Albspirit

Media/News/Publishing

Anita Runaj: Perversiteti i shoqërisë njerëzore tek “Saló”

Më datë 5 Mars, Biblioteka Kombëtare në Sallën Italiane “Sotir Kolea” organizoi një event kushtuar poetit, shkrimtarit dhe regjizorit italian Pier Paolo Pasolini. Të them të drejtën u habita kur e pashë si njoftim sepse nuk prisja që shoqëria shqiptare të kishte njohuri e për më tepër interes për këtë personazh. Por për çudi kishte goxha interes edhe pse pak njohuri.

Megjithatë moderatorja, zonja Aida Baro (kryeredaktore e Botime Pegi, përkthyese dhe krijuese e Aida Baro Literary Agency) si dhe tre zotërinjtë: Erion Gjatolli, Shpëtim Kelmendi dhe Edon Qesari, e sollën secili me mënyrë interesante dhe të veçantë Pasolini-n për audiencën e pranishme. Duhet të shtoj gjithashtu se zonja Baro ftoi audiencën në bashkëbisedim, diçka jo fort “e përqafuar” në evente të tilla. Dhe për këtë e falënderoj pasi me në fund mu krijua mundësia që analiza ime ndaj një prej filmave më tabú në mbarë botën, mos të ngelej thjesht në letër, por të flitej, të dëgjohej.

E vetmja kritikë për mua ndaj këtij eventi qëndron tek fakti që filmi (ndoshta e vetmja arsye përse disa e njohin Pasolinin,) “Saló” nuk u përmend aspak nga kontribuesit, përkthyesit, kritikët po ashtu as nga audienca. E shkuara e Pasolinit, ndikimi që ky film pati dhe vazhdon të ketë po ashtu edhe vrasja e tij, që edhe sot e kësaj dite mbetet mister, me vjen keq që nuk u përmenden por u anashkaluan.

Tani, përsa i përket Saló…

Friedrich Schiller në  veprën “Mbi edukimin estetik të njeriut” shprehet: “Po si e ruan veten artisti nga degjenerimet e kohës së tij, që e rrethojnë nga të gjitha anët”?

Pier Paolo Pasolini krijon “Saló”!

Përpara se ta shihja, të gjithë më thoshin: mos e shih. Mos! Dhe nuk e kuptoja arsyen përse. Pastaj, një ditë nga kureshtja vendosa ta shihja. Në fund të fundit është një film dhe çfarë kuptimi ka të duam kinemanë nëse nuk i shohim filmat — pavarësisht zhanrit apo epokës të cilës i përkasin.

Dhe kështu filmi filloi.

Isha kureshtare për atë që do të ndodhtte. Ndërkohë, kolona zanore nga mjeshtri Ennio Morricone filloi të luhej dhe estetika vizuale e viteve ’70 u shfaq në ekran, duke më përthithur  që  në minutat e para. Por nuk po kuptoja asgjë. Isha thjesht e mahnitur nga aspekti vizual sepse kishte kohë që nuk kisha parë filma të viteve ’70.

Pastaj filmi nisi vërtet. Disa zotërinj filluan të ndiqnin djem dhe t’i rrëmbenin si të ishin sende, pa përkatësi. Më pas u shfaqën zonjat. Si zonjat ashtu edhe zotërinjtë, në shikim të parë, të  jepnin përshtypjen e disa individëve të kulturuar, të arsimuar, të shtresës aristokratike; dhe ashtu ishin.

Por papritur filluan të silleshin si prokuruese, t’i zhveshin vajzat, t’i preknin dhe t’ua paraqisnin zotërinjve për të parë nëse ishin sipas dëshirës së tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe me djemtë. Këto qenie njerëzore trajtoheshin si të mos ishin asgjë më shumë sesa një “diçka’’ e përbërë prej mishi, pa asnjë  ndjenjë, mendim apo liri.

“Ekzekutivët” e këtij plani nuk ndryshuan as qëndrimin, as veshjen, as atë sjelljen “high-class”. E në të njëjtën kohë silleshin si predatorë — madje madje edhe më keq— të etur për të poshtëruar, për të degraduar, për të denigruar, për t’iua bërë jetën këtyre njerëzve të pafajshëm më të mjerueshme seç ishte. Kishin një shikim, një buzëqeshje që të fuste të dridhura. Por njëkohësisht ishte një shikim i njohur — ndoshta i kemi ndeshur këto fytyra në jetën tonë të përditshme, në këtë shoqëri. Ose ndoshta, thellë-thellë, jemi ne ata njerëz që i përçmojmë aq shumë në “Salo”.

