzin…
NJË ÇAST I MAGJISHËM
Në monotoninë e përditshme mund të mjaftojë edhe një çast i vetëm që të të ndryshojë e të të ndriçojë vetëtimthi ditën, të të transformojë gjendjen shpirtërore e të të fusë në labirinte ndjesish, mendimesh e…
Në rrugën e ngjitjes për në Llogora, mbas kthesës së fortë, pikërisht nën rezervuarin e ujit të pijshëm mbi lagjen e vogël “Shata”, me disa shtëpi vendosur në një lëndinë horizontale rrëzë mali, u desh të ndalonin benzin në anë të rrugës, fill pas veturës së fundit të një vargu të gjatë mjetesh, që nuk dihej përse kishin qëndruar. Ishte bllokim trafiku, por me sa dukej ishte kalimtar, sepse drejtuesit e makinave nuk kishin dalë jashtë tyre, por prisnin.
Të ngeshëm në makinën e fikur, së bashku me stafin e kantierit po kundronin ledhin nga krahu i majtë, ku sipër mezhdës, më këmbë, ishin rreshtuar gjashtë-shtatë çuna shkolle.
– Oou, fëmijët e “çaj-rigonit”! – thirri Neimi.
Inxhinieri uli plotësisht xhamin e derës dhe u përshëndet me ta. Komunikimi me shkollarët e vegjël ishte një vlerë e veçantë në atë kantier. Që të gjithë përshëndetën të qeshur, duke tundur duart.
U shkëput nga grupi i tyre një çamarrok i vogël që nuk dinte të qëndronte në një vend, veçse duke lodruar. Erdhi i kapardisur dhe u mbështet tek dera e benzit. Në dorën e tij të vockël mbante tre-katër duaj çaji e rigoni. Çunat lart ia dhanë gazit. Ishte mjaft i vogël, ndofta nëntë vjeç. Vetëm gjysma e kokës i dilte mbi derë. Dukej, sapo ishte federuar në ekipin e “tregtarëve” të vegjël dhe ishte në provë… E kish marrë punën me qejf, mjaft i shkathët në çdo veprim që bënte.
– Do marrësh çaj? – me sytë që i shndrisnin iu drejtua
inxhinierit dhe zgjati lirshëm dorën e majtë sa kapi timonin.
– Jooo! – iu përgjigj gjithë keqardhje Inxhinieri.
– Po rigon? – e hodhi si predhë pyetjen e dytë, sikur nuk i priste puna të rreshtonte qartë prodhimet që donte të shiste.
– Jo, mo xhan, ju e dini që ne punojmë këtu. Ku ta çoj çajin unë, në hotel?
– Po në shtëpi, kur do shkoni? – vazhdoi pa ndërprerje, sikur po recitonte vjershë të mësuar përmendësh.
– Do shkojmë të shtunën pasdite.
– Po të shtunën do vish të blesh çaj e rigon tek ne? – e me këtë pyetje ua hoqi krejt dyshimin e vjershës. Paskësh qenë bilbil që të merrte gjak në vetull, madje i vetëm, pa pas nevojë të konsultohej me jurinë në mezhdë.
– Pooo, të shtunën po, do vij…! – premtoi zvargur inxhinieri, që priste t’i shkëputej ai çapkën i vogël nga makina e të mund të vazhdonte rrugën, që tashmë ishte liruar e po binin boritë me padurim mbrapa. Çunaku, që nuk ia bënte syri “tërr” hiç nga boritë, u rrotullua në vend dhe pa u shkëputur nga vetura, me kurrizin e vogël ngjeshur tek dera e benzit iu drejtua shokëve që po shkriheshin gazit:
– A ç’po tall by…. me ne ky, oreee! – thirri me sa zë pati, t’ua kalonte edhe zhurmave të mjeteve ngjitur, ama ta demaskonte publikisht inxhinierin në sy të shokëve, se nuk i hante ai gënjeshtrat e mikut të tyre.
– Çfarë shejtani! – mendoi inxhinieri. – Vërtet nuk shiti dot asnjë tufë çaji apo rigoni, por ishte i lumtur dhe krenar, sepse ia kishte përplasur “mashtruesit” që i rastisi në sulmin e parë të luftës së tij për jetën. Ishte në të drejtën e tij të ishte krenar! Çfarë kurajë?! E habitshme! Ç’e gatuan vallë këtë lloj karakteri që në fëmijërinë e tyre?!
