Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorrën nga Europa…
Pjesa IV
Ua kushtoj të Parëve të mi,
Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,
dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen, punuen e u salvuen
për Shqipninë Europjane të
Gjergj Kastriotit – Skenderbeut!
Autori
Melbourne, Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.
82 VJET MA PARË… ATËHERË “KUR PATEN HY KËTA…”!
Edhe pse të veshuna me borë e akull si çmos asnjë vjet, tymnaja e zezë e komunizmit pushtoi edhe majat ma të nalta të Alpeve tona, të pashkeluna kurrë ngapushtuesit shekullorë…
Ra Hoti e Gruda, ra Kelmendi e Dukagjini, ra Dibra, Mirdita e Puka, ra Kosova e Shkupi, ra Korça e Gjinokastra, ra Çamëria, ra Jugu e ra Veriu… Ulqini e Tivari u banë gropa vorrimi për vëllaznit tonë Shqiptarë të Kosovës, të premë në besë… nga “herojt e popullit” Enver Hoxha, Ramiz Alia, Omer Nishani e sa tradhëtarë të tjerë…
Në sfondin e zymtë të tallazit t’ Adriatikut të çuem peshë, Flamuri i Skenderbeut përdhoset me yllin e kuq…
Malësori nuk do të përshëndesë ma “tungjatjeta!”, por do të shkapesë përballë grushtin partizan. Kryet e vendit në sofer do ta zanë serbët, malazezët e sherbëtorët e tyne, bolshevikët tanë, tue ngritë dollitë e tue urue jetë të gjatë Titos eStalinit. Besa, bujaria e burrnia do t’u lëshojnë vendin tradhëtisë, turpit dhe frikës, që nuk do t’i ndahën Shqiptarit për sa e sa vjet…Portaria e shtëpisë nuk do të mbylletma, cilido anmik hyn e del si në shtëpinë e vet.
Lahuta nuk do t’u këndojë ma armëve të lirisë.., por do t’i ulërijnë ariut të Gjeorgjisë…Ja, edhe një popullore nga Jugu: “Enver, Koçi ka parë ëndërr, Shqipërinë nuse, Titon dhëndërr…” – dhe vazhdonte kori partizan eeeeeeeee… Asht ajo kangë që fëmijtë e tyne e këndojnë edhe sot…!
Edhe për një grusht katolikë që mbetën ndër ata Troje, do të vërriste tradhëtari i Atdheut, pikërisht udhëheqësi i Partisë Komuniste Shqiptare, katili gjakatar Enver Hoxha, ai që kurrë s’asht kenë udhëheqës i asaj pjese Katolike të Popullit Shqiptar, por edhe do ta linte të shkrueme: “…meqenëse, katoliçizmi shqiptar, dhe në veçanti kleri, ishin pengesa më e madhe për triumfin e komunizmit në Shqipëri, qeveria nuk do të kursente asnjë përpjekje për t’i shpartalluar ata.” (E.H, V.I, fq. 438, 1974).
Porosia e Leninit, e lanun që në vitin 1922, ishte: “Duhet të angazhohemi në luftë përfundimtare kundër klerit reaksionarë, të asgjësojmë qëndresën e priftërinjve dhe të murgeshave me një mizori të tillë, që ta mbajnë mend me dekada të tëra”.
