Harallamb Qirko: Pak fjalë për librin poetik “Udhëkryq”
Siç do ta konstatoni nëse do ta lexoni librin kjo parathënie është e ndryshme nga formatet e zakonshme të përdorura për kësi rastesh. E pashë të më të arsyeshme të parashtroj shkurtimisht një biografi jetësore timen, ku do të pasqyrohen edhe premisat që kanë ndikuar në krijimtarinë time. Shpresoj që edhe Ju të më mirëkuptoni për këtë mënyrë paraqitjeje.
Ka arsye të veproj kështu. Kushtet e formimit artistik të çdo individi krijues janë tepër specifike. Ky konstatim i përgjithshëm gjen pasqyrim të plotë edhe në rastin tim.
Domosdoshmërinë e trajtimit të tillë e ndjeva kur rrethi shoqëror e miqësor që lexonin vargjet e mia në fejsbuk më pyesnin të habitur: Ku paske qenë deri tani? Si ndodhi që ke nisur kaq vonë të shkrush vargje? Ata dhe veçanërisht vëllai im Xhorxhi, Jorgo Qirko, janë nxitësit, që me këmbëgulje më kërkonin t’i botoja vargjet e mia ndërkohë që unë shkruaja për pasion dhe për të qetësuar shpirtin e trazuar nga përmbysjet sociale anarkike e të pakuptimta të vitit 1991, që krijuan vështirësi serioze në gjendjen shoqërore të popullit.
Kam lindur në Gjirokastër në 03. 03. 1951 nga prindërit Naqo dhe Eftimia. Ata e kanë prejardhjen e afërt nga Lunxhëria. Babai Naqo Lame Qirka (1914-1958) ishte nga fshati Këllëz, kurse nëna Eftimia Gaqe Bakuli (1925-2018) nga fshati Saraqinishtë, ngjitur me Antigonenë antike. Për të qenë korrekt me historinë dhe si detyrim për të pohuar autoktoninë në këto troje origjina e mesme e familjes sime është përkatësisht:
Qirkajt kanë ardhur në Këllëz nga Hormova e Lunxhërisë (vargmali i Lunxhërisë fillon nga gryka e Këlcyrës deri në grykën e Selckës). Shkaku i shpënguljes brenda krahinës ishte masakra e Ali Pashë Tepelenës mbi banorët e Hormovës rreth viteve 1796-1800.
Familja e gjyshes time Polikseni Çorri, nëna e babait, ishte nga fshati Çorraj pranë Kuçit dhe Fterrës, të ikur para disa brezash, për t’i shpëtuar përndjekjeve turke për mosndryshimin e fesë nga ortodokse në myslimane. U vendosën në fshatin Stegopul të Lunxhërisë, duke e ndryshuar mbiemrin nga Nika në Çorri për nder të fshatit të prejardhjes.
Ka patur një praktikë zakonore në Lunxhëri. Në një periudhë ndoshta midis viteve 1850 e 1900 në familjen Qirkaj nuk pati trashëgimtar djalë, ndaj ajo shtëpi mori një dhëndër brenda. Ai quhej Naqo Biri nga Qestorati. Me vonë thuhet se ky mbiemër u ndërrua në Zografi nga një prej djemve, që u bë piktor dhe pikturonte kisha në Greqi, pra zografiste kisha.
Sipas zakonit dhëndri duhet të mbante mbiemrin e shtëpisë ku pranonte të hynte dhëndër. Vetëm kështu bëhej trashëgimtar i asaj shtëpie e pasurie. Pra mbiemri Biri “humbi” dhe mbeti mbiemri Qirkaj, që me kalimin e kohës u shndërrua në Qirko, për gabime teknike të nëpunësve të gjëndjeve civile. Nga Naqo Qirka(Biri) lindi Lame Qirka, gjyshi im, i cili lindi Naqon e ri, babanë tim.