Inxhinieri, rënë në të thella, e vonoi nisjen, derisa djaloshi i vogël të kalonte rrugën, ndërsa filloi zbritja vargan e mjeteve, të cilave u jepte sinjal rreziku me dritat e gjata dhe fliste me vete.
Gjithë personeli në makinë po qeshnin me të madhe, teksa ndiqnin sjelljet e çunakut që po kthehej tek shokët me buzë të prishura e lloj-lloj deformimesh përçmuese të fytyrës, duke tundur duart si dekor i asaj deklarate që bëri aq natyrshëm.
– Shiko si kërcen për të mbërritur tek shokët! Si kec! Edhe i mërzitur edhe i gëzuar. Hajde zbërtheje dhe lexoje botën e tij!
– Vini re diçka tjetër! Shih si e pritën ata, si fitimtar, paçka se nuk shiti asgjë!
– Kush tha “nuk shiti”? Na shiti atë që ne nuk kemi si ta paguajmë! Madje nuk na i shiti, por na i dhuroi. Kurajën, zgjuarsinë, krenarinë deri tek ajo kapardisja gazmore, që ishte aq e hijshme… Spektakël! Çfarë doni më ju nga një tetë-vjeçar?! Më gjeni një burrë që mund ta konkurrojë! Pa lere interpretimi – Artist i vogël i Popullit të madh! – nuk pushonte i mrekulluar inxhinieri.
– A mund t’ju shkulet nga kujtesa ky rast?!… Një çast i magjishëm!
DUKATI… FSHAT I BANUAR NGA QYTETARË!
Grupi i makinerive teknologjike për realizimin e shtresës së asfaltit ishte mjaft mbresëlënës. Finitriçja moderne e shtrimit, tre rulat vibrues të asfaltit, autoboti i spërkatjes me solucionin bituminoz, kamionçina, vetura, një grup i madh automjetesh të rënda, 20-40 ton, të transportit të asfaltit të nxehtë, të porsaardhur një pas një nga fabrika e instaluar në krah të urës në Orikum, ishin një ansambël i fuqishëm i lëvizshëm që nuk ishte parë në ato anë.17
Nuk kishte si të mos ndodhte ajo lloj magjepsjeje edhe në rrugën bri fshatit Dukat-Fushë, që shtrihet në formë trekëndëshi duke u zgjeruar në pjerrinën nga rrëza e malit deri buzë detit, ku formohet gjirin “Pasha-Liman”…! (Periudha 2003-2004 – “TRISS-Ndërtim” zbatonte kontratën “Rikonstruksion dhe asfaltim i segmentit rrugor “Ura e Orikumit” deri tek “Sorkadhja”, Llogora. Afati 1 vit).
Përse të jenë vallë aq interesante, madje edhe tërheqëse, proceset e ndërtimit?!… Ndofta nga magjia e krijimit, kur nga hiçi krijohet shkallë-shkallë gjithçka parashikon projekti në letër, deri në mrekullitë inxhinierike. E ndër to ka lloje punimesh që të gozhdojnë në vend, sikundër shtrimi i asfaltit që, sa herë kryhet në zona publike, rrethohet nga kurioziteti i gjindjes. Sidomos në vende të thella, pranë fshatrave. Si të ndiqet ndonjë spektakël.
Kërshëria, e përzier me padurimin e banorëve për të mbaruar asfaltimi me shpejtësi magjike, mblodhi pranë rrugës jo vetëm fëmijë, por edhe të rritur, të moshuar e pleq. Uronin të gjithë: “Puna mbarë”, “Me krahë të lehta” dhe kjo atmosferë e ngrohtë, mjaft mikpritëse, e bënte më të lehtë punën e ekipit realizues, por i bënte edhe më të përgjegjshëm ata. Urimet e dhëna me shpirt nga banorët ishin një pasuri e madhe shpirtërore, dhuruar bujarisht dhe “buka” e kësaj pune mbruhej më e ëmbël!
Por, si padashur, vizitorët bëheshin edhe supervizorë dhe do të ishte mirë për stafin teknik të mos e bënte veten për vërejtje prej tyre, që mund të shkonin deri në vërejtje fshatçe!
Grumbulli i njerëzve asaj dite ishte më i madh se çdo herë dhe kjo jo rastësisht. Asfaltimi do të fillonte nga vendi i shenjtë i fshatit, “Varrezat e Dukatit”.
