Albspirit

Media/News/Publishing

Ymer Çiraku: STUDIUESI I PËRKUSHTUAR I LETËRSISË ARBËRESHE

Ziaudin KODRA (1909-1965) mbetet një studiues me kontribute të njohura në studimin e letërsisë arbëreshe. Këtë vit mbushen 60 vjet prej ndarjes së tij nga jeta. Për një kohë, pikërisht në vitet e para të pas luftës së dytë botërore, ai do të jetë në Shqipëri nga më aktivët në studimin dhe në përcjelljen e kësaj letërsie. Duhet kujtuar se kësaj kohe, ishte krijuar një boshllëk i ndjeshëm në këtë fushë të studimeve. Emra të njohur si Namik Ressuli, Karl Gurakuqi, Rosolin Petrotta e bashkë me ta Ernest Koliqi, me kontribute të spikatura në studimin e letërsisë arbëreshe, për rrethanat e njohura politike, ishin larguar përfundimisht nga Shqipëria dhe studimet e tyre mbi letërsinë dhe botën arbëreshe në përgjithësi, ata i vijuan në aulat universitare dhe në mjediset arbëreshe në Itali.

Kurse At Justin Rrota, ai që do të sillte për herë të parë në Atdhe kopjet fotografike të origjinalit të veprës “Meshari” të Buzukut (1929), me studimet e tij të njohura edhe për autorët e hershëm arbëreshë si L. Matrënga, J. Variboba, vijonte të ishte në Shqipëri, porse tashmë, në vitet e një moshe të thyer, ai ishte tërhequr në Kuvendin e Fretënve Françeskanë, duke u marrë kryesisht me hulumtimin e çështjeve gjuhësore nga aspekti fonetik, morfologjik, leksikologjik, pastaj me hartimin e një historie të albanologjisë, deri kur ndërron jetë më 1964.

Pra, Z. Kodra për një kohë do të mbetej ndër ata të paktit, që u mor me studimin e kësaj letërsie, fillimisht si autor i dispencës “Letërsia arbëreshe” (1956). Pak vite më vonë, ishte hartues i kapitujve të zgjeruar për letërsinë arbëreshe te vepra e njohur e historiografisë shqiptare “Historia e letërsisë shqipe” (1959, I,II), si dhe autor i disa shkrimeve për De Radën, Santorin, Gavril Darën (i Riu) etj. Ndërkohë, po vinte në Shqipëri një radhë studiuesish të tjerë, që do ta rroknin në prerje të ndryshme historiografike studimin e kësaj letërsie – të gjerë në kohështrirje dhe të pasur në vlera estetike.

Këto studime të Z. K. (i ardhur nga Dibra e Madhe, studiuar në liceun francez të Korçës e pastaj i diplomuar për letërsi e filozofi në Firence të Italisë), vështruar nga sot, pas jo pak dekada vitesh, duhet kuptuar dhe duhet marrë në konsideratë, se ato mbartin vlerat e tyre. Sigurisht, brenda kohës dhe brenda kontekstit kur ato u hartuan dhe u botuan, si dhe përshtat metodës studimore të zgjedhur dhe të ndjekur prej autorit. Pasi dihet se për letërsinë arbëreshe, nuk kanë rreshtur deri sot e kësaj dite studime të shumta nga një varg autorësh arbëreshë, shqiptarë, si dhe të huaj, me këndvështrime të larmishme nga aspekti metodologjik. Kjo pasuri kontributesh studimore, lidhet me vet vlerat e shumëfishta që vazhdon të sugjerojë kjo letërsi, si tejet sugjestionuese dhe me shtysat pasuruese estetike e kulturologjike – për mbarë letërsinë shqipe.

