Mallin e të parëve që malësorët e Rrjollit e mbronin dikur me gjak nga serbo-malazezët, sot ua merr shteti shqiptar me dhunë
Frank Shkreli
Hesht qeveria, hesht opozita, hesht drejtësia, heshtin mediat kryesore, heshtë pothuaj e mbarë shoqëria shqiptare, sikur nuk po ndodhë asgjë: E kam fjalën për një tragjedi që po zhvillohet për më shumë se një muaj në Rrjoll të bregdetit të Shkodrës, ku po pasqyrohet qartë, mungesa e moralit dhe drejtësisë juridike dhe vullnetit të mirë politik ndaj banorëve të asaj zone, të cilët tani e konsiderojnë veten si të huaj në tokat e tyre shekullore. Tokën që brezat e banorëve të kësaj zone e kanë mbrojtur dikur nga pretendimet grabitqare të Malit Zi, sot po e kërcënon një pushtet, që duhej të ishte mbrojtësi i tyre. Kjo tragjedi po luhet, pra, sot në Rrjoll, në bregdetin afër Shkodrës.
Dikush mund të thotë pse habiteni? Kjo nuk është asgjë e re në historinë e vjetër dhe të re të asaj zone të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Dje ishte Thethi e raste të tjera deri në jug të Shqipërisë, sot e ka radhën, Rrjolli. Ky fenomen, ose kjo sëmundje e vjetër në jetën shqiptare, që në historinë e Kombit, kulmoi me shtetëzimin barbar të tokave dhe të pasurive të tjera, pasqyrohet edhe sot në Rrjoll: e që është paaftësia dhe mungesa e vullnetit politik të shtetit shqiptar për të mbrojtur të drejtën e qytetarëve shqiptarë dhe prirjeve të shtetit për t’u kthyer në zot mbi pronën, që nuk i përket, siç do të thonte Faik Konica. Në të kaluarën, kjo sëmundje për të grabitur tokat e shqiptarëve ,grabitje që dikur kishte fytyrën e perandorive dhe të pushtuesve sllavë, turq e grekë, të trojeve shqiptare, sot – siç po tregon edhe tragjedia e Rrjollit – në historinë moderne të Shqipërisë shpesh po merr fytyrën e vetë shtetit shqiptar.
Po të ishte gjallë sot Faik Konica ndoshta do të na thoshte, me ironinë e tij therëse, se Shqipëria është vendi ku shteti shpesh sillet si pronari më i madh i pasurisë natyrore që nuk e ka krijuar vetë. Dhe po të shkruante sot për atë që po ndodh në Rrjoll, me siguri do të gjente edhe ndonjë shembull tjetër të këtij paradoksi shqiptar. Sepse historia e këtij vendi është e mbushur me një çudi të madhe: trojet dhe toka që nuk i nënshtroi kurrë i huaji gjatë shekujve, sot shpesh përfundon në mëshirën e pushtetit vendas, për t’i përdorur si të dojë vetë, pa marrë parasysh të drejtat e qytetarëve të vet.
Ore, banorët malësorë të Rrjollit nuk janë një komunitet që u shfaq rastësisht mbi atë tokë. Ata nuk kanë pikë prej qiellit, por janë pjesë e një historie të gjatë që lidhet me mbijetesën dhe qëndresën shekullore kundër pushtuesve të huaj fqinj, jo vetëm në bregdetin e Shkodrës, por edhe në mbarë Shqipërinë e Veriut dhe më gjërë. Në kohë kur pretendimet e Malit të Zi mbi trojet shekullore shqiptare ishin të pranishme, këta njerëz nuk e braktisën kurrë tokën e stërgjyshërve të tyre. Ata, luftuan për ta, mbrojtur nga të huajt, e punuan dhe i ruajtën trojet e veta.
Se në historinë e Kombit shqiptar nuk ka munguar kurrë heroizmi i njerëzve të thjeshtë. Por ajo që shpesh ka munguar është drejtësia e institucioneve të shtetit shqiptar, sot dhe në të kaluarën. Banorët e Rrjollit nuk janë pronarë të rastësishëm të një toke që u ra në dorë nga qielli. Por ata janë trashëgimtarë të një historie, që është shkruar me punë, qëndresë dhe sakrifica të mëdha. Në kohë kur kufijtë e Shqipërisë ishin të pasigurt dhe kur lakmitë e fqinjëve shtriheshin me synimet e tyre djallëzore mbi ato troje, këta malësorë nuk u tërhoqën. Ata vazhduan të jetonin aty, në tokën e të parëve të tyre. Sot, ironia e historisë është e pamëshirshme: ajo tokë që nuk u mor dot nga presioni i jashtëm i pushtuesve serbo-malazez e të tjerë, sot po rrezikon t’u merret malësorëve vendas nga arbitrariteti i brendshëm i pa drejtë i shtetit shqiptarë.
