Albspirit

Media/News/Publishing

Lumnie Thaçi-Halili: Shtatë rrëfime për zhburgimin e Dritës

Romani “Dritë e burgosur” shkruar nga Drita Ademi, erdhi tek unë si një dhuratë, në një takim ku biseda për letërsinë, për mënyrën e të shkruarit dhe për përgjegjësinë ndaj fjalës krijoi paraprakisht shkëndijën e kësaj qasjeje interpretuese. Ta shqyrtosh këtë roman do të thotë ta perceptosh njëherësh si formë estetike, si dëshmi kulturore dhe si dramë ekzistenciale, ku përvoja historike dhe veprimet e personazheve mbështeten mbi njëra-tjetrën dhe marrin kuptim në tensionin mes  kujtimeve dhe mbijetesës. Vetë përmbajtja e romanit mund të kuptohet në dritën e mendimit të Ernesto Sabatos, sipas të cilit: “Krijimi është ajo pjesë e ndjenjës që ne e kemi fituar në tension me pafundësinë e kaosit. Askush, kurrë, s’ka shkruar. Askush, kurrë, s’ka shkruar … përveçse për të dalë nga ferri i tij” (Ernesto Sabato, Para fundit, përkth. O. Stafasani, OM, Prishtinë, 2018, f. 55). Nga kjo perspektivë, romani “Dritë e burgosur” mund të lexohet si një përpjekje për ta kthyer përvojën e errësirës në formë rrëfimi, për ta transformuar dhimbjen në kujtesë dhe për ta nxjerrë dritën nga hapësira ku ajo është mbajtur e mbyllur. Titulli “Dritë e burgosur” është mjaft simbolik, emri “dritë” do të thotë shpresë, jetë, aftësi për të dashur, për të ëndërruar, për të ndërtuar kuptim etj., ndërsa mbiemri “e burgosur” ka kuptim social që tregon rregulla, dhunë etj., si dhe kuptim psikologjik, të jetosh me frikë, me turp, me heshtje. Këtë të vërtetë e formulon vetë Dalina në fund të romanit  teksa thotë: “të kalosh jetën pa shijuar lirinë”, “të heshtësh kur dëshiron të bërtasësh”, “të ulësh kokën kur shpirti yt dëshiron të fluturojë” (Drita Ademi “Dritë e burgosur”, Konica, Prishtinë, 2025, f.136).

Romani e paraqet kryevetëzën (protagonisten) si një dritë me fjalë që kërkon të dalë nga qelia, e jo si viktimë a xhurhumë të dorëzuar ndaj fatit. Madje, edhe në momentet kur duket se gjithçka është mbyllur, Dalina ruan një vetëdije të fortë për lirinë e brendshme. Kjo vetëdije shfaqet sidomos në fund të romanit, kur ajo e pranon vendimin e saj të fundit si një akt që i përket vetëm asaj. Interesante, autorja ka emrin Dritë dhe romani titullohet “Dritë e burgosur”, duket si rastësi apo si plan i qëllimshëm identifikues dhe simbolik, ku emri personal kalon në rrafshin krijues estetik, në figurë kuptimore për lexuesin, duke kapërcyer kufijtë biografikë?! Megjithëkëtë, sidoqoftë, ajo bart në identitetin e saj një simbol pozitiv: ndriçim, jetë, shpresë… Kurse nga ana tjetër, titulli “Dritë e burgosur”, duket sikur e vendos këtë simbol në krizë, me burgosjen e dritës, duke krijuar  tension të thellë, se drita ekziston, po rrethanat e kanë kufizuar ndriçimin e saj, që nënkuptohet si paradoks. Ndërkaq, prej këndvështrimit më të afërt, titulli mund të shihet si reflektim i përvojës së vetë autores, i brezit të saj, i bashkëkohanikes së femrës shqiptare në Kosovë e burgosur në vetvete prej traumës, frikës, rrjedhave historike, zakonit, luftës etj.

Prologu i romanit nis qetë, aq sa të duket sikur jeta rrjedh sipas një rendi të përditshëm e një  ambienti të rregullt e normal. Vetëm se ky normalitet, shihet më vonë që është i sipërfaqshëm. Nën të lëvrijnë ngjarje e hjeka përjetimesh, të cilat paralajmërojnë se do të përsynohen rrëfime, për ta trazuar ekuilibrin e lexuesit. Drejtpërsëdrejti e nënkuptueshëm, prologu shfaqet si hyrës në një dialog, i cili do të bëhet udhë çlirimi dhe njëherësh udhë përballjeje, duke vendosur marrëdhënien e pashkëputshme deri në fund të romanit, mes dëgjueses, Britës, si dhe rrëfyeses, Dalinës.

Numerologjia si parim strukturues i rrëfimit

Në traditën e letërsisë botërore, numri nuk ka qenë kurrë vetëm njësi matëse, ai ka shërbyer edhe si formë mendimi. Që nga strukturat e hershme të rrëfimit e deri te krijimet e mëdha simbolike, numerologjia ka shërbyer si skelet i brendshëm i veprës. Shembujt janë të shumtë , duke u nisur nga “Decameroni” i Giovanni Boccaccios, dhjetë ditët dhe njëqind tregimet krijojnë një hapësirë ku rrëfimi bëhet formë mbijetese përballë murtajës (Giovanni Boccaccio, “Dekameroni”- novela dhe tregime, përkth. A. Hashorva, Botimet Toena, Tiranë, 2020) . Më vonë Gabriel García Márquez, me “Njëqind vjet vetmi”, ndërton një qark kohor ku historia e një familjeje mbyllet brenda një cikli të gjatë njëqindvjeçar, duke e shndërruar kohën në një strukturë fatale që përfshin breza të tërë (Gabriel Garsia Markes, “Njëqind vjet vetmi”, përkth. R. Shvarc, Horizont, Tiranë, 2004). Umberto Eco e vendos hetimin e tij brenda shtatë ditëve, duke e lidhur misterin me një rit krijimi e zbulesash (Umberto Eco, “Emri i trëndafilit”, përkth. D. Omari, Koha Ditore, Prishtinë, 2005). 

