Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Kosova në udhëkryq historik

Në këto kohëra të turbullta, bota po shkon drejt luftrave që njerëzimi nuk i ka parë më herët. Fuqitë e mëdha kanë filluar të përplasen, aleancat po lëkunden, dhe secili duket se po kërkon t’ia nxjerrë sytë tjetrit. Në këtë realitet të zymtë, e në këto rrethana, Kosova nuk mund të mbyllë sytë para një agresioni të mundshëm serb. Pyetja milionëshe është se sa është e përgatitur Kosova për t’u përballur me një agresion të mundshëm serb?!

Fatkeqësisht, përgjigjja është e hidhur. Aktualisht, klasa politike është verbuar, e veçanërisht pozita, e cila ka sjellë shtetin në prag të kolapsit, dhe krijohet ideja se agjendat janë përgatitur me kohë për ta çuar shtetin drejt vetëshkatërrimit. Të luash “kuka mshefti” kur bota po digjet, është papërgjegjësi e madhe historike.

Kosova ka qenë e robëruar për shekuj të tërë: 500 vjet nën Perandorinë Osmane dhe mbi 100 vjet nën pushtimin serb. Lufta e fundshekullit të XX ishte vetëm kapitulli i fundit i kësaj historie të gjatë shtypjeje, ku rezultoi me mijëra viktima dhe të zhdukur, qindra mijëra të zhvendosur. Ndërhyrja e NATO‑s ishte vendimtare për të ndalur agresionin serb, duke i hapur rrugën çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës. Shpallja e pavarësisë më 2008 ishte një moment i madh, por jo i lehtë, i shoqëruar me kundërshtime të ashpra nga Serbia dhe me sfida të brendshme për ngritjen e institucioneve shtetërore.

Krizat e përsëritura institucionale të njëpasnjëshme pas pavarësisë treguan se politika kosovare shpesh luante lojëra të fshehta, duke e lënë shtetin të pambrojtur. Sot, çfarëdo shfaqje e dobësisë që mund të tregojmë si shtet është një “ftesë” për një agresion të mundshëm serb, kur dihet se Serbia nuk ka hequr dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste.

Retorika e Vuçiqit, e mbështetur nga aleatë të fuqishëm si Rusia, është një paralajmërim i qartë. Në këto situata të tendosura, politikëbërësit duhet ta kuptojnë se çdo lëkundje e institucioneve tona është rrezik ekzistencial për qenien tonë. Si mund ta shpëtojmë Republikën?!Përgjigjja nuk mund të vijë vetëm nga politikanët.

Qytetarët e Kosovës, pa dallim ngjyrash politike, duhet të ndërgjegjësohen dhe ta vlerësojnë saktë situatën e krijuar, pasi ne vetë jemi bashkëfajtorë të kësaj gjendjeje duke zgjedhur elitat që kanë në dorë fatin tonë. Në këto vorbulla ne duhet të reagojmë; na duhet mobilizim qytetar dhe unitet kombëtar. Vetëm kështu mund të mbrohet shteti dhe të shmanget kolapsi, pasi Republika e Kosovës është në një udhëkryq historik shumë të vështirë. Nëse lejojmë që loja e “kuka msheft” të vazhdojë, rrezikojmë të humbim gjithçka, por nëse reagojmë me kohë, mund ta shpëtojmë shteitin dhe ta vendosim në rrugën e stabilitetit dhe të sigurisë. Integrimi euroatlantik nuk është zgjedhje politike e një partie apo e një lideri, është domosdoshmëri e mbijetesës sonë.

Lufta e ’99‑ës, ndërhyrja e NATO‑s, shpallja e pavarësisë më 2008 dhe mbështetja e SHBA‑së e BE‑së treguan se pa Perëndimin Kosova nuk ka garanci sigurie. Politikanët e papërgjegjshëm mund të luajnë lojëra të fshehta, por e ardhmja e Kosovës është e lidhur me integrimin euroatlantik, sepse vetëm ai na siguron mbrojtje dhe stabilitet.