Babai im Naqo Lame Qirka, lindur në vitin 1914 në Këllëz mori pjesë aktivisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si partizan në batalionin “Misto Mame”. Pas çlirimit nga nazifashizmi u specializua në drejtësi dhe në vitet 1954-58 punoi si Kryetar i Gjykatës në rrethin e Sarandës. Në 15 Dhjetor 1958 në moshën 44 vjeç u nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë, tumor në mushkëri, që nuk u dominua dot as nga mjekësia gjermanolindore ku shkoi për kurim. U operua në Tiranë nga kirurgu sovjetik Ivanov, por mbeti vetëm me një mushkëri, derisa nga një ftohje në krye të detyrës humbi edhe mushkrinë e vetme që kishte. Nëna ime Eftimia mbeti vetëm në moshën 33 vjeç me tre fëmijë. Unë isha 7,5 vjeç, motra Vera Tarifa (Qirko) 5. 5 vjeç dhe vëllai i vogël Xhorxhi 16 muaj. Jetesa u vështirësua shumë.
U transferuam në Gjirokastër për të qenë sa më pranë fisit. Na sistemuan me qera në shtëpinë e Selami Xhaxhiut në lagjen Palorto. Fati na bekoi të ishim nën një strehë me familjen e mrekullueshme të Mane dhe Ismihan Xhaxhiut dhe gjyshe Anesë, që na u gjendën pranë si të ishim fëmijët e tyre. Në portën përballë vetëm 3m larg banonte Halit dhe Hatixhe Kadareja, prindërit e Ismail Kadaresë. E përmend këtë fakt sepse pati ndikim të madh tek unë. Ismaili ishte në Tiranë. Kur u transferuan edhe prindërit u pa se në bodrumet e shtëpisë kishte shumë libra në shqip dhe në gjuhë të tjera.
Nuk e kuptoja pse pati rrëmujë kur u ngarkuan librat, por fëmijët e lagjes morën shumë prej tyre dhe i bënin kausha e aeroplana, që i hidhnin nga buza e “Prroit të Ficos”. Edhe unë mora disa, por ishin rusisht dhe nuk i kuptoja. Mbaj mend njërin që kishte autore Nina Potapova dhe ishte metodë për mësimin e gjuhës ruse. Gjatë tranferimeve tona të mëvonshme humbën… Kjo ka ndodhur rreth viteve 1959-60.
Kështu pra u sistemuam në një lagje proverbiale të Gjirokastrës me shumë bëma e histori ku dominonin “Shtëpia dhe Përroi i Ficos” dhe “Sokaku i të Marrëve”. Emrin e Ismailit e mësova kur u hap fjala se një djalë i lagjes, Ismaili i Halitit, kishte botuar në Tiranë një libër për “Princeshën Argjiro”, që thuhej se kishte qenë princesha e Gjirokastrës. Atëherë na thuhej se nga kjo princeshë kishte marrë emrin qyteti i Gjirokastrës. Më vonë kuptova që kjo ishte një legjendë.
Emri i qytetit në fakt vjen nga Gjin Bua Shpata, sundimtari i tij. Dikur e quanin Gjinokastër. Më vonë dikush, ”s’dihet” pse, i ndryshoi një germë që në të vërtetë tjetërsoi një fakt historik duke e zëvendësuar me një legjendë.
Vajta me të shpejtë tek halla ime Theano Shtaka në lagjen Varosh dhe ju luta të më jepte ndonjë lek për ta blerë. E mbajta vrapin tek libraria e Alizot Emirit, që më tha se libri kishte mbaruar. U mërzita shumë dhe më shpëtuan lotët nga dëshpërimi. Kur më pa në atë gjendje i miri Alizot m’u afrua dhe më pyeti përse e doja me domosdo atë libër. Më sugjeroi një tjetër. Unë e kundërshtova se doja librin e komshiut të lagjes, djalit të xha Halitit.