Për këtë arsye kemi krijuar koncepte të tipit: “moral”, “etikë”, “e mirë”, “e keqe” etj e si rrjedhojë për këtë arsye ekzistojmë ende si specie. Sepse kemi krijuar një “Kontratë Sociale”, jetojmë dhe veprojmë në bazë të këtyre konstrukteve sociale. Por çfarë ndodh nëse bëjmë një pauzë nga këto konstrukte? Çfarë ngelet në thelb? Cila është esenca jonë? KAFSHËRORJA?! 

Në bazë të këtij logjikimi, ashtu sikurse ndodh në natyrë, disa prej nesh janë grabitqarë, disa janë preja. Dhe normalisht funsionon ligji i më të fortit.

Siç thotë “Duka”: “Kur shoh të tjerët të shkatërruar, gëzohem që është më mirë të jesh unë sesa llumi i popullit”. Ai preferon këtë, sesa të jetë “llumi i popullit”. Në një botë të tillë, në anarki, përse të jesh pre kur mund të jesh grabitqar?

Dhe me anarki nuk dua të them mënyrën sesi zhvillohen ngjarjet, pasi çdo veprim është i mirëmenduar, i dokumentuar. Anarkia për të cilën po flas është heqja dorë nga konstruktet sociale. Përqafimi i instikteve, i dëshirave të harbuara, i asaj se çfarë na bën qenie njerëzore. 

Disa mund të thonë se nuk ka mundësi që sot t’a shohim këtë në shoqërinë tonë, vetëm në një shoqëri si ajo e Pasolini-t tek “Saló”. Por po, e shohim edhe sot — thjesht në forma më të moderuara ndoshta. Një nga shembujt që gjithkush e ka hasur diku është rasti “Epstein”. A nuk janë të njëjtë, pothuajse identik? Që nga organizimi, përfshirja e elitave e deri tek pasojat që ka sjell për viktimat.

Po përdor një tjetër citim nga filmi, në fjalët e Magjistratit: “Signora Vaccari së shpejti do t’i kthejë në prostituta të klasit të parë. Asgjë nuk është ngjitëse se e keqja”. Pse? Këtë duhet ta pyesni veten.

Përgjigjja ime është kjo: Ne jemi thjesht kafshë, të detyruara të jetojmë sipas rregullave që kemi caktuar vetë, për veten. Pasolini normalisht që i bën kritikë fashizmit me anë të “Saló”, por pyetja më e rëndësishme që lind është “Nuk ekziston natyra njerëzore dhe ne thjesht fshehim kafshëroren brenda nesh APO ekziston një natyrë njerëzore por kjo është aq e lig, aq e krimbur dhe për këtë na duhen këto rregulla”?

Skena ku djemtë fillojnë të kërcejnë sikur nuk ka ndodhur asgjë, dhe njëri e pyet tjetrin për emrin e të dashurës së tij, edhe pasi panë tmerr pas tmerri — ata ishin pikërisht ajo për të cilën fliste Magjistrati kur tha se asgjë nuk është më ngjitëse se e keqja. Por unë mendoj se ajo ishte brenda tyre që në fillim. Ata filluan të kërcejnë dhe filmi mbaroi ashtu sikurse filloi — me ngrohtësinë e ngjyrave dhe kolonën zanore të Morricone-s. Në fund, asgjë nuk ndryshoi vërtet.

Për mua “Saló” tregon se tmerri i vërtetë nuk janë mizoritë që ndodhin në film, por jemi NE. Ne e dëshirojmë të keqen. Jemi të uritur për të, jemi të prirur të shkojmë drejt saj. Ne jemi tmerri i vërtetë. Ajo që fshihet në skutat më të thella të mendjes sonë. Tmerri që jemi ne si “njerëz” dhe pisllëku që mbajmë brenda vetes është kaq i neveritshëm — dhe ndoshta, vetëm ndoshta, kjo është arsyeja pse ende ekzistojmë.

Referenca

Friedrich Schiller “Über die ästhetische Erziehung des Menschen in einer Reihe von Briefen” (Mbi Edukimin Estetik të Njeriut). 1795.

Pier Paolo Pasolini ka qenë poet, shkrimtar, regjizor, skenarist, dramaturg dhe gazetar Italian.

Saló: një qytezë dhe komunë në Provincën e Brescia-s, në zonën e Lombardisë. Qyteza ka qenë vendi i qeverisjes së Republikës së Italisë Fashiste nga 1943 deri në 1945.( Shpesh i referuar edhe si Republika e Saló).