– Po vjen xha Axhemi! – thirri një nga banorët.
Inxhinieri ktheu kokën andej nga po shikonin vendasit e dalloi që larg një plak shumë të moshuar, paksa i kërrusur e me bastun në dorë, duke ardhur ngadalë drejt rrugës nacionale, ku po punohej me intensitet atë pasdite vonë…
– Qënka ngritur më këmbë prapë i uruari! – shprehu habi e kënaqësi njëherazi dikush.
– Vajti kohë, që nuk del nga shtëpia! Kaloi mbi një muaj, në mos dy, që ka zënë shtratin! – e plotësoi një tjetër.
– Ç’e ka ngritur sot më këmbë a derëzi? – u hodh në ajër një pyetje.
– Ndofta po shkon për në varreza! – u hamendësua mes tyre.
– Do ketë parë ndonjë ëndërr natën, se kjo moshë aq e thyer piqet me të vdekur e të nesërmen e mban frymën në varreza. I duket se e shlyen atë merakun, a porosinë e marrë në gjumë. – dhe zuri vend ky opinion prej të moshuari.
– Tërë jetën ky burrë ka qenë njeri i nderuar, i mençur, i urtë, i zakonit e i respektit! – i bëri vlerësimin e përgjithshëm një mesoburrë, si për të sqaruar edhe ndërtuesit jabanxhinj, që u gjendën brenda kësaj bisede vendallinjsh.
Inxhinierit, që po ndiqte procesin teknologjik, i tërhoqi vëmendjen fjalëkëmbimi i shtruar i banorëve të Dukatit, teksa ndiqte me sy plakun e moshuar, që po afrohej duke i përshëndetur bashkëfshatarët gjer sa mbërriti në buzë të rrugës, ku ndaloi. I përqendruar dhe i habitur shikonte si finitriçja në ecje linte pas shtresën e zezë pis të asfaltit të nxehtë xixëllues, të niveluar çuditshëm dhe të kufizuar anash si kuti shkrepëseje. Plaku ndihej mjaft i kënaqur! Iu çel fytyra e hequr…
– Si të duket xha Axhem? – e pyeti një i Dukatë.
– Më mirë nuk bëhet! Sa e pashë nga shtëpia, nuk më mbante më vëndi, më ngriti havadan.
– U mundove xha Axhem, erdhe më këmbë!
– U ngjalla, o bir! Mirë që s’pata njeri më shpi, se nuk do më keshën lënë!
– Kujtuam se ishe nisur për në varreza, shtyrë nga ndonjë ëndërr… – i tha ai që e paragjykoi si pa të keq, ndofta thjesht për t’u gjendur në muhabet, po pse jo edhe për t’i hedhur “topin”, nëse ia kish ngenë për lojë.
– Nuk shkohet natën në varreza! – ia preu me ton, si t’i kishin shkelur në kallo me muhabet “kodra pas bregut”. Pas këtij reagimi energjik të xha Axhemit u harrua fare se ai sapo ishte ngritur nga shtrati. Sëmundja e kishte lodhur, por nuk e kishte vënë dot poshtë! Po e vazhdonte lojën gjallërisht e nuk kish ndër mend të zinte “stolin”.
– E unë u bëra merak për tjatër gjë a i zi, – u bë i gjallë një hundëshkabë, që nga zëri nuk kuptohej dot nga ndërtuesit, në ishte serioz apo kruhej me romuze. – Thashë, kushedi, se mos e kishe ndarë mëndjen e po shkoje tek vendi me këmbët e tua, a i vrarë…!
Inxhinieri, që ishte bërë tifoz i hidhepritjeve të holla të atij fshati, kësaj here u mblodh grusht. Ishte shaka e rëndë qoftë dhe të ishin të dy vetëm e jo më në mexhlis, por u çlirua kur dëgjoi vazhdimin.
