Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Bllokadat politike

Një ditë maskat bien, bllokadat hiqen,

derrat e lumtur dëbohen prej pallatit të zotit Xhons

dhe futen në tharkun e tyre.

Të parët pas derrave ikin qentë besnikë,

ata që nuk dinë të jetojnë pa zinxhirë

dhe të frikësuar fshihen në mol të madh

e shndërrohen në lukuni,

derisa të mësohen të jetojnë pa u tërheqë zvarrë.

Në aktin e ndërmjetëm, kori këndon obobonë e ankthit.

Shikuesit e dërrmuar çojnë kryet përpjetë

dhe marrin frymë si pas një shtrëngate.

Mbasandaj zhvillohet pjesa tjetër e tragjedisë.

Pa epilog.

Kërkohen flijime të reja, revolucione të reja,

si shteg për mashtrime të reja,

se këtu është perfeksionuar arti i mashtrimit.

Është natë. Ajri është i dendur me mërzi.

Bien rrufe. Vetëm vetëtimat e frikshme ndriçojnë

në këto udhë të gjata nate, plot gropa, barrikada

dhe njerëz të hutuar që përplasen në to.

Prijësi është i vetmuar, thotë një aktor,

që përplas maskën përtokë dhe vazhdon:

nuk ka kush t’ia masë terrin,

as t’ia heqë maskat te këmbët e tij.

Sa peshon errësira?

A mund të krahasohet ajo

me një errësirë tjetër?

Sa pyetje të marra bëhen për errësirën.

Natën.

Ajri këtu kundërmon prej duhmës së keqe,

në këtë shtegtim të gjatë,

kur askush nuk e sheh si troshitet lavdia

e pushtetit të atyre që kanë veshë teshat e zotit Xhons

dhe shtrihen rehat në shtratin e tij

e mendojnë se nuk kundërmojnë.

Maj 2025.