Mentor Nazarko: Kur historinë… edhe të Skënderbeut, e bëjnë gazetarët me formim inxhinierik
Shkrimi i Fahri Xharrës, një gazetari të njohur kosovar, me specializim për temat historike, një aktivist i fortë kundër ekstremizmit islamik, kritik ndaj Mustafa Nanos vjen sot në Konica.al me një logjikë të caktuar. Ai mban parasysh disa fakte në aktivitetin e kolegut tonë të shquar Mustafa Nano dhe disa të tjerë në ato të kolegut Xharra. Që të dy janë gazetarë aktualisht, por vijnë në këtë zeje, prej inxhinierisë, një profesion i respektuar që ndihmohet shumë prej logjikës, prej shkencave ekzakte në përgjithësi. Ky shkrim po ashtu mban parasysh edhe elementë psikologjikë që kanë përcaktuar këtë ndjesi kritike të kolegut Xharra nga Kosova që duhet ta themi në krye të herës se është tërësisht e shpërpjestuar dhe joetike.
Po le të shkojmë tek parashtrimi i fakteve. Kolegu Mustafa Nano, është i njohur për disa botime të reja jo më në eseistikë letrare, apo gazetari, por dhe në histori. Kjo ndërmarrje e tij, për të divulguar të vërtetat historike dominante, për të provokuar mendim kritik rreth tyre është plotësisht e lavdërueshme. Në themel të kësaj shtyse qëndron dëshira për të sfiduar mendimin dominant historik nëpërmjet sprovash me karakter divulgativ, por të mbështetura mbi burime cilësore. Përpjekjet e Mustafa Nanos në këtë drejtim janë të ngjashme me ato të një kolegu tjetër si Blendi Fevziu me veprat e tij për Hoxhën dhe Zogun, natyrisht me diferenca në sasinë dhe cilësinë e burimeve, stilin rrëfimtar, pretendimet, aparatet e ndryshme promocionale, etj. Edhe eksperienca europiane njeh shembuj gazetarësh që shkruajnë historiografi të divulguar me instrumente gazetareske përshkrimi si Misha Gleni, Furio Kolombo, etj.
Më konkretisht Nano ditët e fundit ka botuar një libër me titull provokues « A është mirë me qenë shqiptar ? ». Libri ka parathënien dhe recensën e ndoshta historianit më të madh shqiptar të gjallë Pëllumb Xhufi, i cili sigurisht ruan distancën e vet nga tezat e Nanos, apo nga shikimi i tij, diçka e kuptueshme po të mbash parasysh orientimin e Xhufit në gjithë veprën e tij.
Në kuadër të promovimit të librit të vet, Mustafa Nano ka folur para studentëve të UET. Panorama ka botuar një raport të bashkëbisedimit të tij me studentët, dhe në këtë kuptim sado besnik të ketë qenë ky raportim, ai çalon në autenticitet, në themeltësinë e një pretendimi si ai që i vihet Nanos në gojë për origjinën e Skënderbeut.
Prej këtij raportimi, është nisur kolegu i respektuar Fahri Xharra, dhe me gjasë jo prej leximit të librit. Nëse do të ishte vetëm kështu, shkrimi i tij do kishte një fillesë relativisht të dobët. Ai nuk ka lexuar librin e Nanos, apo pretendimin e tij drejtpërdrejt, apo të mbështetur mbi burimet e tij, por një raport gazetaresk të një reporteri. Por nuk mjafton vetëm kaq. Xharra, një aktivist i njohur kundër ekstremizmit islamik në Kosovë, ka reaguar në mënyrë të shpërpjesëtuar, ndaj këtij pohimi të raportuar të Nanos për origjinën e Skënderbeut. Ai bën lidhje pa lidhje me Katovicën, duke u nisur nga një pandehmë konspirativiste sipas të cilës, gjithë zhvillimet postkomuniste në Shqipëri kanë qenë të përcaktuar në Katovicë, nga presidenti sovjetik i kohës Gorbaçov dhe zbatuar nga presidenti shqiptar Ramiz Alia.
Xharra i prekur sipas mënyrës së vet në sentimentin e tij kombëtar, ndihet i justifikuar në këtë pandehmë të re shumë ofensive që e sheh veprën rishikuese të Fatos Lubonjës, Oliver Shmitit, Ardian Klosit, Mustafa Nanos për figurën e Skënderbeut tek Katovica. Këta autorë e kanë minimizuar, apo zbehur përkatësinë etnike të Skënderbeut, dhe kjo e ka provokuar ndjesinë e tij kombëtare.
Nuk ka diskutim se Xharra e ka tepruar me egërsinë e vet ndaj kolegut Nano. E gjitha kjo është e shpërpjesëtuar dhe me gjasë prapa kësaj egërsie ai shpërfaq megjithë pjekurinë e vet të njohur, një kompleks të çuditshëm të disa prej kolegëve të Kosovës ndaj disa kolegëve të Shqipërisë. Në pikëpamje të veprave, të gjithë i qasen një sfere publike kombëtare të pandashme sipas linjës së kufirit, qoftë Nano, qoftë Xharra, ndaj nuk ka nevojë për kurrfarë egërsie apo protagonizmi të sforcuar si ky i Xharrës. Xharra duhet të mbesë tek argumentat dhe kjo është e vetmja arsye pse ne vendosëm ta botonim artikullin e tij. Kolegu Nano, i argasur me sulme të egra, nuk do mërzitet për shfrimin e Xharrës, i shpërpjesëtuar, dhe për më shumë jo kundër librit, jo i mbështetur tek libri, por tek një raportim gazetaresk.
Thënë këtë, Xharra ka cituar një burim serb megjithatë, i cili e vendos atë në pozitë më të pëlqyeshme në një pjesë të opinionit publik shqiptar, i cili është shumë i dëshiruar për të dëgjuar apo lexuar shkrime divulgative që ekzaltojnë kombin shqiptar, heronjtë tanë, etj. Sipas këtij libri serb të viteve 1880, « Skënderbeu në këngë », heroi ynë kombëtar, konsiderohej si shqiptar prej vetë serbëve, diçka që sigurisht e provokon pretendimin e Nanos, ashtu si raportohet në Panorama.
Në të gjithë rastet është mirë të shkohet të pihet ujë tek burimi drejtpërdrejt. Nano të lexohet drejtpërdrejt dhe jo nëpërmjet një burimi gazetaresk. Dhe sprova e tij të konsiderohet si sprovë, ndonëse sasia e burimeve, cilësia e tyre, shoshitja mund të japin një përfundim që sfidon të vërtetat dominante të historiografisë sonë, prej të cilave ne e kemi të vështirë të shkëputemi. Edhe zoti Xharra duhet të lexojë Nanon drejtpërdrejt. Sot megjithatë, ai ndonëse me zhurmë, ka dhënë një shah dhe lëvizjen tani e ka Nano.