Nisur nga kjo traditë e gjerë, edhe zgjedhja e Dalinës në romanin “Dritë e burgosur” për ta rrëfyer jetën e saj brenda shtatë ditëve nuk paraqet një preferencë të rastësishme autoriale të D. Ademit. Siç u theksua më sipër, kjo zgjedhje vendoset natyrshëm në vijëzimin e gjatë të traditës narrative ku numri shndërrohet në skemë organizuese të rrëfimit. Shtatë ditët nuk janë vetëm ndarje kapitujsh, ato janë përpjekje për ta çliruar apo zbrazur vetveten protagonistja nga rëndesa e kaosit të  pafund: “Do t’ju tregoj jetën time, për ankthet dhe imazhet e frikshme që më përndjekin gjithmonë” (f.9). Andaj, mbasi jeta, në formën e saj të plotë është e papërballueshme për protagonisten, ajo ka vendosur ta përmbledhë në shtatë njësi kohore rrëfyese, për shtatë ditë radhazi. Kështu, numri shtatë i jep rrëfimit libror peshë simbolike dhe krijon një rit të brendshëm, duke e orientuar apo përgatitur lexuesin drejt përmbylljes së pritshme.

Numri shtatë është njëri prej numrave më të ngarkuar simbolikisht, sepse lidhet me kohën, rregullin kozmik dhe përmbylljen. Po i shpalosim të vargëzuara njërën pas tjetrës. Së pari shtatë ditët e javës, që tregojnë modelin bazë të ritmit njerëzor të jetës në tokë. Ndërsa nga tradita biblike, abrahamike, janë të njohura shtatë ditët e krijimit të botës. Edhe ylberi, shihet zakonisht me shtatë ngjyra, domethënë numri shtatë, i jep tërësi dritës së dukshme, duke e bërë të harmonishëm spektrin e plotë të ngjyrave. Në vazhdim, në botëkuptimet e lashta, numri shtatë lidhet me rendin kozmik, planetët klasikë (Dielli e Hëna, së bashku me pesë trupat tjerë të  dukshëm) krijojnë një hartë qiellore, po ashtu edhe një lloj kalendari të fatit (në astrologji), ku qielli dhe jeta e njeriut komunikojnë mes vete. Më tej në muzikë, kemi shtatë nota, të cilat përbëjnë një masë tingujsh të harmonishëm me strukturë muzikore. Pastaj, në alkimi dallohen shtatë metale, si udhë transformuese për shkallëzim drejt ndryshimit. Pa harruar që edhe lista “kanonike”, e njohur si shtatë mrekullitë e botës, e vërteton prirjen kulturore për ta përdorur këtë numër si shenjë të tërësisë përkryese, një mënyrë për t’i vënë kufij mbretërisë mrekulluese, me qëllim që bota të bëhet më e kapshme. Prej së hershmi, në stadin paraprijës në mitologji dhe rit e besim fetar, njihen shtatë palë qiej, shtatë porta, shtatë sprova, shtatë shkallë, shtata si shteg apo udhë sprove kalimtare nga një gjendje në tjetrën, ku njeriu s’mund të hidhet menjëherë, por duhet të kalojë nëpër disa faza.   

Shtatë ditët e rrëfimit të Dalinës në romanin “Dritë e burgosur”, që përbëjnë edhe pjesë të mëvetësishme me kryefaqe, mund të nënkuptohen si përpjekje për të pajtuar shpirtin e plagosur me realitetin e ashpër që e rrethon. Kështu, rrëfimi shndërrohet në hapësirën ku ky pajtim kërkohet, provohet dhe vihet në sprovë, sepse “Dalina përjetonte një dhimbje të madhe që e kapërcente fuqinë e fjalës” (f.14).

Krahas numrit shtatë, romani përfshin edhe një element tjetër me rrënjë mitike, besëtytninë,  dukuri që merret me shenja të fshehta, të cilat parathonë fatin e së ardhmes, për mirë apo për ters. Në këtë rast e ndeshim të trashëguar prej nënës së Britës një bllok e një laps:” Nga rafti zgjodha një çantë ngjyrë gështenje, dhe aty vendosa një bllok e një laps që m’i kishte dhuruar nëna. Ai laps kishte rëndësi të veçantë për mua, sepse më dukej sikur më sillte gjithmonë fat” (f.13). Kështu pra, sikurse argumentohet, kjo që në pamje të parë mund të quhet besëtytni, shndërrohet në akt antropologjik. Përballë traumës së protagonistes, autorja D. Ademi vendos një shenjë që ta lidhë me rendin e humbur. Numrin shtatë dhe lapsin i bën mjete për ta strukturuar dhimbjen e për ta futur në një kornizë të përballueshme. Në honet e brendshme të romanit, rrëfimi i Dalinës, i ndarë në shtatë ditë, merr trajtën e një riti kalimtar, që do të thotë, shkëputje nga e kaluara, përballje me plagët, transformim të brendshëm dhe, në fund, një testament (amanet) i heshtur i jetës së saj. Kjo strukturë përndjek logjikën e shumë miteve dhe riteve të lashta, ku kalimi nga një gjendje në tjetrën realizohet përmes një rendi numërues hapash. Pa këtë shtresë simbolike numerologjike dhe besëtytnie, romani do të mbetej vetëm në kufijtë e një rrëfimi realist e psikologjik. Me të, ai fiton një dimension arketipor, duke u larguar nga kronika e ngjarjeve dhe duke hyrë në një përmasë ku rrëfimi përpiqet të rikthejë rendin e një bote të shpërbërë.

 Teza konceptuale e romanit

Romani “Dritë e burgosur” ndërton një arkitekturë narrative ku trauma historike, mërgimi dhe humbja e familjes përbëjnë ngjarje të dhimbshme në roman. Ja se si shprehet protagonistja për humbjen e familjes: “Kam humbur gjërat e bukura, kam humbur njerëzit e dashur, dhe brenda meje ka mbetur vetëm errësira. – Filloi të  fliste ajo me zërin që i dridhej” (f.9).

