Media pretendon se udhëheqësi suprem iranian, Khamenei është vrarë
Dy stacione televizive izraelite raportuan sot në mbrëmje se udhëheqësi suprem iranian, Ali Khamenei u vra në sulmin izraelito-amerikan të nisur sot në mëngjes ndaj Iranit.
“Burim izraelit: Khamenei është vrarë”, thuhet në një flash në Kanalin 12.
“Burim izraelit: Ali Khamenei është eliminuar”, thuhet në raportin e transmetuesit publik KAN.
Ndërkohë, sipas BBC, kryeministri izraelit, Beniamin Netanyahu thotë se ka “tregues në rritje” se udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, është “eliminuar”, pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit.
Sipas CNN, Izraeli ka konfirmuar se udhëheqësi suprem i Iranit u vra në sulmet e së shtunës, sipas dy burimeve izraelite të njohura me çështjen.
Një nga burimet tha se Izraeli kishte siguruar një foto të trupit të pajetë të Khameneit. Burimi i dytë tha se po përgatitet një njoftim zyrtar.
Ndërkohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane tha se presidenti dhe udhëheqësi suprem i Iranit janë “të sigurt dhe shëndoshë e mirë”. Por Khamenei nuk është parë në publik ose në video që kur filluan sulmet.