Niko Mihali: Me Paskalin… për Paskalin
Kujtime dhe sugjerime
Për Skulptorin e Popullit Odise Paskali kam dëgjuar herët dhe e kam parë së pari në majin e vitit 1964 në Përmet, kur përuruan monumentin e “Partizanit çlirimtar” në 20-vjetorin e Kongresit të Përmetit, Më vonë ai e pasuroi iventarin e veprave të artit në këtë qytet, që ishte dhe mbeti “Itaka e tij” me bustet e tre vëllezërve Frashëri, me kompozimin “Shokët” në vorrezat e dëshmorëve të qytetit si dhe të disa busteve të tij të vendosura sa nëpër muzeume apo shkollën e mesme të qytetit. Shtëpia e Kulturës së qytetit që mbante emrin e Naim Frashërit, mundi ta sigurojë portretin e Naimit të derdhur në beton aty nga vitit 1978 dhe u vendos në shëtitoren kryesore të Përmetit, ku është edhe sot. Edhe pse ky bust nuk është i derdhur në bronx por në beton, prapë qendron bukur dhe para këtij obelisku zhvillohen herë pas here dhjetra veprimtari tematike apo mëngjese letrare nga të rinjtë e shkollave dhe Naimi i derdhur kaq bukur, shumë më i bukur se ato buste të tij që ndodhen në Tiranë, përcjell më shumë dashuri për miqtë, turistët e bashkëvendasit e tij të bekuar .
Në mars të vitit 1981, ku përvjetori i ditës së çeljes së shkollës së parë shqipe në Përmet, koinçidonte me ditelindjen e poetit Nonda Bulka, u vendos nga pushteti lokal që shkollës 8-vjecare që mbante emrin “7 Marsi“, t’i vendosej emri i Nondës. U hartua një program pune ku veç të tjerash në mjediset e kësaj shkolle të vendosej edhe portreti i Nonda Bulkës. Meqënëse në ato vite punoja në Komitetin Ekzekutiv të k. p. Rrethit për problemet e kulturës,më duhet ta ndiqja këtë punë dhe aty nga fundi i tetorit të vitit1980, mora rrugën për në Tiranë, ku veç punëve të tjera do porositja edhe këtë bust. Dera ku duhet të trokisja ishte ajo e Odisesë, pasi ai kishte kontribute konkrete dhe ishte i papërtuar për pasurimin e qytetit të tij, me vepra arti të këtyre figurave unikale. E dija që studion e kish diku afër Televizionit Shqiptar dhe herët në mëngjes po e kërkoja më saktësisht. Arrita e gjeta por ai kishte dalë dhe më thanë se duhet të vijë së shpejti se ka dalë për një kafe me vajzën e tij. Atehere u ula në një kafe përballë Radio-Televizionit, sot kafe “Sophia” dhe po prisja kur ai te kalonte dhe ta takoja në studio. Nuk kaloi shumë dhe ai i shoqëruar nga Floriana, vajza e tij që punonte në RTSH, e kishte kapur për krahu dhe po e shoqëronte për në studio. Nuk prita gjatë, por u dhashë tek studjoja e tij, ku e gjeta atje mes busteve e portreteve që kishte derdhur apo punuar dhe i prezantohem si bashkëqytetar i tij dhe porosinë që kisha. Ndjeva se sikur u bë më entuziast kur i thashë që vij nga Përmeti dhe filloi të më pyesë për të njohurit e tij jo vetëm për ata që ishin në pushtet, por edhe për miqësinë e tij të cilët unë i njihja mirë. Pastaj më mori lart në dhomën e tij që kish si zyrë dhe më dha disa albume me punët e tij, të cilët i kishte përgatitur për një ekspozitë që kishte hapur në Prishtinë ato ditë dhe kishte ngelur i kënaqur e plot impresione. Për porosinë që i thashë për Nondën vetëm më pyeti se ku do vendoset, përmasat e perafërta të vendit dhe kur duhej. I them se do e deshëm ta kishim gati nga mezi i shkurtit të vitit tjetër dhe ne se i duhej ndonjë foto e Nondës, mund t’ia dërgoja me postë ose t’i jepja nja dy foto që sapo ikisha marrë nga arkivi i Kinostudios “Shqipëria e re “, por që nuk qenë shumë të pastra. Ai më pa me vëmendje e më tha: “Nuk kam nevojë fare për foto, Nondën e kam pasur shok e mik të fëminisë, jemi rritur bashkë, portretin e tij e kam shumë të qartë dhe e kam para syve dhe do e bëj shumë orgjinal që do ju pëlqejë”! Duke lëvizur nëpër studion e mbushur plot më mbetën në sy disa buste të veçantë si ai i Skënderbeut dhe ai i Ataturkut i punuar në një merrmer të zi, por që ishte i veçantë. E kam porosi nga Ambasada e Turqisë këtu në Tiranë, më tha, dhe do vijnë ta marrin këto ditë.