Në tërësinë e tyre, kjo humbje dhe të tjerat, formojnë burgun e padukshëm, apo hapësirën e brendshme ku Dalina jeton e rrethuar nga muret e kujtimeve. Në vepër rrëfimi bëhet akt i domosdoshëm, si përpjekje për ta nxjerrë në dritë atë që ka mbetur e mbyllur në errësirë. Teza që del prej kësaj fraze është e thjeshtë dhe e dhimbshme: mund të jesh i lirë jashtë, e përsëri të mos jesh i lirë brenda. Mund të kesh dritë përreth, e brenda vetes të mos ndizet asnjë fije e hollë drite! Sapo fillon leximin e romanit, lexuesi e ndjen se, romani e përfton realitetin si kohë të ngurtësuar, që pret të ringjallet. Boshti i veprës nuhatet menjëherë, ngase hapësira nuk shërben thjesht si skenë, ajo mban shenjat e asaj që ka ndodhur, madje as koha nuk rrjedh natyrshëm, po secilën herë ajo kthehet më e rëndë se kurrë. Ndërsa kujtimet, në vend që të zbuten, mpiksen dhe bëhen të vështira për t’u rrëfyer. Drita, që zakonisht bart premtimin e shpëtimit, këtu është e mbyllur. Titulli përmbys kodin tradicional simbolik: drita nuk del fare, e lëre më të përhapet e të ndriçojë! Ajo rri e bllokuar, e ngurtë, i ngjason frymës së mbetur pezull. Mbi  këtë tension ndërtohet romani, mbi kontrasin mes dritës së jashtme që pasqyron Zvicrën dhe rendin e saj, qetësinë dhe qytetërimin e strukturuar, dhe dritës së brendshme që bart kujtimet, Kosovën dhe plagët e pambyllura.

Dalina jeton në një realitet tjetër të qetë, por brenda saj koha vazhdon ta djeg. Paradoksi është thelbi i strukturës narrative në roman: jashtë qetësi, brenda trandje. Pikërisht këtu merr kuptim edhe përkufizimi psikanalitik i traumës psikike, si një ngjarje e papritur me intensitet të lartë, e përjetuar me dhembje të rëndë, që mund të lërë gjurmë të qëndrueshme te njeriu (Pajazit Nushi, Fjalor shpjegues i psikanalizës, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovë, Prishtinë, 2010, f.291). Prandaj rrëfimi i Dalinës nuk është vetëm autobiografi, ai është akt dëshmie. Dalina nuk i flet drejtpërdrejt lexuesit, për këtë ajo zgjedh Britën si përçuese dhe ia beson asaj peshën e së kaluarës. Protagonistja, e thyer shpirtërisht, nuk mund ta mbajë e vetme barrën e së vërtetës, asaj i duhen një palë sy të tjerë për ta parë më qartë dhe një palë veshë të tjerë për ta dëgjuar më thellë, një prani tjetër, më e qëndrueshme, ku mund ta ruajë rrëfimin e saj. Kur Dalina thotë: “Rrëfimi im është i trishtë, shpirti im qan e flet” (f.16), zëri i saj nuk është i unifikuar. Shpirti shfaqet si i shkëputur nga vetja. Identiteti shpërndahet e përçahet në disa zëra. Kjo gjendje e copëtuar është simbol i letërsisë së traumës. Kjo vihet re më së shumti te “vetëvrasja” e vëllait ushtar në Nish dhe vdekja e nënës, që  janë ngjarje të rënda të rrëfimit, sepse ato sikur ia këpusin fillin e jetës së saj, sepse pas humbjes ((vdekjes) së tyre jeta nuk ecën më në të njëjtin ritëm për të. Koha këputet e ndahet në dy epoka të pashkrira: para dhe pas. Dimri që përmendet prej saj, nuk është stinë, ai tregon gjendjen e brendshme të saj, të cilën gjendje nuk e mbyll cikli i natyrës dhe nuk e shkrin asnjë pranverë, dimri i stuhishëm qëndron tek ajo pambarimisht. Dhe kjo dramë individuale e vrasjes së vëllait ushtar, nuk mund të rrijë e shkëputur nga një tjetër plagë më e gjerë kolektive për shqiptarët e Kosovës, ku përmasat e dhunës dhe të vdekjeve të dyshimta në Armatën Jugosllave janë dokumentuar edhe në një studim monografik të Qazim Berishës, “Ushtarët shqiptarë të vrarë në Armatën Jugosllave (1951–1993)”, ku përmenden mbi 120 djem të rinj të vrarë nga të gjitha trojet e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë, një sfond tragjik që e bën Nishin në roman, vendin e fatkeqësisë së saj familjare.

Një element tjetër i rëndësishëm është edhe ai i mbijetesës. Dalina mbetet gjallë, por kjo gjallëri nuk e çliron asnjëherë, përkundrazi, e lë në një gjendje të ndërmjetme, as të gjallë, as të vdekur, domethënë, nuk ndihet e gjallë mes të gjallëve, por as nuk ndahet dot prej të vdekurve të saj. Ajo nuk arrin të zërë vend as në Kosovën e kujtimeve, as në Zvicrën e bukur ku jeton vitet e fundit të jetës. Identiteti i saj nuk ka formësim të qëndrueshëm, kështu që rri mes dy botëve. Për të “burgu” në vepër nuk është vetëm klinikë. Ai del si gjendje mendore e një hapësire të brendshme, në të cilën drita hyn me vështirësi, e fryma ngushtohet, muret nuk shihen, veç ndihen. Këtë e thotë vetë Dalina, kur e vë vetminë përballë izolimit: “Të jesh e çmendur është gjendje luksi, por unë nuk jam e çmendur… Eh, kanë kaluar kaq shumë vite, prandaj them se është më mirë të jetosh në burg, se sa të ndihesh kaq e vetmuar” (f.15). Kështu, burgu del si përkufizim i brendshëm i vetmisë, i cili e kthen mbijetesën në një formë izolimi që s’ka mbarim.

Marrëdhënia mes Dalinës dhe Britës, është ndërtuar nga autorja në libër si marrëdhënie e pashkëputur, pavarësisht tensioneve të ndryshme. Së afërmi, Brita sjell rregull, kthjelltësi dhe aftësinë për ta nxitur Dalinën të flasë. Në anën tjetër, Dalina bart copëtimin e brendshëm, errësimin dhe përvojën që ende nuk gjen formë në fjalë. Dialogu i tyre shihet si tërheqje e dyanshme: nga njëra anë dëshirën për t’ju shpëtuar fjalëve që dhembin, dhe nga ana tjetër nevojën për t’u kthyer aty ku rri dhimbja. Asnjë rrëfim nuk vjen si çlirim i menjëhershëm. Secili kthehet si rikthim i dhimbshëm, që mat plagën e së kaluarës dhe del me kujdes përmes fjalëve dhe lotëve (fjala lot përmendet njëzet e një herë në roman, në kontekste të ndryshme), duke kërkuar të dëgjohet dhe të shkruhet pa u mohuar. Siç doli nga analiza e deritanishme, romani “Dritë e burgosur” nuk flet vetëm për mërgimin si zhvendosje fizike, ai depërton më thellë, te mërgimi i brendshëm i njeriut që jeton në një hapësirë të lirë, i cili nuk arrin të çlirohet nga kujtimet e dhimbshme, nga ndjenja e fajit dhe nga një identitet i thyer prej historisë që i është imponuar nga rrethanat.