– Fshati ynë, shyqyr Zotit, i ka të rrallë burrat si puna jote, kaq gojëmjaltë! – kuvendoi urtë xha Axhemi, pa u revoltuar nga humori i zi i mikut të tij. – Atë rrugë e kemi nisur sa kemi lerë, që të gjithë, por qoftë me radhë! Edhe unë do iki, por nuk do iki fshehura, jo! Do iki i gëzuar në duart e njerëzve, që i dua e më duan. – Dhe e ngriti kokën nga gjindja që ish bërë sy e veshë. – Njerëzit e mirë luftojnë kush e kush t’u vërë dorën posht arkivolit atyre që ndahen nga kjo botë, e nuk i shtyjnë në gropë për së gjalli, siç do ti o i paudhë, – dhe shikoi buzagaz gricësin, që po afrohej i qeshur. – Se, po të kish mbetë fshati vetëm më ty, doemos do shkoja vetë me këmbët e mi… Do ikja më i qetë e më i sigurt! – dhe ashtu, buzagaz, u takuan të dy.
Bashkëfshatarët nuk e prishën hiç terezinë nga ky lloj muhabeti. Ata, të stërvitur që fëmijë, po ndiqnin lojën mes miqsh dhe prisnin se kujt do t’i pëlciste mina në atë fushë të minuar.
– Mos harro, – i tha në sy, – shih sa respekt ka treguar fshati ynë për njerëzit që na kanë lënë mor i prapi i fshatit! – dhe hodhi shikimin nga varret përballë. – Ka bërë një varrezë të madhe e të sistemuar në një vend të zgjedhur. Unë e di që ti bëre shaka si ngahera, po më dole në shteg, aty ku më dhembi mua. Unë u ngreçë nga dysheku jo vetëm për të parë këtë punë të mirë, që bëjnë këta djem, që po i mban në gojë tërë krahina, por për t’i falënderuar se na kanë respektuar traditat tona. Erdha t’i uroj me shpirt, sepse e filluan punën nga varrezat. Kjo, kjo më hodhi poshtë nga dysheku, ku qeshë i kumbisur. Ju, më të rinjtë, nuk e vlerësoni, por dëgjomëni mua! Është një respekt i madh për ne nga këta jabanxhinj. T’ua dini! – dhe u kthye nga ndërtuesit: – Paçi uratën o djem! – uroi zëlartë, të dëgjohej. – E filluat punën aty ku bëhet respekti më i madh, aty ku përunjemi ne!
Fjalët e urta të të moshuarit të mençur bënë t’i afrohen të gjithë ta dëgjonin ç’florinj nxirrte nga goja. Edhe ndërtuesit, aq sa mund t’i lejonte procesi i punës, iu afruan qendrës që u krijua vetiu.
– Mirseerdhët, xhaxha! – iu drejtua Luti, brigadieri i grupit të asfaltimit, që dallonte nga jeleku fosforeshent por dhe gërbashka e asfaltit në dorë, që ngriti tonin të dëgjohej. – Këtë sheshin e madh gjatësor, që nga ana e rrugës deri tek muri gjatësor i varrezave, nuk e ka fare projekti për t’u asfaltuar. Po e bën firma “TRISS” me kokën e saj! – ua tha si pa të keq Luti dhe kjo ngjalli ilaritet.
– Jo, nuk ka mundësi! – u dëgjua si shushurimë nëpër kallaballëk.
– Mbase nuk e di mirë ti, mor bir! – donte ta shpëtonte xhaxhai brigadierin fisnik nga Pogradeci.
– Unë e di shumë mirë, po ja tek e keni shefin, pyeteni! – dhe të gjithë kthyen kokat nga ai. Ishte i njohur në atë zonë, qysh se asfaltuan rrugën nga “Sorkadhia” deri tek Ura e Palasës.
– Po, është e shumë e vërtetë! – pohoi natyrshëm ai dhe gjindja ra në heshtje. Askush nuk e kundërshtoi, sepse nuk dyshuan aspak në ato fjalë. Serioziteti i asaj firme ishte bërë thuajse legjendë në tërë krahinën. Gjithë stafi teknik i saj, me specialistë e drejtues, teknikë dhe inxhinierë me shumë eksperiencë, banonin në shtëpitë pranë bashkisë, pra ishin banorë të Orikumit dhe e përjetonin respektin gati-gati popullor kudo ku shkonin, në rrugë, në kafe, në restorante, kudo! U thërrisnin në emër secilit, xha Lazes, drejtor Vasilit, inxhinier Raqit të fabrikës, inxhinier Petros, topografit, Neimit, Miços, madje edhe manovratorëve, sidomos Sazanit të fabrikës së asfaltit.