Terrori në masë, si mjet qeverisje, kishte fillue që në vitin 1944 në Jug të Shqipnisë dhe, me largimin e trupave të hueja, kjo luftë vëllavrasëse shpartalloi edhe Veriun, tue fillue nga Kryengritja e Prenkë Calit në vitin 1945, rezistenca e “Besëlidhjes së Veriut”, rezistenca e Berdicës dhe Anës së Malit, luftëtarët e shpellave të Dukagjinit, me Heroin Gjergj Vata etj., në Pukë me Mirakajt dhe të pathyeshmit e Mirditës, Mark e Llesh Gjomarkaj. Alush Leshaku do të shkruente me germa t’arta Epopenë e qendresës në Shqipninë e Mesme, me çetën e Sulë Selimes…
Në muejt janar e shkurt të 1945, tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia kishin “vistue” garancitë e tyne tek “shoku” Tito me vrasjen dhe humbjen e ma shumë se 12.000 vëllazënve shqiptarë të Kosovës, vepër për të cilën krimineli i Luftës Ramiz Alia e ka vendin në dhomen e mbetun “bosh” të mikut të tij Millosheviç. Shqipnia kishte hy në vathën “bolshevike” të Jugosllavisë Titiste e, bashkë me te, nën sundimin stalinist të Rusisë, qysh me 29 nandor 1944…
Enver Hoxha tashti i paisun me “mburojen” e trathtisë së Atdheut dhe i deklaruem zyrtarisht “vasal” i Jugosllavisë, fillon veprimet e tij në drejtim të prishjes së “urave lidhëse” të Shqipnisë me Europën Perëndimore.
Pa përfundue Lufta e Dytë Botnore, ashtu si pat veprue për lanjen e Kosovës dhe Trojeve Shqiptare nën sundimin e Jugosllavisë, në Mukje, me atë model të instruktuem nga padroni Tito, me 21 Prill 1945, kur delegati apostolik i Vatikanit në Shqipni Imz. Leone G.B. de Nigris, do të shkonte në Romë për konsultime të veta si zakonisht ndër ato situata të krijueme nga Lufta, qeveria provizore “kukull” e Tiranës, i premton Atij: “Liri të plotë të Kishës Katolike dhe marrëdhanje të mira me Vatikanin” (po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 212).
Porsa delegati Nigris kthehet në Tiranë, në ditët e para të majit 1945, ai nuk lejohet me shkue në selinë e Tij në Shkodër, mbasi cilësohet se asht “persona non grata”, gja e cila e detyron me thirrë Argjipeshkvin e Shkodrës, Imz. Gaspër Thaçin, për me i lanë porositë për t’ ardhmen. Për arësye shëndetësore Argjipeshkvi nuk mundet me shkue në Tiranë, por dergon Famullitarin Don Tomë Laca dhe sekretarin e vet Don Mark Hasi, të cilët shkojnë dhe marrin porositë e Tij. Zv. Delegat të Vatikanit Ai len porosi me kenë Imz. Frano Gjini, deri atëherë Abat i Mirditës. Ky do të vazhdonte derisa Vatikani do të sillte dokumentin e emnimit me shkrim. Përsa i përket marëdhanjeve me shtetin komunist, ishte gjithshka e qartë për të dy palët, mbasi “moslejimi i delegatit L. Nigris me qendrue këtu, tregonte edhe këputjen e marëdhanjeve të qeverisë shqiptare me Shtetin e Vatikanit, ndonse ky veprim binte në kundershtim me vendimin e vet, që qeveria shqiptare i kishte komunikue me datën 21 prill 1945, para se po Ky delegat do të nisej për Vatikan”. Gati mbas 20 ditësh, kur L. Nigris nuk ishte ma në Shqipni, me datën 24 maji 1945, qeveria shqiptare lëshon edhe vendimin me shkrim që i dergohet Vatikanit. Por E. Hoxha nuk mjaftohet vetëm me premjen e marëdhanjeve diplomatike… Duhej shemb “Ura lidhëse” e Shqipnisë me Europën.
E kjo “urë” shekullore… kishte themele, “Gurtë’” e të cilit ishin të pathyeshëm, të palëvizëshëm, të qëndrueshëm, të vendosuna mbi Gjakun e Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, Besnike e Përjetëshme e Porosisë së Imz. Pal Engjëllit, që la me shkrim në vitin 1462 e që vazhdonte me kenë e daltueme mbi “Vorrin” e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, Aty, ku asht sot e që Ky Kler, vazhdonte me u betue…
Me u betue mbi Elterin e Shejtë të Atdheut…! Në Janarin e 1945, asht i pari At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanve të Shqipnisë në Kuvendin e Gjuhadolit në Shkodër, që me rastin e vizitës në atë kuvend të kriminelit Shefqet Peçi, e pak ditë mbas tij të terroristit Mehmet Shehu, ua përplasë ndër sy të dyve, se: “Lidhjet me Papën dhe Vatikanin nuk mund të shkëputën kurrë e për asnjë arësye”.