 Thelbi tematik

Struktura tematike e romanit “Dritë e burgosur” nuk ngrihet mbi një trung të vetëm rrëfimor, ajo shpërfaqet në shtresa që ndërthuren si rrathë koncentrikë. Katër akse e mbajnë këtë univers në lëvizje: dhuna historike, zhvendosja si përçarje e qenies, shuarja e familjes si pikë e pakthyeshme tragjike dhe dashuria si përpjekje për të mos u fikur a tretur krejtësisht. Këto elemente nuk ecin bashkë paralelisht, por hyjnë në njëra-tjetrën, krijojnë përplasje të brendshme dhe formësojnë përjetime emocionale të vazhdueshme, duke e mbajtur herë pas here narracionin në gjendje tensionuese.

Pjesa apo paragrafi në aeroportin e Nishit dhe hija e vitit 1989 në roman, nuk paraqiten vetëm si kujtime të izoluara familjare, për më shumë ato vijnë si jehonë e një realiteti shtypës, i cili realitet depërton në trupat dhe mendjet e gjithë njerëzve, duke krijuar një vetëdije të përhumbur mërzie. Trokitja në derë, gjuha e huaj e pushtetit dhe prania e ftohtë e autoritetit të regjimit, krijojnë një atmosferë që e shndërron frikën në klimë terrori të heshtur. Shikuar prej këtij prizmi, romani e tejkalon rrëfimin personal, sepse vrasja e vëllait nuk pasqyron më vetëm dramën familjare, ajo bëhet hije e frikshme e një kohe që përthith breza të tërë. Figura e nënës, që shuhet pas pak javësh, dëshmon një përpjekje njerëzore që thërrmohet nën peshën e dhimbjes, duke na bërë me dije se familja projektohet si miniaturë e një shoqërie të dëmtuar. Duhet të theksohet, se libri ka karakter dëshmues e jo dokumentues, meqë tejembanë përpunon përvojën në rrafsh ekzistencial, duke e bërë historinë të ndihet si forcë që formëson vetëdijen e personazheve.

Dalina e emërton veten “e arratisur” dhe, përmes këtij vetëpërkufizimi, e zhvendos kuptimin e largimit nga zgjedhja personale drejt shkëputjes së dhunshme. Kështu ajo shfaqet si njeri i dëbuar me forcë nga vendi i vet, jo si dikush që ka zgjedhur një destinacion nga dëshira. Hapësira e re, sado e rregullt dhe e qetë, nuk arrin ta sistemojë dot, rendi i jashtëm vetëm sa e bën më të dukshme mungesën, sepse dhimbja bartet e nuk shuhet me ndryshim vendesh. Prandaj protagonistaj nuk e sheh perëndimin si epilog shpëtimtar, ajo e sheh si terren ku e shkuara ka zënë vend në heshtje makthi.

Në të njëjtën mënyrë, edhe vetmia nuk buron nga muret, ajo lind nga gjendja e brendshme që nuk arrin të gjejë ritmin e së tashmes. Kur në roman sugjerohet se mbyllja fizike do të ishte më e lehtë se izolimi i brendshëm, e transformon lirinë në paradoks, ngase hapësira e hapur nuk arrin ta shfuqizojë ngushticën shpirtërore të Dalinës. Klinika, me korridoret e saj dhe dritën e zbehtë, përbëjnë një rezonancë skenografike, për të treguar se gjendja e brendshme dhe ajo e jashtme i ngjajnë njëra-tjetrës. E sa i përket dashurisë, ajo nuk shfaqet si ngushëllim, shfaqet veç si mundësia e vetme e orientimit, si një pikë ekuilibri që, kur humbet, lë pas një zbrazëti të pakthyeshme. Në këtë mënyrë drama e romanit nuk lidhet vetëm me presionin historik, por edhe me zhgënjimin dhe lëndimin intim, aq sa mungesa e dashurisë përmendet vazhdimisht në libër. Në këtë kontekst edhe rrëfimi vetë shndërrohet në përballje me kujtimin. Zgjedhja e gazetares Brita si dëgjuese i jep fjalës një adresë dhe e detyron rrëfimin të marrë formë, megjithatë ky proces nuk zhvillohet qetësisht. Kujtimet dalin me ndërprerje, me hezitim e me lot, si copa fragmentesh që kërkojnë të bashkohen.

 Arkitektura narrative

Ndërtimi rrëfimor i romanit “Dritë e burgosur” nuk mbështetet në një zë të vetëm narrativ që komunikon drejtpërdrejt me lexuesin. Ai përfton një strukturë tranzitore, ku fjala fillimisht nga Dalina, kalon nëpër filtrin e një figure tjetër, të gazetares Brita, që tregon se çdo rrëfim fillon me praninë e Britës. Ajo përshkruan mjedisin, takimin e parë, lëvizjet e vogla, gjendjen e padukshme që e shoqëron Dalinën. Ku secili fillim rrëfyes krijon një kornizë të qëndrueshme, pothuajse të matur në ton, duke e futur lexuesin në histori përmes një vështrimi të organizuar dhe racional. Më pas, fokusi zhvendoset gradualisht drejt zërit të Dalinës. Kjo teknikë rrëfyese e ndërmjetme krijon disa efekte njëherësh. Së pari, krijon një distancë të domosdoshme që lexuesi të mos përballet menjëherë me thellësinë e rrëfimit, por të afrohet me të përmes një ndërmjetësi. Së dyti, rrëfimi merr formën e dëshmisë së ndërtuar qartë, ja argumenti i shprehur nga vetë Brita: “… dhe unë isha vetëm një dëshmitare, një ruajtëse e këtyre copëzave, një shkrimtare që nuk kishte të drejtë të ndryshonte asgjë” (f.30). Së treti, krijohet një ndërveprim emocional mes dy figurave rrëfyese, ngase Brita nuk mbetet vrojtuese e ftohtë, ajo përjeton tronditje, ndjesi të pashpjeguara, një lloj pasigurie që e bën praninë e saj emocionalisht aktive dhe asnjëherë  neutrale.

