Albspirit

Media/News/Publishing

PERSONALITETI QË I BËN NDER KLOSIT DHE MALLAKASTRËS, PJESË E LAVDISË DHE KRENARISË SONË KOMBËTARE

(Në nderim dhe respekt të jetës, punës dhe veprës së Shefki Maliq Velaj lindur në Klos të Mallakastrës, patriot e atdhetar, burrë i shquar me vlera intelektuale, njerëzore e shoqërore)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Kujtim BISHAJ & MSC Vlash LEKA

*

Tradita luftarake dhe atdhetare e Klosit në Mallakastër

Klosi ishte fshat në komunën e Hekalit në Mallakastër, një fshat me emër në historinë e vendit. Klosi është një nga fshatrat më të njohur të Mallakastrës, i cili ngrihet mbi truallin e qytetit antik të Nikajës. Klosi dhe Hekali kanë një traditë pa diversitet kulturor. Janë nga i njëjti brumë e me skena të përafërta në ngjarje e data të rëndësishme që lidhen me mbijetesën shekujve, në luftra dhe në paqe, në zakone e tradita ilirike, që rrjedhin që prej qytetërimit ilir të Bylisit. Në shtypin e shkruar dhe jo vetëm është shkruar e folur pak për një fshat me mbiemër homerik “Klosi”. Klosasit kështu e thërrasin veten bijtë e bijat e Klosit, ata që banojnë aty dhe ata që folezën e tyre e kanë ngritur në Tiranë, në Evropë e deri në Amerikë. Gjithëkush pyet për biografionë e tij, prejardhjen të vërtetat dhe legjendat. Emërtimi Klos është i “mbjellë” në gjithë republikën, në Mallakastër, Klos ka në Mirditë, në Mat, në Elbasan e gjetkë, por klosasit e Mallakastrës kanë shkruar histori. Kuptimi i emrit “Klos” ka disa kuptime nga fjala “Klisurë” që do të thotë “grykë mali” apo vend ku kalon një rrugë e ngushtë në mes maleve, sikurse kalohej dikur në Nivicë të Kurveleshit nga e kanë edhe prejardhjen sipas gojëdhënës.

Kalesa përmes kanioneve/ grykës së maleve mendohet se është term nga latinishtja, ndërsa në pikëpamje gjeografike dhe strategjike të vendit “Klos” është interpretuar si një vend i rëndësishëm kontrolli apo “pikë vëzhgimi/kalimi” mbi rrugëkalime midis trevave, në gryka apo degëzime rrugësh në terren të vështirë, për kontrolle mbi karvanet. Një mendim tjetër toponimi “Klos” mund të vijë nga “clusum” që do të thotë “i mbyllur”, duke iu referuar vendbanimeve të rrethuar ose pikave mbrojtëse në rrugë. Emërtimi “Klos” lidhet me tipare gjeografike të terrenit me gryka e vendkalime të ngushta dhe me funksion historik si pikë kontrolli të karvaneve.

Në Fjalorin Etimologjik të Gjuhës Shqipe të Gustav Meyer, termi klisurë/ klisura lidhet me kanione, gryka dhe vende të ngushta natyrore përgjatë rrugëve historike. Këtë përgjigje gjejmë edhe tek shkencëtari i gjuhësisë dhe studiues historik shqiptar Eqrem Çabej. Në këtë trevë të shquar kanë lindur, rritur e burrëruar njerëz fisnikë dhe që i kanë dhënë Atdheut bijë e bija me vlerë për shqiptarinë për të djeshmen dhe të ardhmen. Këtu në Klos është lindur dhe rritur edhe Shefki Maliq Velaj. Ai i shikon gjithë bashëfshatarët si të një zjarri, të një vatre, të një gjaku.

Fshati Klos i Mallakastrës ka emra të nderuar. Nga ky fshat fisnikësh kanë dalë mendje të ndritura si Gjeneral (Pasha) Muharrem Muhamet Velo, Taip Xh. Klosi (dëshmor i Luftës së Vlorës), Ismail Sejdin Klosi (1886 Klos-1915, shpallur dëshmor me vendim nr.10 dt.25.1.1993), Kamber Muharrem Velaj, Ismail Klosi, Qemal Klosi, Sherif Klosi, Bilbil Klosi, Izet Klosi, ing. Murat Klosi (ideator e projektues për Ujitjen e Mallakastrës nëpërmjet dy digave të Lumarës), Fatos Klosi, Blendi Klosi, Maliq Velaj, Shefki Velaj, Luftar Binjaku, Ardian Klosi dhe gruaja e tij gjermane fotografe Jutta Bezenberg, dhe shumë të tjerë. Por edhe nga brezat e rinj ka emra shumë të nderuar e respektuar, qës po të vështrojnë nga e shkuara stërgjyshërit, gjyshërit e baballarët kanë shkruar histori atdhetare në luftra kundër çdo lloj pushtuesi, kanë ruajtur me fanatizëm emrin e mirë, një trashëgimi e identitetit të fshatit.

Vatra atdhetare e patriotike e fisit Velaj dhe kufijtë e legjendës

Oxhaqet e vatrat familjare të fiseve të Kosit, si fisi Klosi, Velaj, Lamaj e dhjetra të tjerë kanë që të gjithë një vatër zjarri të zbritur këtu e rreth pesëqind vite më parë nga Nivica kaonike. Biri i fshatit Klos, Shefki Maliq Velaj është lindur 81 vite më parë, nga dy prindër të mirë që i përkisnin një familjeje të mesme, që atë pak pasuri e kishin vendosur me djersën e ballit. Stërgjyshi i tij Muharrem Velaj ka qenë i njohur si luftëtar dhe kundërshtar i ashpër i pushtuesve osmanë, ndërsa gjyshi i tij Kamber Muharrem Velaj ka qenë pjesëtar i çetës luftëtar të Klosit me 24 luftëtarë që shkuan bashkë me njëmijë djem të tjerë të Mallakastrës në Luftën e Vlorës, ku shtabi i Mallakastriotëve ishte vendosur në Llakatud të Vlorës. Kamber Muharrem Velaj dhe luftëtarët e tjerë të Klosit e Mallakastrës luftuan në kodrat e Llakatudit, Risilisë, Bestrovës, Kërkovës e deri në Panaja e Trevëllazër, një luftë e përgjakshme e paharruar. Këta luftëtarë të shquar mallakastriotë triumfuan në çlirimin përfundimtar të Vlorës më 3 shtatorin e vitit 1920 si dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Gjyshërit e Shefkiut, Kamber Muharrem Velaj dhe bashkëshortja e tij Fatimeja ju lanë pasardhësve një trashëgimi nderi dhe krenarie, respekt dhe vlerësimet më të larta të bashkëfshatarëve. Mehmet Shehu që ishte komandant i çetës në Klos tek nënë Fatimja në Velaj, të cilën e kishte si nënë të dytë vinte vazhdimisht. Kur u bë Kryeministër i dërgonte edhe pako me peshqeshe deri sa ndërroi jetë. (Fakt është se peshqeshet ja dërgonte edhe më vonë kur kishte ndërruar jetë, derisa i tha Bilbil Klosi “mos dërgo më peshqeshe se nënë Fatmja ka ndërruar jetë”. Ka qenë një lidhje unike shpirtërore në kohët më të rrezikshme në kohë pushtimi. Prindërit e Shefkiut, babai Maliq Kamber Velaj dhe nëna Minushe Sefer Delo (Velaj), vinte nga fshati Planshiku i Beratit. Maliqi dhe Minushja gëzonin respekt e mirënjohje jo vetëm në fshatin Klos por në mbarë krahinën. Ata sollën në jetë gjashtë djem dhe dy vajza, ku aktualisht janë në jetë vetëm katër prej tyre. Velajt janë shquar gjithmonë për ndershmëri e fisnikëri, për patriotizëm dhe luftëtarë kundër pushtuesve, arsimdashës dhe mbi të gjitha një familje që në gjuhën e popullit i thonë bukëdhënë. Duke folur për një personalitet të shquar të Mallakastrës si Shefki Maliq Velaj, nuk mund të mos flasim dy fjalë për Xha Maliqin, sikurse e thërrisnin dikur në gjallje të tij në Klos. Maliq Kamber Velaj kishte ardhur në jetë në vitin 1913, pra ai ishte motak kur u shpall pavarësia në Vlorë më 1912-ën. Maliqi u rrit mes një familje aristokrate të Klosit, u shkollua në arsim dy vjeçar për infermjeri në Tiranë dhe po në kryeqytet kreu shërbimin ushtarak në kohën e mbretërisë në vitet 1932-1934.