Ky ishte sinjali i parë gjoja i një “Kishe Katolike Kombëtare” për të cilën nuk u shuen përpjekjet asnjëherë edhe pse Enver Hoxha e Ramiz Alia përdorën Genocidin komunist bolshevik për zhdukjen jo vetëm të Saj, por edhe të të gjithë Atyne Shqiptarëve që ishin të Pagëzuem Katolikë.
Mbas largimit të Delegatit Apostolik nga Shqipnia, shteti komunist fillon haptas masat e veta, tue i kombinue me ato ekonomike, të shfaquna direkt me shtetëzimin e tokave të Kishës dhe marrjen e pronave të tjera të saj. Reforma tjetër kundër Fesë vazhdon po në Maji të vitit 1945, kur mbyllen shkollat fetare. Asnjë qeveritar nuk pranon në takim Prelatët e Klerit për sqarim problemi. Fillojnë presionet kundër Argjipeshkvit të Durrësit dhe Tiranës, Imz. Vinçenc Prennushit, po në lidhje me shkëputjen nga Vatikani si dhe represionet që i bahen elementit katolik në Shqipni. Vazhdojnë përpjekjet e qeverisë me Imz. Luigj Bumçin, i cili edhe vdes ato ditë, dhe pasojnë me Zv. Delegatin Apostolik, Imz. Frano Gjinin, i cili jo vetëm që nuk pajtohet, por edhe proteston për reprezaljet që komunistët ushtrojnë haptas kundër intelektualëve shqiptarë të Veriut, të cilët përbuzen dhe denigrohen si miq të pjesës së popullsisë katolike, që tashma asht e cilësueme haptas “e padëshrueshme” nga pushteti bolshevik i komunistëve. Në këte kasaphanë përshkohen edhe shumë intelektualë muslimanë e ortodoksë, të cilët nuk pajtohen me veprimet e hapta anadollake e fanatike të udhëheqësit të shtetit bolshevik E. Hoxha me pasuesit e tij.
Në gjyqin e Prof. Filip Fishtës, avokati Kol Dhimitri deklaron: “Filip Fishta ka pasuruar kulturën shqiptare me shkrimet e tij, të cilat janë aq të vlefëshme dhe të çmueshme, sa është e madhe vobegsia jonë letrare. Nga ana tjetër, si mund të bëhët vëgël informator një shkencëtar, që gjithë jetën e tij e ka dedikuar në librat e kulturës, në mbrojtje të idealeve kombëtare. Kërkoj që të merrën si shkaqe lehtësuese veprimet kombëtare”. (Dosja 7842, Arkivi M.Mbrendshme Tiranë 1998).