Një tjetër element thelbësor i kompozimit narrativ është struktura kohore e rrëfimit. Ngjarjet nuk paraqiten si rrjedhë e pandërprerë kronologjike, ato shpesh ndërpriten nga rikthime retrospektive. Jo rrallë e shkuara depërton papritur në të tashmen, si në episodet që lidhen me pasluftën në Kosovë, vrasjen e vëllait dhe vdekjen e nënës, të cilat shfaqen si kujtime të papritura. Kjo ndërprerje e vijimësisë kohore pasqyron mënyrën e rëndë të përjetimeve, të ngulitura në vetëdije si ndërhyrje të befta. Në këtë mënyrë, forma e rrëfimit merr trajtë sipas gjendjes së brendshme të protagonistes.

Përveç kohës, edhe hapësira luan rol ndërtues në romanin e D. Ademit. Dritarja, restoranti me ndriçim të zbehtë, korridoret e gjata të klinikës, shtëpia në mërgim, fshati i largët, varrezat, ura, mali, aeroporti në Beograd e në Zvicër etj. Këto mjedise reflektojnë gjendje të brendshme. Restoranti me ndriçim artificial krijon një ndjesi mbylljeje të këndshme, klinika e thekson izolimin, ndërsa kujtimi i fshatit ringjall praninë e një të shkuare të humbur, që nuk rikthehet më në formën e dikurshme. Mirëpo nga të gjitha këto vend të veçantë në roman zë qëndrimi pranë dritares i personazheve, Dalinës dhe Britës. Ja disa shembuj të marrë nga romani: “Ishte ora njëmbëdhjetë dhe ndihesha e zhytur në mendime pranë dritares, aty ku përhumbja shpërfaqej si një pasqyrë e brishtë e botës sime të brendshme” (f.5); “Shtyva derën ngadalë dhe hyra. Ajo ishte ulur në një karrige pranë dritares, me shikimin e humbur diku jashtë, si të kërkonte diçka që askush nuk mund ta shihte përveç saj” (f.39);  “Në veturë, ndërsa rrugët kalonin njëra pas tjetrës, shikova përjashta dritares dhe mendova: A mund të ikja?”; (f.50); “Dalina ndaloi rrëfimin për dy minuta. U ngrit në këmbë, shkoi te dritarja, hapi njërën kanatë dhe mori frymë thellë” (f.67); Dalina pa nga dritarja, si të donte të shihte përtej saj” (f.71) etj. Nuk mund të besohet se lexuesi e sheh si rastësi stilistike një qëndrim të tillë, jo! Qëllimshëm e ka vendosur autorja si hapësirë simbolike pragdritaren, sepse ajo është një figurë e qëndrueshme kompozicionale dhe shenjuese. Dritarja shndërrohet në një hapësirë të ndërmjeme, si një kufi i brishtë mes brendësisë dhe botës së jashtme, mes mendimit dhe veprimit, mes dëshirës për liri dhe pamundësisë për ta jetuar atë. Ndërkohë, me Dalinën, simbolika e qëndrimit pranë dritares thellohet më shumë, kur: “Ajo ulet pranë dritares me shikimin e humbur diku jashtë, si kërkonte diçka që askush nuk mund ta shihte përveç saj” (f.39). Këtu dritarja merr rolin e një kërkimi të padukshëm, sepse Dalina nuk e sheh peizazhin, mbase ajo kërkon një mundësi, një tejkalim të përtejshëm, një shteg që realiteti nuk ia jep. Dritarja bëhet metaforë e lirisë së vonuar, apo e një horizonti të paarritshëm. Po, sepse dritarja është vendi ku lind mendimi i lirisë, por fatkeqësisht jo vetë liria. Prandaj, ajo nuk kalon as edhe një herë  përtej saj, vetëm qëndron pranë saj, që e bën dritaren simbol të tensionit mes dëshirës dhe frikës.

Sa i përket ritmit, rrëfimi ndërtohet me një lëkundje të vazhdueshme midis qetësisë reflektuese të Britës dhe ngarkesës emocionale të Dalinës. Ky alternim krijon një puls të brendshëm që e mban romanin në ekuilibër. Po ashtu, ekziston edhe një tipar tjetër i dukshëm që ia vlen të ceket, ai i përdorimit të ndërprerjes së rrëfimit. Shpesh rrëfimet ndërpriten para se të përfundojë plotësisht një ngjarje që shkakton emocion. Theksohen heshtjet, fjalitë ndonjëherë ndërpriten, disa ndodhi mbeten të hapura qëllimisht nga autorja për ta  ruajtur tensionin. Pra, siç u argumentua deri më tash, në tërësi, struktura e romanit është elastike, e përshtatshme sipas lëvizjeve të brendshme të personazhit, Dalinës. Kjo mënyrë ndërtimi e ndihmon plotësisht idenë qendrore të veprës, duke dëshmuar se një vetëdije e lënduar, nuk mund të rrëfejë në vijë të drejtë, sepse edhe brenda saj gjithçka është e shpërbërë dhe e ndërprerë.

