Ndrek Gjini: Marksi dhe Engelsi i urrenin dhe fyenin shqiptarët
Pak dihet në opinionin shqiptar se Karl Marksi dhe Frederik Engelsi, përtej traktateve të tyre teorike, kanë shkruar e botuar edhe shkrime gazetareske.
Në disa prej shkrimeve të tyre kur flasin për shqiptarët ata shprehen haptazi me një gjuhë tejet fyese e përçmuese ndaj tyre. Këto gjykime fyese e përçmuese ndaj shqiptarëve gjenden në artikujt e tyre botuar në New York Daily Tribune në kulmin e krizës që çoi në Luftën e Krimesë.
Më 7 prill 1853, në një shkrim mbi kombësitë e Turqisë Europiane, Marksi i përshkruan shqiptarët si “popull malesh, autokton”, me gjuhë të vetën, por “ende të papërgatitur për qytetërim” dhe me “zakone grabitqare, si hajdutë e grabitës” që i detyrojnë fqinjët t’i mbajnë nën nënshtrim ushtarak. Ai shton se zhvillimi industrial i rajonit do t’i përfshinte shqiptarët vetëm si punëtorë të rëndomtë, duke i reduktuar në “druprerës dhe ujëbartës”. Në këtë vizion, shqiptari është njeri mali, i prapambetur, i dënuar me role të ulëta në shoqërinë moderne.
Vetëm dy javë më vonë, më 21 prill 1853, Engelsi boton artikullin “What Is to Become of Turkey in Europe”, ku gadishullin ballkanik e quan “trashëgimi natyrore” të sllavëve të jugut. Në të njëjtin tekst, ai i etiketon turqit dhe shqiptarët si “barbarë turq ose arnautë”, të betuar me “kundërshtim të rrënjosur ndaj çdo civilizimi, qytetërimi apo përparimi”. Kështu, serbët dhe sllavët paraqiten si bartës të qytetërimit, ndërsa shqiptarët vendosen në polin e kundërt: si pengesë për modernizimin dhe progresin.
Për ta kuptuar këtë gjuhë, duhet parë sfondi historik. Në mesin e shekullit XIX, diplomacia europiane ishte e përqëndruar drejt rënies së ngadaltë të Perandorisë Osmane dhe garës së fuqive të mëdha për ndikim në Ballkan. Marksi dhe Engelsi, në rolin e komentatorëve politikë të disa gazetave, i shikonin zhvillimet përmes një hierarkie popujsh: disa të “civilizuar” e të destinuar për të udhëhequr, e disa të tjerë “të pa civilizuar” e të tepërt në hartën e së ardhmes. Kjo logjikë nuk ishte përjashtim, por pjesë e klimës intelektuale të kohës.
Megjithatë, ky fakt mbetet shqetësues për lexuesin e sotëm shqiptar. Regjimi komunist në Shqipëri ndërtoi një kult të Marksit dhe Engelsit, duke i paraqitur si aleatë të natyrshëm të popujve të vegjël dhe si kundërshtarë të çdo shtypjeje kombëtare.
Heshtja ndaj këtyre pasazheve fyese ndaj shqiptarëve në tekstet e sotme shkollore, universitare e propagandistike tregon jo vetëm selektivitet ideologjik, por flet edhe për faktin se një pjesë e kësaj trashëgimie mendore komuniste vazhdon ende të jetë e pranishme në Shqipëri.
Paradoksi është i dukshëm: nga njëra anë, Marksi dhe Engelsi denoncojnë imperializmin dhe kolonializmin; nga ana tjetër, në shkrimet për popujt periferikë të Europës, përdorin stereotipe të ashpra poshtruese e fyese mbi baza etnike.
Shqiptarët shfaqen si popull i prapambetur, njerëz malesh të paaftë për qytetërim, të destinuar për punë të rëndomta dhe pozicione të ulëta shoqërore. Sipas tyre Ballkani reduktohet në një skenë ku disa kombe si Serbia, mishërojnë “progresin”, ndërsa të tjerët janë simbol i “prapambetjes”.
Për Shqipërinë postkomuniste, rikthimi te këto burime origjinale është një detyrim i domosdoshëm çmitizimi.
Asnjë autor, sado i madh, nuk duhet të jetë i paprekshëm nga kritika dhe gjykimi realist dhe se klasikët e mendimit politik nuk duhen lexuar si shenjtorë të ideologjisë, por si njerëz të zakonshëm, paragjykime dhe verbëri të dukshme, sidomos kur flasin për “të tjerët me terma fyese e denigruese” – si në rastet e sipër përmendura.
E vërteta dhëmb por shëron.