Kjo nuk është vetëm një çështje juridike. Është një çështje politike dhe morale.
Sepse shteti që nuk njeh vijën e kuqe midis interesit publik dhe të drejtës së qytetarit, rrezikon të bjerë në një formë të re despotizmi – ndoshta jo si, ose më të vrazhdë se në kohën e diktaturës komuniste, por në një mënyrë më të djallëzuar, të rafinuar dhe të fshehur duke e mbrojtur në heshtje këtë dramë të rrezikshme që po zhvillohet në Rrjoll në emër të zhvillimit dhe në mbrojtje të planeve strategjike të shtetit shqiptar. Nëse zhvillimi kërkon që qytetari të zhveshet nga prona e tij, atëherë kemi të bëjmë me një zhvillim që i ngjan më shumë grabitjes sesa përparimit. Historia e Shqipërisë është e mbushur me paradokse të tilla. Prandaj mos u habitni nga qëndresa e forte e malësorëve të Rrjollit, në mbrojtje të mallit dhe shtëpive të tyre, por edhe të dinjitetit njerëzor dhe vlerave të tyre tradicionale. Sepse, historikisht, ky popull i atyre anëve, i cili shpesherë gjatë historisë është detyruar të luftonte me armë në dorë, për të mbrojtur trojet e veta nga të huajtë grabitqarë, për fat të keq të tyre dhe të vendit, sot banorët e Rrjollit, janë të detyruar edhe njëherë ta mbrojnë trollin e tyre shekullor kësaj here, jo nga pushtuesit e huaj grabitqarë, por nga shteti i vet. Sepse në fund të fundit, pyetja është e thjeshtë dhe e rëndë, njëkohësisht: nëse malësorët – qytetarë shqiptarë – e kanë mbrojtur tokën e tyre ndër shekuj, nga të huajt, a duhet ta mbrojnë sot edhe nga shteti i tyre? Nëse përgjigjja është po, atëherë problemi nuk është vetëm tek Rrjolli. Problemi është tek vetë mënyra se si shteti shqiptar e kupton sot marrëdhënien e tij me qytetarin. Dhe kjo është një çështje shumë më e madhe, si për qeverinë aktuale ashtu edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi, se një konflikt për tokën është një çështje e moralit të shtetit dhe përgjegjësive të tij ndaj qytetarëve të vet.
Në këtë këndvështrim, Profesor Arshi Pipa, e shihte shpesh tragjedinë shqiptare jo vetëm në gabimet e historisë, por edhe në dobësinë morale dhe politike të institucioneve të shtetit. Sipas tij, kur shteti humbet ndjenjën e drejtësisë ndaj qytetarëve të vet, ai rrezikon të shndërrohet në një mekanizëm pushteti që justifikon çdo vendim ose mos-vendim në heshtje, me gjuhën e justifikimit, gjoja të “interesit publik”. Në emër të zhvillimit të turizmit!? Por pa një proces të drejtë, pa konsultim dhe shpesh pa respekt për të drejtat bazë të qyetarëve, as për historinë e pronës private tradicionale ndër shqiptarët. Banorët e Rrjollit dikur mbrojtën tokën e tyre nga të huajt. Sot ata kërkojnë vetëm një gjë: që shteti i tyre të mos sillet si i huaj ndaj tyre, por të zbatojë përgjegjësitë e veta ndaj të drejtës së tyre. Sepse nëqoftëse shteti nuk bëhet mbrojtësi i të drejtës së qytetarëve, ai rrezikon të bëhet vetëm administrues i përdorimit të forcës e dhunës, siç po ndodh aktualisht në Rrjollë dhe në zona të tjera të vendit.
Në një demokraci funksionale, ndonëse të brishtë, shteti shqiptar duhet të jetë arbitri që garanton drejtësi dhe balancë mes interesit publik dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Kur ky ekuilibër prishet, atëherë, pa tjetër që lind konflikti. Historia e Rrjollit është një kujtesë tjetër se zhvillimi i vërtetë i një vendi – sado i nevojshëm qoftë, nuk mund të ndërtohet mbi padrejtësinë ndaj qytetarëve.
Zbatoni drejtësinë para se të jetë vonë, në Rrjoll dhe anë e mbanë Shqipërisë!