U ndamë për t’u takuar përsëri kur të merrnim Nondën dhe sapo do kaloja derën më foli në emër e më thotë të interesohesha pak atje në Shtëpinë e Kulturës,se nuk ma kanë dërguar akoma atë pagesën e bustit të Naimit në beton. U ndjeva keq se nuk isha në dijeni për këtë problem, por e sigurova se kjo punë do kryhej sa më shpejt. Ai e kishte merak të madh këtë punën e komisioneve që vlerësonin veprat e artit, por unë meqenëse e kryesoja vetë atë komision, u interesova dhe ia dërgova porosinë telegrafisht, për të cilën ai kur u takuam përsëri më falenderoi posaçërisht. Kur u organizua ceremonia për Nonda Bulkën, mbaj mend se ai erdhi që në mëngjes herët dhe ishte së bashku me profesorin dhe akademikun Aleks Buda. Erdhi për të nderuar mikun dhe kushëririn e tij, por u largua shpejt dhe nuk na u dha mundësia të flisnim pak më gjatë. Kur u ndamë i thashë se nuk do vonoj, do vij në Tiranë e do shikohemi dhe sigurisht do kishte kaluar në komisionin e vlerësimit portreti i Nondës, për të cilën më thosh se kur ta bëni, m’i nis telegrafisht.
Kishin kaluar dy-tre vjet nga ato ditë, mbase aty nga fundi I vitit 1983, një paradite më thërret në zyrë Sekretari I Parë i Komitetit të Partisë së rrethit, një funksionar që nuk ishte nga Përmeti dhe nuk e di në se e njihte apo jo Odisenë . Kur hyj në zyrën e tij, shikoj që në një kolltuk përballë me të ishte edhe Odiseja. U ndodha pak si i befasuar se përse ndodhej Odiseja në këtë zyrë, kishte ndonjë problem që lidhje me mua apo me sektorin që unë mbuloja, por heshtjen e theu Sekretari i Parë, Q. B. dhe më tha se meqënëse njihesh me Paskalin dhe puna juaj ka lidhje me këto që po bisedojmë, dua që edhe ju t’i dëgjoni e pastaj shiko se ç’mund të bëhet. Po vinte 40-vjetori i Çlirimit të Shqipërisë viti 1984 dhe Odiseja për këtë vit jubilar kishte menduar të bënte disa punë të reja për vendlindjen e tij, për Përmetin dhe po i thoshte sekretarit disa mendime të cilat më shumë se çdo gjë tjetër kërkonin mbështetjen e tij.