– Bordi i firmës, vazhdoi “shefi”, veçanërisht presidenti, zoti Ismail Ahmeti, që shumëkush e njeh edhe në këto anët tuaja, sepse si kryeinxhinier dhe drejtor ka drejtuar punimet për ndërtimin e hidrocentraleve gjigande mbi lumin Drin, vendosëm që para se të asfaltojmë rrugën, të shtrojmë e të asfaltojmë sheshin para varrezave të Dukatit. – Një zhurmërim i ngrohtë e ndërpreu… – Është rasti më i mirë që mund të bëhet kjo! Ne vetë jemi dëshmitarë sa i domosdoshëm është ky shesh. Sa herë janë kryer ceremoni mortore këtu, ne e kemi parë teksa mbushet me veturat e njerëzve pjesëmarrës në ceremoni, ardhur nga gjithë vendi, aq sa kufizohet e bllokohet edhe vetë rruga, e trafiku po ashtu.
– E gëzofshi djersën që derdhni në këto punë të mira që bëni në sy tonë! – u dëgjua një zë nga mesi i grumbullit. – Që të kuptohemi, – i ndërpreu urimet e sinqerta të banorëve inxhinieri, – ne nuk jemi firmë bamirëse! Ne luftojmë të punojmë shpejt dhe me cilësi të mirë, të ushqehemi, por dhe të teprojë ai fitimi i planifikuar për të mirëmbajtur makineritë e për ta forcuar ndërmarrjen. Ndaj, “burri-burrit”, ne do përpiqemi që investitori, drejtoria e rrugëve, ta shtojë vlerën e kësaj pune të domosdoshme, që për mendimin tonë duhet të ishte përfshirë në projekt. (Propozimi i firmës TRISS-Ndërtim për të likuiduar vlerën e asfaltimit të sheshit para varrezave të fshatit Dukat-Fushë u miratua nga investitori, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve Tiranë).
– Po sikur… kjo…është gjithë ky shpenzim… – buçiti dikush që, duke iu marrë goja, iu dhimbs edhe firma ndërtuese.
– Mundet… mundet të ndodhi edhe “po sikuri” që thoni ju! – dhe me supet ngritur dhe shprehjen e pasigurisë shtoi: – E kemi marrë në sy dhe nuk do të jetë ndonjë çudi që të mos miratohet nga të gjallët. Por… do mjaftohemi me mirënjohjen e atyre që prehen në këtë varrezë si dhe nga ju që vendosni lule mbi ta… nuk arriti ta përfundonte fjalinë teksa buçiti një zë:
– Çfarë ndihme doni nga fshati ynë?! – ishte thirrja nga mesi i turmës, mbledhur grusht të dëgjonin çdo fjalë që flitej në atë kuvend të beftë dhe ajo shprehja, “Ç’ndihmë doni”?!, u përsërit disa herë nga të pranishmit që lëvizën vendit të gatshëm të bënin diçka, që nuk dinin çfarë mund të ishte.
– A mund t’u ndihmojmë dot ne?! – i ndjerë borxhli, plaku i moçëm pyeti me merakun të mos ishte kjo një fjalë në erë. U duk sikur i doli për Zot Dukatit, të mos turpërohej.
– Na mjafton urata Juaj! – qeshi inxhinieri.
– Ta hani gëzuar bukën e punës suaj! U pres më shtëpi, t’u qeras! – u përcoll plaku e dukej aq i gëzuar sa dukej se nuk po peshonte më mbi bastun.
Çfarë fshati!… O Zot!
Çfarë njerëzish në këtë krahinë emërshumë, por jo pak të përfolur në regjimin që shkoi!
Si nuk u mor një dërrasë a një gozhdë në kallëpet e shtrira përgjatë 35 kilometrave rrugë, nga ura e Orikumit deri tek ura e Palasës nëpër faqen e malit, natë e ditë?! Çfarë qytetarie! Po mençuria, po humori i hollë, po mikpritja?! Na lanë pa mend!… Pronarët e dukatë të lokaleve anës rrugës nëpër Llogora, njëri pas tjetrit nxorën kamerierët në rrugë me tabakatë mbushur me pije për gjithë punonjësit, kur u afrohej asfaltimi tek sinori i secilit… Mor po tek Viktori, tek Gëzimi, tek Sofua po ashtu, doemos tek Taria, tek… tek të gjithë!
“Ky fshat është i banuar nga qytetarë”! – i vuri vulën inxhinieri, kur u shkëputën drejt kontratash të tjera…