Ndersa turma e oficerëve të sigurimit që ka mbushë lozhat e sallës së kinemasë së Tiranës, thërret: “Avokati është tradhëtar, duhet varur në litar…”. E mbas një viti po e njajta ngjarje përsëritet në sallën e kinema “Rozafat” në Shkoder kundrejt avokat Myzafer Pipës, vetëm se asht tue mbrojtë një Klerik antifashist, të cilit Enver Hoxha, me porosi të spijunëve jugosllavë, jo vetëm i jep “plumbin ballit”, por edhe masakron në mënyrë shnjerzore edhe avokatin e tij mbrojtes, i cili vdes tue u torturue ndër duert e kryetarit të degës së mbrendëshme të Shkodrës, Zoji Themeli, poaq kriminel sa prokurori i çashtjes, famëkeqi Aranit Çela. Në fund të vitit 1945, kur sigurimi i shtetit zbulon Organizatën e Parë Antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” të formueme nga Mark Çuni, Organizatë me parime të vërteta demokratike, mbasi mendon dhe punon për zgjedhje të lira dhe me parime europjane Perëndimore, por e padëshrueshme nga terroristi E. Hoxha, i cili punonte që më 1941 për terrorizmin shovenist bolshevik stalinjan dhe jo për Shqipni Demokratike, përfundon me shkatrrimin e plotë të organizatës dhe pushkatimin e të gjithë organizatorëve të saj, tue përshi edhe tre Klerikë të pafajshëm, vetëm për përmbushjen e qellimeve të terroristëve jugosllavë kundër Klerit Katolik, që me komunistët bolshevikë, ata me kambngulje kërkojnë shkëputjen e Shqipnisë së robnueme nga Europa.
Dështimi i Lëvizjes së Postribës me 9 Shtator 1946, do të sjelli atë tragjedi, që rrallë herë ka mujtë me pa Populli i Veriut me qendër Shkodrën, ku kishte 26 burgje të mbushuna plot me atdhetarë nga të gjitha shtresat, tue fillue nga fshatarë analfabetë e deri tek studenta e deputetë të Kuvendit Popullor. Pikërisht në këte valë arrestimesh, torturash e vorfnije, pushkatimesh e internimesh, zhdukjesh pa gjyq e me gjyq, dhe përndjekjesh të panumurta në masë, Sigurimi i Shtetit, nën udhëzimet e padronëve jugosllavë, organizon ngjarjën ma të shëmtueme kundër Klerit Katolik Shqiptar, ashtu si kishin veprue “specialistët” e KGB-së sovjetike në Rusi, Poloni, Kroaci, Mal të Zi, dhe tashti në Shqipni, në Kishën Françeskane të Gjuhadolit, në Shkoder, me 16 Nandor 1946; në mengjes herët, pa dalë drita e datës 17, fusin arsenale armësh nën Elterët e Kishës dhe akuzojnë Françeskanët si organizatorë të “një kryengritjes së armatosur kundër Pushtetit Popullor…”. Kuvendi u kthye nëburg… dhe, thirrej “Burgu i Kishës së Fretënve”.
Për masakrat e torturat çnjerëzore të bame mbi ata të mjerë që vuejten në këte hetuesi, vite ma vonë do të dëshmojnë bashvuejtësit e asaj kohë: Adem Bazhdari, Drita Kosturi, Ragip Meta, Elez Troshani, Hafiz Derguti, Hoxhë Xhemal Najpi, Terezina Pali, Viktore Kuka, Ana Daja, etj., që janë një libër në vedi. Mija e mija faqe procesh fallse, mija e mija shpifje e trillime, mija e mija orë dite e nate me hetime, tortura, masakra të pashembullta, shpifës e spijunë hetuesë, që errën e çohën tue plotësue dosje të përgatituna nga ky skenar makabër, tue xhirue mija metra film për me kënaqë “druzhe Titon e baba Stalinin…” me dhunimin që po i bahej Kerit Katolik Shqiptar. Ky ishte roli që luenin komunistët shqiptarë, në forcimin e simpatisë prej jugosllavëve, ky ishte qendrimi i paturp antikatolik, ky ishte kurbani që komunistët e tradhëtarët shqiptarë i dhuronin anmikut shekullor serb, vetëm e vetëm që Enver Hoxha me pasues me sigurue karrigat e veta në pushtetin gjakatar. Seksioni Katolik i Degës së Punëve të Mbrendëshme në Shkodër, nuk i shuente dritat as ditën as natën, ku kriminelat terroristë të Sigurimit të Shtetit ishin lëshue si bishat me shkye njerëzit e veshun me zhgun e veladon e, këta kafshë t’egra ishin vetëm pjellë e shkollës së krimit të partisë komuniste bolshevike dhe që punonin për sigurimin e kolltukut: Hulusi Hako, Dilaver Sadiku, Zoji Themeli, Spiro Pano, Mestan Ujaniku, Aranit Çela, Misto Bllaci, Dali Ndreu, Qamil Gavoçi, Hysni Ndoja, Lilo Zeneli, Fadil Kapisyzi, Bastri Beqiri, Anastas Koroveshi, Pjerin Kçira, Ali Xhunga, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Zoji Shkurti, Kasem Troshani, Nexhat Hysejni, Mustafa Iljazi, Thoma Rino, Xhevdet Miloti, Ali Çorri, Nevzat Haznedari, Cuf Lohja, Ndrekë Nallbani, Jonuz Dini, Hamdi Ulqinaku, Namik Qemali, Dulaq Lekiçi, Elez Mesi, etj. etj., që edhe sot rrashtat e tyne vrrasin si qentë e terbuem nga vorret e mermerit: “Plumbin ballit Priftërinjëve Katolikë Shqiptarë dhe inteligjencës përparimtare!…”.