– Aha. Kështu qenka puna? Ke të drejtë. – më tha. Nxorri nga nënbanaku një libër dhe vazhdoi:
– Po të jap kopjen që kam ruajtur për djalin tim. Të takon se e ke gjiton Ismailin.
Gëzimi im s’kishte kufi. Me vrap te halla dhe nisëm ta lexonim bashkë.
Ja po ndiej si rend me shpatë
Një kalorës nëpër natë
Fushës errësuar
Vallë kush është ai?
Një kalorës kalin
Ç’e nget si veri…
Shpata seç i varet
Gjaku ç’i kullon
Natë e zezë tutje
Nxin porsi një hon… etj.
Dhe ditë pas dite e mësova përmendësh gjithë poemën “Princesha Argjiro”. Mburresha para shoqërisë që kisha librin më të bukur në botë… dhe nisa të ëndërroja… sikur të bëhesha edhe unë si djali i Halitit. Nisa të bashkoja fjalët për të imituar djalin e Halitit, por aha… s’ishte aq e lehtë.
Dhe kështu me dëshirën e ndezur, pak e nga pak, prej klasës së dytë e deri në klasën e gjashtë bëra disa vjersha fëmijërore, që rrallë i ndaja me të tjerët. Në klasën e gjashtë (1963) në shkollën e vjetër “Koto Hoxhi” leximin letrar na e jepte një mësuese shumë e mire. Po ngaqë ajo na mbante afër dhe na përgëzonte sa herë përgjigjeshim mirë mora guximin dhe i tregova një vjershë…
Ajo u entuziazmua, më përgëzoi, më përqafoi dhe më tha: – A ke të tjera?
Unë i kisha shkruar në një bllok, që e kisha bërë vetë me ca kapakë kartoni ambalazhi ngjyrëkafe. Më tha t’ia sillja bllokun, se do t’ia tregonte të shoqit, një poeti shumë të njohur. U gëzova shumë dhe ia solla të nesërmen. Prisja me ankth të më thoshte diçka, por… asgjë. Prit sot e prit nesër, por më kot. Mësuesja, siç u mësua më vonë, po kalonte çaste të vështira në marrëdhëniet familjare. Blloku im nuk dihet ku humbi. Unë që nuk dija asgjë për ç’po ndodhte e mendova këtë heshtje, si një pëgjigje negative që mësueses i vinte keq të ma thoshte. Me dhimbje hoqa dorë nga dëshira për t’u bërë si djali i xha Halitit. Me kalimin e kohës, here pas here, bëja vargje sidomos humoristike e gazmore për raste takimesh ose mbrëmjesh e ceremonish shoqërore, të cilat pasi i lexonim e qeshnim i hidhja pa kujdes…
Në vitin 1969 pasi mbarova me rezultate shumë të mira gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër kërkova të studioja për inxhinieri elektrike në USHT. Më dërguan në fakultetin e Shkencave të Natyrës, dega Fizikë, në Tiranë. Në degët matematikë e fizikë nuk shkonin me qejf kështu që mua, që s’kisha askënd për t’u kujdesur nuk m’u plotësua dëshira.
Megjithatë isha i kënaqur, sepse elektriciteti dhe fizika ishin në një familje shkencore dhe mua më vinte ndoresh për eksperimente me elektricitetin. Kisha bërë edhe nja dy “shpikje”… Fizika studion dukuritë, formulon ligjet, inxhinieria i zbaton ato në praktikë. Pra në raportin teori-praktikë unë do të isha Teoriku…
Pasi mbarova fakultetin në vitin 1973 u emërova mësues i fizikës në shkollën e mesme bujqësore “Ura e Kardhiqit”, e cila më vonë u quajt “Ismail Golemi”. Në këtë shkollë na emëruan njëkohësisht disa nga ne, që kishim qenë edhe shokë në gjimnazin “Asim Zeneli” dhe kishim mbaruar arsimin e lartë, prandaj u krijua një kolektiv shumë i mirë mësuesish.