Pushtimi i vendit i 7 prillit 1939 e gjeti të rritur Maliq Velaj, që nuk e ndërroi kurrë profesionin, që edhe pse ishte infermier e thërrisnin “doktori”, që shëronte me fjalë, me zemër dhe me mjekim. Maliq Velaj u përfshi në radhët e formacioneve partizane, ku kontributi i tij ishte i dukshëm në spitalet partizane, duke shëruar plagët e shumta të partizanëve që përgjakeshin përditë me pushtuesit nazifashistë gjatë LANÇ-it. Gjithë familja djem e vajza të partizanit infermier Maliq Kamber Velaj dhanë kontribut të dukshëm në ringritjen e Shqipërisë së re. Fëmijë, nipa e stërnipa kanë ndjekur traditën patriotike dhe atdhetare të të parëve, ku spikat dashuria për Atdheun, për njerëzit, pranë kanë qenë dhe kanë ngelur të nderuar e respektuar në fshat në krahinë, në Mallakastër e më gjerë. Maliq Kamber Velaj është mjaft i njohur dhe për kontributin e tij në Klos, Drizar, Kutë e Çorrush, ndërsa Minushe Velaj kontributin e ka dhënë në tregëti në qytetin e Ballshit. Fakt është se klosasit e Mallakastrës morën pjesë masivisht në formacionet luftarake, pasi edhe në këtë fshat me emër u themelua një prej formacioneve të para partizane të krahinës dhe të rrethit, çeta “Plakë” e Mallakastrës.

Shefki Velaj personalitet që i bën nder Klosit dhe Mallakastrës

Gjithëkush ka historinë e stij stërgjyshërore, prindërore dhe personale. Këtu në trevën mallakastriote ne dallojmë shumë figura mençurie e burrërore, që i kanë dhënë fshatit, krahinës dhe vendit. Në fakt nga këndvështrimi tonë spikat njeri prej tyre, Shefki Velaj me vlera të shumëanshme dhe që për aktivitetin e tij nuk ka dëshirë të shprehet, por këtë e kërkon historia, kjo rojtare e kujtesës njerëzore, e kërkojnë brezat.

Shefki Maliq Velaj është lindur më 15 tetor 1945 në Klos të Mallakstrës. Ai erdhi në jetë në një ambjent të gjallë patriotik me tradita familjare luftarake, që i përket një oxhaku të njohur, një vatre atdhetarie të Klosit dhe të mbarë krahinës e më gjerë. Shefki Velaj kreu arsimin fillor në vendlindje në Klos (1952-1956) ku mësuesi i pare ishte mësues Pelivani nga Elbasani. Më tej kreu shkollën shtatëvjeçare në Hekal (1956-1963), ku dimër e verë shkonin dhe vinin gjithë fëmijët në këmbë. Në kujtesën e tyre kanë ngelur shumë mësues por spikat Alem Duraj, Llazar Lëngu dhe shumë të tjerë. Shefkiu pas përfundimit me sukses ndoqi shkollën e mesme Agronomike (1963-1967). Pas përfundimit të shkollës së mesme ju përgjigj thirrjes së kohës për të punuar ku kishte nevojë Atdheu, shoqëria, në bujësi dhe në pemë frutore frutikulturë e bimë arash, në punët e brigadave të fshatit. Kur mbushi moshën për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm me dëshirë familja e përcolli ushtar, ku kreu me sukses shërbimin ushtarak dy vjeçar (në vitet 1967-1969) në Brigadën e Laçit, që e komandonte ushtaraku madhor Maliq Sadushi. Fati e desh që studimet në Shkollën e Lartë në ILB në Kamëz ti kryente me rrezultate të shkëlqyera në degën “Ekonomi Agrare”, duke u titulluar Ekonomist i lartë, për periudhën 1981-1986, për të cilët kishte shumë nevojë ekonomia dhe veçanërisht kooperativat bujqësore dhe ndërmarrjet bujqësore. Në kujtesën e tij janë dhjetra e qindra emra që kanë kontribuar në funksione të ndryshme në Kooperativën e Hekalit, por mbi të gjitha ai ka fiksuar punën e madhe që ka kryer dy herë si kryetar cooperative në këtë zonë të vështirë, që e mori kooperatiën në dorëzim kur punonjësit e saj paguheshin me 25 lekë (të vjetra) për ditë pune dhe e çoi atë në nivelet deri në kooperativë e tipit të lartë me 250 lekë (të vjetra) për ditë pune, një hap i jashtëzakonshëm për kohën, e mori me dy traktorë të prishur dhe e rriti fuqinë e SMT-së me katër traktorë të rinj dhe katër zetorë të rinj, e shndroi në aksion mbarëkrahinor vaditjen e gjashtëmijë hektarëve deri edhe vaditjen jo vetëm të fushës por edhe të kodrave, shtoi dukshëm kapacitetet e pompave të ujit që nxirrnin ujë nga lumi i Vjosës. I shtoi kooperativës edhe makinë benz dhe Aro, e ndryshoi totalisht jetën e fshatrave në Mallakastër. Thirrja që i bëri Mehmet Shehu në zyrë për të ndryshuar gjendjen në Klos e Hekal kishte pikasur e goditur pasi kishte gjetur njeriun e duhur për punë, pasi agronomë kishte plotë, por pak ekonomistë. Edhe në fushën e blektorisë kooperativa që drejtonte Shefkiu mundi të siguronte ushqime të mjaftureshme për popullatën dhe ti jepte edhe shtetit, pasi mbarështronin mbi 14 mijë kokë dhën dhe 2000 dhi, por edhe gjedhë e lopë. Këto ndryshime që Shefki Velaj bëri në këtë zonë por edhe si drejtor i Ndërmarrjes së Furnizimit të Puntorëve në Ballsh ngelën në kujtesën kolektivë të Klosit, Hekalit dhe të Mallakastrës.

Në kujtesën e njerëzve në plenume të rrethit e kudo fjala e Shefki Velaj dëgjohej me respekt, pasi i drejtpërdrejtë, i hapur dhe godiste në rrënjë të problemeve, edhe kur Mehmet Shehu e “shante” se kryetar Shefkiu ishte “kokëfortë”, “kërkonte ti plotësoheshin tekat” dhe ti “dilte gjithmonë e tija”. Por fakt ishte se përballë rrezultarteve dorëzoheshin dhe Shefki Velaj e ka kryer detyrën e kryetarit të Kooperativës dy herë, pra në dy mandate me një ndërprerje të vogël një vjeçare. Drejtues të tjerë të kooperativës kanë qenë i pari Hair Pashaj, më tej Izet Ferzaj dhe pas tij Shefki Velaj. Por më tej ai ka kryer detyra edhe si drejtor i NFP në Ballsh, Drejtor i Përgjithshëm i rrugëve në shkallë vendi, Drejtor i inspektimit kombëtar, si dhe ka punuar edhe me konsullatat dhe me ambasadat e vendit tonë, duke qenë i angazhuar edhe në lëvizje të shumta në 44 vende të botës si në Rumani, Hungari, Bullgari, Çeki, Poloni, Ukrainë, Gjermani, Itali, Bashkimin Sovjetik, Izrael, Sllovaki, Turqi, Maqedoni, Gjermani lindore, në Libinë e Gadafit, Britani të Madhe, Austri dhe në shumë vende të tjera, që ka qenë një eksperiencë në dalje jashtë vendit në të dy sistemet të kaluarin dhe në demokraci. Në moshën madhore i rritur dhe burrëruar me eksperiencë jetësore me shkollë dhe i rrahur me hallet e jetës Shefki Velaj është martuar me Mynevere Hyso Hysaj nga fshati Sinanaj i Tepelenës, me të cilën sollën në jetë dy vajza (Alma Velaj dhe Mirjana Velaj) dhe dy djem (Erjon Velaj dhe Besmir Velaj). Shefki Velaj ka qenë pjesë e rëndësishme e të gjithë nderimit dhe respektit të dëshmorëve të këtij fshati sepse sikurse kemi thënë më lartë i gjithë fshati ka dalë nga një vatër zjarri dhe janë që të gjithë të një gjaku, ku mbrojtja e idealit të dëshmorëve është e shenjtë në Klos, Mallakastër dhe në gjithë Shqipërinë.