– Dua të ndërtoj një obelisk në fushën e Kuqarit, atje tek Rapi i Kuqarit, ku ështe edhe një bunker lufte. Në Kuqar mbahet mend se është organizuar përpjekja e parë e forcave partizane me forcat e ushtrisë italiane në mes të korrikut 1943 me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL që ishte formuar në Labinot të Elbasanit më 10 korrik 1943. Aty është një lapidar, që përjetësonte këtë luftë, por i vogël dhe nuk e justifikon këtë betejë të madhe të luftës sonë, ndaj mendoj që në atë kodrinën e vogël përmbi atë lapidarin ekzistues dhe përmbi rrepe, të ndërtohet një shesh i vogël me disa shkallë dhe prapë një sheshore ku të vendoset ky grup skulpturor për fitoren e UNÇL në këtë përpjekje me armikun që do vijonte më pas në Grykën e Mezhgoranit. Atëhere sekretari mbase s’e kishte shumë të qartë si reliev por e pranonte si veprim, prandaj thirri edhe nje arkitekt nga Zyra e Urbanistikës që sa më kujtohet ishte Ibrahim Emiri, e na tha që të shkonim së bashku ta shikonim atë vend. Paskali ndërkohë i thotë: të jetë një shesh pushimi aty pranë rrugës nën hijen e rrepeve, ku të qëndrojnë autobuzët, të këtë ujë, ndonjë kafe e vogël e diçka më lart të jetë ky obelisk. Ai na vuri në dispozicion makinën e tij me shofer Demirin, por para se të niseshim po i thoshte edhe për dy vepra të tjera që dëshironte të ishin pjesë e qytetit. Aty tek këndi i lojrave me dorë, meqënëse Përmeti është bërë shumë i njohur në basketboll dua të kompozoj një portret të një basketbollisteje, një portret pak të lartë që të ketë pamje nga disa anë dhe të jetë si shenjë optimizmi për sportin përmetar dhe del portret shumë i bukur, ndërsa në parkun e qytetit, matanë urës në krah të djathtë të hyrjes të vendoset një bust i Dora d’Istrës ose princeshës Elena Gjika, që njerëzit kur ta shohin të sjellin ndër mend vargjet e Naimit: “ Dora d’Istria nga Përmeti, ishte në dituri si deti…”!
Odise Paskali, nga vetë emri që kish, ishte një sinonim i Odisesë së Homerit, i cili edhe pse shkoi në shumë luftra e beteja, mendjen e kishte tek Itaka e tij, edhe ai me këtë emër simbiozë nuk e kishte një rastësi, që ia vunë ditën që lindi, por ai që këmbënguli dhe i vuri këtë emër kishte parasysh heroin e luftës së Trojës, atdhedashurinë e tij, të cilën Odiseja më shumë se askush e më mirë se askush e tregoi për qytetin e tij. Ai vërtet u largua i ri nga Përmeti në moshën 15-16 vjeçare, pak ditë pasi përcolli për në vorreza Kaliopin, nënën e tij dhe me një mendje të dyzuar u nis për në Itali, për të vijuar shkollën, por atë rrugë e lau me lot sa për nënën që e la të vetëm atje në vorreza, por edhe për qytetin që e donte shumë dhe nuk ishte ngopur me të.
Ne shkuam në Kuqar, tek rrapi ku ishte dhe lapidari, dhe ai na spjegoi më mirë neve se si e kishte menduar zgjidhjen, andaj bisedonte me arkitektin më shumë. Ai erdhi i shprehu këto mendime por Sekretari i Parë ato vite u transferua në vend tjetër dhe askush nuk u mor me këto punë e këto plane të cilat duhet të planifikoheshin në kuadrin e 40-vjetorit të Clirimit, duheshin siguruar fonde etj etj dhe u harruan shpejt. Dhe ndodhi kjo se pas dy vjetësh dhe pikërisht më datën 13 shtator që kujtohet si dita e çlirimit të qytetit nga pushtuesit italianë, edhe vetë Odiseja u largua nga kjo jetë. U ndjeva keq atë ditë kur erdhi lajmi i vdekjes së tij, dhe bëra të pamundurën që të siguroja një makinë të vogël. I autorizuar nga Kryetari i Komitetit Ekzekutiv shkova në Tiranë për të qenë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të tij që organizohej në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve në rrugën e Kavajës. E ndjeja shpirtërisht mungesën e tij, sigurova një tufë të mirë me lule nga qyteti i tij për atë ceremoni, ndaj arrita në kohë dhe e përcollëm gjer në banesën e fundit në Sharrë, ku munda të takoj e ngushëlloj djalin e tij Thanasin, me të cilin u njoha më mirë në vitet që pasuan, Por nuk mungoi në vitet që pasuan dhe njohja, takimet, bisedat dhe bashkëpunimi edhe me Florianën, vajzën me të cilën ai krenohej dhe e donte shumë.
