Poetja Irma Kurti merr çmimin e parë në Greqi
Poetja shqiptare Irma Kurti nderohet me çmimin e parë në Konkursin Letrar Ndërkombëtar Panhelenik të organizuar nga Unioni i Shkrimtarëve Grekë me seli në Athinë, Greqi. Shoqata, e krijuar qysh në vitin 1930, është një nga më entet më të rëndësishme në shërbim të kulturës greke dhe më gjerë. Çmimi i parë iu akordua për librin e saj me poezi titulluar “Οι σκιερεσ πλευρεσ τησ πολησ μου” (Hijet e qytetit tim), botuar nga Shtëpia Botuese “Manifesto” në Greqi në vitin 2024. Përkthimi i librit u bë në kujdesin e poetes dhe përkthyeses Sofia Skleida.
Konkursi letrar për vepra të botuara, poezi dhe tregime të shkurtra me temë të lirë pati pjesëmarrjen e shumë poetëve dhe shkrimtarëve, përfshirë edhe ata ndërkombëtarë. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt të mërkurën, më 4 mars 2026, në Sallën “Michail Averoff” të Shoqatës së Shkrimtarëve Grekë në Athinë. Për poeten shqiptare çmimin e tërhoqi përkthyesja e veprës Sofia Skleida. Irma Kurti për marrjen e këtij çmimi midis të tjerash shprehet kështu: “Më gëzoi ky vlerësim, edhe pse ëndrra e çdo poeti është që vargjet e tij të kapërcejnë kufijtë për të arritur në zemrat e mijëra lexuesve”.
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër, shumë prej të cilave kanë qenë çmime të para.Në 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë.
Irma Kurti ka botuar mbi 118 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 23 vende të botës.