Mbas 16 muej përpjekje për me provue akuzat fallse, tue mos mujtë me realizue asnjë nga “gjyqet e popullit” ashtu si donin padronët jugosllavë e sovjetikë, ndër skutat e errta të bodrumeve të hetuesive, pa dije të asnjë vezhguesi apo avokati, u zhvilluen “gjyqet” e mëshefta, dhe u mbyllën dosjet pa i pa njeri fare me sy Ata Herojë, as ditën e egzekutimit.
Hetuesit katilë, edhe pse bajnë njëmijë të zezat mbi trupat e Klerikëve të pafaj, përgjegja asht vetëm një: “Na nuk kemi futë armë në Kishë, as nuk dimë kush i ka vue ato nën Elterë…”!
U arrestuen: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imz. Nikollë Deda, At Mati Prennushi, At Çiperian Nika, At Donat Kurti, At Pal Dodaj, At Frano Kiri, At Bernardin Palaj, At Buon Gjeçaj, At Aleks Baqli, At Gjon Karma, At Mëhill Miraj, At Çiril Cani, At Leon Kabashi, At Rrok Gurashi, Don Mark Xhani, Don Tom Laca, Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikollë Shelqeti, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, etj.
Me datë 11 Mars 1948, në orën 05.00 të mëngjesit, në Zallin e Kirit, pranë Rrëmajt, (në tokën e Zef Sylës) u pushkatuan këta Prelatë të Klerit Katolik Shqiptar:
Imzot FRANO PJETER GJINI, Regjent i Delegacionit të Vatikanit në Shqipni, Imzot GJERGJ VOLAJ, Ipeshkëv i Sapës, Imzot NIKOLLË DEDA, Ipeshkëv, At MATI PRENNUSHI OFM, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë. At ÇIPRIAN NIKA, OFM, Rektor i Françeskanëve të Shkodrës.
Fjala e Tyne e fundit ishte: “Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa! Po vdesim në krye të detyrës të pafajshem! Rrofshin Katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm”! (Dosja 1302/2A. Arkivi M.M.Tiranë).
Me Këta Martirë u pushkatuen edhe Atdhetarët: CIN SERREQI; Ing. FAHRI RUSI, DULO KALI; GULJELM SUMA; MURAT HYSEN HAXHIJA, BILBIL HAJMI, Mësuesi PJETER P. PALI, GASPER SIMON GASPRI, XHELAL HARDOLLI, ABDULLAH KAZAZI, CAF DRAGUSHA dhe ZEF KOL PRELA.
