Saimir Kadiu: In memoriam kryereformatori i Arsimit, Mirash Ivanaj!
PËR DITËN E MËSUESIT
Shkrim homazh për Reformatorin e Madh të Arsimit Shqiptar: MIRASH IVANAJ (12 mars 1891 – 22 shtator 1953).
– A e more vesh, mor ti?
– Jo mor zotni, ç’ka me marr vesh?
– Je i dënuar me 7 vjet burg!
– Po për ç’ka jam dënue mor zotni?
– Për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
– Po unë sa kam ardhë prej Turqie, s’kam folë me njeri, përveç punës arsimore.
– Po me atë mendim ke ardhur prej andej që të bësh propagandë.
– Po pse a ka ligje në botë zotni, që të dënojë mendimin?
– Mbylle gojën se je i dënuar!
Me këto dialogje, pjesë e farsës bolshevike, regjimi dënoi me 7 vjet heqje lirie kryereformatorin e arsimit kombëtar, Mirash Ivanajn…
Jeta e mjeruar dhe puna shumë e rëndë në burg si përkthyes sollën degradimin e shpejtë të shëndetit të Mirash Ivanajt.
Një ditë, në shtëpinë e vuajtjeve, sipas kujtimeve të Jakov Miles, erdhi Mehmet Shehu me Bedri Spahiun. Në dhomën e përkthimeve, takuan edhe Mirash Ivanajn. Plaku me respekt u ngrit në këmbë:
“Besoj se gjatë kohës së burgut do t’i kesh rishikuar pikëpamjet e tua”- i tha Bedri Spahiu, asokohe Ministër i Arsimit.
“Jo pikëpamjet, por bindjet e mia’ – e korrigjoi Mirashi. – ‘t’ju them të drejtën: asnjë nuk kam ndryshuar”.
“Atëherë nuk qenke tjetër veçse një plak matuf”, – iu shfry Mehmet Shehu.
“Jam nji mendimtar dhe nji demokrat që edhe sikur të kthehesha mbrapa në jetë, do të ndiqja të njëjtën rrugë”.
Disa javë para ditës së lirimit nga burgu ai i ka dërguar drejtorit një letër ku i kërkonte atij ta mbante në burg se nuk kishte ku të shkonte për të banuar dhe nuk kishte asnjë të ardhur për të jetuar.
Por, i dërmuar nga puna e rëndë dhe kushtet e tmerrshme të burgut, më 22 shtator të vitit 1953, 12 ditë para mbarimit të afatit të dënimit të tij, mbylli sytë për jetë.
U shua në spitalin e Tiranës, pas një ndërhyrjeje të thjeshtë kirurgjikale, në moshën 62 vjeçare.
Bashkëvuajtësi Ibrahim Hasnai, si dhe ish-laboranti i spitalit Enis Boletini, tregojnë se në spital u mor vesh që trupi i Mirash Ivanajt, gjendej në auditorët e Anatomisë të fakultetit të Mjekësisë, për eksperiment e demonstrim mësimor. Për ironinë tragjike të fatit ai i shërbeu arsimit shqiptar edhe i vdekur.
Dhjetë vjet më pas më 1963-in, kur të afërmit e Nikolla Ivanajt e nxorën nga vendi ku e kishin hedhur, për ta varrosur njerëzisht në varrezat e Sharrës, e gjetën të hedhur në gropë pa emër, pa arkivol, përmbys me fytyrë përdhe, si një të burgosur, të cilin e dënojnë përsëri pas vdekjes.
Kush ishte Mirash Ivanaj?
I lindur në Podgoricë, rridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi.
Intelektual klasi dhe patriot i vendit te tij. Shkrimtar, eseist, mesues, publicist, humanist…
I lauruar në Romë për Filozofi dhe Jurisprudencë, Ivanaj ishte edhe një poliglot me plot 7 gjuhë të “gjalla” dhe tre të “vdekura”.
Megjithëse ishte admirues i Zogut, ai ishte kritik i gjendjes mjerane të arsimit shqiptar.
E pranoi me dëshirë ofertën e Mbretit Zog për të reformuar arsimin shqiptar.
Mori portofolin e Ministrit të Arsimit në vitin 1933, (pas vdekjes së Hilë Mosit) në qeverinë e Pandeli Evangjelit.