Në vitin 1978 krijuam familjen me Marika Qirjako Joanidhi, mësuese matematike me origjinë nga Zagoria e Gjirokastrës. Kemi dy fëmijë, Elianën (1978) dhe Julianin (1981). Eliana është informaticiene dhe Genti Xhelilaj doktor pediatër reumatolog na kanë dhuruar dy mbesa bionde e kaçurrelse, Enian dhe Jonën, që na e kanë zbukuruar jetën.
Për gati 9 vjet (1973-1982) shkolla u bë qendra e aktivitetit mësimor, kulturor, artistik e sportiv të krahinës së Kardhiqit. Unë i bija kitarës. E shndërrova një kitarë në akustiko-elektrike dhe krijova orkestrën e shkollës, me të cilën bënim shpesh mbrëmje tematiko-dëfrimi. Nxënësit e “Urës…” kanë vallëzuar me muzikën e bukur popullore shqiptare, por edhe me meloditë instrumentale të muzikës së lehtë shqiptare e të huaj që në vitet 1970-80-të. Shoqëria jonë e ngushtë, që në gjimnaz dëgjonim Hitparejdin italian (Hitparade) çdo ditë të Hënë dhe të Premte në orën 12-45 dhe 13-15. Dëgjonim edhe radio Luksemburgun kryesisht programet muzikore. Iknim me radhë nga ora e gjashtë, duke justifikuar njëri-tjetrin, prandaj ishim të njohur me muzikën italiane etj. Krijuam ansamblin artistik të shkollës dhe nisëm të jepnim shfaqje nëpër fshatrat e zonës. Krijuam ekipin e futbollit i cili pati shumë suksese duke u ndeshur me ekipet e fshatrave, të shkollave etj. Arritëm të fitonim edhe me ekipin e të rinjve të “Luftëtarit”. Unë luaja qendërsulmues dhe bëja njëkohësisht trainimin e ekipit. Dëshira, pasioni dhe angazhimi shumë serioz i nxënësve të emociononin. Ishte krahinë shumë arsimdashëse.
Jepnim mësim edhe në shkollën e natës tri herë në javë, të hënën,të mërkurën dhe të premten. Shumë brigadierë e punonjës të bujqësisë me dëshirën dhe interesin për të përparuar në detyrë ndiqnin shkollën e mesme bujqësore pas pune. Punonim shumë dhe me entuziazëm. Lodheshim shumë, por ndienim gëzim kur shihnim dëshirën e pakufishme të nxënësve për arsim e kulturë dhe megjithëse bënim deri në 30 orë mësimi në javë, nuk na shkonte mendja se duhet të paguheshim më tepër, se ata që në qytet bënin nga 20-22 orë në javë. Niseshim nga Gjirokastra në orën 06 -30 të mëngjesit me “fizarmonikë”, autobuz me rimorkio që prodhoheshin në Shkodër dhe ktheheshim në orën 17-00. Kur kishim shkollë nate, që vazhdonte deri në orë 19-00, dilnim në rrugë për ndonjë makinë rasti. Në atë orë vinte ndonjë makinë ngarkuar me qymyr nga Memaliaj. Mësueset hipnin përpara, ndërsa ne burrat mbi qymyr. Bëheshim helaq dhe kur mbërrinim në shtëpi futeshim drejt e në tualet, për tu larë me kanoçe.
Jo rrallë ndodhte që nuk vinte asnjë makinë dhe flinim në konvikt bashkë me nxënësit. Këto raste mësueset i përdornin për t’i mësuar vajzat si të përsosnin higjienën personale dhe rregullin në konvikt e në dollapat e rrobave. Atëherë shkolla zbatonte të ashtuquajturin trekëndësh revolucionar “mësim; punë prodhuese; edukim fiziko-ushtarak”. Kur shoh sesi punohet sot në shkolla më vjen keq, për braktisjen e procesit të edukimit me ndjenjën e punës dhe të përgatitjes fiziko-ushtarake të nxënësve, duke ia lënë spontaneitetit, ndikimit të rrugës dhe rrjeteve sociale në internet… Për atë përvojë do të doja të flisja më shumë, por s’është vendi në këtë parathënie libri.
