Arben Iliazi: Reflektimi agnostik i shkrimtarit Kliton Nesturi
Ditët e fundit më zuri syri një opinion të Viktor Hygoit mbi poetët, cituar nga Kliton Nesturi, në faqen e tij letrare në facebook:
“Poetët nuk ngjiten mbi njëri-tjetrin. Njëri nuk bëhet shkallare e tjetrit. Secili ngrihet vetë, pa pasur tjetër pikë mbështetjeje veç vetvetes. Ata s’i shkelin të ngjashmit. Të ardhurit rishtaz i respektojnë të vjetrit. Ata pasojnë, por nuk zëvendësojnë njëri-tjetrin. E bukura nuk e dëbon të bukurën. As ujqërit, as kryeveprat nuk e gllabërojnë njëri – tjetrin”.
VIKTOR HYGO (“William Shakespeare”)
Edhe shkrimtari Kliton Nesturi ka të vërtetën e vet, por gjithmonë të lidhur me gjithë të tjerët. Po ta drejtojmë vëmendjen te universi letrar i ndërtuar prej tij, bindemi shpejt se ai është një nga shkrimtarët më përfaqësues të gjeneratës së viteve ’90. E kam njohur shumë herët, te gazeta “Rilindja” në Tiranë, në vitin 1994, kur dhe unë merresha me shtypin, dhe kemi ndenjur me orë të tëra në kafen buzë trotuarit të Rrugës “Myslim Shyri”, së bashku me poetin dhe kritikun Ramadan Musliu, Mehmet Emërllahun e Mehmet Gjatën. Asokohe kishte shumë projekte romantike dhe shumë afri me traditën narrative. Klitoni është nga ata që jetën e gjallë ose realitetin, nuk e konsideron si një punë të mundimshme. Nëse duam të kuptojmë se ku qëndron roli i tij në këtë bashkësi, në transformimin e pandërprerë që quajmë letërsi, them se duhet filluar nga leximi i romanit të fundit “Njeriu që shkruante në varreza”, shkruar me një vetëdije metalinguistike, trajtuar në një rrafsh parodik, në një lojë simbolike të pafund me tjetërsinë. Njeriu anormal, idiosinkretik, që shfaqet papritur në një qytezë të qetë dhe cdo ditë shkruan në varreza, krijon një reaksion të tërë unik të paprovuar ndonjëherë.
Në këtë roman K. Nesturi paraqet vizionin e tij për botën; kërkon të nxjerrë në shesh arsyet për të cilat ai është shfaqur, për të cilat duhej të shfaqej në mjedisin tonë. Nëse hyjmë në labirinthin e këtij teksti, zor se mund të dimë se nga mund ta dalim që andej. Tema që trajton autori është tema e vetëdijes, jo në kundërvënie me pavetëdijen, por me mungesën e vetëdijes, ku jepet përshtypja për jetën e një kohe të caktuar të ekzistencës, për të shenjuar brendësinë semiotike e psikike të mazokizmit irracional, të lidhur kimikisht me shoqërinë e sotme. Megjithëse vetëdija është fatkeqësia më e madhe për njeriun, prapëseprapë ai nuk heq dorë prej saj dhe nuk don ta braktisë për asnjë kënaqësi shpirtërore. Pikërisht te mrekullia e kësaj metamorfoze, duke vënë në dukje papajtueshmërinë midis trillimit dhe jotrillimit, është ndërtuar ngrehina letrare e Kliton Nesturit, me disa vepra në prozë dhe në poezi.
Por në këtë vështrim të shkurtër do ndalem pak te disa nga poezitë e tij.
Poezitë e Nesturit tingëllojnë të freskëta; ato janë hije fatesh njerëzore, hije pasionesh, iluzionesh, shpresash dhe mundimesh.
“Të kthehesh në atdhe, pas një kohe të gjatë,
Do të thotë fatin ta marrësh në duar
Dhe ta drejtosh në udhën e vërtetë, të jetës.
Nëse jo, s’të mbetet tjetër veç ta pështysh në fytyrë”.
(Të kthehesh në atdhe)
Poeti ndjek një rrugëtim të papërcaktuar dhe shumëplanësh, atë të një frymëzimi që kërkon dhe provon rrugët e tij. Rivlerëson interioritetin e vërtetë të përsiatjes, ku shenjohet tensioni dhe ndërveprimi mes individit dhe atdheut të tij.