Legjenda 500 vjeçare e Zonjës së Nivicës që krijoi fshatin Klos në Mallakastër

Jetonte dikur para më shumë se gjysëmmijëvjecari në Nivicë një Zonjë, grua burrneshë e fjalës, e veprës, e besës dhe që nuk ja hante qeni shkopin në punët e malit dhe të fushës. Emri i saj kishte kaluar që kur ishte e re kufijtë e fshatit dhe të Kurveleshit, për ndershmëri, zgjuarsi dhe trimëri. Legjenda përcillet shekujve për të si një krijesë e malësisë së jugut, që nuk e ndante jataganin nga vetja. Në shtëpinë si saraje në Nivicë kishte edhe disa shërbëtorë besnikë, që e ndiqnin në luftë kundër osmanëve dhe në mbajtjen e derës së hapur për miqësi. Nivica e Kurveleshit e kishte tokën me kursim dhe jetohej me blektori dhe me shkëmbime të produkteve, ndërkohë edhe taksidarët e osmanllinjve dukeshin sa herë vinte stina e të vjelave. Në dokumentet e kohës periudha 1472-1492 shënon një kohë të rëndësishme qëndrese pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ku Labëria dhe krahina të tjera shqiptare luftuan kundër pushtimit osman, duke fituar në disa raste të drejta vetëqeverisjeje ose siç quheshin dikur “venome”/ (vetëqeverisje), ku trupat pushtuese osmane u detyruan të jepnin pas rezistencës dhe përballjes së përgjakshme në trevën labe/kaonike dhe që njihen si “Venomet e Himarës”, ose më saktë venomet e Labërisë në atë kohë përfshinte 56 fshatra, deri në afërsi të Bertatit. Në shinjestër të pushtuesit ishte vënë edhe Zonja me gjithë tarafin e saj. Për ti shpëtuar koshareve osmane, Zonja mori gjithë fisin e saj, me shërbëtorët dhe bagëtitë dhe nisi shtegëtimin në drejtim të vendeve “të buta”, kaloi Vjosën dhe ndalesën e parë e bëri në Poçem, praj andej shtegëtoi drejt vendit që e quajti “Klos”. Pas dy vitesh qëndresë meqënëse i shoqi kishte humbur jetën në Anadoll, kur kryente shërbimin ushtarak shtatë vjeçar, për këtë në vend të tij në familje erdhi mandata, një ferman me gërma arabe: “..humbi jetën në shërbim të Atdheut”/ “..Vatanına hizmet ederken hayatını kaybetti”. Në këto kushte Zonja u martua me kryeshërbëtorin e saj dhe solli në jetë dy djem. Djemtë u rritën dhe edukuan me zakonet e vendit, por nuk harruan kurrë dhe origjinën dhe traditën. Ata u bënë të zotë në përballimin e punëve në mal dhe në fushë, por edhe në përgatitje luftarake që ishte zanat i shqiptarëve që trashëgohej në çdo familje. Falë autoritetit që Zonja gëzonte edhe djemtë i ndau që njeri të ishte në mal me bagëti dhe tjetri në fushë ku kishte tokë por edhe ujë. Djemtë ndoqën këshillin e Zonjës, njeri në Mëhallën e Shkëmbit pranë qytetit antik të Bylisit dhe qytetit antik i Nikajës, ndërsa tjetri në Mëhallën fushore në “Çalliaj”. Por duke qenë se Mëhalla e Shkëmbit jetonte në vështirësi shumë të mëdha me blektori që produktet i shkëmbenin me ata të fushës, u detyruan që një pjesë e tyre të vendoseshin në Dukat të Vlorës për një jetë më të mirë, pasi tradicionalisht ka ngelur një maksimë proverbiale popullore “pranë detit pranë mbretit”. Kështu djemtë e “Mëhallës së Shkëmbit” u bënë dukatas të mirë dhe shumë vatra e oxhakë në Dukat edhe sot mbajnë të njëjtin mbiemër më banorët e Klosit e deri të Nivicës së Kurveleshit. Nga të dhënat brez pas brezi në Klos pasardhësit e Zonjës, për nder të saj ngritën edhe një memorial kushtuar Zonjës rreth katër metra të lartë, por kohën ndryshuan dhe në vend të tyre koha solli në skenë memorialë të tjerë të rinj të luftës dhe të punës, por Zonja e Klosit nuk u harrua kurrë. Memoriali ishte vendosur rreth njëqind metra nga rruga aktuale në drejtim të fshatit Klos, në hyrje të fshatit, përbri rrugës, në këmbët e qytetit antik të Nikajës, ku dëshmitë historike rrënojat e teatrit, stadiumit dhe mureve rrethuese jetojnë bashkë me historinë e antikitetit shqiptar. Nuk është e rastit që edhe Zonja e Kurveleshit përzgjodhi një vend të përshtatshëm si qyteti antik i Nikajës. Koha evolon edhe për Klosin, jeta rrjedh si ujët e Vjosës, kujtimet ngelen, historia tregohet në breza.

Ismail Klosi patriot, veprimtar dhe luftëtar i Rilindjes

Klosajt e fshatit Klos janë një vatër zjarri pavarësisht fiseve Velaj, Çalaj, Murataj, Lamaj, Harizaj, Ramaj, Merkaj, Shehaj, Likaj etj. Nga të dhënat e Shefki Velaj mësojmë se fshati Klos ka të veçantat e veta, si asnjë fshat tjetër në Mallakastër, pasi asnjë fshat nuk ka pasur agallarë sa Klosi. Por në fakt ishte edhe i kamur edhe fisnik i shquar për patriotizëm. Klosi historik patriotic e atdhetar ka lindur burra të dijes, të luftës për liri e pavarësi dhe të punës për ringritjen e Shqipërisë. Një nga ngjarjet që lidhet me bij të shquar të këtij fshati tregohet sipas përshkrimit të rrugëtimit historik të origjinës së fshatit por dhe të kapedanëve e patriotëve, për të cilët flet me bindje Shefki Velaj, që transmeton historinë e treguar nga stërgjyshi, gjyshi e babai i tij Maliq Kamber Velaj (edhe këta me rrënjë nga një familje e vetme e oxhakut “Klosi”. Në Klos dhe jo vetëm të flasin për bëmat e Ismail Klosit (1886-1915) patriot, veprimtar, luftëtar i Rilindjes, kundërshtar me Portën e Lartë të pushtuesve osmanë. Ai u var në litar në Berat për ndjenjat e larta të atdhetarisë nga rebelët “dumbabasit” të Haxhi Qamilit në vitin 1915, ku u eliminua një pjesë e mirë e patriotave shqiptarë, bashkë me Haredin Fratarin dhe Baki Gjebrenë nga Gjirokastra, që kundërshtonin osmanizmin dhe pro-osmanistët në Shqipëri. Për Ismal Klosin tregohet qartazi se 120 vite më parë që më 1906, kur ishte 20 vjeçar i bashkohet çetave patriotike të Shqipërisë jugore të trevës së Mallakastrës. Më 1910-n merr pjesë në krijimin e “Komitetit për Çlirimin e Shqipërisë” për prefekturën e Beratit, në vitin 1911 merr pjesë në Kuvendin e Manastirit të Cepos më 21 korrik 1911 bashkë me 800 luftëtarë të tjerë, si dhe në Kuvendin ndërkrahinor të Drashovicës në “Portën e Labërisë” në fundin e korrikut 1911 ku u mblodhën 3000 burra të armatosur të gatshëm për të sulmuar ushtrinë xhonturke (turqit e rinj) për të çliruar Vlorën. Ai ka qenë përfaqësues i Jugut në Kuvendin e Junikut më 1912 si dhe merr pjesë ne shpalljen e pavarësisë së Vlorës më 28 nëntor 1912. Ismail Klosi u angazhua fuqishëm në mbrojtje të Qeverisë së Vlorës, duke krijuar çetën e tij për të mbrojtur flamurin e ngritur nga Ismail Qemali në 1912. Duke qenë se ishte një figurë e rëndësishme atdhetare e patriote, por dhe frymëzim lirie për brezat vritet pabesisht nga rebelimi i Haxhi Qamilit që ishin pro-osmanë. Shkolla 9 vjeçare në Ballsh mban emrin “Ismail Klosi”, si tribun i Shqipërisë, si nënëshkrues i Kuvendit të Sinjës (10.7.1912 deri më 23.7.1912 në Sinjë, Berat), si zëri shqiptar që kë kërkonte lirinë, si dëshmi e unitetit politik e organizativ të lëvizjes kombëtare shqiptare, si dhe prelude historik i shpalljes së pavarësisë. Ai ishte në vijën e parë  të përballjes dhe të guximit, me shpirtin e lirë të heroit shqiptar. Prandaj edhe fshati Klos dhe mbarë shqiptaria e kanë Ismail Klosin figurë të nderuar dhe respektuar në breza, e kanë frymëzim atdhetarie e patriotizmi.