Ndërsa arrestimet vazhdojnë, projekte të reja vijnë nga Moska stalinjane për vazhdimsi terrori deri në shkëputjen e plotë nga Vatikani. Stalini dhe Enver Hoxha ma në fund përqafohen dhe puthen tue i shtërngue dorën fort njeni tjetrit në premtimin e ruejtjes së kolltukut të Enver Hoxhës, mbas prishjes formale me Titon, tue i sigurue njenitjetrit “besnikni” komuniste, mbrenda blokut komunist ku tashti janë të gjitha shtetet e “demokracive” popullore e socialiste, satelite të B. S.
Enver Hoxha i siguron se Shqipnia do të vazhdojë luftën për të forcue lidhjet me Lindjen komuniste, simbas porosisë së diktatorit Stalin, mësuesit dhe udhëheqësit shpirtnor të tij, i cili asht i knaqun me të gjitha veprimet që tradhëtari i Popullit shqiptar asht tue ba në favor të padronit të kampit socialist, Stalinit “math”, “shpëtimtarit” të njerëzimit…
Po qendrimi i injorantit Enver Hoxha kundrejt inteligjencës sonë cili ishte? Për këte do të ju paraqes pak rreshta nga procesi kundër një avokati të njohtun në Shqipni në vitin 1946 – 47, kundër av. Paulin Palit: “Në 1942-43 isha në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për çlirimin e Shqipnisë pa Kosovën, e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë padrejtësisht nga shovenistët serb. Me forcë nuk mund ta marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Bllokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore.
Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij nëse populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetet në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar vllaznohet me shqiptarin. Idetë e mia kanë kenë këto dhe, me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Andrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj., kam folë. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër gjykatave ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Bllokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta”.
Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e saj me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, e përbame nga: Kryetar, major Niko Çeta, antar, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K. Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi: “Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës 1. PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetet në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë”, (dosja 1333).
Kështu u mbyllë edhe një dosje, po “fjala e fundit” e tyne nuk u dijt kurrë, as vendi ku u egzekutuen këta Burra, as kush ua dha atë të shkretë “plumb mbas koke”… sepse donin “Shqipninë Demokratike”, donin Shqipninë të bashkueme me Kosovën…
Ky “faj” i Tyne nuk falej!
Fillojnë përpjekjet e dyta për shkëputje nga Vatikani nga qeveria shqiptare, mënjëherë mbas pushkatimit të Prelatëve të Kishës Katolike, por edhe këto pa sukses si të parat. Hartohet nga shteti komunist, me porosi si gjithnjë të Moskës, “Projekti i Statutit të Kishës Katolike Shqiptare”, ku Enver Hoxha nuk do të kursente asgja për aprovimin e tij, me të gjitha mjetet e terrorit dhe të pabesisë karakteristike të tij. Nga Kleri Katolik ngarkohet Don Kolec Prennushi, i porsa liruem nga hetuesia mbas 11 muej torturash, për shqyrtimin e Projektit të Statutit. Ja konkluzioni i Tij i shpjeguem nga At Kondrad Gjolaj (1995): “Kisha Katolike nuk mund të jetë kurr nacionale, ndonse, Ajo nuk asht kundër nacionalizmit.
Ajo nuk pranon asnjëherë identifikimin e Fesë me Kombin. Në pamjen e tyne kristjane dhe teologjike ky identifikim asht i papranueshem dhe jashta kohe, sepse Feja do të shndrrohej në ideologji, që nuk asht tjetër veçse tjetërsim i Dogmave të Vërteta të Kishës sonë Katolike dhe Apostolike, Dogma, të cilat asnjëherë nuk janë kundër dashnisë që besimtarët shqiptarë kanë tregue për nacionalen e tyne”.