Në krijimtarinë e Nesturit universi i personit është universi i njeriut dhe kriza e tij shpirtërore nuk është sinonim i egocentrizmit. Poeti vendos ekzistencën e personave të lirë dhe krijues në qendër të kërkimit të vet duke ndërkallur në thelbin e strukturave poetike një parim ku mungon parashikimi, ku davariten ndjesi të mjegullta dhe të vetmuara, dhe ku spikat një reflektim i ri agnostik mbi ciklet e pafundme të jetës në këtë botë të tejindividualizuar, ku askush nuk i hyn aventurës së një lirie të përgjegjshme. Kliton Nesturi njeh vetëm një realitet, atë që ndërton vetë së brendëshmi, kur takohet me çastin krijues, që është i kudopranishëm dhe nuk gjendet askund. Ndaj poeti e ndjen krijimin si një ndërlikim të shpirtit:
“Trupi im është thinjur,
e fatkeqësisht s’i përgjigjet shpirtit,
ai nuk mund të shkojë më tej, askund.
Tashmë i ka mbetur të kërruset
deri sa të rrëzohet për të fundit herë”.
(Dashuria peng)
Realitetet jopersonale, molisjet e natyrës dhe dashurisë, autori i paraqet në mënyrë objektive, në mënyrë të papërlyer, si një realitet i cili, para së gjithash, nuk është objektiv dhe zhvillohet vetëm në rrafshin e ndërgjegjes dhe në rrafshin e përpjekjes njerëzore:
“Ti po ikën sërish
Për një kohë më të shkurtër,
duke marrë më shumë mall,
duke lënë më shumë dhimbje”.
(Ti po ikën)
Nëse Platoni i antikitetit u tundua ta thjeshtonte shpirtin individual në një pjesëmarrje te natyra dhe qyteti, për Klitonin tonë pavdekësia individuale është vetëm një pandehmë e bukur dhe ndjellëse. Jeta dhe vdekja janë aq reale, sepse autori nuk dëshiron t’i njohë përmes thelbeve të veçanta, dhe as t’i dashurojë me një dashuri përzgjedhëse, duhe hequr tangjente ekzistencialiste. Kjo i sjell poezisë një trazim të patrandur:
“Unë jam me ty në çdo rrugë të botës,
edhe kur atëherë
jeta dhe vdekja përleshen fort mes tyre”.
(E mbaj vendin bosh për ty)
Përmes abstragimit dhe një aftësie të pamasë për të shumëfishuar në mënyrë të papërcaktuar aktet e veçanta të dashurisë së vet, poeti e përfytyron dashurinë si një shpirt të përbashkët përdëllues, si një ndërthurje lënde dhe aromash, një marrëdhënie të veçantë intimiteti, një pjesëmarrje tek hyjnorja e vet, ku fjala sublimohet dhe kalon përtej dikotomisë themelore:
“Kudo që të shkoj je me mua.
Aromën tënde do ta gjesh gjithmonē
Tek unë-
Magjia jote-Aroma e vetme e trupit
dhe shpirtit tim”.
(Aroma jote)
BIOGRAFIA
Kliton Nesturi u lind në Tiranë (1971). Studimet e larta i ka kryer në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega gjuhë-letërsi. Prej gati 30 vjetësh është pjesë e jetës letrare dhe medias shqiptare. Prozator, poet, publicist dhe dramaturg, Kliton Nesturi është një ndër autorët me individualitet të spikatur. Krijimtaria e tij shquhet për larmi temash dhe zhanresh, në të cilat lexuesi ndesh fatin e mjaft personazheve, që në jo pak herë është edhe fati i tij.
Disa nga librat e botuar:
Eldorado, poezi – 1997
I huaj në shtëpi, tregime – 2005,
Një mijë, roman – 2007
Histori tangjente, tregime – 2009,
Gjergj Bubani i harruar përkohshëm, ese monografike, 2010, Trangelang, dramë – 2014,
Në katin e tretë nuk troket askush, tregime, 2018,
Në Tiranë bie shi, roman, 2020,
I lindur bohem, poezi, 2023.
Njeriu që shkruante në varreza, roman, 2025.