Çeta me emër lavdie, “çeta “Plakë” e Mallkakastrës, që u krijua në Klos

“Çeta “Plakë” e Mallkakastrës është pjesë e rëndësishme e lavdisë së Hekalit, Mallakastrës, Shqipërisë. Veprimtaria luftarake çetës “Plakë” të Mallakastrës ka zënë një vend nderi në historinë e LANÇ-it. Çeta u krijua më 4.21943 në Klos dhe mori emrin Çeta Plakë. Edhe sot njerëzit pyesin se pse u quajt çeta “Plakë”? Ishte thjesht një vijimësi tradite të luftrave të pandërprera krahinore, ku merrnin pjesë burra të moçëm dhe të rinj, ishte një ripërtërtitje e traditave luftarake të krahinës së Mallakastrës në një fazë të re një gërshetim brezash ku “pleqtë” ishin nyja lidhëse e traditës luftarake, prandaj edhe u quajt çeta “Plakë” e Mallakastrës.  Por në fakt “çeta Plakë” kishte të rinj nga 16 deri 39 vjeç. Ajo u krijua nga përbërja e njësiteve partizane të fshatrave të Mallakastrës, të formuar që në vitin 1942, ku përmendim Mehmet Shehun, Dervish Hekalin, Haki Zenel Myrtaj, Idris Seitin, Hysen Metkë Çalaj, Islam Shaban Murataj, Kadri Muço Lamaj, Veledin Xhezo Harizaj etj. Në ditën e inaugurimit në radhët e çetës u rreshtuan 27 partizanë. Komandant i çetës u caktua luftëtari i Luftës së Spanjës, Mehmet Shehu dhe zv/kmandant Dervish Hekali. Që në ditën e formimit filloi veprimtarinë e saj luftarake e politike për forcimin e unitetit të popullit, rreth Frontit Nacionalçlirimtar, për mobilizimin në luftën e armatosur kundër pushtuesve fashistë. Më 5 shkurt 1943 një ditë pas formimit, një grup partizanësh kryen një aksion kundër autokolonës italiane në Qafën e Sykuqit, Greshicë duke e shpartalluar plotësisht ekspeditën italiane, ku ra dëshmori i parë i çetës Shahin Ormani nga Aranitasi. Më 10 shkurt 1943 çeta e Mallakastrës dhe çeta “Plakë” e Vlorës, morën pjesë në luftën e Patosit, ku sulmuan dhe shpartalluan bazën ushtarake e ekonomike të fashistëve. Zjarri i armëve ishte i fuqishëm nga të dy palët. Armiku luftoi më të gjitha forcat dhe mjetet. Në vijim të aksioneve më 21.2.1943 çetat “Plakë” të Mallakastrës dhe të Vlorës, sulmuan minierën e Selenicës, që ishte një sukses luftarak i të dy çetave. Aksionet e çetës “Plakë” të Mallakastrës janë të njohura si 20 marsi 1943, ku të dy çetat kryen aksion kundër bazës së aviacionit fashit italian në Ujin e Ftohtë Vlorë, sërish në Selenicë më 1 prill, më 25 maj në mbrojtje të trevës mallakastriote luftuan në Ruzhdie, Lapulec, Ngrançie, më 25 qershor shpartalluan operacionin e parë fashist ndërmarrë kundër Mallakastrës dhe shumë luftime të tjera, ku nga 27 luftëtarë çeta u rrit në 115 partizanë, ku një pjesë e të cilëve shkuan me Brigadën I Sulmuese, ndërsa pjesa tjetër shërbeu si bazë e formimit të batalionit “Ismail Klosi”. Çeta Plakë e Mallakastrës i dha shumë dëshmorë LANÇ-it, si: Heroin e Popullit Dervish Hekali, Shahin Ormani, Islam Musai, Sabri Sulua, Ahmet Bektashi, Dano Dervishi, Selman Rexhepi, Muharrem Refati, Riza Kodheli, Qamil Hyseni, Ramadan Gjyshua, Nazif Kreshpani, Selam Shahini etj. Në planin historik sikurse tregon Shefki Maliq Velaj janë disa çeta “plakë” në Jugun e Shqipërisë: çeta “Plakë” e Mallakastrës (4.2.1943) e drejtuar nga Mehmet Shehu; çeta “Plakë” e Skraparit u formua në Kulmak të Tomorrit (14.3.1942) e drejtuar nga një figure e njohur popullore Mestan Ujaniku, çeta “Plakë” e Vlorës (4.12.1942) në Vriz të Gjormit me komandant Neki Imer Hoxhën dhe komisar Qazim Çakërrin dhe shumë çeta të tjera. Është fakt se klosasit dhe Mallakastriotët mbushen radhët e çetave, batalioneve e brigadave partizane që i sollën lirinë vatanit. Vendformimi i kësaj çete ngeli historik, si një ngjarje e rëndësishme e Luftës, për Klosin, për Mallakastrën si një ngjarje që do të kujtohet në breza. Shtëpia e Velajve dhe gjithë shtëpitë e fshatit Klos u kthyen mbështetëse e madhe e luftës, por dhe nxorrën shumë luftëtarë të shquar të pushkës dhe të penës.

Dëshmorët – farë e shenjtëruar e shqiptarizmës në Klos dhe gjithë kombin shqiptar

Klosi ka qenë pjesë e gjithë aktivitetit luftarak në shekuj për mbrojtjen e truallitarbëror. Bijtë e saj kanë qenë luftëtarë të denjë që ja kanë zbardhur faqen kombit kudo ku kanë luftuar dhe kudo ku kanë punuar. Nderimi për dëshmorët është i shenjtë dhe i vijueshëm. Kështu është për klosasit. Në lapidarian e dëshmorëve në qendër të fshatit Klos dëshmohet historia e një prej ngjarjeve më të lavdishme të LANÇ-it, krijimi i çetës “Plakë” të Mallakastrës. Sikurse në çdo qendër qyteti e fshati edhe Klosi, si fshat emërndritur nderon gjakun e dëshmorëve që ranë për lirinë dhe mbrojtjen e Atdheut. Kështu dëshmorët e Klosit janë: Hysen Metkë Çalaj (lindur në Klos më 1919 dhe rënë më 1944 Klos); shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.204/106 datë 6.11.1946; Islam Shaban Murataj (lindur në Klos më 1920 në Klos dhe rënë më 1944 në Kuç të Vlorës); shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.204/106 datë 6.11.1946; Kadri Muço Lamaj (lindur në Klos më 1922 dhe rënë më 1946 në Klos); shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.204/106 datë 6.11.1946; Veledin Xhezo Harizaj (në Klos më 1917 dhe rënë më 1948 në Tamarë Shkodër); shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.39 datë 3.5.1974; Astrit Bashkim Ramaj (në Klos më 1968 dhe vrarë më 1988 nga grekët në kufi në Gjirokastër); shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.44 datë 24.4.1992. (Marrë sipas origjinalit të Librit “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë, 2012, përgatitur nga Prof.Asoc. Dr.  Zaho Golemi dhe Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, publikuar në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes (publikim zyrtar). Fakt është se Astrit Bashkim Ramaj është dëshmori më i ri i fshatit Klos, që ka rënë në krye të detyrës gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në rajonin kufitar të Gjirokastrës dhe meriton që në lapidarian e Klosit të dokumentohet dhe të shkruhet një gjë e tillë, si dëshmi për brezat. Por krahas saj gjykojmë se në kujtesën e këtij fshati heroik mund e duhet të dokumentohet e përjetësohen edhe bij të tjerë të rënë në luftra që nga koha e tanzinmatit (1847), por dhe më parë e sidomos dëshmorët tashmë të shpallur juridikisht: Taip Xh. Klosi, që është dëshmor i Luftës së Vlorës të 1920-tës, Ismail Sejdin Klosi (lindur më 1886 Klos dhe rënë më 1915, sipas dokumenteve të MM), ku ka një vendim të posaçëm me nr.10 dt.25.1.1993, për shpalljen me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”.

