Artan Shabani, piktori i ngjyrave që vuan dramën e Çamërisë
Arben Iliazi
Ishte 17 marsi i vitit 2004 kur piktori Artan Shabani, me një emocion të papërshkrueshëm, do të takonte Papa Gjon Palin e Dytë dhe do dialogonte me Shenjtërinë e tij, teksa i dhuronte pikturën që kish realizuar për Nënë Terezën. Më kujtohet mirë kjo ngjarje, që pati jehonë në shtypin italian dhe në atë shqiptar. Lajmi u botua edhe në gazetën ku unë punoja. Dje u takova rastësisht me Artanin, pas shumë e shumë vitesh. Ai buzëqeshi me qetësi dhe m’u duk si një pelegrin në orët pa fund të meditimit; spontan dhe i pavarur, por me vështrimin nga fantazmagoria e kësaj bote. Folëm për ekspozitën e Luan Ramës me piktorët francezë të shekullit XIX, për folkloristin e famshëm Fatos Mero Rrapaj, që ende nuk ka një shtatore në Vlorë, për gjeneral Enriko Telinin, të cilit komunistët ia hoqën bustin afër parlamentit, realizuar nga skulptori Odhise Paskali dhe e shkrinë në fonderi. Çuditërisht, atë bust, asnjë nga pushtetarët e pas viteve ’90-të, nuk u kujtua ta rivendoste atje ku ishte, tha Artani. Pastaj gjithë biseda jonë u zhvillua në heshtje… dhe unë po përpiqem ta zbardh në këto pak rreshta.
***
Piktori dhe kuratori Artan Shabani pati fatin të lindë në Vlorë, në një qytet me traditë të njohur në pikturë, si në të gjitha artet e tjera. Por ai, duke e rrokur brenda tij këtë kujtesë, nuk u bë “dorëzanë” i atyre traditave, por e hodhi vështrimin përtej Adriatikut, duke selitur brenda vetes një art pa rregulla, pa simetri, pa limite, duke e parë botën e larme me një lente tjetër, për të krijuar identitetin e tij në pikturë, përmes një evoluimi të natyrshëm.
Shabani ka punuar për shumë vite në pjesën veriore të Italisë, si në Torino, Venecia, por edhe jashtë këtij territori, në Nju Jork, Londër apo Gjenevë. Karrierën e ka ndërtuar në bazë të punës dhe çdo ditë mëson, me mendje të hapur dhe me thjeshtësi, duke iu qasur një epoke të re të historisë njerëzore.
Kredoja e tij e artit përmblidhet në dy fjali: “Arti karakteristik është i vetmi art i vërtetë. Duhet të hysh në vetvete e jo të dalësh nga vetja”.
Ka pasur fatin e madh të vlerësohet dhe çmohet nga një numër i madh koleksionistësh, profesionistësh dhe dashamirësish të artit, të cilët kanë besuar tek arti i tij dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë.
Pikturat e tij janë blerë nga koleksionistë të njohur e disa të tjera janë në shtëpitë e njerëzve të famshëm.
Teknika e pikturës së Shabanit udhëhiqet nga principe impresioniste të kontrasteve të njëkohësishme dhe dallohet efektivisht për penelata të dendura, ku në variacionet e tonaliteteve thelbësore përkthehet një reaksion ndjenjash dhe force emocionale. Në veprat e këtij autori vërehet një shpërthim vital ngjyrash, (blu, të kuqe, të verdha), të shtrira me lëvizje të fuqishme me një zhvillim të brendshëm, në harmoni dhe në thellësi imagjinate, që shpërfaq në mënyrë tërheqëse ndjenjat dhe idetë, duke na sjellë pamje nga përditshmëria, impresionizmi, abstraksioni, erotizmi, peizazhi etj.
Jo më kot, kritika italiane e ka cilësuar “Një piktor me ndjenjën e ngjyrës”.