 Ideologjia si aparat kontrolli

Në indin e brendshëm të romanit “Dritë e burgosur” të  D. Ademit, lëviz një frymë ideologjike e qartë, e mishëruar në përjetime. Ideologjia këtu shpreh nëntekstin e shtresës së nëndheshme, që peshon mbi jetët e njerëzve. Më saktë kjo tregohet kur përmenden ngjarjet e vitit 1989, lajmi i ardhur në errësirën e natës, që pasqyron gjuhën e pushtetit, e cila depërton në pragun e shtëpisë së Dalinës. Sidoqofshin këto ndodhi, autorja në roman nuk i dramatizon me skena zgjatuese, mjafton një trokitje, një njoftim pa bujë, për ta përmbysur universin e brendshëm të familjes shqiptare. Që domethënë, se dhuna vjen si njoftim i patrumbetuar. Dhe pikërisht kjo e bën më të frikshme, sepse ajo nuk ka nevojë të shfaqet zëshëm për të sunduar. Në këtë mënyrë, pushteti paraqitet si forcë që depërton në sferën sublime, që vret dashurinë e familjes. Pragu, dera, korridori, zëri i huaj, krijojnë gjurmët e brendshme të ndërhyrjes së pushtetit. Me një fjalë, pragu, dera, korridori dhe zëri i huaj tregojnë se pushteti nuk rri jashtë, ai hyn brenda dhe vendoset në çerdhen e familjes. “Vetëvrasja” e vëllait dhe fundi tragjik i tij nuk evidentohet vetëm si dramë personale. Ajo krijon pasojë frike të përgjithshme që gërryen dinjitetin dhe e zhvesh njeriun nga ndjenja e kuptimit. Autorja në roman, lidhur me këtë aspekt, nuk jep  verdikte morale me përgjigje përfundimtare për lexuesin, vetëm se, ia shpërfaq lexuesit barrën e asaj kohe përmes atmosferës së tillë përshkruese. Heshtja e të atit, mënyra e pranimit të lajmit tronditës si fakt tragjik, tregojnë sjelljen e nënshtrimit të heshtur. Ani pse fjalët mungojnë, mjafton që mungesa e tyre, si gjuhë e nënkuptueshme flet. Treguese janë një sërë ngjarjesh, si vdekja e nënës pak javë pas vëllait, e cila vjen si vazhdimësi e kësaj force të padukshme. Dhimbja që përshkohet në roman, nuk mbetet vetëm në ndjenjë, që as zemra s’mund ta mbajë, ajo rëndon edhe mbi tërë trupin. Shtypja nuk del më vetëm si rend politik, por si peshë që bie mbi qenien njerëzore. Dalja drejt Zvicrës, në pamje të parë, duket si shpërngulje drejt një vendi të qetë. Por Dalina më vonë e vë në dyshim këtë perceptim. Vendi i ri përshkruhet me një qartësi të rregullt, pothuaj të përkryer. Megjithatë, brenda Dalinës vazhdon të pulsojë një tjetër realitet, që bën të ndeshen dy horizonte, njëri i disiplinuar dhe funksional, tjetri i trazuar nga e shkuara, sa që as mirëqenia materiale nuk e fshin atë që është ngulitur thellë. Kështu, narracioni e zbeh mitin e integrimit si zgjidhje universale.

Një tjetër kuptim ideor del në pah nga mënyra e përjetimit të etiketimit të Dalinës si e çmendur. Qëndrimi i Dalinës ndaj klinikës psikiatrike është sfidues. Ajo nuk e pranon reduktimin e dhimbjes në çrregullim personal: ”Të jesh e çmendur është gjendje luksi, por unë nuk jam e çmendur. Kërkoj dashurinë time, e cila më ka humbur para syve, më ka rrëshqitur nga duart, por jo edhe nga shpirti” (f.15). Këtu del në pah kundërshtimi i heshtur ndaj diskursit, i cili e individualizon traumën dhe e zhvesh nga konteksti. Përmes figurës së Dalinës në vepër, figura e gruas në universin shqiptar bart barrë të shumëfishtë. Dalina përjeton goditjen e kohës, humbjen e familjes, zhvendosjen, izolimin, etiketimin, paragjykimin, anatemimin apo përjashtimin… Ajo ndodhet e kryqëzuar dhe e vendosur në periferi të disa rretheve njëherësh. Megjithatë, rrëfimi i saj duhet të kuptohet si zgjedhje për të folur në mënyrë të vetëdijshme. Kështu që, duke ia besuar historinë Britës, fjala e saj bëhet kundërpeshë ndaj heshtjes së imponuar dikur. Në këtë kuptim, klima ideologjike në roman shkakton tensione mes ndërhyrjes dhe përpjekjes, mes sistemit kinse normalizues dhe individit që refuzon të tjetërsohet, mes një bote ndryshe nga ajo që ishte krijuar në thelb. Për t’u shprehur shkurt, romani e shfaq mënyrën e ndryshimit të kohëve, të cilat lënë gjurmë në vetëdijen njerëzore, ku çdo ideologji, pa e përjashtuar edhe këtë, shfaqet si forcë rrënuese.

 Dalina mes dashurisë, humbjes dhe mbijetesës

Dalina është personazh që ndërtohet mbi përvojën e dhimbjes dhe të humbjes, ikjes, shfrytëzimit, keqkuptimit, përjashtimit… Rrëfimi i saj nuk është vetëm tregim i ngjarjeve të jetës së saj, është dëshmi e një shpirti që jeton mes kujtimeve, traumës dhe kërkimit të vetvetes. Ajo e paraqet veten si një qenie të ndjekur prej ankthit dhe prej imazheve të errëta që nuk e lënë të qetë, një shqiptare që ka humbur njerëzit më të dashur, e cila ndien se brenda saj ka mbetur një zbrazëti e thellë. Jeta e saj tronditet që herët nga tragjedi të njëpasnjëshme: vdekja e vëllait, pas kësaj humbjeje vijnë edhe vdekja e nënës dhe më vonë ajo e babait, duke e lënë Dalinën fillikat vetëm. Familja, që dikur përbënte çerdhen e jetës së saj, shpërbëhet dhe kjo zbrazëti bëhet pjesë e përhershme e identitetit të saj, madje edhe kur prezantohet: “ Unë jam Dalina Bregu, një e arratisur nga toka ime, Kosova. Një fatkeqësi më mori prej atje dhe më hodhi në Zvicër, në këtë vend të qetë e të bukur. Megjithatë, qetësia e këtushme s’mund të më shpëtojë nga vetmia. Ndihem vetëm, si një shpirt që endet mes zbrazëtisë në mënyrë të papërcaktuar” (f.18).  

Pas vdekjes së babait ajo përballet edhe me një formë tjetër dhune, me vendimet që të tjerët marrin për jetën e saj. Xhaxhai e detyron të martohet me një burrë të panjohur, duke e trajtuar si një plaçkë që duhet dorëzuar për interesat e familjes. Arratisja nga shtëpia e burrit në natën e dasmës është akti i saj i parë i vërtetë drejt lirisë, akt, i cili bëhet edhe fillim i një rruge të gjatë pasigurie dhe vetmie.

