Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Zeqir Cama

Zuri gjuhën që t’i mëshonte lopatës

Njerëzia – mizë lisi!
Kush deshi ta qante, e qau,
sa më zuri veshi, e mburrën,
askush nuk e shau.

Dorë më dorë i mëshuam lopatës,
fap e fup pa fjalë;
siç bëri dhe baltaxhiu
që e baltoste në të gjallë!

Veç ndenji si i dhier,
pa e kthyer kokën mbrapa…
Kishte qepur gojën,
por i bëri punë lopata!

Babai

S’e mora vesh sa e deshi gruan, që pati
po syrin ia qepte si shqerr,
vihej gjëndje lufte kur i hipte inati
pesë minutshin e bënte sherrin-sherr.

Pastaj bëhej pulë pa betime dashurie,
(që e kishte të vetme, vija duart në zjarr)!
Kur iku rreth vetes na mblodhi si hije
atë e mbajti afër, si të tij thesar.

Burimi

U tha burimi-gurrë tek zalli,
me damar uji nga Piriu,
sa qe gjallë, siç rron i gjalli,
bënte dritë si sy njeriu.

Dimrat s’ia kursyen zallin,
ia shkarkuan dëngje dëngje,
iu zu fryma rrënjëdalit
thatanik, si plak pa lëngje.

Guralec’ e lëvozhga rrapi,
njësuar me ca peta dylli,
copra balte – copra llaçi,
mbrujtur si samar kërmilli.

Veçse pisk e ka në vapë,
dëng, me kalbësi rrethuar,
ndotur anash qull e jargë,
si korit’ e infektuar.

Në Havana

Marry me, më lutesh, (meri mi) *
tek një dyqan lulesh në Havanë,
në vëndin tim kjo quhet marrëzi,
përgojosesh se ke bërë hatanë.

Ti s’më njeh kush jam, as ku rri,
më sheh si turist me çantë në shpinë,
por unë s’jam ashtu siç mendon ti;
jam një xhepa shpuar, ulërimë.

S’jam as i pikuar si boyfriend,
nuk kam këllqe të të rri hazër,
sado që më josh, më bën në qejf.
se të ka prerë zoti me gërshërë!

Marry me më lutesh (meri mi)
kot të bleva diçka sa për hatër,
në vëndin tim kjo quhet marrëzi,
mos u ardhtë kurrë princi i kaltër!

*”marry me”- martohu me mua

Grushti

Grushti në mjekër,
më mbeti vragë,
tjetri në sy më la të ënjturën mavi,
por zemra çuditërisht s’mori asnjë plagë,
se as unë s’ta përtova siç ma dhe ti.

Ndaj s’e morëm vesh
as ti, as unë,
kush nga ne të dy e fitoi atë sport,
pa mbajtur mëri as inate furtunë,
fshehur nëpër prita si cuba të fortë.

Ndërrove taktikë më re me një bërryl,
më the:“Hip këtu; të shohësh Stamboll.”
s’qe asgjë grushtmjekra as grushti në sy,
nga kjo goditje boksi mëndjehollë?!

Pa shënja fytyre; pa vraga në nofull,
pa damka mavi as të ënjtura në sy,
një grushtim së largu pa lëvizur as dorën,
por shije nokaut-i, më la vetëm ky.

Pashë ca fëmijë

Më gënjeu mendja se fëmijët po hanin,
me një rriskë buke te goja,
fshehtas mos t’i shihja që qanin,
me sytë mavi, si gëzhoja.

Afruan rriskën sa t’i mirrnin erë,
dhe bënë të ngopurin, pa ngopur,
e lanë siç qe për dy vëllezër të tjerë,
të uritur njësoj dhe përlotur.

Kokulur në radhë u qasën një nga një,
çukitën mbi të si një zog,
tek i pashë i lashë, gjallesa pa zë,
në humb’tirën e skamjes si morg.

Ëndrrat e tyre, të thella sa deti,
mbiskamja si buall ua kish pirë,
të kthyer në hiç hiç quhet shteti,
kur s’e ngop as me bukë njerinë!

U zu ngushtë motra

U sëkëlldis e shkreta, s’ka xhus t’më qeras,
s’beson që s’beson që s’e shijoj!
-Më ziej ca kumbulla të egra,- i thashë-
kokërrverdha, si mjalti në hoj.

Mos të mbetet peng, xhusin, nuk e pi,
dua lëng kumbulle jo esenca kimike.
Njësoj si të le time shoqe në shtëpi,
e të lëpij zanatliet e shtëpive publike.

Ta bëj qejfin-qejf, ta shijoj këtë drekë,
qëmto si zonjë shtëpie në koshtë.
Kaurdisëm lëpjeta pak gjizë dhe çyrek
zere se më vure qershitë mbi tortë!