“Tre divorcet e zotit Viktor N.” dhe divorci i Rudolf Markut
Romani Divorcet e Zotit Viktor N. i botimeve Mapo laureat i çmimit “Kadare” lexohet me endje dhe lexuesit shqiptar, e më shumë atij që jeton në perëndim, i qellon drejt e në zemër, i jep ndjesinë se autori po flet me mendjen e gojën e lexuesit vetë, një tregues tjetër për arritjen dhe gjuhën universale të këtij romani dhe provë e divorcit të fundit, kësaj rradhe, të vetë Rudolf Markut…
Nga Klara Buda
Si Kortezi RM
Romani Divorcet e Zotit Viktor N i botimeve Mapo, UET dhe fituesi i çmimit «Kadare» hap një faqe të shkelur pak të letërsisë post komuniste shqipe.
Me një narracion linear dhe shpesh me një thjeshtësi penetruese, autori Rudolf Marku ndjek e analizon fatin e intelektualit shqiptar Viktor, në immigracion, por ky intelektual mund të ishte fare mirë, çek, rumun, gjermano lindor. Peripecitë e tij e tejkalojnë peisazhin shqiptar dhe vendosen në venën e letërsisë post komuniste europiane, që shkëputet nga realizmi socialist. Por Viktori nuk ndryshon shumë edhe nga çdo qytetar i botës që një sms bëhet pretekst për varosjen e një martese agonizuese dhe që si çdo qytetar i kësaj bote kthehet në vendlindje dhe pëson zhgënjimet e tij në rrugën e rritjes.
Divorcet e Zotit Viktor N janë në fakt më shumë se tre, por autori përzgjedh të nënvizojë tre prej tyre të cilat hyjnë në kategorinë e ndarjeve të mëdha : ai me martesën, më shumë se me gruan, i dyti me atdheun dhe i treti me dashurinë. Këta dy të fundit janë njëkohësisht që të dy edhe ndarje me të shkuarën. Kështu romani Tre divorcet e Zotit Viktor N., mund të ishte fare mirë edhe Divorcet e Zotit Viktor…
Trajtimi i divorcit të mirëfilltë me gruan, është zhvilluar më shumë në një divorc me martesën si institucion në përgjithësi. Prishja e martesës është trajtuar me një qasje shumë moderne dhe e tejkalon ndarjen me një grua, (gruan e tij) por është një mënyrë për tu distancuar nga martesa jo vetëm me këtë grua, por me çdo grua. Kjo është një teme e trajtuar pak apo sipërfaqshëm në letrat shqipe. Autori, e çfetishizon këtë institucion fuqiplotë mesh shqiptarëve ku ende edhe sot në një mase të konsiderueshme divorci konsiderohet tabu.
Divorci me vendin e tij është edhe më i dhimbshëm dhe rëndon më shumë se i pari, sepse ka vetëm një Atdhe ! Ai nis me përsëritjen e stilit të pasçlirimit me vrasje politike dhe manipulime të mëdha, në lëvizjen e viteve 90- të : « Kishin filluar vrasjet e kundërshtarëve politikë, (…) jo të atyre që flisnin të autorizuar kundër regjimit, (…) por të atyre të vërtetëve, të atyre që e kishin megjithë mend, (…). [1]»
Autori si dëshmimtar okular dhe pjesëmarrës i lëvizjes për përmbysjen e totalitarizmit ka një kthjelltësi dhe analizë prej eksperti për këtë përmbysje. Ai konfirmon një mesazh të artikuluar rrallë në analizën e zhvillimeve demokratike në Shqipëri, atë të manipulimit të madh që parapriu tranzicionin e gjatë shqiptar, të 25 vjetëve. Atë të kompromiseve nga më të ndryshmet, të leshimeve e pastaj të shkeljeve që duket të jenë në bazë të atij që shumë analistë dhe ekspertë shqiptarë e të huaj e quajnë një sistem hibrid, po ende jo një demokraci të mirëfilltë të stilit perëndimor.
Ky divorc i Viktorit me atdheun thellohet me ekzekutimet publike, që vazhdojnë, kësaj here në stilin e kanunit, por në pamundësi për të vrarë fizikisht, vrasin moralisht përmes shpifjesh.
Rudolf Marku, gjith duke folur figurshëm dhe duke përdorur një leksik të zgjedhur ngelet megjithatë tejet ekzakt tek flet për të « përzënët e përjetshëm. Madje të duartrokitur për arratisjen e tyre» apo kur bën aluzion duke iu referuar « vorbullës se ujit që vërtitet në një rreth shkatërimtar, duke krijuar iluzionin e lëvizjes…».