Direkt nga Shara, u nisa për në Përmet dhe gati gjithë rrugës mendoja e më vriste ndërgjegja e thosha: – Si nuk u ndodh një burrë shteti apo një shtetar aktual në Përmet apo në Tiranë që atë ditë të kish dalë e të kish thënë: Dale, ç’po bëhët kështu!? Trupi dhe kurmi i Odisa Paskalit duhet të jetë dhe të vendoset këtu pranë obeliskut të “Partizanit çlirimtar” në Përmet! Dhe kjo nuk do ishte rastësi pasi ai, Odise Paskali që me veprën e tij u kish dhënë emrin dhjetra shesheve të qyteteve tona në Shqipëri, si në Tiranë, në Vlorë, në Korçë, në Kukës, në Kalabri e Romë e Aushvic e Budapest etj, të mos e kishte këtë privilegj e meritë në qytetin e lindjes, në qytetin ku kishte më shumë vepra se askush tjetër. Ishte fat për Përmetin që në hapësirën e shekullit të XX nxori nga gjiri i tij një artist me famë botërore, një nga skulptorët më të mëdhenj të shekullit, një artist që bashkë me veprat e tij artistike do të ishin një imazh sa për qytetin e qytetarët e tij por edhe për më të rinjtë në breza që të kishin cdo ditë para syve modele kaq inspiruese. Dhe e them këtë jo kështu rastësisht, porse e di mjaft mirë që ai, Odiseja, e kishte një projekt, një vepër arti për një varr monumental aty në krah të Partizanit, në lulishten e qytetit, ku të lartësohej edhe busti i tij. E në krah të tij të vinin të tjerët sikundër u vendos vitin që kaloi usta Laveri ,Tefta Tashko e me rradhë.. Dhe këtë projekt nuk e kish mbajtur në letër, por e kishte bërë të njohur në rrethe të ngushta, mbase edhe për këtë gjë mund të jetë ndodhur ato ditë vjeshte të vitit 1983 në zyrën e njeriut më të pushtetshëm të qytetit, kur mbase e parandjente se po i soseshin ditët kur shkruante:
një nga një bien,
si gjethet në vjeshtën e vonë,
miqtë e vjetër.
Ndahen një nga një shokët e viteve të rinisë…
dhe në fakt dy vjet më vonë ai u largua nga kjo jetë, por projekti i tij në maket, me atë varrin monumental ekziston dhe ka mbi 20 vjet u është treguar kryebashkiakëve të qytetit për të bërë diçka të tillë, por askush nuk e ka marrë përsipër e nuk prononcohet, edhe pse ai është e mbetet ndër artistët më të mëdhenj të kombit, me një prodhimtari shumë të pasur e shumë përfaqësuese, është e mbetet Qytetari i nderit të Përmetit që e meriton më shumë se askush këtë emër.
U mundova e hodha këto shënime për Odisenë disa ditë fund dhjetori, kur shënohet edhe ditëlindja e tij. Por kur është kjo datë?!
***
Një vit pas vdekjes së Odisesë, në vitin 1986, doli nga shtypi libri i tij “Gjurmë jete” i përcjellë me një parathënie nga Dritëro Agolli. Kur doli ky libër bisedoja me një nga shokët e mij për këtë libër të cilin po e quanim një vlerë sa për Odisenë por edhe për qytetin tonë me ato përshkrimet interesante të fillim shekullit të XX, me shkollat, udhëtimet, punët e para, vizatimet e para, jeta në fshatrat e Dangëllisë, djegjen e Frashërit etj, etj., dhe nga fundi ai shoku e miku im më tha: Sa mirë ka bërë. Ka thënë ato çka duhej të thosh e t’i dinin të tjerët se do kalojnë vite dhe mund të ngatërohen gjërat…!
Sa të drejtë paskësh patur ai shoku im kur më tha këto fjalë.