Këtë e kërkon historia, e kërkojnë brezat e fshatit Klos dhe më gjerë në këtë trevë të shquar të Republikës. Ndërkohë që dëshmorët kanë qenë dhe kanë ngelur krenari e shenjtëruar kombëtare, bashkëluftëtarët e tyre armatat e mëdha të partizanëve që bashkarisht bënë histori dhe epole gjatë luftës ngelën shenjtëri e lavdi për kombin. Kështu Shefki Velaj ndjehet krenar për Klosin, për vendlindjen dhe aktivitetin por edhe për historinë e këtij vendi dhe për kontributin që kanë dhënë bashkëfshatarët dhe bashkëkrahinorët e tij në zhvillimet e vrullshme shqiptare veçanërisht ato të shekullit të kaluar, për çetën Plakë që u krijua në fshatin e tij. Ai ndalet në historikun e Brigadës së pestë (“Rruga luftarake e Brigadës V Sulmuese”, Tiranë; “Naim Frashëri”, 1968, f. 46), ku flitet për kuadrot që udhëhoqën në luftë forcat e BrVS gjatë ofensivës së Dimirit ku Komandant i Brigadës Shefqet Peçi, Komisar politik Hysni Kapo, Zëvendëskomandant Dervish Hekali, Zëvendëskomisar Manush Myftiu, Intendent Kadri Brahimi, Sektori i Shëndetsisë Dr. Ibrahim Dervishi, Sektori i Agjitacionit dhe Propagandës Andrea Varfi, Dhimitër Mandro. Seksioni Politik: Përgjegjës i Seksionit Politik Hito Çako, anëtarë Bilbil Klosi, Veis Pipa, Ramize Gjebrea, por edhe për organin luftarak revistën “Buçitja”, flet qetësisht për dekorimin e BrV S me titullin e lartë “Hero i Popullit”, për brigadën që njihej e nderohej  në popull si “Brigadë e flakës, e zjarrit dhe e sulmit”. Mbit ë gjitha flet për lidhshmërinë e Klosit, Mallakastrës dhe Labërisë me Luftën Çlirimtare Antifashiste. Në këtë luftë shkruan epope edhe bijë e Klosit heroik si Bilbil Klosi dhe shumë të tjerë. Krenaria e banorëve të Klosit është e ligjshme.

Për Klosin dhe fqinjësinë e tij flet historia..!

