Albspirit

Media/News/Publishing

“PYLL GËSHTENJASH TË KRIMBURA”, roman nga Viktor Canosinaj

Irena Dono

Kur lexojmë një roman realist, shpesh habitemi me realitetin e krijuar nga shkrimtari dhe i bëjmë pyetjen vetes deri ku shkon e vërteta dhe në ç’masë realiteti i jetës gjen shtratin e vet në trillimin artistik. Kjo më ndodhi edhe mua teksa mbarova së lexuari romanin “Pyll gështenjash të krimbura” të Viktor Canosinajt. Për më tej, tek e lexoja më kapërthyen mendime dhe ndjenja të çuditshme, shpesh të trishtuara, herë të përjetuara, herë jo, gjëra të harruara që rrjedha e jetës i kalon me shpejtësi ose i hedh në një qoshe, gjëra të hedhura pas shpine, por që i lidh nyje ideja se historia përsëritet, se elemente të së kaluarës, karaktere me të mirat dhe të këqijat e tyre gëlojnë në jetën e sotme ashtu si edhe në të djeshmen dhe asgjë nuk mund të shihet e shkëputur, por si rrjedhojë e kësaj apo asaj dukurie apo etape. Por që të formësohet një vepër e tillë dihet se shkrimtari duhet ta njohë mirë jetën dhe të ketë përvojën e duhur artistike, çka mund të thuhet me plot gojën për Viktor Canosinajn, i cili ka një prodhimtari letrare të admirueshme dhe sjell risi në çdo vepër që sjell.

Ky libër, siç pohon shkrimtari, u kushtohet mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, specialistëve të bujqësisë që kaluan rininë në zonat më të thella të vendit dhe nuk u shpërblyen kurrë as moralisht, as financiarisht. Që këtu lexuesi e përfytyron në vija të përgjithshme fabulën, por a e ka gjetur shkrimtari çelësin për të ndërtuar një mjedis të gjallë, me ngjarje dhe personazhe tipike për kohën dhe çka të veçantë në këtë vepër?

Qysh në faqen e parë gjejmë shprehjen: “Siç thoshte një shkrimtar, bibliotekat janë depo dinamiti, farmaci helmesh dhe ishuj sirenash. Fli e mallkimit të fjalëve të shkruara me dorë mbi pllaka balte apo papiruse, të shtypura në letër me shkronja të radhitura plumbi, bëhen jo vetëm autorët e librave, por edhe lexuesit e tyre”. A është kjo një profeci për atë që do të vijë më pas, apo thjesht një lehtësi për autorin për të shtruar tapetin para këmbëve të lexuesit? Aty shfaqet heroi i romanit, Enea, me dilemat e veta për jetën, me naivitetin e moshës, por edhe me dëshirën dhe talentin për t’u bërë shkrimtar dhe për të shkelur në një fushë të minuar. Sepse, siç e këshillon një burrë i ditur me thinja: “Nuk mund të ketë letërsi jashtë ideologjisë dhe politikës”. Jemi në ato vite kur ishin hedhur themelet e një shoqërie të re, socialiste dhe shumë gjëra ishin ende të panjohura. Ishte koha kur shumë libra kishin filluar të zhdukeshin, sepse quheshin të rrezikshëm. Familja Tavanxhi, pjesë e së cilës është Enea, detyrohet të dorëzojë librarinë që kishte në pronësi, sepse do të shtetëzohej dhe të fshehë libra të tërë. Historia e familjes Tavanxhi është ajo e shumë familjeve shqiptare, pjesëtarë të të cilave kishin studiuar jashtë shtetit dhe ishin kthyer në atdhe, pa e ditur seç i priste. Në rrokullimën e ngjarjeve të njëpasnjëshme, në qendër të së cilës është familja e Eneas dhe ai vetë, lexuesi njihet me personazhe të shumta, të portretizuar bukur, me shkathtësi e zhdërvjelltësi, që e bëjnë lexuesin t’i ndjekë hap pas hapi për të mësuar për dramën dhe fatin e tyre. Pa treguar hollësi që mund t’ia pakësonin kureshtjen lexuesit, do të thosha se çdo gjë ecën sipas logjikës dhe mendësisë së kohës. Enea dënohet për pikëpamjet që ka dhe provon burgun, kurse i vëllai, Priami servil, me një karakter të gjymtuar, paradoksalisht bëhet zyrtar i lartë.