Mekanizmi i ngjyrave që përdor Shabani është kompleks nga ana semiotike, me një kontrast të tipit kromatik, duke marrë përsipër të transmetojë në mënyrë të drejtpërdrejtë mesazhin. Për shembull mund të hamendësojmë që kundërvënia ngjyra të lehta/ ngjyra të forta i përgjigjet në planin e përmbajtjes kundërvënies përmasë ultra kokësore/ përmasë tokësore, e kështu me radhë. Ndërlidhjet simbolike dhe gjysmësimbolike tek punët e tij janë të panumërta.
Në korpusin piktorik të Artan Shabanit kategoria topologjike lart/poshtë i përgjigjet në mënyrë mjaft pjellore hapësirës së të shenjtës.
Tablotë e tij paraqesin një solidaritet mes planit kromatik dhe planit eidetik, duke aktivizuar tek ai që e kundron, një pritje më tepër estetike, sa sa referenciale. Edhe në nivel të formanteve eidetikë, në të vërtetë gjejmë vlera semantike analoge me ato që përçohen nga formantet kromatike.
Në shumë raste Shabani ka përdorur edhe monokromatinë, e mbajtur zakonisht me të bardhë, me sfumatura graduale të grisë deri në të zezë, referime dhe trajta të qarta dhe mjaft thelbësore të karakterit te shqiptarit.
***
Në historinë e artit shqiptar, Artan Shabani është ndër të rrallët piktorë i cili, me kaq kurajo, ka mundur të rrokë në vetvete njeriun e sprovave estetike.
Metafora në pikturat e Shabanit është tensioni mes strukturës semantike të gjuhës së artit dhe tablove të realitetit. Dhe është detaji, i cili arrin kompozimin e formës me ngjyrën. Shabani nuk mohon se çdo proces shenjimi në pikturën e tij ndodh brenda një universi kulturor të kuptimit të zakonshëm, në tërësinë e vet, e konotuar si realitet i jetuar.
Bukuria e pikturave të tij është jo vetëm në funksion të asaj që përfaqëson, por të vetë përfaqësimit, sipas terminologjisë semiotike, të pronësive të planit të shprehjes piktorike. Në pikturën e Shabanit mund të lexohen edhe historitë dhe ndjenjat e personazheve, metaforat e tëheqjeve apo lajkave në gjendjet nderëse (tensiva) dhe forike (të provokuara) nga imazhi mbi kundruesin, por mund të lexohet edhe magjia e një pëlhure dhe gjysmëngjyre. Pikturat shprehin në një mënyrë të vetën subjektivitetin dhe ndërsubjektivitetin, pasi nuk kanë një sistem përemëror dhe deikse hapësinoro-kohor, por ato mund të shprehin po aq mirë marrëdhëniet e thënies përmes marrëdhënieve të caktuara hapësinore. Për shembull perspektiva bën që të përkojë pozicioni i syrit të piktorit me atë të cilitdo që e sheh veprën më pas. Edhe loja e vështrimeve është një mënyrë për të riaktivizuar marrëdhënien unë – ti mes piktorit dhe kundruesit. Për shembull në pikturat historike, që Shabani i ka punuar me shumë pasion, ngjarja historike është paraqitur me shumë “objektivitet”, si të zhvillohej në këtë moment, por brenda këtyre pikturave është gjithnjë një personazh që sheh përtej skenës, për nga kundruesi i pikturës, dhe ka funksion të përfaqësojë subjektin e receptimit. Ai është “dëshmitari” i ngjarjes dhe, si i tillë, duket sikur i thotë kundruesit real: “Shihe, shihe mirë atë që nuk do të mund ta shohësh më”.
Vihet re një kiazëm i çuditshëm në reflektimet e këtij autori, që evokon përvojën shqisore mbi botën, në një trampolinë drejt kuptimeve të dyta, që frymëzohen edhe nga identiteti dhe mitologjia shqiptare.