Bylisi, Klosi, Hekali dhe mbarë fshatrat e Mallakastrës janë një pasuri njerëzore e pashtrshme, janë gur xhevahiri si mademi i kësaj treve me emër në historinë shqiptare. Në më shumë se dy shekuj është e njohur se prej fshatit Klos lindin prijësa e kapedanë legjendarë, arkeologë, profesorë e shkencëtarë, burra shteti, diplomatë që ja kanë zbardhur faqen Shqipërisë, ekonomistë, ushtarakë profesionistë të talentuar, bujq e blegtorë të zotë dhe të tjerë që kanë luftuar e punuar kudo ku e la lypur nevoja e Atdheut. Klosi është vendlindja e një pashai të famshëm shqiptar: Gjeneral (Pasha) Muharrem Muhamet Velo, por që kontributin e dha për Perandorinë, i shkolluar me arsim të lartë ushtarak dhe gjithmonë fitimtarë në viset më të largëta të Perandorisë nuk e harroi kurrë vendlindjen dhe për nder të tij Sulltanati Osman ndërtoi një xhami dhe medrese (Shkollë) në Klos, një histori si legjendë e tretur në dhjetravjeçarë. Klosi është vendi i heroit Ismail Klosi që agjentët e Turqisë e varën në Berat në vitin 1915; në Klos më 4 shkurt 1943 Mehmet Shehu krijoi Çetën “Plakë të Mallakastrës”, në Klos ka pesë dëshmorë, që kanë rënë në fushën e betejave: Hysen Çalaj, Islam Murataj, Kadri Lamaj, Veledin Harizaj dhe Astrit Bashkim Ramaj. Nga Klosi është Sherif Klosi që ka mbaruar studimet për mjekësi në Bolonjë të Italisë më 1938, shembull klasik i mirësisë mallakastriote dhe mjaft të tjerë me bëma profetike. Fshati Klos shquhet për njerëzorë të ndershëm dhe të papërtuar, kulturalisht të ngritur tradicionalisht, ku mbiemri Klosi ka qenë dhe ka mbetur imazhi i së mirës. Fshati Klos është një fshat ikonik në Mallakastër, ka fise të shquar dhe të përbashkuar në halle dhe në gëzime si Velajt, Muratajt, Merkajt, Shehajt, Likajt etj. Në se citojmë birin e Kremenarit Sefer Pasha, që thotë: “Fshati Klos është “Meka” e grave të fshatit Kremenar.. kur plakat e fshatit betoheshin për Gradishtën e Klosit, kur Dede Baba Reshat Bardhi, i internuar në fshatin Drizar të Mallakastrës fillonte pa rënë akshami dhe me këngë përcillte diellin për në perëndim, nënat faleshin për Gradishtën e Klosit. Baba Reshati me zë të bukur përcillte diellin me këngë, zëri i tij dëgjohej deri tek Mëhalla e Shkëmbit në Bylis, ndërsa në Gradishtë dielli merrte udhën për në detin e Vlorës”. Fshatrat fqinjë të Klosit i thërrasin denbabaden “dajo” klosasit, sepse “nuset kërkoheshin nga rraca e mirë e fis i sojshëm”. Në fshatin Klos tregojnë se në qemerin e portës së Bilbil Klosit është gjetur një mbishkrim, ku në rreshtin e katërt lexohet fjala “Niakaieney”, i shkruar në greqishten e vjetër e që do të thotë “Fitore”. Në periudhën kur qyteti ilir i Bylisit shkëlqente, fshatrat perreth nuk ishin gjë tjetër përveçse mëhalla të qytetit të Bylisit. Bylysi ka një teatër me katër hektarë me 9000 vende, me stadium e gjimnaz, me 7 hyrje e 7 kulla, qytet në 30 hektarë. Studiuesi i mirënjohur Fitim Çaushi nga fshati Rabie, përballë me Kremanarin, flet për një statujë/ hyjneshë në gjetur në muret e kalasë së Rabies, që flet se Mëmëzonjat ishin me pushtet në Labëri dhe Mallakastër tej e këtej Vjosës. Nuk është e rastit që edhe kënga e popullit vargëzon historinë e kësaj treve: “Labëri 40 kështjella,/300 palë fustanella..”. Këtu në Klos, Hekal, Amantia, Rabie, Bylis e gjetkë rron historia e “fshehur” në gjetjet arkeologjike dhe jo vetëm. Të dhënat flasin se ka qenë e pushtetshme dhe e zonja Mëmëzonja e Klosit ose Zonja e madhe sikurse e quanin brez pas brezi vajzën luftarake që zbriti nga Nivica e Kurveleshit në fshatin Klos dhe themeloi pikërisht këtë fshat që të gjithë e duan dhe e nderojnë me respekt të thellë. Tregimet për njerëzit e shquar të Klosit rrjedhin si jeta e njerëzve, si rrjedha e ujërat e Vjosës, ku për inxhinierin e veprave ujitëse Murat Klosin tregimet janë kthyer deri në legjanda pasi ai ndërtoi kanalet vaditëse në udhët e dhive dhe të gjarpërinjve, duke e kthyer ujin përpjetë, me e sistemin vaditës nga Lumara deri në fshatrat Gjerbës, Greshicë, Hekal, Ninësh, Gadurovë, Drizar, Bejar, Damës e Kremenar. Por Klosianët janë dhe hokatarë, bëjnë shaka, krijojnë figura mitike, figurë që e shpikin kundër bëmave e mëkateve sikurse është “magjistrica Zade”, që mendohet se është krijesë nga klosasit, që askush të mos merrej me Zaden e Klosit, pasi çdo fshat ka “zaden” e tij. Edhe sot e kësaj dite ka ngelur shprehja që lidhet me zgjidhjen e konflikteve: “Mos u bëj si Zadja e Klosit!” Nuk është e rastit maksima proverbiale e popullit edhe këtu në Klos: “Fshat e zanat, prag e tabiat”, flet për diversitetin, huqet dhe sjelljet njerëzore. Shumë studiues të kësaj zonë flasin për atë se, në Klos të Mallakastrës nuk mbahet mend nëpër shekuj që të ketë dalë ndonjë tradhëtar. Klosasit kudo që janë e ruajnë dhe e trashëgojnë famën e fshatit bujar në zemra, bujar në pasuri materiale. Në Klos erdhi një fis i tërë me çamë që nga Filati, që i kishin përzënë andartët grekë. Klosasit i pritën njerëzisht. Tek vendi që edhe sot quhet Kubeja ata u dhanë çamëve toka dhe i strehuan. Qysh në ditët e para çamët ngritën baxhon e parë të qumështit pasi kishin qenë mjeshtër të përpunimit të qumështit në Filat. Këtu në Klos tregojnë bijtë e kësaj treve të njohur, Zenel Çalaj u dashurua dhe martua me një nga çamet e bukura dhe lindën një tufë me fëmijë dhe aktualisht që nga Amerika dhe Australia e largët pasardhësit thonë me krenari se ne jemi nga Klosi. Kështu ka qenë gjithmonë Klosi derëhapur dhe bukëdhënë. Këtu në Klos e përtej këtij fshati janë sinorët e lulëzimit të qytetërimit të Bylysit, ku lëvizin shpirtërat e këtij fisi me emër, ku në këmbët e këtij fisi dukur në anëvjosë janë stërvitur edhe trupat e legjoneve romake të Cezarit që stërvitej kundër Pompeut anës lumit të Vjosës, ku një kodrinë në anë të Vosës dhe sot quhet “Cezar”. Fakt është se këta dy gliadorë romakë u ndeshën në betejën e famshme të fushës së Farsallës (viti 48 para Krishtit), Pompeu me 45 mijë luftëtarë dhe Cezari me 22 mijë luftëtarë, një betejë epike ku fitoi Cezari me 22 mijë ushtarë. Arkeologë e historian flasin për antikitetin e lulëzimin në Bylis, ku janë zbuluar pesë kisha të rëndësishme të zbukuruara me mozaikë që tregojnë që Bylisi kishte zënë plotësisht vendin e Apollonisë, vend që ja trashëgon Ballshit në shekullin e IX-të, pas shkatërrimeve e dyndjeve barbare, kështu që edhe peshkopata e Bylisit vendoset përfundimisht në Ballsh duke trashëguar dhe emrin. Edhe pas luftrave të shumta dhe përballjeve të përgjakshme jeta ka rrjedhur. Parardhësit e Velajve të portës së oxhakut “Velaj” kanë qenë pjesë e të gjitha lëvizjeve kundërpushtuese, që nga koha e osmanëve që mbahet mend dhe tregohet e deri në përfundim të LANÇ-it më 29.11.1944. Edhe sot në Klos dhe kudo në Mallakastër flitet e këndohet për një figurë kombëtare luftarake që nuk ju përkul kurrë pushtuesve. Prandaj ka ngelur edhe në këngë: “Rrapon e mori veziri,/ E shpuri nga Manastiri,/ Kot thonë se e helmoi,/ Rrapon mbathën me patkonj/.. këngë që vinte që nga burgu i Manastirit. Osmanët Rrapo Hasanit (Hekalit) këtij monumenti të historisë sonë, në të dyja këmbët i kishin mbathur patkonj dhe me patkonj kali në këmbë është shuar natën e 31 dhjetorit 1847. Si një thirrje-kujtesë edhe sot Klosi, Hekali, Mallakastra përsërit refrenin, “..hajde mor Rrapo Hekali, kur thërret sa tundet mali… pse Lufton a derëzi?, as për mua as për ti, por për gjithë Shqipëri!”. Nuk ishte legjendë por një figurë prijëse e kapedan i vërtetë lufte, që e njihte i madh e i vogël në gjithë kombin shqiptar, prandaj dhe emri itij rrugëton shekujve. Një ndër istikamet e zonës edhe për luftëtarët e Klosit ka qenë Greshica, një istikam lufte, një karakoll i shekujve, ku janë bashkuar armët për të shporrur të huajt. Në Greshicë kanë luftuar burra e gra, dhe ka mjaft tregime për periudha të ndryshme historike për luftrat që kanë ngelur në histori nga koha e Rrapo Hekalit e Zenel Gjolekës e deri në luftrat kundër të gjithë pushtuesve deri kundër pushuesit nazifashistë. Prandaj edhe kënga e popullit thotë: “..o ju gratë nga Greshica, /Bëfshi djem nga përdita..”. Por më gjerë dhe natyrshëm më saktë flasin dokumentet, flet historia e kësaj treve luftarake. Klosi treva përreth, gjithë Mallakastra janë një trevë e rëndësishme për vendin me rezerva gazi natyror e nafte të cilat e bëjnë zonën qendër të prodhimit e përpunimit të naftës, por nga ana tjetër kjo trevë njihet për bujqësinë, për prodhueshmëri me larmitet produktesh, me mijëra hektarë tokë fushë, mijëra hektarë kodër e pyje, pemtari, ullishte, vreshta, blegtori, me ujëra të Vjosës dhe të Povlës, me miniera, me Poçemin e basenin e ujërave minerale, një gjerdan pasurie për vendasit dhe vendin.

Klosi i trupëzuar e çimentuar me lirinë dhe tre Kuvendet e Poçemit në Mallakastër