Kontribut i rëndësishëm i këtij autori, mbeten kapitujt e zgjeruar të hartuar mbi letërsinë arbëreshe te “Historia e letërsisë shqipe”. Thekson me të drejtë se kthesa e madhe – nga aspekti estetik e stilistik – që ndodhi në letërsinë shqipe, u shfaq për herë të parë brenda rrjedhës së letërsisë arbëreshe, kulmuar me “Këngë të Milosaos” të De Radës, vepër e botuar më 1936. Kjo sigurisht që lidhej me shfrytëzimin e rrethanave më të favorshme, që kishte bota arbëreshe në raport me situatën në trojet amtare, të cilat ishin të okupuara nga pushtuesit osmanë dhe ku ishte i ndaluar instalimi i arsimit dhe i kulturës kombëtare. Autori thekson se, përveç pasurimit që i solli letërsisë shqipe në gjini dhe në mjete letrare, për arsye se kjo letërsi, duke qënë e botuar dhe e prezantuar për lexuesin si dygjuhëshe (arbërisht/italisht), krijonte ndërkaq dhe premisat e favorshme, që bota shqiptare të njihej edhe në Europën perëndimore, me vlerat dhe me historinë e përpjekjeve të saj.

Në studimet e tij, Z. K. ka çmuar edhe rolin e rëndësishëm të folklorit në ngjizjen e letërsisë arbëreshe. Në vlerësim të këtij roli të folklorit në letërsinë arbëreshe, në vitin 1957, ai botoi përmbledhjen “Poezija popullore arbëreshe”, me rreth 200 faqe.

Për të shijuar bukurinë e këtyre krijimeve popullore arbëreshe, po sjellim tekstin e titulluar “Kënka e pjakut”. Këtu përcillet motivi i etjes së njeriut për ta ruajtur fort zjarrin e dashurisë edhe para sfidave të moshës, që mund të duket në kufijtë e pamundësisë. Është ajo dilema tronditëse, e cila vjen qysh nga “Epi i Gilgameshit” dhe nga tërë mitologjitë e qytetërimeve të lashta, për mos nginjien e njeriut me jetë e me dashuri. “Robi plaket kur do vet…”, kujton një këngë e njohur popullore, dëgjuar aq shpesh edhe sot. Që në fakt, dëshmon mosdorëzimin e njeriut para destinit biologjik. Një temë e trajtuar aq mjeshtërisht kjo, edhe nga Kuteli te novela e tij “E madhe është gjëma e mëkatit”. Këtij motivi i është sjellë edhe “Poeti i liqerit”, Lasgushi, te novela e tij mbi një dashuri aq të dëshiruar dhe pastaj të realizuar aq ndritshëm e provokueshëm njëherazi, përkundër limiteve njerëzore.

Në krijimin popullor arbëresh , si në një aventurë baladeske kalorsiake, përshkruhet nisja e nëntë të rinjve, që të gjenin nëntë vasha të bukura arbëreshe. Udhës i takon plaku [pjaku] dhe mes çudisë e shpotisë së të rinjve, dëshiron edhe ai që të shkojë me ta, në kërkim të pasionit. Si ecën gjatë, ata mbërritën në qytet, ku morën vashat e zgjedhura. Sipas tekstit të këngës, “më e bardha e më e njoma, ajo plakut i takoi”. U nisën të dy për udhë e diku, qëndruan të pushojnë. Plakun e lodhur, e zuri gjumi dhe:

Vajza q`ish shum` e zgjuar

Nxuari skjep e kreut saj

E i mbullti sizit;

Zgjidhi brezin nka mesi

E m`i ljidhi duarzit,

Duarzit e këmbëzit.

Kur m`u zgjua pjaku,

Vasha kish kaptuar malj

Atë majl e jatërin…

Pra, vasha e bukur dhe e mënçur, iku e kaptoi malin për të mbërritur te fati i saj. Dhe kur e pa veten ashtu plaku [pjaku], aq i madh ishte dëshpërimi i tij, sa nga marrazi i braktisjes prej vashëzës, shkuli mjekrën e tij të bardhë dhe na u zbardhua tërë dheu (“zbardhulloi dhethi”). Dhe nga lotët që derdhi, erdh` e u shtua përroi, që rridhte aty pranë tij. Rapsodi, apo bardi anonim arbëresh, këtu ka ndërtuar një strukturë dramatike rrëfimore, të ndërthurrur me tone gazmore, qortimi dhe zhgënjimi, si dhe me figura stilistike të befta dhe mjaft sugjestionuese.

Prej letërsisë arbëreshe, studiuesi Z. Kodra ka arritur të sjellë e të dëshmojë kumtet shpirtërore të njerëzve të një komuniteti të larguar prej shekujsh nga toka e të parëve, por që ata e mbajtën përherë gjallë kujtimin e vendit të origjinës, prej nga ishin shkulur në rrethanat e njohura historike.