Madhështia intelektuale, patriotizmi i nivelit më të lartë dhe gjendja mjerane e arsimit shqiptar në vitet 30’ ishin “nxitësit” e Ligjit Ivanaj…
Në shtator të vitit 1934 paraqiti ligjin e ri për arsimin, duke e bërë 5-vjeçaren fillore arsim të detyruar. Krijoi gjithashtu institute edukuese dytësore të ndryshme. “Ligji i Arsimit”, ose siç u bë i njohur si “Ligji Ivanaj” ishte ligji më i rëndësishëm e më i plotë i periudhës së qeverisë Evangjeli.
Qëllimi i reformës së Ministrit Ivanaj, ishte që shkolla shqipe të kishte karakteristikat dhe fizionominë e saj, të ishte laike, shtetërore, kombëtare e demokratike, me tekste bashkëkohore të ngjashme me shkollat e perëndimit dhe të edukonte e orientonte në atë drejtim brezin e ri. Këto ide kërkoi të sanksionoheshin me ligj dhe në shumë raste ia arriti qëllimit edhe për shtetëzimin e shkollave private, veçanërisht ato italiane dhe greke.
“…Shkolla jonë, duhet të japë edukatë qytetare e laike, sepse qëllimi i shkollës është të formojë qytetarë të lirë, me edukatë dhe formim shkencor e teknik bashkëkohor…”. ( Ky fragment i shkurtër është shkëputur nga fjala e mbajtur prej Mirash Ivanajt, si ministër i Arësimit kombëtar, në Parlamentin shqiptar, me 10 prill 1933)
Më 30 gusht 1935 dha dorëheqjen në shenjë proteste pasi Gjykata e Hagës detyroi qeverinë shqiptare që të moderonte politikat e saj ndaj shkollave minoritare.
Emërohet kryetar i Këshillit të Shtetit dhe këshilltar i mbretit Zog deri më 7 prill 1939.
Ishte absolutisht kunder pushtimit fashist të Shqipërisë dhe bashkë me miqtë e tij Safet Butka dhe Qemal Butka mobilizoi studentët shqiptarë në protestat kundër pushtimit.
U largua nga Shqipëria drejt Turqisë në vitin 1939 duke refuzuar pushtimin fashist të vendit.
Ai u largua nga atdheu bashkë me vëllain Martin Ivanaj, jurist i shquar, kryetar i Gjykatës së Diktimit si dhe miqtë e tij, arkitektin Qemal Butka dhe filozofin Branko Merxhani, si një refuzim ndaj pushtimit Italian të Shqipërisë dhe si një shpëtim për jetën e tyre.
E ka shpjeguar vetë këtë mërgim në ditarin e jashtëzakonshëm “Na, që shpëtimin e gjetëm në t’ikun”…
Kthehet në Shqipëri në tetor 1945 i kërkuar edhe nga Gjergj Kokoshi dhe i bindur që nuk kishte asnjë mëkat mbi shpinë.
Autoritetet e larta i luten që të shpallë kandidaturë për deputet nga ana e Frontit Demokratik, gjë për të cilën refuzoi. Punoi në shkollën pedagogjike të Tiranës nga nëntori i 1945 deri më 15 maj 1946, kohë kur u arrestua si “agjent i anglezëve”.
Kush ishte mëkati i Mirash Ivanajt?
“Mëkati” i vetëm… i preu bursën më 6 shkurt 1934, në kohën që ishte Ministër i Arsimit “ngelësit” Enver Hoxha…
Thuhet që kur Mirash Ivanaj u kthye në Shqipëri u prit nga vetë Enver Hoxha, i cili me stilin e tij thumbues i thotë:
“Shiko si po të presim… jo si ty që më hoqe bursën”.
Mund të qëndronte në Turqi. Por erdhi për të bërë Shqipërinë… dhe u dënua nga gjykata e teneqexhinjve dhe harbutëve provincialë.
Në këtë mënyrë Shqipëria humbi “ministrin e hekurt” të Arsimit shqiptar siç e ka quajtur studjuesi i shquar Lazer Radi.
Padyshim më i madhi Ministër i Arsimit në historinë 113 vjecare të shtetit shqiptar.
Per ironi te fatit, asokohe, Ministër i Arsimit ishte një nga katilët e gjyqeve të pasluftës… Bedri Spahiu.
Vdiste i vrarë Mirash Ivanaj… dhe arsimin e “reformonte” Bedri Spahiu… dhe populli “liridashës” dhe “arsimdashës” për këtë kriminel kishte “kënduar”:
“Dridhen armiqtë
Porsi miu
I gjykon Bedri Spahiu”
Një nga këta “armiq” ishte edhe Mirash Ivanaj… dhe “krimi” i tij ishte sepse donte Shqipërinë…