Papritur, në nëntor 1982, me urdhër nga lart mua dhe dy shokë të tjerë nga Gjirokastra na transferuan në mënyrë të pakundërshtueshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Pas specializimesh të domosdoshme, nisa një periudhë krejt të ndryshme nga mësuesia prej vitit 1982 deri në korrik 1992 kur me nenin famëkeq 24/1 demokratura berishiste na hodhi në rrugë pa të drejtë ankese. Ndërkohë kisha mbaruar shkëlqyeshëm për 3 vjet me korrespondencë edhe shkollën e lartë për specializim në filozofi e politikë dhe vazhdoja shkollën e lartë të M. P. Brendshme.
Punova në M. P. Brendshme (1982-1984). U transferova në Degën e Punëve të Brendshme Lezhë me detyrën e kryetarit (1984-1991). Nisjen e proceseve të ashtuquajtura demokratike e përjetova në Lezhë. Patëm shumë ngjarje dramatike, por i kaluam pa dëmtime serioze. Në vitin 1991-92 u emërova drejtor i Drejtorisë së Shifrës pranë SHIK-ut me gradën kolonel. Në korrik 1992 më nxorën në lirim siç e spjegova më sipër.
Hoqën nga puna edhe time shoqe Marika Qirko (Joanidhi) mësuese matematike, e cila nuk ishte as anëtare e PPSh. por ishte vajzë partizani. Nisi një kalvar i gjatë persekutimesh, vështirësish e problemesh ekonomike. Ne të dy, gjirokastritë, me dy fëmijë në moshë të vogël, mbetëm në Lezhë. Vetëm në vitin 1996 mundëm të ktheheshim në Tiranë. Për 18 vjet rresht nuk munda të punoj as si mësues e as në administratën shtetërore, sepse si drejtuesit demokratikas edhe ata socialistë shfaqnin alergji për strukturat e mbrojtjes e të sigurisë së sistemit të kaluar, për tu dukur para euroatlantikëve si vizionarë e properëndimorë. Tani po i shohin rezultatet katastrofike të politikave të tyre dritëshkurtra e antikombëtare… Ç’të zgjatem më për bëmat e gjëmat e “Demokraturës shqiptare” gjoja të djathtë apo të majtë, por në fakt të korruptuar deri në qelizë… Notat e protestës në vargjet e mia janë produkt i mospajtimit me korrupsionin sistemik, që pushtoi politikën dhe shtetin shqiptar.
Lexuesit të vëmendshëm sigurisht do t’i lindi pyetja: “Pse autori përdor tre emra Harallamb, Llambi, Lame”?! Duke qenë se përbën jo vetëm kuriozitet, por edhe elementë të zakoneve tradicionale po e shpjegoj sa më shkurt pse ka ndodhur kjo dukuri.
Në Lunxhëri emrin Harallamb, hare plus llampa, ose gëzim dhe dritë e shkurtonin në Lame. Të gjithë më thërrisnin Lame në emrin e gjyshit tim. Unë vetëm kur shkova në klasën e parë e mësova këtë. Kur mësuesja në apel lexoi emrin Harallamb askush nuk po përgjigjej. Kur përmendi mbiemrin Qirko i habitur u ngrita në këmbë… Atje mësova se në dokumentin e lindjes unë isha regjistruar me emrin Harallamb, emri i gjyshit.
Kur u emërova kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Lezhës natyrisht më prezantuan me emrin që kisha në gjendjen civile. Lezhjanët duke mos e njohur faktin e shkurtimit të emrit në Lunxhëri nga Harallamb në Lame menduan me të drejtë, se mund të më quanin shkurt Llambi. Dhe kështu unë u pagëzova rastësisht me tre emra, Harallamb për ligjin, Llambi për Lezhën dhe Lame për Gjirokastrën.