Dhe, në shpjegimin e atyne ngjarjeve, At Kondrad Gjolaj, i pranishëm vetëm ndër dy mbledhjet e para të bame në Argjipeshkvinë e Shkodrës, shkruen:
“Don Koleci tha: Këta do të na kërcënojnë se do të mbyllim Kishat tueja, në kjoftë se nuk e aprovoni këte Projekt Statut, kështu si asht këtu. Ky Projekt nuk duhet aprovue prej nesh, se edhe mbas aprovimit të tij këta kanë me i mbyllë Kishat prapseprap. Jam i sigurtë se do t’ na thonë që do t’ ju vrasim, por asht ma mirë me e ba shka kanë ndër mend sot, se ma vonë. Le të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, se me firmue dhe, nesër, prap kanë me na mbytë, por na do të vdesim me faqe të zezë. E nuk duhet me harrue se me këta, na jemi hupë se hupë. Komunistat kështu kanë ba ku kanë marrë pushtetin, në Rusi, Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që po i njohim se kush janë. Këta janë gjithkund njësoj…”! (fq. 125).
Don Kolec Prennushi me 2 korrik 1950 vdiq si pasojë e torturave dhe mbas një viti, me 30 korrik 1951, Statuti i Kishës Katolike u firmue nga Kleri Katolik, me përjashtim të Don Dedë Malaj, Don Ejëll Kovaçit dhe At Kondrad Gjolaj, fundin e të cilëve e shohim në vitet 1958 – 59.
Ndërsa, Kisha Ortodokse Shqiptare e thëmelueme nga Imz. Noli, e që drejtohej nga Imz. Kristofor Kissi, me seli në Tiranë, vetëm nga idea e shprehun nga At Shtjefen Gjeçovi, se: “Imz. Kissi, Kryeipeshkëv i Beratit asht ma tepër Katolik se Ortodoks” (Prof. Z.M. fq. 209, po aty.), pëson përndjekje nga bolsheviku E. Hoxha, i cili kërkon të kundërten e asaj që i kërkon Kishës Katolike, pra, që të shkombëtarizohet dhe të bashkohet me Patriarkën e Moskës, si mbas një “Projekt Statuti të Kishës Ortodokse” të hartuem “gjoja” në Tiranë, njëherit me Kishën Katolike. Ky Projekt Statut u kundërshtue nga Imz. K. Kissi, i cili në gusht të vitit 1949 shkarkohet dhe egzekutohet nga komunistët. Ja pra, me fakte, Ajo Kishë që ishte ba kombëtare, dhe mund të bahej “urë lidhje” me Europën, duhej shkatrrue!
Me 5 prill 1950 goditja tjetër i bahet Bektashijëve dhe Sunitëve, të cilët, nuk paraqisnin problemet e Katolikëve e Ortodoksëve, mbasi edhe në “veprat” e veta E. Hoxha mundohet me justifikue qendrimin e qeverisë së tij anadollake, se: “Kleri musulman është i pangritur nga ana kulturore dhe nuk paraqet rrezikshmërinë e klerit katolik…”. Ky ishte vlersimi që i bante injoranti që drejtonte shtetin, E. Hoxha, Klerit Musliman Shqiptar.
Në vitin 1952, diktatori Hoxha organizon në Tiranë “Konferencën e Paqës” me të gjitha besimet në Shqipni. Asht një libër i botuem me të gjitha fjalimet dhe shamjet e paskrupull që “klerikët”, po i themi, por ma shumë spijunët e sigurimit të shtetit, kanë shpreh aty kundër Papës së Romës e Vatikanit. Ajo “konferencë” asht dëshmia e “hedhjes në erë” të urës sonë shekullore me Europën…Edhe pse mbas vitit 1991 kishte ende gjallë nga “ata klerikë” që kanë shpifë në atë “konferencë”, asnjeni nuk ka pasë guximin me tregue të vërtetën sesi u përgatitën fjalimet e tyne, dhe ua dhanë me i lexue “këtyne” papagalave mjeranë.
Shqipnia komuniste bolshevike tashma ishte e “lumtur” se mbrohej nga Stalini i “math” dhe, sigurisht ishte edhe pjesë e “pandarë” e kampit socialist, që “me hapa vigane” marrshonte nga “fitorja në fitorje”, drejt së ardhmës komuniste… bolshevike anti Europiane.