Hap faqen e parë të librit, fjala e parë në të është 30 dhjetor 1903, datë kjo e cila ai tregon e shkruan se kjo është data e lindjes së tij në qytetin e Përmetit. Mirëpo këto vitet e fundit në shumë shkrime gazetash , fragmente librash, në rrjete sociale më shumë, në ditë përkujtimore etj shënohet e thuhet se ai ka lindur në datën 20 dhjetor në fshatin Kozhak ( !! ?? )[1] Kjo gënjeshtër ofrohet rëndom në shtypin e shkruar, në median online, në rrjetet sociale,bile më shumë në Google dhe në Wikipedia, etj sa të bën të mendosh se këta të tjerët e dinë më mirë se:
– E para, fshat me emrin Kozhan as ka patur e as ka në këtë rreth por ata që e kanë vendosur këtë emër o nuk kanë haber fare se ku bije Përmeti, ose i kanë lexuar keq shënimet e tij! Por edhe ata që janë nga Përmeti dhe e publikojnë këtë emër fshati janë fare të pa informuar dhe mashtrohen nga një fakt kur thuhet në libër, në krye të faqes 10: Im atë punoi si sekretar në rezhiet turke të duhanit në qytetet Dishkalë dhe Kozhan të Maqedonisë, ku pati me vete edhe familjen e tij me gruan, dy vajzat dhe Odisenë… [2] Këtij mashtrimi nuk i ka shpëtuar as autori Sh. Saliu, që në librin e tij për figura të njohura të këtij qyteti, vendos këtë informacion![3]
Po nuk është vetëm kjo. Po të lexoni me kujdes librin, që në kopertinë ai e ka emrin Odise Paskali, emër që ia vunë që ditët e para të lindjes pas një diskutimi të vogël të rrethit familjar dhe ku kishte nga ata njerëz të afërt të tij që kishin studjuar në shkolla greke dhe e njihnin mirë historinë e luftrave të Trojës. Më pas aty nga faqja 24 e librit do gjeni këto rreshta: Atë vit bëmë ekspeditën e argonautëve, Iliadën dhe Odisenë. Veçanërisht më interesoi kjo e fundit. Jo për gjë tjetër, aq sa për emrin e heroit, emër që e kisha edhe unë. Isha i vetmi në shkollë e në Përmet me këtë emër… më bënin të besoj se diçka kisha trashëguar nga ai paraardhës i largët që mësuesi na e paraqiste si shumë mjeshtër dhe të aftë për gjithëçka. Në shpirtin tim kurdoherë heroin e Itakës e kam imagjinuar një paraardhës dhe me kalimin e viteve, më shumë e kam ndjerë veten një uliksid në ankth për të panjohurën.[4] Por të vjen keq që emri i tij në të shumtën e rasteve po në këto media e rrjete sociale dhe sidomos në internet në Google, apo edhe në të folur përdoret rëndom jo Odise por Odhise, një emër që nuk të thotë asgjë dhe nuk ka asnjë lidhje me Odisenë e Itakës, pasi ai Odise Paskali e donte qytetin e tij tamam si Odiseja i Homerit, donte Itakën. Ja më thuaj ti lexues që ke jetuar apo jeton në Përmet e kur numuron artistët e qytetit në fushën e pikturës apo skulpturës dhe që faktikisht janë disa dhe ka disa që i kanë shpallur edhe qytetarë nderi, cfar kontributi kanë dhënë për qytetin!? Sa vepra kanë të ekspozuar, të dhuruar apo të porositur në mjediset muzeale, shkollore, kulturore të Përmetit?! Pothuajse asnjë! Ndërsa dora e artë e Odisesë ka disa: Në Frashër janë “Tre Vëllezërit” në bronx, në muzeun e qytetit “Tre vëllezërit” në format tjetër, por në allçi, “Sami Frashëri” në shkollën e mesme, “Nonda Bulkën” në shkollën 9-vjeçare, “Partizani çlirimtar” në qendër të qytetit, para të cilit shtrihet një shesh i madh e i bukur, më tutje në shëtitore ke bustin e “Naim Frashërit” në beton, tjetër format edhe ky, në spitalin e qytetit ke portretin e doktor “Refat Frashëri”. Po në studion e tij ka patur në format të vogël portretin e dëshmores leusiote “Fanjo Ciçako” dhe të tre deshmorëve që ishin kushurinjtë e tij: H. Papa, G. Vinjau dhe F. Adhami, si dhe në Vorrezat e dëshmorëve kompozimi “Shokët”. Arkitekti Ibrahim Emiri që ka punuar së bashku me Odisenë në montimin e kësaj vepre në Përmet më thotë se “edhe pse i derdhur në çimento të bardhë dhe ka më shumë se 50 vjet,ende po i reziston kohës dhe erozionit, por do ishte në nderin e Bashkisë që ky kompozim të derdhej në bronx që të mbetej i pavdekshëm”! Tani këtyre veprave në vitet e fundit të jetës donte t’u shtonte edhe portretin e Basketbollistes, bustin e Dora D’Istrias dhe grupin skulpturor të Rapi i Kuqarit, por që nuk i realizoi dot, pasi vdekja i erdhi pak si shpejt dhe e papritur.