Kjo gjendje krijon deri diku vështirësi identifikimi për ata që më njohin pak, por mua më ndihmon, për të dalluar në çdo rast të kuptoj shpejt se nga është bashkëbiseduesi, nga Veriu apo nga Jug.
Kur nisi përdorimi i rrjeteve sociale unë për transparencë përdora në llogarinë time në fejsbuk (facebook) emrin Llambi për lezhjanët, por duke vendosur fotografinë reale me të cilën mund të më identifikonin gjirokastritët. Në vitin 2010 pas një odiseje sfilitëse në punë të ndryshme, në moshën 59 vjeç arrita të punësohesha në administratën shtetërore në Inspektoriatin Qendror Teknik (IQT) deri në vitin 2016 kur dola në pension me vetëm 25 vjet vjetërsi.
E zgjata përshkrimin e kësaj periudhe të jetës, sepse këto vështirësi të panëmurta mendoj se ndikuan në riaktivizimin e pasionit të fëmijërisë së hershme për poezinë, si një mundësi më shumë krahas leximit dhe kitarës për një farë relaksimi shpirtëror e plotësimi i kërkesave intelektuale. Fati e deshi, që kjo kohë të koinçidonte me zbulime të mëdha teknologjike, si interneti,rrjetet sociale etj., që mundësuan bërjen realitet të shprehjes së mendimit relativisht të lirë e të papenguar nga pushtetet.
Duke qenë i familjarizuar me shkencën e teknologjinë për shkak të profesionit i përdora menjëherë këto mundësi teknologjike dhe krijimtaria për çudi nisi të buronte, si një lumë që sapo është çliruar nga digat e druajtjes vetiake dhe padrejtësive sociale…dhe të pasqyrohej në faqen time Llambi Qirko në fejsbuk.
Ndoshta janë mbi 500-600 poezi e mijra vargje të postuara ose jo, që kanë pasqyruar jo vetëm ndjesitë personale, por edhe kanë ndjekur pothuajse hap pas hapi ngjarjet politike e sociale të Shqipërisë tonë të dashur e më gjerë në këtë tranzicion traumatik.
Në strukturë do të jenë minimumi 3 deri 4 libra me titull të njëjtë “UDHËKRYQ”. Ky është “UDHËKRYQ ; LIBRI 1”. Pastaj do botohen me rradhë “UDHËKRYQ ; LIBRI 2” etj…
Në këtë libër janë pëfshirë mbi 100 poezi të gjinive të ndryshme, që përfshijnë një gamë të gjerë aspektesh të jetës njerëzore.
Ndoshta në Librin 2, nëse ndonjë “dikush” dashamirës kompetent do të krijojë bindjen se ia vlen, mund të ndalet më gjerësisht në evidentimin e vlerave artistike, gjuhës së figurshme, pasurisë së fjalorit, llojshmërisë së ritmikës dhe strukturës së vargut e rimës, larminë e tematikës, gjerësinë e hapësirave të interesit, fabulat brenda poezive që janë të pranishme jo rrallë, përdorimin e shpeshtë me gjuhë të kuptueshme të nocioneve filozofike në e midis rreshtave dhe ndjeshmërinë e lartë njerëzore në kundërshtim të hapur me padrejtësitë shoqërore. Dua të theksoj që në këto vëllime poetike do të kenë një vend të posaçëm ndjenja e atdhedashurisë, vlerësimi pa kufi për familjen, Lunxhërinë e Gjirokastrën vendin e prejardhjes si dhe erotika e përmbajtur.
Duke ju kërkuar falje për kohën që do t’iu marrin këto rreshta ju uroj shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja. Do të ndiehesha i dobishëm nëse ndonjë varg, strofë a vjershë do t’iu pëlqejë ose do të mundë të ngacmojë sadopak ndjeshmëritë njerëzore te Ju lexues të dashur.
Tiranë, Janar 2026.