Dashuria zë vend të veçantë në jetën e Dalinës dhe në formimin e botës së saj emocionale. Ndjenja e saj e parë lidhet me Florin, një dashuri e heshtur që mbetet e fshehur dhe e pashprehur, të cilën e përjeton si një ëndërr të bukur që nuk arriti kurrë të bëhej e vërtetë. Kur Flori largohet jashtë vendit për t’i shpëtuar ushtrisë, Dalina ndien sikur një pjesë e botës së saj shkëputet përgjithmonë. Edhe pse ai nuk e di për ndjenjat e saj, figura e tij mbetet për një kohë të gjatë një kujtim që i jep kuptim kujtimeve të saj. Megjithatë, dashuria që lë gjurmë në jetën e saj është ajo për Albanin, të cilin e takon në një moment kritik, kur përpiqet të arratiset dhe të kalojë kufirin për Shqipëri. Fillimisht ai shfaqet si ndihmës, që ia zgjat dorën përgjatë një rruge të rrezikshme dhe të pasigurt. Në natën kur duhej kaluar kufiri, krijohet mes tyre një lidhje e fortë emocionale. Mes frikës, lodhjes dhe errësirës së malit kufitar, prania e Albanit i jep Dalinës një ndjenjë dashurie të sigurt që ajo nuk e kishte ndjerë kurrë si të tillë deri atëherë, që i dukej si një përshkim me valë shprese, teksa i thoshte: “ Je në duar të sigurta!”, apo tjetra “ Ti do të jesh nusja ime, dashuria ime” (f.69). I premton se do të jetë pranë saj, dhe për një grimë kohe Dalina beson se më në fund ka gjetur dikë që mund t’i japë një fillim të ri jetës së saj. Mirëpo, kjo dashuri mbetet e paplotësuar dhe e paharruar kurrë. Kur Albani largohet për të parë nëse kufiri është i sigurt, ai nuk kthehet më. Dalina mbetet vetëm, në pritje, duke u përballur me frikën se ai mund të mos kthehet kurrë. Kjo zhdukje e papritur e kthen figurën e tij në kujtim të paharrueshëm, dhe në një pyetje që e ndjek gjatë gjithë jetës nëse ai njeri ishte vërtet real apo vetëm një hije që kaloi në jetën e saj dhe ia ndryshoi përgjithmonë fatin: “A ishte Albani real, apo një hije e errët që më vodhi jetën? Eh shqiptari im i rrejshëm” (f.127).  Edhe ndër vite tjera më vonë, ajo vazhdon ta kërkojë përgjigjen për fatin e tij.

Arratisja e çon Dalinën në Zvicër, ku ajo përpiqet të rindërtojë jetën e saj duke punuar në një shtëpi të moshuarish. Kujdesi për ta sikur përmbush mungesën e familjes së humbur. Megjithatë e kaluara vazhdon ta ndjekë dhe kujtimet për Kosovën mbeten gjithmonë të gjalla në ndërgjegjen e saj. Kthimi në Kosovën e pasluftës është periudhë e rëndësishme në roman, e përballjes me kujtimet. Kryeqyteti-Prishtina dhe fshati i saj i lindjes shfaqen të braktisur e të shkatërruar: “Gjithçka dukej e shkatërruar, e braktisur. Dukej sikur vendi po përpiqej të mbushej me frymë pas një makthi të gjatë” (f.115). Vizita në fshatin e saj të lindjes dhe në varrezat e familjes është përjetim i rëndë emocional. Aty ajo përballet me rrënojat e shtëpive dhe me varret që mbajnë kujtimet e njerëzve të saj të dashur, sa që atë natë vendos të fle mes varreve të të parëve, sikur të kërkonte një lidhje të fundit me tokën që e kishte lindur. Më pas, edhe përballja me xhaxhain, të cilin e gjen të sëmurë dhe të verbër, nuk sjell as drejtësi, as falje dhe as qetësi, përveç ndjenjës së thellë të zbrazëtisë.  

Nga sa u shtjellua më sipër, Dalina portretizon figurën e protagonistes, e cila është ndërtuar mbi kontrastin mes shpresës së rreme, mashtrimit, kujtimit, zhgënjimit, anatemimit dhe mbijetesës. Ajo është një grua e plagosur nga jeta, nga humbjet familjare dhe nga migrimi, e shndërruar jo vetëm në një personazh libri, po edhe në simbol të një brezi të tërë që ka mbijetuar mes traumave dhe kujtimeve.

Libri në arkivol përballë madhështisë historike dhe skenës teatrale

Përmbylljen e romanit “Dritë e burgosur” të D. Ademit, nuk e karakterizon një përfundim i zakonshëm rrëfimor. Përfundimi si pikë më vete, përbën kthesën ku riformulohet kuptimi i gjithë udhëtimit të veprës. Amaneti i Dalinës, porosia si dëshirë që libri i saj të vendoset në arkivol në Sheshin “Skënderbe”, përpara Teatrit të Prishtinës, përmbledh në vetvete gjithë tensionin dramatik të romanit. Lexuesi nuk beson që vendimi i marrë ka ardhur si pasojë e ndonjë impulsi të momentit nga autorja Ademi, jo, është një zgjedhje e planifikuar me vetëdije të plotë. Për arsyen e vetme, që përmes këtij veprimi, ta zhvendos historinë nga hapësira sublime personale drejt një skene publike: në shesh te teatri. Teatri, si vend i shfaqjes dhe dëshmisë, përfaqëson pikën ku ndërthuren jeta dhe interpretimi. Pikërisht këtu shfaqet edhe një paradoks, gjatë gjithë romanit Dalina paraqitet si figurë e tërhequr në vetvete, e mbyllur në heshtjen e saj, përveç çastit kur pak para fundit vendos t’ia besojë shtatë rrëfimet Britës. Në pasfundin e jetës, ajo kërkon një formë shfaqjeje. Jo spektakël, as prani fizike. Ajo dëshiron që rrëfimi i saj të dalë në dritën e ditës dhe të ndajë me të tjerët udhën e një jete personale të mbushur me plagë e përplasje kundërshtimesh, në mënyrë që zëri i saj të marrë një dimension publik. Në një shtresë më të thellë kuptimore, kërkesa për librin në arkivol është mënyrë për ta ndarë fatin e trupit nga fati i fjalës, ngaqë trupi i bindet kohës, kurse fjala jo domosdoshmërisht! Dalina e pranon fundin biologjik, por nuk pranon fshehjen e  përjetimeve pa lënë gjurmë. Kështu që, vetëm shkrimi bëhet mënyrë vazhdimësie e pranisë së saj. Ai arkiv i heshtur dhe më pas i mbledhur i jetës së saj, gjen udhë për t’u bërë libër mësimi për të tjerët. Këtu ka një kundërvënie të fortë figura e arkivolit me librin: njëra shënon fundin, amshimin (Dalina), tjetra lindjen, përhershmërinë (vepra). Njëra prek fundin e jetës, kurse tjetra ringjall jetë përmes fjalës. Nga ky kontrast merr kuptime të ndryshme interesante edhe forca filozofike e epilogut të romanit.