Këtë divorc me Atdheun e plotëson sjellja dhe toni i njerëzve të politikës të cilët me agresivitet mbrojnë territorin e interesave të tyre : «Ju emigrantët është mirë të mos përziheni më me punët e Shqipërisë. Është mirë të rini aty ku jeni». paralajmëron drejt, hapur e pa sqimën, që të paktën, të flasë përmes rrjeshtash Z. Xhuljetë.
Sërish me një qartësi emblematike Marku jep mekanizmin e ndotjes dhe vrasjes publike përmes diskreditimit publik në shtyp që e pason një shaka të Viktorit mbi hyrjen e tij të mundëshme në politikë: « …është e njëjta përpjekje për vrasje – tashmë jo më me shufrën e hekurit pas kokës; me anë të përbaltjes publike… ». Autori fshikullon kalimthi edhe një prej gangrenave që bren në vend që ta ndihmonte demokracinë, median e blerë. Ndërkohë kofidenca që Besniku i bën personazhit kryesor mbi aleancën që kundërshtarët politikë bëjnë mes tyre kur u duhet, tingëllon gati si maksimë: «E majta këtu është gjysëm e majtë (…) [dhe] e djathta [po ashtu]».
«Vendimi» i divorcit vuloset me ndjesinë e tëhuejsimit, ai merr përmasa të trishta kur narratori pohon se Viktori tani ka të përbashkëta me Atdheun, veç varret. Varret, jo vetëm si fakt real, por edhe metaforë. Metafore se ndarja është e madhe si ajo mes jetës dhe vdekjes, duke trupëzuar idenë se gjithshka që për të ka vlere jetesore e terheq tutje, larg Atdheut duke e berë ndarjen përfundimtare e të pakthyeshme.
Divorci i tretë, gjithashtu i figurshëm, «lajmërohet» se është një divorc me dashurinë, por aty, mund të shohësh edhe një divorc me të shkuarën. Po a nuk është ambigia shënja e letërsisë së mirë? Pikërisht! Mundësia që gjithkush sipas nivelit, edukimit, përjetimit apo eksperiencës të shohë gjera të ndryshme; kjo është prova e padiskutueshme e letërsisë si një « filtër » i të vërtetave universale. Është pikërisht «çelësi» me të cilën letërsia ia kalon edhe filozofisë, pasi pa pohuar e përmes situatave, ajo thotë të vërtetat e mëdha të botës. Nga ana tjetër, kjo bëhet e mundur vetëm kur shkrimtari është i vërtetë, vërtetësia është nga arsyet kryesore të suksesit të tekstit – e themi këtu kalimthi- sepse shkrimtari më shumë se kushdo lipset të jetë i sinqertë. Dhe ky sinqeritet ndihet në tekstin e Rudolf Markut, dhe është një vlerë e tij.
Divorcet e tjerë më specifikë por jo më të vegjël megjithatë janë : ai me provincializmin dhe « fshatin e madh shqiptar » ku gjithshka njihet e dihet. Një divorc me këtë stil për të përqafuar anonimatin, që mund të jetë edhe divorci me identitetin e tij të njohur e të « përlyer » padrejtësisht përmes shpifjes, në shkëmbim të lirisë së pakushtëzuar që bëhët e mundur vetëm në metropolet e mëdha si Parisi, New Yorku, Londra. Është ky metropol i fundit ku ka jetuar e ku kthehet, sërish pas vizitës në Atdhe, Viktori e ku ai do të ndihet mirë pikërisht falë anonimatit.
Vjen pastaj divorci më një numër «vlerash» të dala mode, apo që nuk kanë qënë kurrë në modën e qytetërimit perëndimor, i cili i studjon, i analizon dhe përpiqet që ti eleminojë. Dëshira për tu dukur më mirë se ç’jemi. – si ajo e të dukurit, që në shkallën e vërtetë të vlerave është antivlera e snobizmit lehtësisht e definueshme dhe madje evidente për kulturën perendomore.
Në këtë optikë, personazhin kryesor, që në bazë të disa «vlerave», në fakt praktika të vjetëruara, është një humbës i madh, autori jo më kot ka zgjedhur ta quajë Viktor (fitues). Pikërisht sepse – dhe këtu kemi një divorc të ri, atë me një numër vlerash – snobizmin dhe krenarinë provinciale pathologjike, në favor të vlerave të vërteta të botes moderne.