Shumëkush na thotë Shefki Velaj, e ka njohur Poçemin si vendin e kuvendeve. Fakt është se Poçemi është një vend i vogël, por historik ndërmjet fshatrave Klos dhe Drizar të Mallakastrës. Qëndresa popullore dhe organizimi i kryengritjes antitazimat kundër pushtimit osman më 1847, e ka burimin këtu në Poçem, por më 1920 përsëri në Poçem u mblodhën për të vazhduar me organizimin dhe kontributin e madh të dhënë për Luftën e Vlorës, që në fakt nga Poçemi i Mallakastrës dolën njëmijë luftëtarë dhe shkuan në luftën për Vlorën. Më tek për herë të tretë në Poçem u bë kuvendi dhe mobilizimi për bashkim, qëndresë e luftë të paepur ndaj pushtuesëve nazifashiste duke i dhënë një hov shumë të madh Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare më 8.7.1943. Ngjitur me Klosin këtu në Poçem në këtë fshat janë organizuar dhe zhvilluar tre kuvende madhështorë që kanë lënë gjurmë në historinë kombëtare, janë marrë vendime shumë të rëndësishme për liri, pavarësi dhe çlirimin e vendit nga pushtuesit. Kuvendet janë mblodhur në vitet 1847, 1920 dhe 1943. Që të tre kuvendet në Poçem janë historike për vendimet që morën dhe për fuqinë popullore që realizuan. Në fillim të korrikut 1847 në Poçem u mblodh Kuvendi i Parë, ku u vendos që të priteshin me luftë reformat e Tanzimatit dhe ku 2000 luftëtarë të drejtuar nga Rrapo Hekali u organizuan qëndresë popullore. Populli e shprehu me këngë: “Xhelepe e vergji s’ka,/  Është vendi fukara,/ Jetojmë me lakra,/ Katër shtëpi me një ka”… Fakt është se beteja u zhvillua më 14.7.1847 në Greshicë, ku kapedani Sulo Zeneli dhe kapedanë të tjerë luftuan me heroizëm, burra e gra së bashku. Fuqia popullore e përcjell këtë me këngë: Mallakastra e sipërme,/ Bashkë venë në batare,/ Vrave goxha Isuf Be,/ Isuf Be o ligësi,/ Ç’e quajte Greshicën ti,/. Kjo betejë ka më shumë se 300 trima të Klosit, Mallakastrës e Labërisë, që fshati i varrosi në një faqe kodre që preheshin në Mallakastër dhe shikonin gjithmonë Labërinë, prndaj dhe kënga nuk rresht: “pse lufton a derëzi, as për mua e as për ti, por për gjithë Shqipëri”. Më 3l.5.1920 u mblodh Kuvendi i Dytë përsëri në Poçem, dhe ishte tejet imediate, pasi duhej çliruar Vlora dhe duhej përsëri gjak për Shqipërinë. Mbi 2500 burra u betuan e lidhën besë për të luftuar kundër fashistëve italianë dhe për të çliruar Vlorën. Luftëtarët në Poçem thurën vargje që na i kujton Shefki Velaj banor i Klosit: “Po ti (Vlorë) mos u tremb moj zonjë,/ Neve tyja s’të lëshojmë,/ Gjakun lum do ta shkojmë.. Nga të gjithë fshatrat e Mallakastërs u mblodhën luftëtarë dhe u nisen drejt Vlorës për çlirimin e saj me thirrjen: “Ta marr vesh jeziti (italianët),/ Se lufton kapedan Musa Hamiti” dhe që drejtoheshin nga Hajredin Cakrani që shtabin Mallakastra e ngriti në Llakatund, ku luftohej fort në frontin e luftimeve në Risili, Bestrovë, Bunavi, Panaja, Trevëllezër etj. Bektash Kareman Cakrani ishte delegat i Mallakastrës në Kongresin e Lushnjës dhe më 31.1.1920 u zgjodh senator, ndërkohë që në luftimet kundër italianë djemtë më të mirë të Mallakastrës shkruan epope gjaku për çlirim. Më 20.7.1920, në kodrinën e Grabianit pranë Llakatundit, u takua me Osman Haxhiun dhe bënë koordinimin e veprimeve luftarake. Fakt historik është se Ali Rrapo Rrapaj mori pjesë në takimin e Cakranit me kryeministrin shqiptar Sulejman Delvina në shkurtin e vitit 1920, ku çeta e Cakranit, e Hekalit, e Klosit dhe mjaft çeta të tjera luftëtare mallakastriote më 1920 shkruan histori trimërie, në këtë luftë ku ndërmjet mbi 180 dëshmorëve janë edhe dëshmorët mallakastriotë që ranë heroikisht në emër të lirisë si: Taip Xh. Klosi, Rexhep Daut Myrtaj, Feçorr Lalari, Qerim Graçani, Sinan Caka, Hysen Dura, dhe u plagosën mjaft të tjerë (kujtojmë këtu se Lufta kombëtare e Vlorës pati më shumë se 400 të plagosur që ndërruan jetë nga plagët nga viti 1920-1926). Poçemi nuk ka rreshtur së mbledhuri për çështjen kombëtare sa herë që kombi ka kërkuar gjak për lirinë.

Banorët e Klosit të flasin edhe për Kuvendin e Tretë të Poçemit, të mbledhur më 8.7.1943 për të përballuar operacionin nazifashist mbi Mallakastër. Fakt është se nga fundi i vitit 1942 e fillim viti 1943 u krijuan Këshillat Nacionalçlirimtar në gjitha fshatrat dhe u formuan çeta partizane. Kjo i tmerroi e tërboi pushtuesit italianë. Mbas dështimit të operacionit fashist të Qershorit 1943, ushtria fashiste nuk ia arriti qëllimit të shkatërronte bazat partizane në Mallakastër. Komanda italiane hartoi një plan të dytë ushtarak për asgjësimin e forcave partizane duke sulmuar Mallakastrën në shumë drejtime, si nga Berati, Fieri, Vlora e Tepelena. Mbi 2000 partizanë u mblodhën në Poçem nga 70 fshatra të Mallakastrës nën drejtimin e Mehmet Shehut dhe të Hysni Kapos. Drejtuesit e luftës në Mallakastër tregon Shefki Velaj dhe më konkretisht Mehmet Shehu iu drejtua pjesëmarrësve: “Si thoni ju, të ngremë flamurin e bardhë dhe fashistët të vijnë në shtëpitë tona, apo ti presim me plumb ballit si e kanë hak. Do ti lëmë të djegin shtëpitë e kasollet tona? Të vrasin e therin kalamajtë tanë. Të marrin nëpër këmbë nderin e familjeve tona që e kemi gjënë më të shtrenjtë. Përse i mbajmë në krahë këto arme? Le të betohemi që do të luftojmë pushtuesit me tërë urrejtjen tonë”. Kështu gjithë pjesëmarrësit në kuvendin e Poçemit ngrihen në këmbë e thirrën një zëri: “Betohemi-vdekje fashizmi-Liri e popullit”, kushtim që u përhap në të gjithë Mallakastrën në çdo fshat e shtëpi, edhe në fshatin Klos. Komanda partizane përpunoi planin konkret të veprimeve luftarake për mbrojtjen e zonës në të gjitha drejtimet e mësymjes së armikut. Ideja ishte: nëpërmjet veprimeve mbrojtëse, të mos lejohej ushtria operuese italiane të hynte në Mallakastër pa u dëmtuar rëndë dhe duke manovruar forcat me shpejtësi, të shmangej shkatërrimi apo dëmtimi i madh i çetave partizane dhe vullnetare. Në rast pamundësie për ta ndalur armikun që të futej thellë në zonën e çliruar, të kryhej tërheqja dhe manovrimi i shkathët i organizuar i çetave, për ta sulmuar e për ta goditur befasisht armikun në krahë e në shpinë. Kur do fillonte operacioni luftarak, popullsia e Klosit dhe e gjithë fshatrave të tjerë do të zhvendosej në male e në pyje që paraqitnin vështirësi për t’u shkelur nga pushtuesit. Masa u morën edhe për zbulimin e planeve, të përbërjes dhe të vendvendosjes së armikut. Komanda partizane bëri ndarjen e forcave sipas drejtimeve të mundshme të mësymjes së trupave fashiste.

Më datën 20.7.1943 filloi mësymja e përgjithshme nga të gjitha anët mbi Mallakastër. Për dhjetë ditë e netë luftoi Mallakastra e rrethuar nga armiku, u dogj e u shkatërrua, u vranë, plagosën dhe sakatuan qindra vetë të pafajshëm. Mallakastra nuk u gjunjëzua e as u dorëzua por luftoi me heroizëm. Mallakastra gjatë LANÇ-it pësoi dëme kolosale, u dogjën shtatëdhjetë fshatra, u dogjën e shkatërruan mbi 8300 shtëpi, mbi 25000 bagëti u dëmtuan e u dogjën, ranë heroikisht 365 dëshmorë, 3 heronj të popullit, u plagosën me qindra të tjerë, por Klosi dhe gjithë Mllakastra nuk u gjunjëzua as nga presioni e torturat, por ruajti të pa prekur nderin e dinjitetin. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare ajo dha kontribut nga më të vlerësuarit në Shqipëri.

