Ismet Hajrullahu: Kurti dhe loja e “kungulleshkave”
“Lojërat e kungulleshkave” janë vonesa të panevojshme dhe manovra të përsëritura që mbajnë peng vendin.
Kjo është pikërisht ajo që po ndodh me zgjedhjen e presidentit në Kosovë.
Afati ligjor pothuajse po përfundon, por ende nuk ka konsensus politik për asnjë kandidat të mundshëm.
Vjosa Osmani, emri më i përfolur për këtë pozitë, e cila ligjërisht mund të rizgjidhet, nuk është propozuar nga asnjë parti apo organizatë. Respekt pa fund për familjen Jashari, për largpamësinë dhe qasjen e tyre të dinjitetshme. Në fakt, ata janë vetë Kosova!
Problemi është se kryeministri po e përdor procesin e zgjedhjes së presidentit si lojë kungulleshkash, duke e mbajtur vendin pezull dhe duke hyrë në rrugë pa krye.
Të themi të drejtën, kjo nuk është hera e parë, pasi në mandatin e kaluar Kurti e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme, duke humbur kohë dhe duke krijuar tensione të panevojshme.
Sot po e përsërit të njëjtën formë: vonesa, kalkulime dhe presion mbi institucionet.
Në vend që të tregojë lidership, kryeministri apo kryetari i LVV-së, në vend që të zgjidhë problemin, ai ka ndërmend (mesa po shihet) ta lërë vendin pa president, duke e kthyer zgjedhjen e tij apo të saj në një instrument për të forcuar kontrollin personal.
Pasojat mund të jenë të rënda për Kosovën e brishtë, aq më pak në këto kushte e rrethana që janë krijuar në botë.
Kjo ego dhe luftë për pushtet absolut nga mazhoranca mund ta lërë vendin pa stabilitet kushtetues, duke e çuar në kriza të njëpasnjëshme.
Kjo situatë e rëndë e minon besimin e qytetarëve tek institucionet dhe e bën Kosovën të duket e paqëndrueshme në arenën ndërkombëtare.
Kosova gjithmonë ka treguar se është e aftë të jetë e pavarur dhe shpesh i ka tejkaluar shtetet e tjera ballkanike në ndërtimin e institucioneve. Por problemi nuk është te aftësia e vendit, por te mënyra si udhëheqësit e tij e përdorin pushtetin.
Kurti është i obliguar t’ua sqarojë qytetarëve këtë ngërç të krijuar dhe pasojat që mund të rrjedhin nga papërgjegjshmëria për moszgjedhjen e presidentit brenda afateve kushtetuese.
Nëse ai vazhdon ta shtyjë procesin, atëherë duhet rishikuar nga e para Kushtetuta dhe të ndërmerren hapat e duhur për të mos lejuar që një kryeministër i vetëm ta mbajë peng vendin, siç po ndodh aktualisht.
Kosova nuk mund të lejojë që lojërat e kungulleshkave të përsëriten pafund nga njerëz që po sillen si adoleshentë në politikë.
Një kryeministër i vendosur nuk duhet ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme sa herë që i përshtatet, dhe nuk duhet ta mbajë peng zgjedhjen e presidentit për kalkulime personale, por duhet të jetë konstruktiv në gjetjen e zgjidhjeve në të mirë të procesit dhe vendit gjithashtu.
Nëse kjo vazhdon, atëherë rreziku është që bota ta shohë Kosovën si shtet të papjekur politikisht dhe jo të gatshëm për të qenë pjesë e familjes evropiane.
Politikbërësit dhe udhëheqësit e saj duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë, e jo ta fusin kokën si struci!
Loja e Albinit me kungulleshkat është duke vazhduar me Glaukun…
Më erdhi ndër mend një pamje e para disa viteve, ku Albini dhe Glauku i tërhiqnin gomarët e shkretë për konopi para Kuvendit…