Divorci tjetër i madh është ai me mentalitetin e vetgjyqësisë dhe vrasjes me kanun, të kanunit të lashtë e për disa të pa demodueshëm, ku pamundësia për të kryer vrasje fizike është shndëruar në një vrasje sociale, publike dhe që është e mundëshme jo vetëm në provincën e mirëfilltë shqiptare, por edhe në kryeqytetin po provincial Tiranë.
Është e vërtetë se divorcet më të rëndësishëm janë tre, por në rrugën e rritje-humbjes së Viktorit formëzohen edhe shumë divorce të tjera. Se procesi i rritjes është i lidhur pazgjithshmërisht me rrokjen e gjërave të reja e « divorcin » me të vjetrat. «Tre divorcet…» është para së gjithash Romani i zhgënjimit të madh – në rrugën e ritjes dhe të plotësimit si individ, si njëri në botën moderne që punon, shtegton, mëson dhe evoluons. Ai gjen kohë të kthehet e të shoh se nga vjen, të vërë një tufë lule në varrin e prindërve e të konstatojë se tanimë veç varret e lidhin me vendin e tij. Ndjen përplasjen e kulturave (ai vetë ka evoluar) ujin e ndenjur të vendlindjes, jo vetëm të vendlindes së tij, por në disa aspekte edhe të vendlindjes në përgjithësi (këtu autori mund të shkonte më larg në punën për universializimin e tekstit) kundrejt rendjes së lumit të botës globale.
Megjithëse Marku ka shkruar e botuar letërsi që në kohën e rregjimit, madje nganjëherë, në ndonjë vëllim poezie edhe duke paguar « haraçin» e botimit – që do të thotë siç pohon ai vetë – të shkruash në respekt e përputhje me normat e realizmit socialist, autori është ritur, dhe shkrimi e stili i tij kanë evoluar, janë përpunuar, pasuruar duke u shkëputur nga soc-realizmi.
Edukimi në perëndim, eksperienca jetësore dhe ushqimi me letërsinë bashkëkohorë ndjehen në këtë roman që lexohet me endje dhe lexuesit shqiptar, e më shumë atij që jeton në perëndim, i qellon drejt e në zemër, i jep ndjesinë se autori po flet me mendjen e gojën e lexuesit vetë, pra ky i fundit identifikohet në shumë situata me Viktorin, një tregues tjetër për arritjen dhe gjuhën universale të këtij romani dhe, edhe i një divorci tjetër, kësaj rradhe, i vetë Rudolf Markut me realizmin socialist.
Personazhi i tij kryesor Viktori në vend të një heroi pozitiv është një humbës i madh. Por ai është një qënie e ndershme që përpiqet të kuptojë veten dhe të tjerët dhe që ka kurajo të pranojë të vërtetat e egzistencës duke i parë ato drejt në sy e shpesh edhe me lupe!
Ky roman e vendos Rudolf Markun në tendencën më novatore të shkrimtarëve të periudhës post-komuniste, që karakterizohen si “çliruesit e letërsisë” duke hedhur poshtë perceptimin klasik të saj si mësimdhënëse morali.
Në një nivel filozofik, Viktori dhe divorcet e tij nuk kanë asgje shqipo – shqiptare, ato janë shkurt përballje në rrugën e ritjes dhe në këtë aspekt nuk ndryshojnë nga përballjet e çdo burri apo çdo gruaje të botes – përpos kësaj autori ka një trajtim të bukur të femrës ( edhe personazhi i Xhuljetës nuk stigmatizohet veçse për çka është objektive dhe jashtë klisheve seksiste) gjë që është provë edhe e një divorci tjetër, atij me mentalitetin patriarkal ende shumë të pranishëm në letrat shqipe, për të gjitha këto ky roman ka vlera të rendësishme universale!
Ai përbën gjithashtu një hap para në traditën letrare shqipe të fshikullimit të mentalitetit provincial në kryerjen e punëve, dhe një gur në rrugën tonë drejt modernitetit .
Romani Divorcet e Zotit Viktor N. i botimeve Mapo, UET e ngre një shkallë më lart letërsinë post komuniste shqipe që po formëzohet duke u distancuar nga realizmi socialist dhe mendos se ishte një hapje e bukur, e merituar e çmimit «Kadare».
Klara Buda, Rome, 4 shtator 2016