Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Bardhosh Gaçe, njeriu-institucion!

Dje, në promovimin e librit të Luan Ramës “Shqipëria dhe shqiptarët në tablotë e piktorëve francezë të Shkullit XIX”, nën diellin përshkënditës të Ditës së Verës, u takova me mikun tim të hershëm, qysh nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar, prof. Bardhosh Gaçen. Bardhoshi është një intelektual i fuqishëm, që mund ta cilësonim si një nga korifejtë e opinionit publik mbarëkombëtar, studiues, shkrimtar, eseist dhe humanist i shquar.

Unë e kam quajtur dikur “Njeriu – Institut”, pasi tek ai mbijetojnë fjalët shqipe të Bogdanit dhe të Nolit, të Naimit dhe Ismail Qemalit, të Ali Asllanit, Fatos Arapit e Fatos Mero Rrapajt. Bardhoshi kurrë nuk ka qenë prestigjator i iluzioneve politike.

Gjithçka e ka formuluar qartë, pa metafora romantike dhe pa asnjë dyzim, me shqiptarësi dhe ndërgjegje kombëtare.

Bardhoshi është i kompletuar me dituri dhe pasuri të jashtëzakonshme shpirtërore dhe ka botuar mjaft libra eseistikë, publicistikë, vepra studimore, studime etnokulturore, antropologjike, monografi, antologji, por edhe krijimtari të mirëfilltë në poezi, duke ngritur lart kulturën tonë kombëtare.

Për intelektualë të tillë, të rrallë, ndodh gjithmonë dukuria e mrekullueshme: sa më shumë që japin, aq më shumë fitojnë, egoja e tyre vetiake humbet, sepse ata bëhen alter egoja e popullit të vet.

BIOGRAFIA:

Profesor Bardhosh Gaçe lindi në qytetin e Vlorës më 5 mars 1953. Përfundoi Universitetin e Tiranës, fakultetin e Histori –Filologji, dega gjuhë –letërsi shqipe, më 1977. Bardhosh Gaçe asnjëherë nuk e ndërpreu të mësuarin e vetvetes. Tmerrësisht e tërhoqi etnofolklori, si pasuri e shenjtë e të parëve iliro- shqiptar. Kjo bëri që edhe temën e doktoraturës ta mbronte me “Etnokultura e Labërisë”. Në vitin 1992 fitoi gradën”Doktor i Shkencave Gjuhësore – Letrare Shqiptare”. Titullin ‘Profesor’ e mori në vitin 2009.

Bardhosh Gaçe u nderua me titullin akademik Profesor Emeritus, më 5 mars 2025, në Universitetin Ismail Qemali Vlorë, ku ka qenë pedagog që nga viti 2000 dhe lektoron etnofolklorin, letërsinë fëminore, letërsinë e Vjetër Shqipe, letërsinë arbëreshe, letërsinë e Rilindjes, letërsinë Moderne Shqipe.

Motivacioni i titullit vlerësonte “kontributin e tij të shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar, si pedagog i departamentit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë në Universitetin Ismail Qemali” Vlorë, me një varg botimesh për albanologjinë dhe kulturën shqiptare, ku ka spikatur puna me përkushtim dhe nivel të lartë shkencor.”

BOTIME:

Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1878-1912

Hamza Isai: një jetë në shërbim të Kombit, monografi

Sali Hallkokondi dhe “Historia e Shqipërisë së re”, monografi

Ata që Shpallën Pavarësinë Kombëtare

Rapsodi Xhemil Veli Duka, monografi

Flamuri dhe Ismail Qemali në këngë e rrëfime popullore,

Xha Selimi i Bratajt

Kënga popullore e Selim Hasanit

Lëvizja kombëtare në Vlorë, 1878 – 1912

Gugatin pëllumbat mbi Prishtinë, libër poetik

Osman Haxhiu, monografi

Pse gezohet Keti i vogel, libër poetik

Lumi im s’fle gjume, libër poetik

Referat ne konferenca shkencore ‘Vlora në rrjedhat e kohës’

Ali Asllani në kujtimet dhe studimet letrare

Nga epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë

Naim Frashëri si frymëzim i kulturës kombëtare shqiptare.

Vlora, fjalor enciklopedik

Letërsia bashkëkohore shqiptare-poezia.