Jeta e Eneas pas vitit 90 është po aq e vështirë. “Nuk jemi tragjikë, por komikë, sepse jemi pa fat”. Këto ishin fjalët e një shkrimtari hebre, që Enea ia thoshte shokut të tij të burgut, Trebit. Atij i dukej sikur njerëzit në rrugë i largoheshin dhe qeshnin me të. Kurse Trebi thoshte: “Liria qenka më e neveritshme se burgu. E kujt i duhet kjo liri e damkosur? Njerëzit u çmendkan më lehtë në liri se në diktaturë. Me sa duket çmendja duhet të jetë pjesë e lirisë njerëzore”.

Enean e caktojnë mësues në një fshat të humbur, ku nuk kishte as kushtet më minimale për të jetuar. Dhe aty ai provon sërish vuajtje, por edhe çaste gëzimi kur përmend marrëdhëniet e mira dhe punën që bën me nxënësit e talentuar, të cilët e duan shkollën, megjithë sakrificat e panumërta që u duhet të bëjnë.

Me penën e tij të mprehtë shkrimtari i bën një radiografi kohës së djeshme, jep copëza të historisë sonë nën diktaturë, përshkruan agjentët e sigurimit, dacibaot kineze, varfërinë e njerëzve, përshkruan ngjarje dhe personazhe aq sa i lejon hapësira e romanit. Dhe pastaj rrëfen se si njerëz të rekrutuar dikur nga sigurimi, hoqën kostumet e teritalit e veshën pardesytë e bardha dhe papritur u konvertuan në demokratë duke tundur flamurin e demokracisë. Dhe këtë tragji-komedi populli e vuan edhe sot.

Titulli ashtu si edhe tërë përmbajtja shprehin një simbolikë të veçantë: Kjo demokraci e çalë që ka fituar terren në Shqipëri pas një periudhe të gjatë totalitare është si Pylli i Gështenjave të Krimbura, fati i së cilës vështirë të parashikohet. Fundi është pesimist. Heroi detyrohet të largohet nga Shqipëria, ta braktisë fshatin ku ka punuar si mësues dhe të shkojë të punojë si punëtor në një fshat në Itali.

Gjuha dhe stili i shkrimtarit Canosinaj është diçka që duhet të analizohet më thellë, por unë po them vetëm pak fjalë: Gjuha e tij me fjali zakonisht të shkurtra është e mëvetësishme dhe e paimitueshme si në pjesën narrative, në përshkrimin e bukur dhe të detajuar të mjedisit, ashtu edhe në karakterizimin dhe dialogjet e personazheve. Ja si e përshkruan ai një personazh episodik, i cili jeton i mënjanuar në një shtëpi fshati, i braktisur nga të tjerët. “Një burrë m’u afrua gati pa u ndier. Ishte në fill të këmishës. Binte një erë të përzier djerse dhe bari. Kishte një shtat mbi mesataren, por të ngjeshur ku muskujt dalloheshin edhe nën këmishë, qafë të trashë me damarë të fryrë, nofulla prej demi; duar të mëdha tërë kallo dhe vraga, një fytyrë që një zot e dinte kur kishte qeshur për herë të fundit. Çuditërisht sytë e tij ishin të butë si një fushë me grurë që pret të korret”.

Autori ka aftësinë për të hyrë thellë në psikologjinë e personazheve, të cilët ndërveprojnë në fabulën e romanit dhe për t’i zhvilluar në përputhje me dinamikën e ngjarjeve dhe rrethanave jetësore.

Takimet mes të rinjve, skenat e dashurisë dhe natyrës përshkruhen aq bukur dhe natyrshëm, rrjedh një fllad lirizmi dhe ndjenje të përkorë, sa nuk të bëhet ta lëshosh romanin nga dora.

Natyrisht mund të shkruhet edhe më shumë për këtë roman, por mendoj se kam thënë gjërat më kryesore, që e bëjnë atë tërheqës për lexuesin.