Nuk është e rastit që edhe institucione prestigjioze në Mallakastër mbajnë emrat e bijëve të Klosit, këtij fshati me emër të madh dhe me vlera. Kështu spitali i Mallakastrës mban emrin e nderuar “Sherif Klosi”, ku çdo ditë u shërbehet banorëve të qytetit dhe zonave përreth; një shkollë ka emrin e nderuar “Shkolla Ismail Klosi”. Nga ana tjetër për të gjithë kontribuesit në breza ka dhe nderime kolektive pas “Besëlidhjet e Mallakastrës” janë nderuar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, me motivacionin “Për kontributin e shquar të popullit të Mallakastrës dhe krahinave fqinje në organizimin e luftës për liri dhe pavarësi kombëtare, në kushte të vështira, sa herë e ka kërkuar interesi kombëtar. Besëlidhjet e Mallakastrës përgjatë një shekulli janë tre akte të ndritura të vetëdijes, atdhetarizmit, strategjisë popullore, aftësisë organizuese, trimërisë dhe përkushtimit të bijve të Mallakastrës e më gjerë. Ato përcjellin në shekuj mesazhin e madh të atdhedashurisë dhe fuqisë së bashkimit të të gjithë shqiptarëve, pa asnjë dallim në luftën për mbrojtjen e trojeve, sovranitetit dhe dinjitetit tonë kombëtar”. Ky vlerësim është nderim për gjithë Mallakastrën pasi popullata këtu u ka mbijetuar rrebesheve të kohërave vetëm falë trimërisë dhe atdhetarisë, vetëdijes kombëtare, krenarisë dhe për vlerat dhe identitetin tonë shqiptar. Amaneti dhe përgjegjësia e brezave është që sa herë që Atdheu ynë dhe interesat tona kombëtare janë në rrezik bashkimi është zgjidhja. Prandaj me të drejtë klosasit dhe gjithë mallakastriotët thonë se jehona dhe rëndësia e Kuvendeve të Poçemit i kapërcen përmasat tona, pasi janë kuvende kombëtare. Emrat e Rrapo Hekalit, Halim Hamitit e Mehmet Shehut dhe “Besëlidhjet e Poçemit”, u bёjnё nder jo vetёm Mallakastrёs, Vlorёs, Tepelenёs, Myzeqesё, Beratit, Skraparit etj, por tё gjithë Shqipёrisё. Besëlidhjet historike janë fjalë burrash shembuj kuptimplotë të përpjekje për liri mbarëkombëtare të të gjithë shqiptarëve, janë vlera patriotike e sakrifica sublime, që iu kanë dhënë frymë, nder dhe lavdi historisë sonë kombëtare shekujve.

Në vend të mbylljes

Shoqata Atdhetare Kulturore “Mallakastra”, mjaft aktive në aktivitete në Mallakastër dhe Tiranë nderon në mënyrë të përvitshme personalitete të saj dhe miq të Mallakastrës që kanë kontribuar për të. Në një prej  akativteteve të saj ka nderuar me titullin “Krenari e Krahinës” ish-luftëtari antifashist Haziz Dule, ish-drejtuesi i bujqësisë Shefki Velaj si dhe ish deputeti dhe drejtuesi i industrisë së naftës Engjëll Beshaj”. Kështu dokumentohet në shtypin e shkruar dhe në mjaft portale të vendit ku nderim. Shefki Velaj nuk punoi për lëvdata e dekorime, por vlerësimet e nderimet janë respekt për punën dhe veprimtarinë e shquar, për personalitete të shquar, prandaj edhe Shoqata Atdhetare Kulturore “Mallakastra” me plotë të drejtë e ka vlerësuar zotin Shefki Maliq Velaj me titullin “Krenaria e Mallakastrës” me këtë motivacion: “Për kontributin që ka dhënë si drejtues me autoritet dhe rezultativ gjatë drejtimit të sektorëve ekonomiko bujqësor dhe tregëtar në Mallakastër e më gjerë në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Drejton me patriotizëm si vlerë mallakastriote organizatën e veteranëve të LANÇ-it në njësinë nr.3, ku banon në Tiranë. Tiranë, më 31.10.2025. (Protokolluar me nr.117, datë 31.10.2025). Shefki Velaj është nderuar nga Mallakastra, por për njerëzit me vlera nderimi dhe respektimi i vlerave gjithmonë është i pamjaftueshëm në raport me atë çfarë i kanë dhënë fshatit, krahinës, Mallakastrës dhe shoqërisë shqiptare. Në vijueshmërinë e nderimit dhe respektimit të personaliteteve që i kanë dhënë shumë kësaj krahine lavdiplote, gjykojmë se vlerësimi me titullin: “Qytetar Nderi” për Mallakastrën e Ballshin do të ishte nderim jo për qytetarin Shefki Maliq Velaj por për vlerat e punës dhe përkushtimit ndaj Mallakastrës. Për këtë arsye një grup intelektualësh në Tiranë po përgatisin një propozim për Kryetarin e Bashkisë dhe Këshillin bashkiak të Bashisë së Ballshit për ta nderuar Shefki Velaj, këtë personalitet të veçantë me këtë motivacion: “Për aftësi të rralla organizuese e komunikuese, për rritjen e mirëqenies së fshatrave të zonës së Hekalit, për mbështetjen masive për shtim të konsiderueshëm të prodhimit bujqësor e blektoral, për mbështetje të pakursyer të arsimit, veprimtarive kulturore e shëndetësore, por edhe si model qytetarie i trevës mallakastriote”.

Burimet e studimit: Të dhëna nga arkivi familjart i Shefki Velaj, si dhe të dhëna nga Kujtim Bishaj, Vlash Leka, prof. Bernard Zotaj, prof. Shyqyri Hysi, Prof. Bardhosh Gaçe, Prof. Bashkim Qeli, Irfan Birbilaj, Nexhip Onjea, Trifon Golemi, Brahim Velika, Reshat Kalaçi, Robert Shehu, Pëllumb Muka, Dr. Hekuran Rrapi, Dr. Asllan Zemani, të dhëna nga familjarë të Bilbil Klosi, etj;, Të dhëna nga historikët e fshatrave të zonës së Mallakastrës; Kolonel ® Ylli Duraj, Gazeta Telegraf, 29.3.2024, “Heronjtë nuk vdesin kurrë. Beteja e Margëllicit, cfarë ndodhi më 29 mars 1944”; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Gazeta “Ushtria”: “Prijës i Pavdekshëm i Labërisë”, e premte, 3 nëntor 2023, faqe 12. Periodiku i gazetave Telegraf, Labëria, Ushtria, Revista Mbrojtja, Revista “Policimi dhe Siguria”, Të dhëna marrë nga Mystehak Xhanaj, Veterani i LANÇ-it, “Komisari i Brigadës 12 Sulmuese, Qemal Ismail Klosi”, publikuar më 20 Maj 2014 në gazetën Telegraf; Skënder Muçaj, “Vendbanime të antikitetit të vonë në krahinën e Mallakastrës /Agglomérations de la Basse Antiquité dans le territoire de Mallakastra”, Revista “Iliria”, 1979; Inxhinier Murat Klosin, 8.2.2025, nga dr. Ing. Vladimir Agalliu; Akademia e Shkencave të Shqipërisë (2007). Fjala e mbajtur nga Prof. Asoc. Zaho Golemi në Bashkinë e Mallakastrës për tre kuvendet e Poçemit, më korrik 2018, Historia e popullit shqiptar: vëllimi i tretë. Tiranë: Toena. Faqe 71; Historiku i parë i Brigadës “Rruga luftarake e Brigadës V Sulmuese”, Tiranë; “Naim Frashëri”, 1968, f. 46; Librit “Dëshmorët e Atdheut”, Tiranë, 2012, përgatitur nga Prof.Asoc. Dr.  Zaho Golemi dhe Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj, publikuar në kuadrin e 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes (publikim zyrtar). https://www.gazetatema.net/2017/12/24/fotot-nikaja-apo-astacia-cili-nga-keta-dy-ishte-qyteti-ilir-ne-klos-te-mallakastres; Ilirjan Gjika, Klosi, Nikaja apo Astacia, cili nga këta dy ishte qyteti ilir në Klos”; Një historik të fshatit Klos e ka filluar edhe Bilbil Klosi (25.1.1915-22.11.1978), por që ka ndërruar jetë në moshën 63 vjeçare dhe nuk është finalizuar por që mbetet për tu rishikuar të dhëna prej tij.Gazeta Tema 29 Dhjetor 2017; Qemal Isufaj Mësues i Merituar, gazeta “Telegraf” 4.2.2013, “70-vjetori i Çetës Plakë të Mallakastrës”.

-&-