Albspirit

Media/News/Publishing

Dy tregime nga Shpëtim Emiri

ËSHTË “QUMËSHTI I NËNËS”!

Rrugës në ngjitje për në Llogara inxhinierit të sapoardhur nga Tirana, për të inspektuar punimet për rikonstruksionin dhe asfaltimin e rrugës, i ranë në sy veshjet e zeza sterrë të banorëve në oborrin e njërës prej shtëpive në krye të lagjes “Shata” nën gjarpërimin e rrugës.

– Ndonjë fatkeqësi?! – ktheu kokën nga shoqëruesi në makinë.

– Po, inxhinier! Para dy ditësh… kryefamiljari i shtëpisë…

– Mosh’e madhe? – nxitoi të kuptonte përmasat e dhimbjes.

– Nuk e di moshën e saktë, por i ka lënë fëmijët mjaft të vegjël, – i psherëtiu fjalët përgjegjësi i kantierit. – Unë e mora vesh rastësisht nga shoferët tanë, teksa bisedonin me njëri tjetrin. Golia, fieraku, si shofer i vjetër, por dhe me moshë më të madhe në grupin e mjeteve të transportit, gjithë merak po i porosiste të bënin kujdes, të mos i binin borisë së makinave, kur të kalonin pranë vatrës së mortit.

– Bravo! – vlerësoi vetiu inxhinieri për vëmendjen e punonjësve të kantierit, të tregonin sa të mundnin respekt e mos ua trembnin fatkeqve heshtjen. Atë heshtje aq të çmuar në raste fatkeqësish, heshtjen që shtrëngon fort e ngjesh dhëmbështrënguar dhimbjen; atë heshtjen që ndaj quhet “Heshtje varri”!
Ndërtuesit e akomoduar në Orikum nuk mund të mos i kthenin kryet nga streha e porsagoditur, plagëhapur, sa herë ngjiteshin për në frontin e tyre të punës, njëlloj dhe kur ktheheshin. Shikonin me keqardhje lëvizjet e kokëvarurve nëpër oborrin midis rrugës dhe banesës, teksa merreshin me punët e përditshme të mbijetesës. Ajo ngjyra e zezë mbizotëruese e veshjeve të tyre i përpinte shikimet e kalimtarëve, shikimet që kacavirreshin të shpëtonin, duke u kthyer tek lodrimet e fëmijëve të vegjël që fatmirësisht nuk kuptonin dot se ç’hata i kishte gjetur dhe se sa më të vështirë do ta kishin jetën pas kësaj gjëme.

– Ooh, të gjorët fëmijë! – e lëshoi duhmën inxhinieri.

– Mos e pyet! Jeta e vështirë është edhe me baba, lere më të rritesh jetim… – vijoi si jehonë mendimin Neimi.

– Çfarë mbingarkese për nënën e tyre, t’i ushqejë e të bëjë të pamundurën t’i rrisë të barabartë me veshje e ngjeshje e me librat e shkollës, si gjithë shokët! – vazhdonte shtjellimi i asaj situate, duke kujtuar shembuj të ngjashëm vuajtjesh, por jo dhe fort të ngjashëm me këtë rast, ku kryefamiljari përballonte punën e vështirë të çobanit e të blegtorit, me bagëtinë, me lopët, me bletët, me prodhimet në bahçe, me drutë e zjarrit e me njëqind halle të tjera.

– Sa e befasishme rastis jeta! Aq sa e bukur, por me shumë të papritura e gjithmonë në mëshirë të fatit…!

– E shikon atë djalin e vogël në mes të atij grupi çunash mbi ledh? – iu drejtua në moment inxhinierit në timon, teksa zbrisnin për në Orikum së bashku, diku pas një jave, në inspektimin e radhës.
Ai e ngadalësoi lëvizjen, hapi sa mundi krahun, ktheu kokën ta shihte dhe dalloi një çun shtatë-tetë vjeç.

– Po! – iu përgjigj.

– Është i biri i atij fatkeqit. – i tha përgjegjësi i kantierit të ndërtimit.

– Uaaa! Sa gjynah?! Sa i voogëëël! – shqiptoi gjithë keqardhje e dhembshuri.

– Ç’sa i vogël, o inxhinier?! Ky është më i madhi i fëmijëve! Ka dhe dy nën vete dhe më e vogla është në pelena, – i numëroi hallet një mbi një të asaj ‘gërmadhe’, siç ua kishin rrëfyer vendasit, dhe heshti një dekikë para se të zbrazte më të pabesueshmen.

– Ky pra, djali i madh i shtëpisë, sot ka dalë për punë! – e, si u gëlltit nja dy herë, shtoi: – Do t’i dalë krah të ëmës, do zëvendësojë të atin!
Mornicat e përfshinë kokë e këmbë inxhinierin! Nuk e hapi gojën, as po e kontrollonte më shpejtësinë e lëvizjes. Makina ishte kontraktuar. Gjymtyrët i kishin ngrirë. Dukej si veturë kortezhi. Pesha e dhimbjes, si të ishte mbi kapacitetin e mjetit…

– Inxhinier, kjo që sapo ju thashë është shumë e vërtetë, por ti nuk di tjetrën! Më kanë bërë shumë përshtypje djemtë e lagjes. Po kur them shumë, shumë fare ama! Ndonëse me moshë diçka më të rritur, përsëri fëmijë janë edhe ata! Ama prej asaj dite, kur ky mbeti jetim, i rrinë afër, e shoqërojnë, e marrin me vete, nuk e lënë vetëm.