Roli i Britës në këtë fazë përfundimtare të veprës, merr peshën premtuese për ta realizuar si fakt shtypjen e librit në Kosovë, sepse bëhet bartëse e një përgjegjësie, të cilën ia lë amanet Dalina. Pa të cilën, shtatë rrëfimet e Dalinës nuk do të merrnin formën e librit. Përmbledhtazi, Brita është gazetare e njohur dhe njeri i ndjeshëm, ndërmjetëse e cila transformohet në një zë të besueshëm që e bart më tej dëshminë e Dalinës, duke ia detyruar vetes ruajtjen e së vërtetës.

 Vendosja para teatrit shton një shtresë tjetër kuptimore. Teatri është hapësirë ku jeta përfaqësohet, ku drama njerëzore bëhet e dukshme. Duke zgjedhur këtë vend, Dalina e pranon se jeta e saj ka qenë dramë tragjike, dramë e mbarsur me dhimbje dhe pa spektakël. Prandaj, përballë Teatrit, arkivoli me libra merr trajtën e një akti të heshtur kundër harresës, me librat që presin dorën e lexuesit për t’i marrë. Ky veprim e zhvendos romanin nga tragjedia personale drejt një horizonti etik, sepse kushdo që e merr librin, merr mbi vete një pjesë të dhimbjes nga jeta e saj. Si rrjedhojë e kësaj, dhimbja çan prangat e izolimit, shpërndahet dhe bëhet pjesë e hapësirës së përbashkët. Te kjo  shpërndarje krijohet një formë e re lirie. Drita që ka qenë e burgosur gjatë jetës së Dalinës, fillon të fluturojë lirshëm përmes lexuesve!

Figura e “librave në arkivol”, në thelb, përmbys rendin e zakonshëm lidhur me vdekjen. Në vend që arkivoli të përfaqësojë fundin e një jete, ai bëhet pikënisje e saj. Në vend që vdekja të ketë zymtësi heshtjeje, ajo shndërrohet në akt komunikimi përmes fjalës artistike. Kështu pra, romani mbyllet me një figurë që bashkon fundin dhe vazhdimësinë, errësirën dhe dritën, trupin dhe kumtin e fjalës. E në këtë përbashkim përqendrohet drama më e madhe simbolike e romanit “Dritë e burgosur”.

Dalina, në pamundësi për të kontrolluar e përmirësuar të shkuarën, të cilën s’mundi ta jetonte siç deshi, tani në fund ajo kontrollon epilogun, përgatit skenarin për aktin e fundit të jetë së saj, dëshiron mënyrën për t’u mbajtur mend, në këtë aspekt, ajo ruan për herë të fundit një copë lirie mbi fatin e saj. E kompozon vetë përfundimin, e ekspozon fatin e saj në qendër të qytetit dhe e  kthen në ngjarje të pazakonshme.

Veç tjerave, vendosja e arkivolit me libra në Sheshin “Skënderbe”, përballë Teatrit, krijon një konfigurim hapësinor me ngarkesë të dyfishtë: përballë njëra-tjetrës qëndrojnë historia dhe drama, monumenti dhe skena, miti dhe jeta e zhveshur e një gruaje.

Sheshi “Skënderbe” përfaqëson edhe narrativën e heroizmit dhe figurën e qëndresës kombëtare. Ai është vendi i monumentit dhe i identitetit të ngritur në bronz. Teatri, në anën tjetër, i përket një formati tjetër simbolik, aty shfaqet drama njerëzore, e përkohshme dhe e interpretuar, që nis dhe mbaron para syve të publikut. Dhe protagonistja e vendos arkivolin pikërisht në këtë bosht: mes mitit dhe skenës. Kjo vendosje e arkivolit me libra është më shumë se publik, dialektik. Ajo e vendos historinë e saj personale në një hapësirë ku përballen dy forma të përfaqësimit: heroizmi i përmasës legjendare dhe drama e njeriut të zakonshëm. Përderisa Sheshi “Skënderbe” ngre lart figurën e rezistencës së përbashkët kombëtare, arkivoli me librat e Dalinës sjell në qendër një rezistencë sublime personale të një gruaje; Përderisa monumenti përfaqëson triumfin, libri në arkivol përfaqëson plagët e mëdha të një femre shqiptare; Përderisa historia kombëtare përherë rrëfehet me ton epik, dëshmia e Dalinës do të përmbajë përgjithmonë tonin e sinqertë, të lënduar, të dhimbshëm dhe të drejtë, pa kërkuar ceremoni, pa lakmuar mitizim, madje as vaj e lot prej askujt, (tekefundit as nuk ka kush të qajë për të), është e vetme në atdheun e saj.

Teatri, përballë, e thellon edhe më shumë këtë kontrast, ngase ai është vendi ku dramatizohet jeta. Ndonëse Dalina nuk kërkon ta luajë vetveten, ajo nuk kërkon skenë për trupin e saj, thjesht i duhet hapësirë për librin. Mbase drama e saj nuk do të interpretohet nga aktorët e teatrit, por  ajo do të lexohet nga kalimtarët që janë dashamirë të librit, për t’u bërë më pas dëshmitarë, pa qenë të detyruar.

Në këtë konfigurim mjedisor, autorja D. Ademi, në roman krijon një figurë simbolike dhe ideore në letërsinë shqipe: figurën e njeriut të zakonshëm, gruan e zhveshur nga çdo heroizëm monumental, që e vendos tërë historinë e saj si dëshmi përballë mitit kombëtar dhe përballë skenës së dramës, pa pretenduar për t’u shkrirë në monument si heroinë, por vetëm me një kërkesë: të lexohet e të kuptohet drejt historia e saj! Kështu pra, arkivoli me libra në Sheshin “Skënderbe”, përballë Teatrit, bëhet pikë takimi mes dhimbjes personale të një individi dhe emblemës historike të një kombi, aty ku, në vizionin artistik të Drita Ademit, historia e një jete të plagosur vendoset përballë mitit të historisë!

https://www.fjalaelire.com/post/lumnie-tha%C3%A7i-halili-shtat%C3%AB-rr%C3%ABfime-p%C3%ABr-zhburgimin-e-drit%C3%ABs?fbclid=IwY2xjawQYVnhleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEe_loTxI2xlBdarqBtPGq2z9YIbKGaLCMMiYz1F2pAhGWoh7du7Z1PTQF5XiM_aem_SgesGKdGs1L90flZjIQNWQ