Për gjithë këtë kontribut gjer në fillim të viteve 90 të shekullit të kaluar, në Përmet nuk kishte asnjë emër institucioni, shkolle, sheshi apo rruge me emrin e tij, bile kur filloi të ndryshonte sistemi, në vitet 1990-1991, kur u krijua një organ me emrin Këshill pluralist i Rrethit, një nga punët e para që bëri solli një vinç me ruspë në mes të qytetit dhe filloi të prishte monumentin e “Partizanit clirimtar“, i hoqi stemën e Republikës që kishte në krye obelisku, pasi në mes të stemës ishte një simbol, ylli partizan, e kjo punë do të vijonte edhe me shkatërimin e podiumit, shkronjave që kishte ky lapidar etj, por pati një presion të madh nga qindra qytetarë që u ndodhën në shesh e protestuan e nuk vijoj më tutje kjo kasapanë. Ky ishte një krim nga njerëz të paditur, të sëmurë nga politika që nuk donin të dinin se çdo art ka kohën e vendin e tij. Në shumë qytete të botës demokratike ka vepra arti të shekujve të kaluar me profile e bindje nga më të ndryshmet ,të shumë epokave me personalitete të deformuara kulturore e politike etj etj, por pushtetarët nuk i kanë hequr, ndërsa në qytetin tonë kaq paqësor e vatër artistësh iu lëshuan me vinça duke risjellë në skenë Bazarovin dhe bazarovizmin. Nuk po e zgjat me këtë figurë pasi ata që kanë mbaruar shkollën e lartë para viteve ‘90 e kanë gjetur këtë figurë në librin e Materializmit historik dhe sigurisht duhet ta dinë se Bazarovi ishte ai që kur fitoi revolucioni i Tetorit në Rusi, kërkoi e luftoi të zhdukej çdo gjë e së kaluarës që e kish ndërtuar populli i atij vendi, por nuk e lanë. I njëjti skenar përsëritej pas 70 vjetësh edhe në Shqipëri, ku u bënë çudira!
E keqja më e madhe qëndron se këtë emërr të këtij artisti të madh nuk e gjen të emërtuar në asnjë institucion arsimor, kulturor, urban as në Tiranë, pa lëre në qytetet e tjera. Në se mund të kërkosh në Google, të shfaqet vetëm një shkollë e mesme arti në qytetin e Pejës- Kosovë, sikur nuk ka shkolla të tilla artistike Tirana e disa qytete të tjera të Shqipërisë! Emri i O Paskalit i bën nder edhe Universitetit të Arteve apo Galerisë Kombëtare të Arteve që janë në qendër të Tiranës dhe ku Odiseja ka qënë sa drejtor, por edhe kontribues me vepra të ndryshme. Nuk dihet se për kë i ruajnë “burrat e fortë të shtetit shqiptar” që i kanë lënë ende pa emra këto institucione qendrore që nga Universiteti, Galeria e Arteve Figurative e më tej. Odise Paskali me mendjen e me duart e tij ka krijuar vepra arti model që qëndrojnë shumë krenare në sheshet e qyteteve tona ku kanë marrë edhe emrin e tyre si sheshi “Skenderbej” në Tiranë, “Sheshi i Flamurit” në Vlorë, sheshi i “Luftëtarit kombëtar” në Korçë, “Sheshi i Cerçizit” në Gjirokastër, ndërsa në qytetin e tij të lindjes nuk ka asnjë obelisk apo pllakë ku kanë qënë shtëpitë e tij e ku ka lindur, asnjë portret apo emër të vendosurt sipas meritës e profesionit.