Artisti, ashtu si të gjithë njerëzit, është “rob” i prejardhjes së tij. Deri në skutat më të fshehat të botës së tij të brendshme, ai është i brujtur nga mitet, nga historia që trashëgon, nga gjuha që flet, nga shoqëria që e ka lindur. Tradita ka prioritet ndaj mendimit dhe ndjenjës. Artan Shabani i përket trashëgimisë së tij historike, etnokulturore, para se t’i përkasë vetvetes. Edhe artisti Shabani nuk mund ta shkëputë jetën shpirtërore nga bashkësia ku ai ka rrënjët, nuk mund ta shkëpusë veten nga konteksti i vet, të dalë nga sfera kombëtare, të mendojë e të krijojë pa dëshmuar, aty për aty, tërësinë nga e cila ka lindur. Në koleksionin e tij mund të gjesh edhe qilimë të pikturuar, nga koha e gjyshes së tij çame, që i ruan në shtëpi.
Në shumë biseda publike Artan Shabani i referohet vendlindjes së të parëve të tij, Çamërisë, vuan dramën e saj dhe predikon frymën për të dalë mbi çdo kufi shoqëror dhe historik për “këtë kauzë kombëtare” që, sipas tij, “mbahet në hije nga agjendat diplomatike dhe politika e jashtme diletanteske”.
–
BIOGRAFIA:
Artan Shabani lindi në Vlorë në 27 Qershor 1969. Studioi violinçelin dhe me pas, në moshën 11 vjeç, ju përkushtua pikturës. Mori diplomën e parë kur ishte 18 vjet në Shkollën e Arteve në Vlorë. Në fillim të viteve ’90 shkon në Itali e më vonë në Francë dhe Spanjë, ku punoi në projekte të ndryshme me muzeume, galeri, koleksione dhe bienale dhe u bë i njohur dhe bashkëpunon me galeri të ndryshme si në Torino, Monte Carlo, Nice, Hollandë, Atibe , ndërsa pikturat e tij bëjnë pjesë në koleksione private në Itali, Francë, Spanjë , Amerikë, Kanada, Japoni dhe Australi, etj.
Disa gazeta dhe kritikë të artit shkruanin se pikturat e tij ndodheshin në duart e koleksionistëve private, si në Itali, Francë, Spanjë, USA, Kanada, Japoni, Australi etj. Shabani është piktori i parë shqiptar, që ka hapur më shumë se 110 ekspozita në shumë vende të botës, si në në Itali, në Francë, Gjermani, në Principatën e Monakos, Në Spanjë, Rumani, Stamboll etj.,
Moment i shënuar ishte rasti kur prezantoi një ekspozitë personale në Këshillin e Europës, Strasburg.
Në vitin 2002 çeli një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, të titulluar “Ngjyrat e Mesdheut”, ku solli mbi 53 punime, kryesisht mbi gjininë e peizazhit. Është i njohur cikli i pikturave ” Homo Balkanicus”, si dhe cikli muzikaliteti në pikturë.
Një nga punët më të mira nga cikli « Mediterraneo » gjendet në koleksionin permanent te Pohjanman Muzeumit ne Finlandë. Nga cikli “muzikaliteti në pikturë, një punë shumë e spikatur gjendet në koleksionin privat te familjes Aimer Mecenates.
Artan Shabani fitoi çmimin e parë të arteve në festivalin e gjashtë të “Contemporary Painting” in San Remo (IM), Itali, dhe gjithashtu nje çmim tjetër, “International Art Exhibition in Roquebrune”, në Francë. Artan Shabani është themelues i “The Promenade Gallery” (2007) një galeri e artit bashkëkohor. Kjo galeri prezanton emra të njohur si Anri Sala, Pipilotti Rist, Rosa Barba, Fikret Atay, Lucie Fontaine, etj. Gjithashtu në vitin 2009 ka qenë kurator i pavionit të Shqipërisë dhe Kosovës, në Bienalen e Pragës. Artan Shabani në vitin 2013 emerohet drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
Piktura E A. Shabanit në galerinë Roma, të Sirakuzës
Kritiku sirakuzian, Korado Di Pietro thotë: “Aftësia për të përdorur me menccuri efikasitetin e materies nuk vjen asnjëherë e mangët në punët e piktorit Shabani, i cili jo rastësisht, arrin që të shprehë në mënyrën më brilante kompozimet e arrira, ku gjurma e mishëruar e ngjyrave ekuilibrohet me madhështinë e vlerave vizuale”.