– Bravo, bravo! – shqiptonte si në eter inxhinieri dhëmbështrënguar.

– E vënë në mes dhe i qëndrojnë afër, të mësojë t’u thërrasë kalimtarëve, siç thërrasin ata, e i lënë radhë të shesë çaj e rigon. Pa i shitur ai nuk i nxjerrin tufat e tyre, madje i falin nga vandaqet e veta.

– Tronditëse… Çfarë atmosfere! Sa gjest i bukur përballë rasteve kaq të helmëta e shkatërrimtare të jetës, kur njerëzit i vënë krahët barrës së rëndë të tjetrit, sidomos barrës së dhimbjes! … E, çfarë emri mund t’i vihet kësaj?!

– Këtu gjithë fshati qenka si një familje e madhe, inxhinier!
I harruar se ishte me timon në duar, bluante e bluante përbrenda atë lloj sjelljeje të përkushtuar të bashkëlagjarëve, derisa e shpërtheu mendimin të copëtuar në rrokje: – Or shok, o mik, o vëlla! Ë-shtë “Qu-më-shti i Në-nës”!
Ishin vetëm dy fjalë, “Qumështi i Nënës!”, formuluar si postulat dhe u kthye nga bashkëbiseduesi që mbeti paksa i hutuar nga thirrja jo fort e qartë, e rrallë në komunikimin mes tyre, teksa vazhdonte:

– Nuk ka dyshim, këto vlera të bukura kaq njerëzore këtu jepen me qumështin e nënës!… Fëmijët nuk i ka mësuar njeri të sillen të tillë, madje këta mund të fyhen po të guxosh t’u japësh porosi se si të mbrojnë më të dobëtin, fatkeqin, e si t’i bëhen krah në rrezik. Ata e dinë mirë se ç’duhet të bëjnë! – i tha këto ç’mendonte në atë zbritje zvarritëse teposhtë në gjarpërimin e rrugës, ku frenimi i vazhdueshëm i mjetit ishte pjesë e përqendrimit dhe e lëshoi së fundmi lirshëm benzin tatëpjetë, i çliruar nga ai tension që e mundonte dhe nuk vonoi të rigjykonte edhe veten.

– Ne ndërtuesve të rrugës na rrëmben rutina dhe telashet e punës e bëhemi të pavëmendshëm për ç’na rrethon, por është fat që po punojmë pranë një realiteti kaq të ndjerë e të lakmueshëm mirësie…!

“PAGËZIM” I BËRË NGA FËMIJËT…


Kërkesën për të shkuar bashkarisht të dy çiftet në fundjavë nga Tirana në Himarë inxhinieri nuk ua prishi. Propozuesit, burrë e grua të jashtëzakonshëm, meritonin të nderoheshin dhe një sajdisje “e rëndë” do të mbahej mend prej tyre, plus që për të tilla “sakrifica” ai kishte përkrahje të plotë nga e shoqja, inxhiniere dhe ajo, që e dinte se do të ishte në “krye të listës”.
Shkaku i miqësisë së dy familjeve nuk ishte thjesht fqinjësia në të njëjtin pallat e në të njëjtin kat, kur banonin në Fier. Gjitonia ishte krejt rastësi, më pas njohja, ngjashmëria mes tyre, serioziteti, formimi, sjelljet, këndvështrimi, madje dhe afiniteti me humorin qenë urat lidhëse të familjaritetit të sinqertë. Thelë mbi bisht u bënë edhe ca lidhje krushqie mes dy bashkëshorteve, siç ndodh rëndom në Shqipërinë tonë të vogël. E, si të mos mjaftonin të gjitha këto, u shtohej edhe ngjashmëria me fëmijët, djalë e vajzë thuajse në të njëjtën moshë secila familje.
Ama nuk ishte aspak komod një udhëtim vajtje-ardhje brenda ditës nga Tirana në Himarë nëpër rrugët e vitit 2002. Por inxhinieri ishte i dashuruar me atë udhëtim, sidomos nga tuneli i Ujit të Ftohtë deri në Orikum, Llogora, Dhërmi e Himarë, ku bukuritë mbinatyrore të ngrinin peshë!
Neimi, skraparlli, fizikant, kishte qenë përgjegjësi i punimeve radioaktive në ndërmarrjen gjigande të naftës në Patos, kurse Rita, pas një pune të gjatë e të vështirë si teknike ndërtimi, u diplomua edhe në fakultetin ekonomik.
Ato “mburrjet” e inxhinierit, kur kthehej nga kantieri, se firma e tyre po bënte një punë të bukur e të paqme në Llogora dhe se rruga mbas rikonstruksionit dhe asfaltimit të para një viti ishte bërë “gjalpë”, nuk kishin rënë në vesh të shurdhët, por fizikanti, “shkenca”, nuk i miratonte përshkrimet apriori, pa u eksperimentuar. Nuk mund të besonte kurrsesi se ishte eliminuar rrudhosja e famshme e asfaltit në rreth 400 metër gjatësi, bërë si fizarmonikë, mbushur me shenja goditjeje e çjerrjeje prej sotokarteve të veturave, shoqëruar madje edhe me gjurmët e pellgjeve të vajit të derdhura nga kamiot e thyera në to.
“Bëjini çfarë të doni! Kjo do rrudhoset përsëri! Çfarë nuk i ka bërë ndërmarrja Rruga-Ura e Tiranës, madje vit për vit, dhe kjo rrudhosej që rrudhosej!”, vinin bast banorët dhe nuk ua mbushte synë inxhinieri i firmës private, kur u thoshte se ai fenomen nuk kishte lidhje as me pjerrësinë e rrugës, as me pozicionin që e rrihte dielli pingul nga mëngjesi në mbrëmje.
Duke ngjitur rrugën e Llogorasë, befas inxhinieri uli shpejtësinë, uli xhamin të përshëndeste e të çmallej me miqtë e tij të vjetër, çunat e Dukatit, të çajit dhe rigonit. Nga “formacioni luftarak” e kuptoi së largu se ishin ata, grup anës rrugës, majë mezhdës, gjithë gjallëri dhe u dha sinjal së largu me drita…