Në ato ditë të vitit 1991 kur po ndryshohej sistemi shoqëror, një grup intelektualësh të këtij qyteti i bëmë një kërkesë me shkrim mbledhjes së këshillit pluralist që po bënte ndryshimet e disa emrave partiakë komunistë, që sheshit të qytetit të Përmetit t’i vendosej emri i O. Paskalit në kujtim edhe të veprës së tij që e kishin përballë çdo ditë e orë kur kalonin në këtë shesh. Por jo, u çanë e u ndanë ata që kishin bërë projektin, ndërhynë gjer tek kryetari i PS që kishte shumicën në këshillin pluralist dhe tek deputeti i zonës që sheshit të mos i vendosej ky emër, por ai i Abdyl Frashërit, si njeri me më shumë kontribute madhore edhe pse 300 metro më tutje ishte Divizioni Ushtarak i jugut që mbante emrin e tij, të A. Frashërit, dhe mes repartit ushtarak dhe sheshit ishte edhe busti i N. Frashërit. Ky ishte një paradoks se kur një emër përjetësohet në një vend nuk ka pse përsëritet më tej por si duket organizatorët e projektit ,viktima të religjionit , gjykonin të bindur se sheshi duhej të kishte patjetër emrin e një myslymani dhe jo të një ortodoksi, andaj luftuan me pasion e me inat gjer në fund sa e realizuan këtë gjë, edhe pse hiqeshin si miq të Odisesë dhe ai u kish besuar shumë gjëra e u kish bërë shumë ndere sa ishte gjallë. E megjithatë në shumë shkrime gazetash apo rrjete sociale kur vjen fjala për përjetësimin e emrit të O. Paskalit, shënojnë atë të një shkolle arti në Pejë, të një sheshi në Prizren etj si dhe thonë e shkruajnë se sheshi i qytetit Përmet, mban emrin “O Paskali” [5]. Duket janë me të drejtën e tyre dhe gjykojnë tamam se ai e meriton këtë nder , por gabohen se ky emër i është vendosur shëtitores nga Sheshi e gjer tek godina e Qendrës Kulturore Multifunksionale ose diçka më tutje, një shëtitore jo më shumë se150-200 metro e gjatë. A mund të bëhet ky koregjim sot pa krijuar probleme?! Edhe mundet, aq më tepër që Odiseja këta Frashërllinjtë e pushkës e të penës i ka përjetësuar më mirë se askush jo vetëm në Përmet, por edhe në Tiranë që nga lulishtja përballë Piramidës e gjer tek kodrat e Liqenit ku qëndrojnë përjetësisht të “Tre vëllezërit Frashëri”së bashku të derdhur në bronx ….
Ai, O. Paskali ka mbi 4 dekada që është larguar nga kjo jetë por veprat e tij madhore vijojnë të shkëlqejnë e të ndriçojnë nga ato vende, sheshe, rezidenca, institucione, lulishte dhe emrin e tij nuk e harrojnë, megjithatë le të jemi pak më të kujdesshëm e më të saktë sa për emrin, vendlindjen dhe emërtimin e veprave të tij.
[1] Dash Art muri i FB 07.07.2024; A Zholi : Gazeta Telegraf 13.09.2021, Sh Saliu
[2] O Paskali Gjurmw jete, Shtwpia Botuese 8 Nwntori 1986, faqe 10
[3] She3fqet Saliu Gazeta Iliaria USA datw 13.09.2021
[4] Po aty faqe 24 dhe 25
[5] – A Zholi, gazeta “Telegraf “datw 13 shtator 2021
– A Vataj Usalbanian 14 shtator 2024, Kult Plus.com 30 mars 2020 etj
– Obszerver kult datw 04.10.2025
– SH Saliu gazeta Iliria Usa dt 13.09.2021