FESTIVALI KULTUROR “ROMA ROMALE”, ROSKOVEC 2026

Pas suksesit dhe jehonës së madhe që pati edicioni i parë, festivali kulturor “Roma Romale” rikthehet këtë vit me edicionin e tij të dytë, duke e shndërruar qytetin e Roskovecit në një pikëtakim të rëndësishëm të kulturës, traditës dhe artit rom.
Edicioni “Roma Romale” -Roskovec 2026 synon të promovojë trashëgiminë kulturore të komunitetit rom, duke sjellë në skenë muzikën, vallen, kostumet tradicionale dhe historinë e pasur të këtij komuniteti që është pjesë e rëndësishme e mozaikut kulturor shqiptar dhe europian.
Festivali do të mbledhë artistë, grupe folklorike, studiues të kulturës rome dhe përfaqësues të institucioneve nga Shqipëria dhe rajoni. Përmes performancave artistike, aktiviteteve kulturore dhe momenteve simbolike, “Roma Romale” synon të forcojë dialogun kulturor, respektin dhe bashkëjetesën mes komuniteteve.
Ky aktivitet pritet të shndërrohet në një festë të vërtetë të diversitetit kulturor, ku publiku do të ketë mundësinë të përjetojë ritmet karakteristike të muzikës rome, energjinë e valleve tradicionale dhe ngjyrat e kostumeve autentike që përfaqësojnë identitetin dhe historinë e këtij komuniteti.
Organizatorët theksojnë se edicioni i dytë do të vijë me një program edhe më të pasur artistik dhe për herë të para do të jetë në karakter gare, ku grupet apo individët do të garojnë për 3 cmime, duke u shoqëruar me një vlerë monetare si dhe me pjesëmarrje më të gjerë ndërkombëtare, duke e kthyer Roskovecin në një qendër të rëndësishme të kulturës rome në rajon.
“Roma Romale”-Roskovec 2026 është më shumë se një festival – është një urë komunikimi mes kulturave dhe një mesazh i fortë për respektin, barazinë dhe vlerësimin e identitetit kulturor. Me rikthimin e këtij festivali, Roskoveci konfirmon edhe një herë rolin e tij si një qytet që promovon kulturën, artin dhe bashkëjetesën, duke i dhënë një hapësirë të merituar kulturës rome në skenën kulturore shqiptare.