– Janë miqt’e mi! – u tha pasagjerëve, të shoqes dhe çiftit, të cilët po i habiste mosha e miqve, nxënësa shkolle.
Ata, të entuziazmuar nga përshëndetja, u përqendruan dhe teksa zvogëlohej distanca njohën benzin e zi të inxhinierit, targën, më pas vetë atë, sishokun e tyre, brenda veturës me dy familje dhe buçitën me zërat në kupë të qiellit e me duart që i valëvitnin, teksa kishte kaluar mbi një vit që ishin ndarë.
U dëgjuan njëra mbas tjetrës pasthirma të shkëputura shumëzërash që zgjateshin: – Ooo…! Oooo…! Oooo…! Ooooooo…! …Oooooooooo!…
Dhe dukej sikur donin t’i shtonin diçka pasthirrmave një-germëshe që i stërzgjasnin gjithë tension… E konsideronin inxhinierin shok, ngaqë vetë ai sillej i atillë me ta. Pas copa-thirrjeve të nxituara, që treteshin si jehonë në atë faqe mali, u dëgjua një e bërtitur e plotë, e saktë e prerë: “Oooo o Rrugaurëëë” e ndjekur më pas në kor nga gjithë grupi i çunave të Dukatit, “O Rrugaurë”, “O Rrugaurë”, “O Rrugauu”, “O Rruuu”… që zbehej teksa makina po largohej prej tyre.
Brenda plasi gazi!

– Ç’ishte ky shkëmbim përshëndetjesh kaq entuziaste me një grup kalamajsh fshati? – pyeti fizikanti në krah të inxhinierit në timon.

– Ju thashë që janë miqt’e mi, – e përsëriti me më shumë seriozite inxhinieri. – Ooh, sa shumë më gëzuan! Çfarë çunash të hajrit dhe sa punëtorë! Por dhe nxënës shumë të mirë në shkollë!… – dhe u përfshi në meditim…

– Çfarë fati që kam pasur të punoj këtu! – foli i qetë pas pak. – Ju nuk e kuptuat, por më shkrinë gazit e më lumturuan me ato thirrjet “Oooo”, “Ooooo”… Më patën harruar emrin dhe, për të mos më lënë pa gjë, më thirrën “O Rrugaurë”! Mor, po ku e shpikën?! Si u erdhi ndër mend të më vënë një emër që të afrojë me profesionin, nisur nga puna që kemi bërë para syve të tyre…?!

– Shuuumë e bukur, shum’e bukur! – foli gjithë entuziazëm Neimi, kur kuptoi domethënien e asaj loje britmash fëminore. – Shuumë e bukur! – po e përsëriste. – Bravo, të lumtë! Paske fituar respekt në këtë krahinë. Fakti që të respektuan fëmijët, nuk ka nevojë për diskutim.

– Respekti i fëmijëve është më i çmuari! – foli Rita.

– Joooo!… Nuk ka më të çmuar! – u fol në grup.

– Çfarë mbresë e fuqishme?! Çfaaarë e-fe-kti! – shqiptonte ndarë në rrokje fizikanti. – E habitshme! Kjo më kujton efektin radioaktiv në studimet tona sizmike për naftën.

– Ooo Rrugaurrëëë! – vazhdoi ta thërrasë inxhinierin gjatë gjithë asaj dite e nuk ka harruar t’ia kujtojë herë pas here që nga Kanadaja, ku jetojnë prej njëzet e pesë vitesh.
Ishte si një pagëzim i çuditshëm i bërë në kor nga fëmijët!